Mjekja psikitare, Nikolina Bode: Ju rrëfej pasojat e Covid-it dhe izolimit

729
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

Nga Vepror Hasani


Dhunë në familje, konflikte, abuzim me lëndët narkotike, vepra penale etj

Të sëmurët përjetuan, frikën e vdekjes, akte paniku, tentativa vetëvrasje etj..

“Periudha më e vështirë e pacientëve tanë nisi me periudhën e izolimit, na shpjegon mjekja psikiatre e Qendrës Komunitare të Shëndetit Mendor në Korçë, Nikolina Bode. Shërbimi ynë ofrohej nga ora 08.00 deri në 16.00. Mbas kësaj ore, për çdo rast të paraqitur, shërbimin e ofronim në Urgjencën e spitalit Korçë (24 orë). Në këtë kohë u shtuan urgjencat, u rritën kontaktet në shtëpi dhe u kufizuan kontaktet jashtë. Deri atëherë njerëzit vijonin të punonin dhe të qëndronin jashtë deri në orët e vona të natës, por me mbylljen e tyre, njerëzit u detyruan të qëndronin më shumë në shtëpi. Për pasojë, u rrit dhuna në familje, konfliktet,  kontigjenti i të sëmurëve me vepër penale, numri i abuzuesve me substancat dhe  lëndët narkotike etj. Koha boshe, në mungesë të aktiviteteve, çoi në rritjen e numrit të përdoruesve të drogës, pra me rritjen e problematikave sociale, u shtuan edhe rastet e reja të shëndetit mendor. Problemet sociale u ndjen më së shumti nga shtresa e varfër dhe e mesme e poullatës, veçanërisht tek ata që deri atëherë e kishin patur një punë dhe tashmë e kishin humbur. Kjo ndodhi fill pas mbylljes së bizneseve të vogla. Kësaj shtrese iu desh të përballej me papunësinë dhe krizën financiare, në një kohë kur edhe vetë Covid-19,  ishte kosto financiare.

Covid-19 dhe shëndeti mendor

Probleme të shëndetit mendor në lidhje me Covid-19, u shfaqën edhe tek personat që e kaluan sëmundjen të cilët përjetuan: frikën e vdekjes, atake paniku, çrregullime përshtatjeje dhe çregullime të tjera. Por edhe pse u shëruan nga Covid-19, hospitalizimi i tyre për një kohë të gjatë, kostoja financiare e sëmundjes, shkëputja nga aktivitetet e përditshme, ndëprerja e marrëdhënieve me miqtë dhe të afërmit, të ndjerit të paragjykuar për sëmundjen nga personat e painfektuar e bëri të vështirë jetën e tyre  Fillimisht patën turp edhe frikë të tregonin sëmundjen, e mbajtën të fshehur dhe për pasojë shërbimin shëndetësor e kërkuan me vonesë. Ishte kjo kategori personash që shfaqën pasojat post-covid, si: çrregullim të stresit postraumatik, çregullim të ankthit dhe depresion madhor, që ne e patëm si kontigjent rastesh në shërbimin tonë. Të sëmurë të rinj ishin edhe ata që humbën të afërmit prej Covid-19. Ata patën probleme, sëmundje mendore, depresion dhe frikën e vdekjes, sepse vdekjet ishin të papritura e të paparashikueshme edhe në moshat e reja. Pra, si pandemia, si sëmundja e re, si përballja me të, solli jo vetëm krizë financiare, por edhe pasoja në shëndetin mendor.

Tentativa për vetëvrasje

Gjatë kësaj periudhe u prish funksionimi dhe rutina në shkolla e në kopështe. Ndjekjes së mësimit nëpërmjet internetit, nuk iu përshtatën njëlloj të gjithë fëmijët dhe adoleshenët. Ata që ishin shumë të lidhur me marrëdhënie të hapura sociale e përjetuan keq: me çregullime përshtatjeje, me anoreksi mentale, (çregullime në të ushqyerit) dhe çregullime të humorit. Përveç grupeve të mëdha të sëmundjeve që përmenda më sipër u shfaqën çregullime e psikotime me haluçinacione dhe deluzione, të cilat i vërejta te të hospitalizuarit në Sanatorium, dhe e lidha si me rënien e hipoksisë (rënia e oksigjenit në gjak), e cila jep psikozë dhe efektet anësore të mjekimeve, siç është kortizoni (mjekimi hormonal), i cili në persona të veçantë  jep psikozë. Gjithashtu patëm edhe tentativa suicidale, raste që i dëgjuam mediatikisht edhe në spitalet e mëdha Covid-19, si Shefqet Ndoqi dhe te Shërbim Infektiv. Ndërkohë edhe në spitalet ku ne shërbenim, pati tentativa suiscidale, veçanërisht te familjarët e vetmuar, (moshat e treta), të cilët i kanë fëmijët larg dhe ndihen të braktisur. Nuk kishte kush t’u shërbente, ishin persona që jetonin dhe menaxhonin vetë jetën, që kishin patur vetëm një burim financiar edhe pse në familje ishin 4-5 veta dhe së fundi e kishin humbur edhe atë vend pune. Në këto raste pati vërtet tentativa më të shpeshta suicidale sesa ka shëndeti mendor në rutinën e vet. Ndërkohë te moshat e treta vumë re edhe elemente të Alzheimer, le te themi që ky infeksion zbulon më shpejt atë që ne e quamë “pleqëri të parakohshme të trurit”, nëse kjo sëmundje do të ishte shfaqur 10 vjet më vonë , Covid e zbulon më parë te personi ku sëmundja jeton e fshehur.

