Muzeu i Skënderbeut i veçantë, me kupolë ovale dhe 150 piktura

1120
Sigal

Bisedë me piktorët Elis dhe Rudina Hyshmeri: Për portretin e Skënderbeut jemi bazuar pak te Barleti e pak tek Panariti, por duke sjellë pse jo dhe variantin tonë

Intervista për Muzeun e Skënderbeut

-Ky muze ka një kupolë ovale me lartësi prej rreth 7 metrash me hapësirë  prej 178 metër katror të pikturuar

– Nëse të gjithë veprën do ta ndanim në telajo, do të ishin mbi 150 piktura

– Ky muze ka piktura  murale ose siç njihet ndryshe afresk në akrilik

– Për portretin e Skënderbeut jemi bazuar pak te Barleti e pak tek Panariti, por duke sjellë pse jo edhe varantin tonë

Albert Z. ZHOLI

– Si është ideuar ky muze si hapësirë dhe ku?

Bëhet fjalë për  një kupolë ovale, e cila nga një lartësi prej rreth 7 metrash në qendër  të saj, zbret nga të gjitha anët deri në tokë. Struktura  është ndërtuar me material të thjeshtë nga jashtë dhe nga brenda është realizuar me konstruksion metalik dhe gips. E gjithë kjo hapësirë  prej 178 metër katror është e pikturuar.

-Koha ka ndalur në një ditë feste pas fitores së një prej betejave të Skënderbeut kundër turqve dhe paraqet atmosferën festive dhe bukuritë natyrore aq të mrekullueshme të vendit tonë. Skënderbeu qëndron në tendën e tij i rrethuar nga njerëzit e besuar si Lekë Dukagjini, Marin Barleti, Mamica etj, duke menduar për strategjinë e radhës.

Arbërit paraqiten pjesërisht duke festuar e pjesërisht duke kryer aktivitetet e përditshme në një ambient fushimi jashtë kalasë së Krujës. Në horizont duken tendat e principatave si Muzakajt, Topiajt, Balshajt, Arianitët, etj, që tashmë të bashkuar  nën prijën e  Gjergj Kastriot Skënderbeut  po i bëjnë ballë Turqve.

 – Brenda muzeut ka vetëm piktura apo dhe objekte dhe sende të asaj periudhe historike shqiptare?

Muzeu është konceptuar  për të dhënë idenë e një ambienti  sa më natyral, ku vizitori i vendosur në qendër vëzhgon në të gjitha drejtimet, duke marre një ide të plotë dhe shumë pranë një ngjarjeje reale. Pamja fillon të konkretizohet  nëpërmjet objekteve 3- dimensiolale si fragmente kolonash, objekte  qeramike, shkëmbinj natyralë, heshta dhe pa dyshim, armët dhe përkrenarja e heroit tonë kombëtar, sigurisht e riprodhuar nga unë sipas origjinalit . E gjithë kjo atmosferë do të shoqërohet edhe me efekte audio të natyrës,si troku e kuajve, fëshfërima e erës, gurgullima e ujit, blegërima e bagëtive dhe hera herës klithma e shqiponjës.

 – Rudina sa piktura mendoni se keni realizuar në këtë muze nëqoftëse ato do të ishin të fragmentuara ?

Nëse të gjithë veprën do ta ndanim në telajo, pa hezitim do të thonim se do të ishin mbi 150 piktura, pa përmendur këtu prekjet  dhe realizimin e objekteve  3- dimensionale.

– Në çfarë teknike është kjo mega pikturë?

Kemi të bëjmë me të njëjtën teknikë si tek Muzeu i Elbasanit, pra pikturë  murale ose siç njihet ndryshe afresk në akrilik.

– Në cilën gjini është tentuar të përvijohet më qartë ky muezum në portrete, peizazhe, kompozime, balada apo natyra të qeta?

