“Mjeshtri i Madh i Punë s”Abedin Çici, ka qënë dhe mbetet një nga figurat qëndrore të bujqësisë shqiptare,ashtu si Dhaskal Todri që solli shkronjat shqip

1021
Sigal

“Mjeshtri i Madh i Punës” Abedin Çiçi, ka qenë dhe mbetet një nga figurat qendrore të bujqësisë shqiptare.

Abedin Çiçi,  ashtu si Dhaskal Todri që solli shkronjat shqip

Nga Bashkim Koçi

 

Jeta e “Njeriut të Shekullit”, e specialistit emërmadh të pemtarisë shqiptare Abidin Çiçi, është më shumë se një histori pasioni, është gati-gati si një ëndërr brenda ëndrrës. Dhe kam besuar se është e tillë sepse ai gjatë gjithë jetës së tij, e cila iu afrua shekullit, u përball me vështirësi, me sakrifica të mëdha, por që fundin e “udhëtimit” e mbylli si të gjithë ata njerëz, të cilët e gjejnë lavdinë tek shenjtëria e punës. Kam patur fatin e madh ta kem njohur, të kem qenë student i tij, dëgjues i leksioneve që na jepte për pemtarinë, por për më shumë “leksionet” për të mësuar se si të silleshim me pemët frutorë gjatë përdorimit të gërshërëve të tija magjike dhe komunikimin me to si të ishin gjallesa që merrnin frymë. Abedin Çiçi u lind në Nepravishtë të Gjirokastrës më 28 nëntor të vitit 1911, në fshatin me shtëpi që “ua zënë frymën” pemët e që rrethohen me kopshte, ballkone e avlli të zbukuruara me vazo lulesh e trëndafila. Për nga traditat e punës dhe të luftës, por edhe nga historia për t’u gjendur në të gjitha kohërat në krah të progresist të historisë e në shërbim ndaj atdheut, Nepravishta mbetet model dhe simbol i shqiptarizmës. Ishte ky mjedis ndikues që e gjithë “mbarësia” e jetës të Abedin Çiçit të merrte bekimin e trashëguar e të lënë amanet brez pas brezi, për ta ushqyer atdhedashurinë pambarimisht, por edhe  me shumë dashuri. I ati, Dervish Çiçi, kishte qenë një ndër patriotët më në zë të asaj zone, i cili nuk e hoqi syrin nga dyfeku, në luftë, në radhët e çetës legjendë të Çerçiz Topullit. Por për shkak të një të ftohti të rëndë, të cilin e mori  gjatë qëndresës maleve me luftëtarët, u nda nga jeta fare i ri , duke e lënë të voglin Abedin vetëm 18 muajsh. E ëma, vajzë ende e parritur, u detyrua të  largohej për të krijuar një familje tjetër të re. Po me fëmijën kërthi, i cili sapo ishte ndarë nga gjiri i nënës, çdo të bëhej? Në kujtimet e lëna nga Abedin Çiçi gjetëm këtë shënim: ‘Gjyshja, e mira Zubéjde, mu bë prind, mësuese dhe një mike shumë e mirë. Mbaj mend, thotë ai, që më merte kalapiç në krahë dhe më shëtiste e më çonte andej nga doja unë.” Thuhet se sekreti i ecjes përpara tek njeriu qëndron tek nisja, tek hapi i parë. Por Abedin Çiçi nuk qëndroi rob i fatit të tij. Edhe pse mbeti jetim, gjyshja u kujes që ai të vijonte shkollën rregullisht, ashtu si të gjithë të tjerët që ishin me nënë e babë. Tre klasë të para i kreu aty në fshat, ku shkolla, sipas kujtimeve të tij, ishte në xhaminë e Nepravishtes. Klasat e tjera, deri tek e gjashta, i kreu  në shkollën  plotore të Libohovës, të cilën e përfundoi në vitin 1926.  Në një farë kuptimi gjyshja, brenda teritorit të “pushtetit “ të saj, e kishte kryer detyrën dhe ishte vetëm ajo që ishte bërë pjesë e jetës së tij për t’i hapur sytë ndaj një ndryshimi të domosdoshëm që i duhej për më tej. Çuditërisht atë vit, pra sapo kishte mbaruar plotoren e Libohovës, u ngrit ‘Shkolla Bujqësore’ për djemtë e Institutit Shqiptar-Amerikan ”. Të paktën kështu është pagëzuar në ditën që u formua kjo shkollë, sepse më pas ajo thirrej (edhe sot) “Teknikumi Bujqësor i Golemit, Kavajë”. Mundësia për t’u shkolluar më tej, këtë radhë trokiti në