Mit’hat Frashëri, veteratët e cilësuan tradhëtar, Rama e bëri hero. Kujtimet e Orhan Frashërit: Mit’hati shërbëtar i armiqve

 

Edi Rama: Mit’hat Frashëri, i dha Shqipërisë gjithçka kishte dhe gjithçka mundi

NOA

Mid’hat Frashëri, veteranët e cilësuan tradhëtarë, Rama  e cilësoi hero

Orhan Frashëri*:  “Mit’hat Frashëri, shërbëtor i armiqve të Shqipërisë”

-Me rastin e 141-vjetorit të lindjes-

Mid’hat bej Frashëri emri i të cilit radhitet edhe Mid’hat apo Mit’hat (njohur me emrin e pendës Lumo Skëndo lindi në Janinë, më 25 mars 1880 – vdiq në 3 tetor 1949 SHBA) ka qenë diplomat, shkrimtar dhe politikan shqiptar. Mes të tjerësh, ka qenë ndër etërit e nacionalizmit shqiptar. Në rininë e tij ka qenë nëpunës i Perandorisë Osmane, veprimtar i Rilindjes Kombëtare dhe pjesëmarrës dhe kryetar i Kongresit të Manastirit, pas shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë qe ministër, diplomat i shtetit shqiptar, kryetar i Ballit Kombëtar dhe Komitetit “Shqipëria e Lirë”. Në botën e letrave ka kontributin e tij si publicist, shkrimtar, përkthyes dhe albanolog.

 

Jeta e hershme

U lind në Janinë më 25 mars 1880 pinjoll i Dulellarëve të Frashërit, i biri i veprimtarit të hershëm të çështjes kombëtare, Abdyl bej Frashërit dhe Ballkëzes së Ibrahim Laçit. Të atin e takoi për herë të parë kur doli nga burgu i Prizrenit dhe vetë ishte pesë vjeç. Ishte nipi i poetit Naim Frashëri dhe ideologut të Rilindjes, Sami Frashërit, i cili pas vdekjes të të vëllait u martua me Ballkëzen dhe rriti nipat e mbesat. Mit’hati u rrit në Stamboll, ku familjarët e tij punonin në administratë dhe organizonin lëvizjen kombëtare. Mësuesit e tij të parë qenë i ati me të vëllezërit, i ati i kishte dhënë mësime historie e gjeografie, Naimi stilistikë e poetikë, Samiu i kish dhënë gramatikë. Më 1897 u arrestua nga autoritetet osmane, sepse i gjetën një kopje të së përkohshmes Albania të Konicës, u lirua me ndërhyrjen e xhaxhait të tij, Samiut. Pasi la shkollimin për farmakologji, u punësua në Ministrinë e Brendshme më 1901 dhe më pas u emërua në Vilajetin e Selanikut nga 1905 deri më 1910. Nisi të botonte të përkohshmen  “Lirija” në Selanik më 14 korrik 1908, ku mbronte pozitat e moderuara për bashkim kombëtar, zhvillim të arsimit, edukimit dhe letërsisë shqiptare dhe kundërshtonte ndërhyrjet e huaja në çështjen shqiptare. Frashëri propagandonte edhe reforma qeveritare në bashkëpunim me maqedonasit për të arritur ato synime, por ishte kundër rezistencës së armatosur. Lidhur me çështjen dhe gjeopolitikën shqiptare, Frashëri mbahej si anti-austrohungarez dhe anti-italian. Sipas Vllamasit, Frashëri kishte ndikimin më mbizotërues në Klubin “Bashkimi” të Selanikut.  Nëntorin e 1908 me nismën e klubeve “Bashkimi” u mblodh Kongresi i Manastirit, ku Frashëri u zgjodh kryetar i Kongresit dhe nënkryetar i Komisionit për hartimin e alfabetit. Në këtë kongres Frashëri mbështeti alfabetin e Stambollit.

