- Në Bulqizë kudo shikon grumbujt pambarim gurësh dhe gropat e hapura nga shëmbjet që shëmtojnë terenin plot rreziqe
-Në vendin e minierave janë dërmuar godina e rrugë, pyje dhe miniera dhe po shteren burimet ujore
- Këtu nuk mjaftojnë fjalimet e shtetarëve, por dora e shtetit për të ngritur infrastrukturën regjionale
- Martin Cukalla
5.
Mëngjezi është i freskët.
Unë nisëm të shoh ndryshimet e ndodhura në sektorët ku ka filluar së pari shfrytëzimi i kromit në Bulqizë. Të mërzisin grumbujt pambarim të gurëve dhe gropat e hapura nga shëmbjet që shëmtojnë terenin e janë rreziqe të mundëshme.
E kapërcej atë pamje, iki për nga Almarina. Rruga e shtruar kujdesshëm duket si një shteg nëpër pyllin që ka marrë shtat të plotë.
Në kërkim të një vizatimi nw gur që e kam parë dikur në vitet e para të punës këtyre anëve, vështroj shkëmbinjtë që mezi duken.
Ajo pamje që e kam humbur, është si një eksplozion në përfytyrimin e strukturës kromifere të Bulqizës: Diku në këtë shpat mali, mbi një faqe të një shkëmbi, që kur ishte krijuar, një shlir kromi qe rregjistruar si të përfaqësonte në shkallë të zvogëluar profilin e trupit të kromit të Bulqizës, me sistemin e rrudhosur të tij e me imtësitë e tjera strukturore të vëndburimit.
E çuditshme pamja që kam fiksuar prej atëhere!
E kam kërkuar përherë kur jam ndodhur këtyre anëve, nuk e kam gjetur më!..
Është koha të vizitoj fabrikën e pasurimit të kromit. Më shoqëron inxhinier Bukurosh Koçi, djalë Bulqize, ka qenë përherë pjesëmarrës në fazat e zhvillimit të pasurimit të kromit këtu. Edhe kur u privatizua Bulqiza. I ri në moshë dhe pa ndonjë lidhje me të fortë a të fuqishëm pushteti, mori përsipër një karakatinë (siç ishte katandisur atë kohë ky objekt që nuk tërhoqi fare vëmendjen e blerësit italian të minierës) dhe, me dije e vullnet, bëri këtë objekt që po vizitoj: godina të strukturara për të përballuar dimrat, teknollogji që pasurojnë edhe mineralet, që dikur hidheshin si mbetje, puntorë të përkushtuar dhe makineri moderne, rregull!
Bukuroshi e ka shumëfishuar domenin e vet në hapsirën e përpunimit të kromit: Ndërtoi një fabrikë të re pasurimi në Kukës, bleu dhe rikostruktoi objektet e pasurimit të kromit në Gjakove, ndërtoi miniera të reja etj.
Dhe një risi për të cilën flitet shumë, por që e shoh për herë të parë në industritë tona të kohës: Taracat e të gjitha godinave të fabrikës së pasurimit janë mbuluar me panele diellore si burime të energjisë elektrike për makineritë poshtë tyre…
6.
Po epilogu ?
Duke kërkuar diçka si përfundim të qëndrimit prej 36 orësh në Bulqizë, nuk mund të mos theksoj:
Disa jetojnë duke shtyrë ditët njera pas tjetrës; disa rropaten për të përtërirë praninë e tyre në muajin tjetër e në brezin tjetër; disa venë themele, projektojnë e ndërtojnë ndryshime të qenësishme të peisazhit ku rritet e lulëzon jeta e komunitetit…!
E qenësishme është bashkëpunimi me natyrën; të ndërtohet një gjë e të mos prishet diçka është e pamundur! Janë ndërtuar minierat e fabrikat e pasurimit në Bulqizë dhe ja aty diku është çfaqur një liqen: toka në perëndim të Qytetit të Vjetër është ulur e po ulet; janë dërmuar godina e rrugë; dëgjohet zbehtë një alarm “po shteren ca burime ujore!”
Pse? Pse?
Duhet një përgjigje!
Përgjumja e përjetshme e thellësive shkëmbore është prishur. Masat shkëmbore janë vënë në lëvizje në zemrën e tyre. Ujrat nëntokësore kanë ndwrruar shtratin dhe rrjedhin në shtigje të rinj.
Këto duhen njohur e duhen konsideruar, siç duhen konsideruar vatrat më të bukura të turizmit të zonës: Almarina, Liqenet e Dhoksit e liqenet e Balgjajt, që ngjajnë me liqenet e Lurës, sepse kanë të njejtin shtrat: masivin shkëmbor magmatik të gjelbër dhe i kanë krijuar të njejtat duar si shtrat të vet: akullnajat.
Këtu nuk mjaftojnë fjalimet e shtetarëve, por dora e shtetit për të ngritur infrastrukturën regjionale: rrjetin rrugor të asfaltuar, rrjetin e energjisë elektrike, rrjetin e ujit të pijshëm dhe atë të mbledhjes së mbetjeve të përditshme të jetës njerëzore. Kullat aty i ndërtojnë banorët! Dhe shtigjet për këmbësorët a kalorësit!
Është momenti historik kur duhet të bëhet një shumatore dhe bilanc i të gjitha fijeve, që ndërtojnë Shqipërinë e sotme, të shihen përputhshmëritë e diskordancat e krijuara dhe të lejohen, stimulohen e ndërtohen ardhmëritë e reja, që plotësojnë kuadrin europian të objektivit kombëtar sipas normave të planifikimit të teritorit dhe jo në shtigjet e autarkizmit.
Është mbrëmje kur hyjmë në periferitë verilindore të Tiranës.
Sidoqoftë rrugëtimi në vend tjetër, kthimi në shtëpi është i këndshëm dhe të jep një ngrohtësi e qetësi të çuditshme shpirtërore.
Provoj ato ndjenja që kam pasë sa herë jam kthyer prej jashtë në Rinas e në shtëpi. M’u dukën të ndryshkura e të vobekta grumbujt e pa formë të banesave të periferisë, rrugët e papastruara dhe makinat e pluhurosura parkuar andej e këndej, ndriçimi…
Freskinë diellore dhe ajrin e shëndetshëm i kisha lënë mbrapa, diku në atë që quhet Bulqizë!