derën e Abedin Çiçit, të cilën ai jo vetëm e dëgjoi, por e konsideroi “zog që i erdhi në dorë” dhe për t’u betuar se nuk do ta lëshonte nga dora sa të ishte gjallë. Eshtë fakt që ajo shkollë, e themeluar nga amerikani Harry Fultz, u bë shkas që, ashtu si të gjithë nxënësit e tjerë të e asaj shkolle, të mirëedukohej falë disiplinës apsolutisht të hekurt ku  në veçanti orët e praktikave përbënin themelin e programit. Aty Abedin Çiçi gjeti pedagogët e nevojshëm që do ta ndihmonin të rritej e të bëhej ai që realisht u bë. Nuk ka sekrete për suksesin. Mjafton që gjithçka të jetë e lidhur me veprimin. Madje kjo gjë mund të themi se ka qenë e vetmja “magji” për Abedin Çiçin. Këtë provë atij iu desh ta jepte pas mbarimit të shkollës së mesme bujqësore, kur iu dha rasti të shkonte për specializim për një periudhë një vjeçare (1932-1933) në Firence të Italisë, në Institutin Pomologjik, nga më të mirët e kohës për vendin ku pemtaria dhe vreshtaria kishte marë zhvillim të madh. Ai aty u njoh me teknologjitë e reja të mbarshtimit të pemëve, me lloje e varietete që nuk i kish parë as në endërr, por fakti që do ta bënte më të “pasur” me dituri ishte njohja dhe miqësia që lidhi me profesorin më me emër të Italisë, me Moretinin e madh. Në dhjetor të viti 1933, menjëherë pasi përfundoi specializimin, Abedin Çiçi mori rrugën për në Atdhe. Por ky udhëtim për të do të bëhej shkak që ai të çfaqej ai që ish, guximtar dhe pasionant  i jashtëzakonshëm pëe pemtarinë. Ai, për çka bëri, do të rrgjistrohej në Librin e Artë të historisë së bujqësisë shqiptare si agronomi i parë që, ashtu si Dhaskal Todri, i cili kishte lënë të gjithë pasurinë e tij për të sjellë në Shqipëri një ngarkesë me shkronja tunxhi dhe krijimin e shtypshkronjës së parë në vend, edhe Abedin Çiçi, me kursimet e tij, të siguruara gjatë kohës që qëndroi në shtetin fqinj për specializim, “ia tha mendja” të blinte fidanë nga koleksioni i specieve më të mira frutorë të Stacionit të Pomologjisë të Firences për t’i mbjellë e shumuar në fidanishtet e vendit të tij. Për kuriozitet të lexuesit më duhet të sjell disa të dhëna nga “pakoja” që  dhuronte agronomi i porsadiplomuar me rasitin e vitit të Ri 1934  koleksionit të fidanishtes të ngritur në Laprakë. Fidanët që ai paketoi e i bëri gati për udhëtim, ishin të varieteteve të mollës, dardhës, pjeshkës, kajsisë dhe të kumbullës. Në këtë ngarkesë “të çuditëshme” kishte edhe kultivarë siç ishin ata të qershisë, vishnjes, hurmës, luleshtrydhes dhe nënshartesa të pemëve frutore. Gjithsej ky koleksion përbëhej nga 100 varietete ku pjesën më të madhe e zinte pjeshka, molla, kumbulla dhe kajsia. Në këtë udhëtim, paksa i pabesueshëm, agronomit Abedin i ndodhi edhe një “incident”, i padëgjuar deri atëherë, i cili lidhej me shërbimin doganor e që për fat të keq kishte të bënte më një shumë të hollash që nuk ishin paguar në bazë të rregullave, por jo për faj të tij. “Konflikti” me punonjësin e doganës u acarua keq, deri tek kërcënimi “ose paratë, ose ngarkesa me fidanë do të përfundojë në det”. Por Abedin Çiçi ishte nga soji i   shqiptarëve që nuk mund të duronte dot dhimbjen nëse kjo gjë do të ngjante. Ndaj edhe “kërcënoi” sipas mënyrës të tij, por me reagim shumë të sinqertë, që i doli nga shpirti: “po sinjore, hidhini fidanët në det, por bashkë me ta t’i duhet të më hedhësh edhe mua!” Italiani nga ky reagim diçka kuptoi, ndaj nuk ndërmori asnjë veprim, duke shpëtuar kështu fidanët dhe bashkë me ta edhe agronomin e paparë dhe të padëgjuar në histori të tilla, Abedin Çiçi.