Muzeu përfshin një mori gjinish brenda tij; brenda një peizazhi gjigant janë vendosur skena nga më të ndryshmet, si valltarë të krahinave që nga Çamëria e deri në Kosovë  me kostumet e tyre shumëngjyrëshe, luftëtarë sipër kuajve të tyre me veshjet tipike mesjetare, njerëz të thjeshtë që korrin grurin aq të çmuar për Arbrit, udhëtarë  që vijnë të prekin sadopak nga lavdia e Skënderbeut, barinj që kullosin dhen, lopë e dhi, tenda ushtarësh që ç’lodhen në pritje të betejave të radhës, etj. Pra kemi të bëjmë me një gjithëpërfshirje të gjinive të pikturës ku edhe simbolika ka padyshim një rol të veçantë. Në hyrje të muzeut në krahun e majtë të uron mirëseardhjen një dhi mbi shkëmb që nuk është rastësisht aty, ajo simbolizon në mënyrë indirekte  përkrenaren e Skënderbeut dhe rrjedhimisht edhe vetë atë.

Pothuajse në balle të pikturës në krahun e majtë, qëndron tenda e Skënderbeut e vendosur nën hijen e një lisi, që është i njohur botërisht si një simbol mbretëror. Skënderbeu paraqitet i ulur në një fron me një plis ( qeleshja e bardhë e përdorur gjerësisht në mbarë hapësirën Ilire) në kokë dhe i shoqëruar nga shpura e tij. Në krahun e tij të majtë qëndron kali i tij besnik dhe sipër qëndron flamuri i Kastriotëve. Përballë Skënderbeut në krahun e djathtë të veprës qëndron kalaja e Krujës, sipër kodrës me ullinjtë e vyer që na la Skënderbeu si traditë. Midis kalasë dhe Skënderbeut lart në qiellin e kthjellet qëndron simboli ynë i flamurit. Shqiponja  fluturon krenare në qiellin e saj Arbëror.

Poshtë në fusha ndodhen tendat e fiseve më të shquara të kohës, me flamujt e tyre e simbolet përkatëse…

– Elis ku jeni bazuar për ideimin e këtij muzeu, në historinë e Shqipërisë apo në pikturat e ndryshme që keni parë për këtë figurë të madhe ndërkombëtare?

Sigurisht që krijimi i një vepre kaq të madhe kërkon shumë përgjegjësi dhe punë  të palodhur. Na është dashur shumë kohë  për të ideuar një të përgjithshme të veprës dhe më pas, kohë pas kohe të hulumtojmë  për të njohur më shumë detaje dhe fakte, lidhur me këtë figurë të rëndësishme të historisë tonë. Po ashtu kemi shfletuar libra dhe kemi marrë në konsideratë vepra të piktorëve të mëparshëm, për të krijuar një ide personale dhe ndoshta sa më pranë të vërtetës. Jemi bazuar pak te Barleti e pak tek Panariti, por duke sjellë pse jo edhe varantin tonë të Skënderbeut. Një Skënderbe në momente shplodhje por jo euforik, i qetë e i mençur, i menduar dhe strateg. Ndryshe nga çdo vepër tjetër kushtuar atij, kjo vepër sjell një Skënderbe më njerëzor më të prekshëm e të natyrshëm. Tabloja paraqet një dimension tjetër të shqiptarëve, përkundër atij heroik që jemi mësuar ta shohim gjithmonë. Ne ju sjellim anën tjetër të medaljes, atë të shqiptarit “Zot në tokë të vet”. Zot në një natyrë të mrekullueshme e me gjithë begatitë e saj. Ju sjellim edhe një herë ndërmend, ashtu si në kohën e rilindësve, arsyet se përse ne duhet të jemi krenarë dhe modeste në të njëjtën kohë.

 – Sa i rëndësishëm mendoni se do të jetë ky muze për Elbasanin dhe më gjerë?

Së pari ky muze është  një risi për sa i takon formatit të tij. Është një vepër ku vizitori gjendet padashur brenda pikturës, ai gati transportohet në një moment të ngrirë të së shkuarës. Vlen të theksojmë se është i pari i llojit të vet në Shqipëri. Do të jetë shumë mirë sikur projekte  të tjera si ky, pse jo edhe me të mëdha të realizohen .

– Rudina për Skënderbeun  janë bërë shumë piktura dhe skulptura brenda dhe jashtë Shqipërisë, mos vallë pa dashje mund të bini pre e përsëritjeve?