Qendra Komunitare e Shëndetit Mendor në Korçë

Tashmë, si shërbim, vijon shpjegimin mjekja psikiatre Nikolina Bode, mënyra e funksionimit tonë ka ndryshuar, nuk i bëjmë më aktivitet e së premtes ku personat kronikë vinin në Qendrën Komunitare, ku zhvillonim tema, sqaronim mënyrën e marrëdhënieve sociale, të higjenës personale të efektet anësore të mjekimeve etj; i kufizuam këto për shkak të pandemisë, por rritëm shërbimin e funksionimit nëpërmjet internetit  me platformën  “Unë luftoj depresionin”, ku stafi u trajnua, dhe kjo platform është në vazhdimësi për ndjekjen e rasteve në distancë  për të kufizuar marrëdhëniet fizike me qendrën, por rritëm monitorimet në terren. Vjet ne krehëm të gjitha zonat periferike, dhe zonat e largëta si ajo e Moglicës. Për rastet që nuk vijnë dot të marrin shërbimin në Qendër, ne ju ofrojmë shërbim në banesë. Në muajin maj do të fillojmë përsëri monitorimet për vitin 2021 me të prekurit në zonat periferike dhe zbulimin e rasteve të reja, që janë problem në zonat periferike për lidhjen e kontakteve për  shërbim në banesë dhe bashkëpunim me personelin shëndetësor në qendrat periferike; këto janë shërbime të reja. Ndërkohë shërbimi ambulator i qendrës funksionon ashtu si gjithnjë, përfshi edhe urgjencën e spitalit Korçë.

Të sëmurve u shërbehet në shtëpi

Ne si qendër, shpjegoi më tej mjekja Bode, kemi 2 mjekë psikologë, dy punonjës socialë dhe 6 infermierë. Për të paksuar personat që shërbejnë në qendër, stafi është reduktuar pasi kemi bërë shpërndarje të tij si në qendër dhe jashtë qendrës; dhe  me qenë se numri i vizitave është reduktuar, ne kemi shtuar vizitat me telefon, me aplikime në internet, me veber, me whatsapp po kështu edhe nëpërmjet telefonit fix, pra shërbehet në terren. Personave të sëmurë për aplikimin e injeksionit në datën përkatëse, u vihet në banesë me qëllim që të mos bëjnë relaps të sëmundjes, gjithashtu edhe për të minimizuar infektimin, kontakte dhe lëvizjet jashtë qytetit. Në qendrën e shëndetit mendor vijnë vetëm urgjencat. Ndërkohë në këtë shërbim janë vënë re raste të reja, të cilat ne i quajmë raste akute jo të sëmurë kronikë, që mund të vijnë edhe nga abuzimi me substancat (lëndët narkotike dhe alkoli), por dhe për shkak të fustracionit psikologjik. Axhitacionet që kemi pasur janë trajtuar në Shërbimin e Urgjencës për të minimizuar shtrimin  në spitalin e Elbasanit për shkak të kufizimeve që janë vënë në kuadër të situatës Covid-19”.

Platforma: “Unë luftoj depresionin”

Ndërkohë punonjësit psikosocialë punojnë me platformën online, “Unë do luftoj depresionin”, e vendosur nga Europa me miratim të Ministrisë së  Shëndetësisë, që do të thotë trajtim i depresionit nga shtëpia me regjistrim në internet. Këtë e ndjek stafi psikosocial që bën regjistrimin e rasteve dhe ndjekjen e hapavae në platformë në mënyrë që pacientët të mos vinë këtu, por ta marrin shërbimin në banesa, po kështu edhe për pacientët e zonave rurale që nuk vijnë dot këtu. Me zonat rurale (me qendrat shëndetësorë të tyre), mbajmë kontakte telefonike për sigurimin e informacionit për pacintët që marrin terapi në vazhdim, nëse është marrë i rregullt ose jo, dhe dhënia e  këshillave që duhet të ndiqen nga qendrat në zonat rurale, përfundoi shefja e shërbimit të Qendrës Komunitare të Shëndetit Mendor në Korçë, mjekja psikiatre, Nikolina Bode.