Suksesi është i lidhur me veprimin dhe njerëzit e suksesshëm nuk mund të rrinë dot ndalur, gjë që nuk mund të ngjante as me specialistin e porsakthyer nga Firencja. Detyra që iu ngarkua, të cilën ai e priti si lartësi mali që do ta ngjiste deri në majë, ishte ajo e drejtorit të fidanishtes më të madhe e më të spedcializuar në vend, atë të Laprakës në Tiranë. Ai e priti me shumë optimizëm detyrën e re edhe sepse po i jepej rasti të vinte në jetë praktikat që kish mësuar pranë Institutit Pomollogjik të Firences dhe, ca më shumë, të porosive që i kish dhënë profesor Moretini.  Sigurisht, pengesat ishin të shumta dhe herë-herë bëheshin jo të lehta për të mbritur deri tek ëndërra. Por Abedin Çiçi ishte gatuar për të mos u kthyer apo të linte punën në mes, nëse i dilte një mur përpara. Jo, ai mendonte si t’i vinte rrotull “murit”për ta kapërcyer. Dhe ja cilat ishin arritjet e tij të para. Brënda 4 vjetëve ai e ktheu fidanishten e Laprakës institucion prodhues dhe mësimdhënës për zhvillimin e pemtarisë. Ndërkohë, po me kaq passion, projektoi dhe ngriti fidanishtet “bija” në Peshkopi, Korçë, Kukës, Kavajë, Fier, Libohovë, Borsh, etj. Eshtë disi e pabesueshme, por nën drejtimin e specialistit Abedin Çiçi, brënda një kohe të shkurtër, u arrit të prodhoheshin mbi 1.5 milionë fidanë në vit. Ai bëri që importit të fidanave frutorë t’i thuhej “stop”, por çka e bënte edhe më të dukshëm progresin, ishin mbjellja dhe përhapja e varieteteve të panjohura deri atëherë, ata që konsideroheshin nga më të mirët në zhvillimin e pemtarisë në botë. Fidanishtja, aty në Laprakë, ishte bërë shtëpia, jo e dyta siç thuhet, por e vetmja për Abedin Çiçin. Aty gdhihej, aty ngrysej. Por një ditë, pas katër vitesh punë të jashtëzakonshme, Abedin Çiçin e poshojnë nga puna dhe e zëvendësojnë me një italian. Ishte aty nga fundi i vitit 1938 dhe politika pro-italiane thuhej se e përdori si hakmarrje. Zëmërimi i punëtorve, për shkak të këtij vendimi prej “të fortish”, u mbajt mend gjatë dhe hyri në histori si “Revolta e Laprakës”. Sigurisht, kopukët që kryen këtë veprim nuk e korigjuan, por falë aftësive dhe autoritetit që kish krijuar si drejtues dhe specialist i zoti, u detyruan ta emërojnë si kryespecialist në sektorin e gjelbërimit pranë Ministrisë së Brendshme Kombëtare në Tiranë. Abedini ishte i biri i Dervish Çiçit ndaj nuk mund të tjetërsohej, të mbetej pjesë e qeverisë Kujslinge pas pushtimit të vendit nga Italia Fashiste në 7 Prill të vitit 1939. Kushtet e diktuan të largohej jashtë atdheut, në fillim në Jugosllavi e më pas në Greqi. Fati ia solli që në Greqi t’I bashkangjitej një grupi çam, të cilët ishin internuar në Kretë, e bashkë me ta të gjendej në Çamëri. Ishte viti 1941 kur ai u kthye në Atdhe e që pa u menduar gjatë u bë veprimtar i shquar i lëvizjes Nacionalçlirimtare. Si i tillë ai u përndoq, u spiunua deri sa një ditë u gjend brenda hekurave të burgut. Agronomi i mirënjohur Hysen Çobani, të cilit ia solli puna që bashkë me gjyshen t’i shkonin në burg Abedinit, të cilin Hyseni e kishte dajë, e përshkruan gjendjen e tij kështu: “Këpucët pa lidhëse, pantallonat e grisura e pa rrip, krejt i demoralizuar. Pashë edhe ca vizatimet në mur me skica e skema pemëtoresh.” Lexuesit të këtyre radhve me siguri i tërheq vëmendjen “vizatimet në mur me skica e skema pemtoresh”. Ja, deri këtu, në këto maja ishte ngjitur pasioni dhe dashuria e Abedin Çiçit për pemët frutore. Mos thuaj pastaj që vetëm pasionet janë ata që mund ta lartësojnë shpirtin e njeriut drejt gjërave të mëdha.  Dalja nga burgu Abedin  Çiçin e gjeti në formacionet partizane, si luftëtar. As vetë unë, shkruesi i këtyre radhëve për profesorin tim, nuk e kam ditur që ai në Kongresin e Përmetit të ish zgjedhur anëtar i Këshillit të Përgjithshëm Antifashist-NÇL.

