Martin Dedaj: Masakra e qafës së Valmerit dhe rezistenca antikomuniste

1221
Sigal

Masakra e Qafës së Valmerit dhe rezistenca antikomuniste e Mirditës…

-Kujtesë në 70-vjetorin e saj-

 

Martin DEDAJ

 

N’Qaf t’Valmerit të Mirditës.

Fort po vriten krah’t e Shqipes!!

Shkallës Madhe kush po zbret?

T’lidh me tela vajmedet.

Jo ma pak se katërmbdhetë….

Shtatë ditë burg e jo ma shumë,

Ditën e tetë n’litar e n’plumb…

…Kështu i vajtoi Mirdita bijtë e saj, këtu e 70-vjet më parë, ditën e 17 Gushtit 1949, ku diktatura komuniste vari në litar e pushkatoi 14 bijtë më të mirë të saj, burgosi afro 500 burra e internoi mbi 300 familje. Masakër e vërtetë, gjenocid e tragjedi e ngjashme me holokaustet hitleriane e staliniste. Shkaqet e kësaj masakre kolektive qenë të thella, mllefe të vjetra të regjimit komunist kundër popullit kreshnik të Mirditës. Preteksti qe i thjeshtë: Vrasja e Bardhok Bibës, më 7 Gusht 1949, me vendim të “Komitetit të Maleve”.

Në Mirditë për afro 10-vjet (1944-1953), nuk u shua rezistenca antikomuniste. Regjimi diktatorial që po instalohej në Shqipëri e dinte fort mirë, se populli i Mirditës nuk nënshtrohej dhe aq lehtë dhe se ky popull historikisht nuk e kishte ulur qafën për t’u vënë nën zgjedhë. Prandaj PKSH dhe Enver Hoxha, për gati 10-vjet rresht i’u turrën Mirditës, si bisha të tërbuara për ta gjunjëzuar, copëtuar, shpërbërë, e për t’ia thyer krenarinë e saj të ligjshme si popull kreshnik.

Mirdita, kjo trevë vitale, kompakte, katolike dhe antikomuniste nuk nënshtrohej kollaj. Regjimi i Enver Hoxhës kishte vendosur ta gjunjëzonte Mirditën e të realizonte mbi të, me çdo çmim mllefet e vjetra. Këtu mbase duhet kërkuar burimi i vërtetë i masakrës së Qafës së Valmerit dhe i krejt tragjedisë dhe persekucionit komunist mbi Mirditën.

Masakra e Qafës së Valmerit e 17 Gushtit 1949, u krye në prani të afro 2500 mirditorëve, (gra dhe burra), ku u ekzekutuan 14 burra, nga më të mirët e Mirditës, katër prej të cilëvë u varën në litar, dhe dhjetë të tjerë u pushkatuan.

Masakra e Qafës së Valmerit do të shënonte këto viktima:

Të varur në litar: -Dedë Preng Gjomarkaj (Orosh), Dodë Marka Biba (Tenë-Kthellë), Pjetër Dedë Vila (Kaçinar), Dodë Llesh Paloka (Kaçinar).

Të pushkatuar: -Nikoll Bardhok Bajraktari (Rrëshen-Kthellë), Nikoll Llesh Bajarktari (Orosh), Llesh Gjon Melyshi (Malaj-Kthellë), Ndrec Mark Ndoj (Kaçinar), Preng Shkurt Nikolli (Orosh), Bardhok Dodë Gjini, (Prosek-Kthellë), Frrok Ndue Mata (Kaçinar), Gjergj Keç Beleshi (Kthellë-Epër), Gjin Gjokë Kaçi (Bukmirë), Ndoc Gjetë Çupi (Pshqesh-Blinisht).

Këta të katërmbëdhjetë burra me dekret të ish Presidentit Berisha, janë dekoruar me medaljen: “Martirë të Demokracisë”. Duhet theksuar fakti se kanë qenë të planifikuar edhe tre të tjerë për t’u pushkatuar atë ditë më 17 Gusht 1949, sa duket për të sinkronizuar numrin e viktimave me datën e ekzekutimit, por gjykata e asaj kohe e ktheu vendimin e ekzekutimit të tyre në burg të përjetshëm dhe jo shumë kohë më vonë se masakra e Qafës së Valmerit këta vdiqën në burg. Ata ishin:-Ndue Gjon Fusha (Rubik), Mark Ded Gjomarkaj (Orosh), Kolë Ndue Gjomarkaj (Orosh).

Dëshmitarët okularë kujtojnë me dhimbje se, “Aty poshtë Qafës së Valmerit, buzë një prroske ishte hapur një gropë e madhe, e buzë saj ishin rreshtuar dhjetë burra të lidhur njëri me tjetrin me duar pas shpine e kur krisën pushkët e mitralozat mbi ta, ata përnjëherë ranë në gropë duke tërhequr njëri-tjetrin pa u dalë ende shpirti. E atje nga gropa dëgjoheshin thirrjet e burrave që jepnin shpirt; “Aman qëlloni se jemi gjallë e mos na lini të na dalë shpirti me zor, he katila!”. Dhe si rrufe që bie nga qielli ranë mbi ta plumbat e armëve të rënda, atje në fundin e gropës së zezë e prej andej copat e mishit fluturonin e binin në prroskë. Ndërsa katër të tjerët i varën në litar në katër lisat rreth gropës së zezë, aty ku jepnin shpirt dhjetë të pushkatuarit”.