Për vet llojin e tij, formatin, teknikën dhe se fundmi por jo më pak të rëndësishëm , këndveshtrimin nga i cili është parë, kjo vepër pa dyshim do të jetë unikale dhe përkrah veprave të tjera të mira shqiptare.

 – Si qëndron në subkoshiencën tuaj figura e Skënderbeut? Kush janë tiparet e tij dalluese për ju?

Sigurisht që Skënderbeu në ndërgjegjen time personale, por besoj se jo vetëm timen por edhe të gjithë shqiptarëve, është njeriu më i shquar i të gjitha kohërave. Është një figurë që ka shërbyer si frymëzim për shumë breza qe kanë ardhur pas tij. Mendoj se një rikujtesë e rëndësishme dhe sjellje në vëmendje për këtë figurë, që dhe viti 2018 i cili si vit jubilar i 550 vjetorit të vdekjes së heroit, iu kushtua tërësisht atij.

Një muze për Skënderbeun në Elbasan, çfarë ju grishi për këtë nismë?

Realizimi i këtij muzeu vjen si jehonë e vitit jubilar  që përmenda më sipër dhe meqenëse Heroi është mbarë kombëtar ai pa dyshim u takon të gjithë shqiptarëve .

– A keni bërë më parë në fillimet e tuaja ndonjë pikturë për Skënderbeun kur daton dhe a ka qenë pjesë e ndonjë ekspozite?

Figura e Gjergj Kastriotit është trajtuar më herët nga shumë artistë dhe ndoshta edhe për këtë arsye në përgjithësi artistët e rinj, nuk e kanë trajtuar së fundmi rëndom këtë subjekt. Po siç e tha më lart edhe Rudina, viti jubilar e risolli këtë figurë në vëmendje të artistëve dhe sikur pati disa reagime. Ajo çka menduam se do ishte interesante për publikun, ishte këndvështrimi në të cilin ne do ta risillnim këtë figurë, që siç e përmendëm edhe më sipër është krejtësisht i ri. Ai nuk paraqet heroin gjatë luftës ose në betejë, por një strateg që tashmë i ka vënë gjërat në vijë dhe populli i tij feston i qetë e i lumtur.

– Rudina në përgjithësi femrat janë natyra të buta, të ndjeshme, mendoni se mund të gjeni atë forcë ideore dhe teknike për të sjell një Skënderbe sipas legjendave ku ai del madhështor?

Mendoj se gratë shqiptare mund të jenë më të dobëta fizikisht sesa burrat, por shpirtërisht, intelektualisht dhe nga pikëpamja e karakterit, historikisht gratë shqiptare kanë treguar se dinë të jenë nëna të dhembshura, bashkëshorte të denja, luftëtare trime dhe pse jo profesioniste të zonjat. Sigurisht është shumë e vështirë të mbash disa kunguj nën sqetull, por pikërisht për këtë jemi më të forta ne gratë…

– Cila gjini është më e preferuar për ju dhe pse?

Të gjitha gjinitë e artit janë bërë për tu lëvruar nga artistët dhe ajo që unë zgjedh varet nga shumë faktorë. Nga mënyra si ndihem në një moment të caktuar, ku ndodhem, çfarë më rrethon, faktorët emocionalë, ndikime shoqërore e shumë e shumë të tjera. Pra mund të them se shprehem ne çdo lloj gjinie në varësi të momentit dhe nuk i kam vënë vetes ndonjë kufi.

 – Mund të jetohet sot me pikturë?

Sigurisht që të jesh piktor apo skulptor sot nuk është profesioni më fitimprurës në botë, por është pa dyshim ajo që unë dhe Elisi duam dhe dimë të bëjmë më mirë.

– Nëse mund të gjeni një punë të mirë që ju sjell të ardhura të kënaqshme, a do ta linit pikturën?

Favori i të bërit art është fakti që nuk ke një orar apo moment të caktuar se kur ti duhet ta realizosh një vepër. Prandaj gjithmonë mund të gjesh pak kohë për të qëndruar me të.

 -Çfarë është aktualisht piktura për ju?

Tani dhe gjithmonë piktura për mua është profesioni im, dashuria ime, lufta ime më e madhe dhe paqja ime…