Po në këtë kohë është emëruar si shef i bujqësisë për zonën e parë operative Vlorë-Gjirokastër. Materialet, kryesisht dokumenta dhe fotografi, të cilat janë ruajtur me shumë kujdes nga familjarët e tij, tregojnë se ai nuk e kishte për zakon të mburrej e të krekosej me koburen në brez. “Koburja” e tij ishin gërshërët, mjeti metë cilën ledhatonte e zbukuronte, u jepte jetë pemëve. Në çdo lloj kuptimi gërshërët e tij ishin dhe mbeten proverbiale, symbol i dashurisë së tij si agronom. Pas mbarimit të luftës Abedin Çiçi caktohet në detyrën e shefit të frutikulturës në Ministrinë e Bujqësisë dhe që u muar kryesisht me hartim programesh për fuqizimin e fidanishteve ekzistuese dhe për ngrijen e të rejave. Por puna në digaster nuk zgjati shumë sepse ndodhi çudia, pushimi nga puna “për mungesë vullneti dhe rendiment të ulët në punë”. Mesaduket këtë specialist të pazakontë e ndiqte hija e shkollës amerikane të themeluar nga Harry Fultz. Por kishte edhe persona të tjerë që ishin bërë xhelozë për aftësitë që ai kishte, ndaj edhe  sulmonin për ta mënjanuar, për ta zvogëluar e denigruar figurën e tij.   “Udhëtimi” në profesionin e bukur për Abedin Çiçin pati çvendosje për keq; në fillim punëtor krahu në fidanishten e Laprakës, të cilën e kishte ngritur e rritur me mendjen dhe duart e veta, e pastaj diçka ndodhi sepse mori emërimin si mësues në Teknikumin Bujqësor. Themi “diçka kish ndodhur” sepse nuk zgjati shumë që ai të punësohej agronom në Institutin e Kërkimeve Bujqësore në Tiranë.  Më pas, vit pas viti, Abedin Çiçin e gjejmë në punë ku kryqëzohej bukur praktika me teorinë, bazë për të patur sukses në bujqësi. Kështu në vitin 1950 ai emërohet nën/drejtor i teknikumit bujqësor Kamëz ku merrej me mësimdhënie dhe me hartim programesh dhe tekstesh mësimore për agronomët e ardhshëm. Një vit më pas ai u emërua shef i sektorit të Hortikulturës pranë stacionit kërkimor bujqësor në Brakë të Tiranës. Në vitin 1955, kur  teknikumi bujqësor u kthye në Institut të Lartë Bujqësor (sot UBT) Abedin Çiçi vazhdoi të ishte pedagog, madje të ishte një nga mësimdhënësit më me përvojë. Veprat e mëdha nuk realizohen me zor, por me këmbëngulje, këmbngulje që gjente vendin e saj në karakterin e pathyeshëm të Abedin Çiçit. Është periudha kur ai u caktua të punonte në NB “Gjergj