Marjana Bulku: 110 vjet kushtrim lirie (Dielli)

668
Sigal

Ka mjaftuar një natë festimesh të 110 -vjetorit të gazetës Dielli në Nju Jork që “Zëri i Amerikës” të jehojë më fort se kurrë në të gjithë arenën shqiptare.

Një zë i vërtetë që nuk ka frikë nga gabimet e pozitës, që nuk ka dilemat e opozitës, por që ia njeh që në themel mëkatet sistemeve të padrejta të cilat varfëria materiale dhe heshtja intelektuale i shndërron në një diktaturë edhe më të rrezikshme sesa ajo që përjetuam ne Shqiptarët e Shqipërisë së vetmuar komuniste.

Ka mjaftuar ky tubim jubilar i festimeve, që zëri i Elez Biberajt, drejtor i Euro-Azisë tek “Zëri i Amerikës” t’i drejtohet audiencës me një fjalim historik që përshkon tej e përtej realitetin politik dhe ekonomik shqiptar duke u bërë kështu jehona e një Dielli që në 110 vjetorin e vet u dëgjua më fort se kurrë duke na dhënë të gjithëve një leksion të madh, atë të mos heshtjes kur fatet e kombit rënkojnë.

Të shfrytëzosh lirinë e fjalës përmes njohjes dhe hulumtimeve, argumentit dhe analizës, pa u shtirur, ngjirur, fyer, përçmuar e poshtëruar, duket se është pikërisht ajo çka pret realiteti i stërlodhur shqiptar. Është si të thërrasësh për ndihmë pranë një jete që shuhet, është si t’i japësh dritë errësirës që t’i mjegullon shtigjet. Tribuna e diellit që festonte me miqtë e vet papritmas u shndërrua në një arenë mbarëshqiptare që dëgjoi po atë zë në kushtet kur liria kërcënohet nga kaosi i cili ka paralizuar edhe mendimin edhe veprimin. Për shumkënd kjo ngjasonte me bulime shprese, ndërsa mua më duket një kambanë që paralajmëron fundin…uroj të së keqes që nuk po ka fund. Ka mjaftuar ky përvjetor i 110-të për të na kujtuar se e ardhmja projektohet duke analizuar realitetin, me të gjitha dimensionet e veta ku natyrisht përfshihet edhe e shkuara.

Bukleti studimor i Ambasador Mal Berishës, i përpiluar enkas për këtë event vjen si një përmbledhje ku ravijëzohen momente kritike të historisë shqiptare dhe roli i Vatrës dhe misionarëve të saj që i dolën për zot fateve të kombit. Fuqia lobuese e nxitur nga roli i intelektualëve shqiptar në bashkëpunim me misionarë amerikanë (Charles Telford Erickson) pati ndikim të fuqishëm në qarqet e larta amerikane, situata të cilat shumëkush do të donte që ti thërriste si për t’ia risjellë për zgjidhje aktualitetit po aq problematik ku vihen në pikëpyetje liritë, siguritë, ekzistenca. Gazetaria e shekullit të ri përballet me sfida esenciale dhe ekzistenciale. Në një kohë kur paraja është zot dhe mendimi vjetrohet dhe robërohet, roli i mendimtarëve është kambanë shprese. Dhe në fakt kështu vinte komunikimi i profesor Nikolla Panos; i matur prej peshe dhe i pamasë prej thellësisë dhe madhështisë.

Si do të ruhet e gjithë kjo pasuri mendimi e akumuluar në 110 vite por që mban dhjetëra e dhjetëra vjet të tjerë në brendësi? Dr Arjeta Ferlushkaj e cila ka dhënë një kontribut konkret në sistemimin e bibliotekës së “Vatrës” mendon se digjitalizimi i diellit do të ishte zgjidhja dhe zgjedhja më e mirë për ta bërë të pavdekshme këtë trashëgimi historike, kulturore e politike.

Fjala e thënë në vendin e duhur, kohën e duhur, mënyrën e duhur bëhet udhërrëfyese, referuese, informuese. Është pikërisht kjo gjuha me të cilën i drejtohet ish-gazetari i Zërit të Amerikës zoti Frank Shkreli lexuesve të vet. Ky brez gazetarësh edhe pse kanë disa dekada që janë larguar nga atdheu, nuk i kanë ikur kurrë atij, jo vetëm për shkak të të qenit gazetarë e profesionistë, por sepse janë thellësisht patriotë dhe idealistë, pasues të Nolit dhe Konicës në kapacitete intelektuale, dhe vepra konkrete. Përpikëria kronologjike e shkrimeve të Frank Shkrelit orienton dhe krijon imazh realist mbi gjendjen ekonomike e politike që përjeton atdheu.

Kush jeton midis Shqipërisë dhe Amerikës e ndjen se sa e dhimbshme është të të zbrazet shtëpia, lagja, qyteti, të të rrënohet mundimi, të të shembet mu përpara syve puna e ndërtuar me djersë e të lulëzojë nga asgjëja ajo gjëja që nuk aspak të bëjë me nderin, pronën, lirinë!

Kush jeton në Shqipëri përkund ëndrrën për të ikur, ndërsa për ne që ikëm rishtas nuk ka ëndërr më pakuptim se ikja. Dhe t’ia transmetosh ikjen si formulë zgjidhje shqiptarëve të sotëm është alternativa më e dhimbshme që artikulohet tribunave të politikës . Këto thirrje partiake nxitur nga po interesa të tilla e bëjnë të domosdoshëm rolin e gazetarisë së kthjellët, realiste, të paanshme që ushqen e rrit zgjidhje e shtigje lirish.

Sipas Biberajt, 60 për qind e shqiptarëve duan të ikin nga vendi i tyre, a thua se vendi është në luftë.

Realiteti dhe faktet, shifrat dhe leximi përtej tyre, shfrytëzimi i indikatorëve në terren dhe matja e tyre, janë mjetet me të cilat operon një gazetari e vërtetë dhe objektive.

A nuk janë pikërisht këto elemente që e mbajnë gjatë në jetë një gazetë 110 vjeçare që ende lexohet? Është ngjarja që e e bën lajmin, ndodhia , fakti përtej të cilit lind reagimi, reflektimi, kronika, analiza , meditimi.

Saktësia e gazetarit Idriz Lamaj, ka mbetur e paprekshme, duke iu referuar gjithmonë detajeve që vijnë nga studimet, leximet e thelluara që për të tashmë janë shndërruar në pasion.

Ky 110 -vjetor është edhe një homazh për të gjithë editorët e gazetës “Dielli” sipas editorit aktual, zotit Dalip Greca, të cilët të ndryshëm dhe individualisht e drejtuan në mënyra të larmishme këtë gazetë duke sjellë gjithsecili diçka të re. Dhe e reja e diellit tonë tashmë 110 vjeçar është editorja në gjuhën angleze zonja Rafaela Prifti e cila sjell një eksperiencë shumëdimensionale si gazetare dhe editorialiste vlera këto që dukshëm u konkretizuan gjatë moderimit elegant dhe substancial përkrah Frank Shkrelit, çka natyrisht, e ktheu këtë ditë feste në një ditë historike, në një ngjarje për mbarë gazetarinë, sfidat që ajo përjeton në kushtet kur pushtetet kacafyten e ku ajo e fjalës liri bëhet kryefjalë.