Moikom Zeqo për Frederik Reshpja: “ Para dy ditësh, në muzg më mori një njeri i panjohur në telefonin celular. “Jeni Moikom Zeqo?” Po, -iu përgjigja. “Eshtë një njeri i rrëzuar përdhe në asfalt, është duke vdekur. Më përmendi emrin tënd dhe numrin e celularit”. “Ku ndodheni tani?”. “Një kafene pranë kullës së Sahatit, në qendër”. “Po vij, menjëherë”. U nisa me ngut, në një kafene e gjeta atë qytetarin, i cili më telefonoi dhe pranë tij Frederik Rreshpen të sfilitur, me një zbehtësi të frikshme. Mesa duket, kishte pësuar një atak, merrte frymë me vështirësi, megjithatë fliste në mënyrë aq haluçinative, me fraza shpesh pa lidhje, si në jerm mitologjik. Kishte ardhur fill i vetëm nga Shkodra në Tiranë në mëngjes. Mbante në qafë të lidhur një çantë të vogël, ishte i përhumbur, vetëm sytë i shkëlqenin. “Unë kam gjetur stemën e artë të Princit të Spanave, Moikom – më tha”. “Ti e di, që kam patur dikur një djalë, nuk e kam marrë vesh se ku është asnjëherë. Edhe Lorën, të vetmen femër që kam dashur në jetë, ma kanë rrëmbyer. Patjetër, që kanë vdekur. Nuk kam absolutisht asnjë njeri. Çudi si nuk vdes edhe unë. Do të shpëtoja njëherë e përgjithmonë”. I tronditur, e shihja mikun tim që e njihja kaq mirë. Hija e tij, lëvizte tani vetëm në viset e miteve, ku kinse kishte gjetur stemën e artë, fliste për një fëmijë që s’e kishte patur kurrë dhe për një të dashur që s’e kishte patur kurrë. Vitet e fundit, vetëdija e tij ishte e dyzuar, nuk orientohej më në realitetin e përditshëm, hynte dhe dilte nga mbretëria e fantazisë, thoshte gjërat më të çuditshme dhe më të pabesueshme, me një pikëllim biblik, ngatërronte kohërat, shpikte subjekte dhe ngjarje që nuk kishin ndodhur, fliste për persona dhe personazhe të krijuar nga lënda e poezisë, përmendte cironkën proverbiale të De Radës së vdekur, mendja e mjegulluar e tij megjithatë ishte plot dritë. Nuk i shërbenin më fjalët me kuptimet e tyre të drejtpërdrejta, bënte një metaforizim të skajshëm të sendeve dhe universit. “Si mendon ti Moikom, jam gazetar apo poet?” – “Pa dyshim që je poet”. “Pse vallë u largove nga Shkodra?” – “Unë vetë u nisa, para disa ditësh në Shkodër” – “Pse u ktheve? Ku do të rrish këtu në Tiranë? Duhet patjetër të kthehesh në Shkodër”. Së bashku me qytetarin e panjohur (nuk e mësova emrin e tij), duke e mbajtur nga krahët gati pezull, ishte krejt i pafuqishëm për të ecur, e çova në një hotel, i cili ishte i ngrohtë, pagova hotelin dhe mora në telefon nipin e tij Dashin, djalin e motrës, Ciatës. I thashë nipit që të vinte ta merrte të nesërmen në mëngjes, sepse ishte në një gjendje kritike si asnjëherë. Gjatë këtyre viteve, e kam çuar Frederikun në spital disa herë, duke e shpëtuar nga vdekja e sigurtë. I kam bërë të gjitha përpjekjet për ta ndihmuar, disa herë e kam çuar në azile, kam shkruar letra për kryeministrat, për Presidentët, për ministrat e Kulturës që t’i nxirrnin një pension të veçantë, gjë që ai e meritonte plotësisht. I rrënuar, pa para, tejet i sëmurë, ai përjetoi ditët dhe netët e vështira, për të vdekur në mjerim.”