Veprimtaria letrare

Nisi të merrej me krijimtari letrare që prej vitit 1897 dhe filloi të botonte Kalendarin kombiar, të cilin e botoi pa ndërprerje deri në vitin 1928. Në shkrimet publicistike ai përdori pseudonimet Lumo Skëndo dhe Mali Kokojka, ndërsa në botimet e ndryshme përdori pseudonimin Ismail Malosmani. Më 1901 ka shkruar jetëshkrimin për Naim Frashërin, përmbledhjen “Hi dhe shpuzë”, studimin mbi shqiptarët dhe të ardhmen e tyre të pagëzuar si “Pritmi i Shqipërisë”, ese sociopolitike dhe etnike “Plagët tona” (1924) etj. Mit’hat Frashëri ka botuar edhe disa vepra në frëngjisht: “L’affaire de l’Epire (1915), “La population de l’Epire” (1915), “Les Albanais chez eux et à l’étranger” (1919), “Albanais et Slaves” (1919). Mit’hat Frashëri ka përkthyer në shqip veprat “Guillaume Tell” të Lamartinit (1898), “Bëje të mirën pa hidhe në det” e Franc Hofmanit (1900), “Robinson Crusoe” e Defosë (1909) dhe “Psikologjia e edukatës” e G. Le Bon (1923).

Eshtrat kthehen në atdhe

Më 14 nëntor 2018, plot 69 vite pas vdekjes, përmbushet amaneti i mendimtarit të Kombit Mit’hat Frashëri, për t’u prehur në atdhe.  Eshtrat e tij mbërritën në Shqipëri, ndërsa qeveria kishte vendosur për këtë akt disa muaj më parë. Në aeroportin e Rinasit për të nderuar këtë figurë të shquar të kombit ishin të pranishëm personalitete shtetërore, ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro, intelektualë e studiues, të afërm të familjes.  Në ceremoninë shtetërore morën pjesë personalitete të shquara të letrave dhe kulturës, studiues, politikanë dhe të afërm të familjes Frashëri. Studiuesi Aurel Plasari dhe kryeministri Rama vlerësuan figurën e Mit’had Frashërit.

Edi Rama:

….Virtytet e tij të vërtetuara apo mangësitë e hamendësuara, dobësitë apo theoritë, të gjitha këto e bëjnë Mit’hat Frashërin në fakt, një personalitet pa të dytë në historinë e elitave, përgjithësisht të paqëndrueshme shqiptare.
Ky është Mit’hat Frashëri, i cili prej nëndheut matanë oqeanit, u nis për t’u kthyer këtu ku gjendet sot, kur një ditë, dimër ka qenë, pothuajse një vit më parë, profesor Uran Butka dhe instituti i studimeve “Lumo Skëndo”, më parashtruan kërkesën për sjelljen në atdhe të eshtrave të tij.
Kthimi i këtyre eshtrave, në fakt është një borxh ndaj dikujt që një fjalë më detyron t’ua them me këtë rast atyre që ndihen të sëkëlldisur nga ky rikthim.
Mit’hat Frashëri, i dha Shqipërisë gjithçka kishte dhe gjithçka mundi.
Ëndërroi dhe punoi pa u lodhur për këtë vend. Gaboi, patjetër që edhe gaboi, por ndër tërë sa bëri edhe në gabim, as nuk bëri vetë dhe as nuk nxiti kurrë me gojën apo me penën e tij një krim.
Kështu që kush e sheh arkmortin e tij sot këtu, si një provokim ndaj një historie që e shkruajtën fitimtarët, bën mirë të ulë kokën dhe të kujtohet se sa krime, ndryshe nga Mit’hat Frashëri bën ata që e shkruan dhe na e mësuan ne me pahirin e gjysmë të vërtetës, historinë e gjysmës tjetër të Lumo Skëndos.

****

Orhan Frashëri*:  “Mit’hat Frashëri, shërbëtor i armiqve të Shqipërisë”

 

Veteranë dhe pasardhësit e tyre e quajnë veprim antikombëtar nderimin që qeveria i bëri Mit’hat Frashërit, ish-kryetarit të Ballit Kombëtar, kolaboracionist me pushtuesit fashist të Shqipërisë, për sjelljen e eshtrave dhe ngritjen e bustit të tij, pranë busteve të 3 korifejve të mëdhenj të patriotizmit shqiptar: Abdylit, Naimit dhe Samiut. Do të donim, që babai me të birin të ishin bashkë në vepra, por historia i ndau dhe i vuri ballë për ballë. Kështu e ka vendosur historia dhe historia është e pamëshirshme të dallojë dhe të veçojë, di të vendosë në majë të piedestalit ata që shkrinë tërë jetën për kombin, për atdheun e shtrenjtë dhe ata që u bënë shërbëtorë të armiqve të Shqipërisë.

Veteran i Luftës Nacionalçlirimtare