Dimitrov”, në një nga fermat e para që hapi një epokë të re për bujqësinë shqiptare. Mbas saj u formuan edhe të tjera si NB Vora, NB Shkodra, Ksamili, NB e Peshkopisë etj., por NB “Gjergj Dimitrov”, falë kapacitetit intelektual të Abedin Çiçit, u arrit të realizohej transformim i plot i kodrave në periferi të Tiranës, duke i kthyer produktive, e që siguroheshin të ardhura të pashembullta. Abedin Çiçi tashmë ishte kthyer në emër symbol, kishte meritur të konsiderohej  “i gjithpushtetshëm” dhe si agronom projektues, zbatues, administrues e deri në më të “fshehtat” e profesionit, siç ishte seleksionimi  dhe arkivues i specjeve e varieteteve të zbuluara dhe që kishin autorësinë e tij. Lexuesi duhet të mësojë se dy varietet më të përhapur të rrushitnw vend  dhe që kanë dhënë rezultate të kënaqshme tek fermerët, siç është Sheshi i Zi e Sheshi i Bardhë, janë produkt i punës seleksionuese të këtij specialisti këmbëngulës  e të ditur. Në fund të vitit 1955, specialisti që tashmë ishte bërë me emër të madh në shkallë vendi, u emërua  drejtor i NB “17 Nëntori”, në një nga fermat që mbante barrën e madhe të furnizimit të popullatës së kryeqytetit me produkte bujqësore e blegtorale. Fakti që ai aty qëndroi gjatë, deri në vitin 1964, tregonte se punës i ishte gjetur njeriu e jo njeriut punë. Nga bashkëkohësit mbahet mend  se Abedin Çiçi në raste dështimesh apo mangësirash të vogla që çfaqeshin në procesin e punëve, çfaqej shumë i veçantë, kurrë nuk qëndronte në muhabete pa bereqet, kush e bëri dhe pse e bëri gabimin, por kërkonte të qëndrohej sesi mund të zgjidhej. Atëherë kur ai ishte formuar si drejtues e organizator i zoti, u emërua pranë Seksionit të Bujqësisë në Komitetit Ekzekutiv të Tiranës. Ishin vitet 1964-1970.  Në shtator të viti 1970 doli në pension, por ai nuk mund ta konsideronte veten kurrë të vjetër përderisa ishte në kërkim të diçkaje. Ishte kjo “diçkaja” që ai vazhdoi të punonte pranë seksionit të bujqësisë së rrethit deri në fund të viteve 1980, por edhe si pedagog i jashtëm në UBT. Prof. Abedin Çiçi nuk ishte nga ata specialistë që dinte të bënte, siç mund të mendojë dikush, punëra të rëndomta agronomije. Madje kutu qëndron ndryshimi i personalitetit të tij me të tjerët, qofshin këta edhe me “grada” e ofiqe të larta. Ai ishte teorik dhe praktik.