Në ndërgjegjen e krejt Mirditës kjo masakër nuk mund të harrohet kurrë. Aty u luajt “Vallja gjigante” e vdekjes. Dëshmitarët u llahtarisën e u traumatizuan nga kjo tragjedi, që po luhej me burrat e përmendur që përfaqësonin elitën e Mirditës. Ata të mjerë u martirizuan si Apostujt e Krishtit pa pasur asnjë faj, pasi siç u vërtetua më vonë nuk kishin pasur asnjë lidhje me vrasjen e Bardhok Bibës. Atë ditë pa përfunduar ende mirë masakra, “Perënditë e Olimpit” të zemëruara nga kjo tragjedi njerëzore që po luhej në Qafën e Valmerit, shkrepën mbi Mirditë rrufetë nga qielli të shoqëruara me furtunë dhe shi, breshër dhe dëborë, një fenomen ky i rrallë që nuk kishte ndodhur ndonjë herë dhe as ka ndodhur deri tani, që të bie borë në mes të Gushtit, e toka me qiellin atë ditë u bë një. O Zot, çfarë dite e zezë qe për Mirditën dhe popullin e saj martir, 17 Gushti i vitit 1949…

Masakrën e Qafës së Valmerit e drejtuan kriminelët; Mehmet Shehu, Shefqet Peçi, Kadri Hazbiu, Sulejman Manoku, Zija Kombo, Medin Bilbili, prokurorët Siri Çarçani, Arianit Çela e plot të tjerë si kjo shpurë, që të gjithë kriminelë me gjene të lindura.

Nga të burgosurit dhe të internuarit afro 100 prej tyre, kryesisht gra, fëmijë dhe pleq kanë vdekur nga vuajtjet, mjerimi dhe torturat që u ushtruan mbi to. Regjimi diktatorial për të zhdukur gjurmët e krimit nuk mbajti asnjë shënim për këto viktima, të cilëve edhe sot e kësaj dite nuk u dihen as varret. Masakra e Qafës së Valmerit shënon kulmin e tragjedisë që diktatura komuniste ushtroi mbi Mirditën dhe popullin e saj kreshnik e të pambrojtur, të tjera do ta ndiqnin pas, për dhjetë vjet luftë e rezistencë ndaj komunizmit. Historia duhet dhe do ta thotë fjalën e saj, dhe rezistenca afro 10-vjeçare (1944-1953) e popullit të Mirditës kundër komunizmit do të zbardhet dhe për të do të thuhet e vërteta. Masakra dhe gjenocidi mbi Mirditën u gatua në kuzhinat antishqiptare e u zbatua me verbëri nga Enver Hoxha. Ky xhelat pat deklaruar asokohe: “O me ne, o kundra nesh, në veri të vriten të gjithë ata që janë kundra nesh, dhe të zhduket çdonjëri që s’është me ne e që s’mendon si ne”. Ky pohim i dalë nga goja e vetë diktatorit e gremisi popullin drejt humnerës dhe një lufte civile e të armatosur afro 10-vjeçare, duke vënë Jugun kundra Veriut. Luftë, e cila i kushtoi shtrenjtë popullit shqiptar. Strategjia e diktatorit për ta gjunjëzuar Mirditën, filloi së pari me paralizën e trurit dhe eliminimin e elitës intelektuale, pinjollëve të dyerve të para e të fisshme, duke filluar me derën princore të Gjonmarkajve…. Pasi vetëm kështu do ta kishte më të lehtë zbatimin e strategjisë për copëtimin e Mirditës, të kësaj treve që u etiketua me një vendim të posaçëm të ish-Byrosë Politike, si rreth “politik”, “reaksionar” dhe antikomunist dhe u copëtua administrativisht në gjashtë rrethe. (Shkodër, Lezhë, Kukës, Dibër, Mat dhe Krujë) Në Mirditë vepronte një forcë e armatosur dhe antikomuniste, e cila së bashku me luftëtarët e lirisë të krahinave për rreth, përbënin mbi 2000 luftëtarë të organizuar mirë dhe që realizonin rezistencën antikomuniste. Në këtë rezistencë ishin inkuadruar bijtë më të vendosur në luftë kundra komunizmit. Lufta vazhdoi për afro një dekadë. Ajo ishte e ashpër, e egër, e përgjakur dhe e pabarabartë. Në çdo pëllëmbë të Mirditës u zhvilluan beteja të njëpasnjëshme. Përpos masakrës së Qafës së Valmerit, masakra të tjera u kryen anë e kënd Mirditës, thuajse në çdo fshat e vend të saj. Mani i Lalë Ndreut në Fushë-Lumth buzë lumit Zme, na kujton tragjedinë Mirditore me shumë akte. Tek ky man ogurzi pushkatoheshin e vareshin burrat më në zë të Mirditës, veprim i cili kryhej në të errur (muzg), e gjithë natën dhelprat, korbat e thitë (derrat), pinin gjak e hanin tru njeriu!… Vende të tjera ogurzeza të masakrave mbi Mirditën ka pasur edhe në Fan, Shpal, Ura e Fanit, Përlat, Selitë, Malaj, Rrushkull, Prosek, Shmri, Spaç, Orosh, Blinisht, Kodër-Rrëshen, Kaçinar, Kthellë Epër, Manati, Prrullë, Velë, Troshan, Molung, Kashnjet etj. Ato nuk do të harrohen kurrë në memorien e Mirditasve. Lufta dhe rezistenca antikomuniste afro 10-vjeçare e popullit të Mirditës kundër komunizmit, flijoi dhjetëra e qindra martirë dhe luftëtarë të lirisë. I pari që ra në fushën e betejës e në lamë të luftës ishte Mark Gjomarkaj, bir i derës së fisshme e princore të Gjonmarkajve të Mirditës. Ai qe një burrë i shquar e intelektual i madh, kryetari i “Komitetit të Maleve” e kryekomandant i luftëtarëve të lirisë.

Masakra e Qafës së Valmerit mbetet aktuale dhe apelon: “O Zot na ruaj nga komunizmi, mostrat

dhe të këqijat e tij!”…