Janë vlera të tij si intelektuar që sot  i gjejmë të shprehura në një numër jo të vogël librash, broshurash, tekstesh shkollorë, artikuj dhe përkthime voluminoze nga shumë gjuhë si anglishtja, italishtja, greqishtja, serbishtja, etj. Në një botim të plot besoj se do të ishte një ndihmesë e veçantë për bujqësinë, por edhe si një pasuri për kulturën shqiptare. Vitet më të trishta, ata që e detyruan të mpakej e të plakej  brënda një kohe të shkurtër, ishin ata të pas viteve ’90 kur përpara syve të tij u çfaqën vandalët, të cilët shkatërrun gjithçka, të gjithë punën e akumuluar me mund e djersë për 40 vjet. Vitet që kishte mbi supe vërtet i kishin rrudhur lëkurën, por çka ndodhi me shkatërrimin e pemtoreve, të ullishteve, të vreshtave etj. bënë që atij t’i rrudhej  edhe zemra. Eshtë e padëgjuar që, nisur nga ajo gjëmë që i bënë vandalët sektorit më të rëndësishëm të bujqësisë, siç ishte pemtaria, Abedin Çiçi mori shkopin në dorë për të trokituar në instancat më të larta me qëllim për të bërë zap kopukët, për t’ju hequr nga dora urën e zjarrit me të cilën po digjnin Shqipërinë.  Di që ai u ankua me gojë e me shkrim tek Presidenti, tek Ministri i Mbrojtjes, tek Ministri i Kulturës, tek “Zëri i Amerikës”, ku t’ja thoshte mendja e “çakërdisur” nga hataja që po i bëhej ekonomisë shqiptare. Sigurisht nuk e dëgjoi njeri e madje dikush e qortoi se po luftonte me mullinjtë e erës. Por Abedin Çiçi mendonte e gjykonte ndryshe. Nëse vandalët, nëse të këqijtë bëjnë ligjin dhe përparojnë në atë çka kanë ndërmend të bëjnë, atëhere ne pushtetin ua paskemi dhënë maskarenjëve. Abedin Çiçi jetoi gati-gati një shekull. Punoi shumë. Për merita lufte është dekoruar me urdhra e medalje të ndryshme si “Medalja e Kujtimit”, e “Trimërisë” dhe e ”Çlirimit”, ndërsa për punën e shkëlqyer në fushën e bujqësisë është nderuar me Çmimin ”Laureat i Republikës të Klasit të Parë”, me ”Medaljen e Punës” dhe të “Arsimit”. Akademia e Shkencave Ruse e ka nderuar me “Medaljen e Artë të Miçurinit”. Në vitin 2000 Instituti Biografik i Kembrixhit e dekoroi me medaljen e argjendtë  “Njeriu i Shekullit”. Ndërsa me rastin e 90 vjetorit të lindjes iu dha titulli i lartë “Mjeshtri i Madh i Punës”.Gjithçka që arriti në jetë Abedin Çiçi nuk i erdhën rastësisht. Jo, ai kishte vendosur se ç’duhet të arrinte dhe ia arriti t’i bënte.

Botime të Abedin Çiçit

Titujt e botimeve                                 Vitet e botimit

 

1.-Mbjellja e pemëve frutore                           1954

2.-Molla dhe dardha                                       1956

3.-Kultura e fikut në Shqiperi                             1956

4.-Kultura e pjeshkës                                      1960

5.-Kultura e kumbullës                                                1963

6.-Qershija dhe vishnja                                               1964

7.-Kultura e ftoit, mushmullës dhe vodhzës   1965

8.-Kultivimi i lajthisë                                      1970

9.-Kultura e arrës                                            1973

10.-Kultura e bajames                                         1974

11.-Hurma                                                       1976

12.-Kultivimi i shegës dhe hides                                 1980

13.-Frutikultura ( Fakulteti i  agronomisë-UBT)          1983