Analizë nga Prof. Gjergj Sinani / Kur Monteskjë përshkruan regjimet qeverisëse, ndalet edhe në parimet lëvizëse të tyre; republikat kanë si parim dashurinë për lirinë, monarkitë nderin dhe despotizmi frikën. Drejtuesit e këqinj korruptojnë popujt e tyre pasi vendosin pandëshkueshmëri për të gjitha krimet publike. Despotizmi e fillon punën duke e përgjumur popullin, pasi në këtë mënyrë diktatorët ndjehen më të sigurtë në fronet e tyre. Kur Roma drejtohej nga meritat dhe virtyti, ajo ishte republika më e përparuar, kur korrupsioni dhe veset pushtuan tërë organizimin shoqëror dhe shtetëror, Roma shkoi drejt rënies.
- –“Pushteti pa kufij” që nënkupton një princ që shkatërron subjektet e veta “nuk mund të jetë legjitim.”
- -Drejtuesit e këqinj korruptojnë popujt e tyre pasi vendosin pandëshkueshmëri për të gjitha krimet publike.
- -Nw prehistori gjithçka që mund të ndalte korrupsionin e zakoneve, gjithçka që mund të bënte një polici të mirë, ata e shkatërruan.
- – Në shoqëritë aristokratike populli lëshohet vullnetarisht në hovet e një gëzimi zhurmëmadh dhe të flaktë që i largon menjëherë nga soditja e mjerimit të vet.
- – Despotizmi e fillon punën duke abuzuar me entuziazmin e popullit, pra çështja më themelore është se si ta përgjumë popullin.
- – Kur populli mbetet në këtë mentalitet, diktatorët ndjehen të sigurtë në fronet e tyre.
Prof. Gjergj Sinani
Kur Monteskjë përshkruan regjimet qeverisëse, republikat, monarkinë dhe despotizmin ndalet edhe në parimet lëvizëse të këtyre regjimeve; republikat kanë si parim dashurinë për lirinë, monarkitë nderin dhe despotizmi frikën. Në filozofinë e tij të lirisë, ai i paralajmëronte bashkëkohësit për rreziqet e despotizmit dhe në funksion të ndalimit të rrezikut të despotizmit, ai përpunoi edhe teorinë e ndarjes së pushteteve me qëllim që të parashikoheshin diga ndaj valës së despotizmit. Luksi dhe korrupsioni janë bashkëshoqërues të despotizmit, por prirja drejt luksit rrezikon edhe format e tjera të qeverisjes si republikat dhe monarkitë, sidomos kur këto të fundit nuk drejtohen nga nderi dhe fryma e moderimit.
Për Monteskjenë, luksi është në përpjesëtim me pabarazinë e pasurive.
Sipas tij, në republikat ku ndarja e pasurive bëhet në mënyrë të barabartë, nuk mund të ketë luks. Sa më pak luks që të ketë aq më e përsosur është republika. Për ta provuar këtë ai i referohet shembujve të antikitetit. Kështu, luksi nuk ekzistonte te romakët e parë apo te lakedemonët. Nisur nga shembujt e historisë ai paralajmëron: “Në masën që luksi vendoset në një republikë, shpirti kthehet drejt interesit personal. Për njerëzit që nuk u duhet më shumë se sa e nevojshmja, u mbetet të dëshirojnë lavdinë e atdheut dhe të tyren. Por, një shpirt i korruptuar përmes luksit ka shumë dëshira të tjera: shpejt bëhet armik i ligjeve që e shtrëngojnë. Luksi që filloi të njohë garnizoni i Regws bëri që të therte banorët”. Duke ju referuar historisë së Romës antike, ai na thotë se sapo romakët u korruptuan, dëshirat e tyre u bënë të shfrenuara. Kjo duket në çmimet që ata u vendosën gjërave. Gjithmonë duke ju referuar Romës, ai tregon për shqetësimin e magjistratëve dhe të njerëzve “plot me ide”, në kohën e Augustit, për korrektimin e zakoneve dhe luksit të grave. Referuar shembujve nga historia ai thekson: “Pra, luksi është i nevojshëm në shtetet monarkiste: ai është kështu edhe në shtetet despotike. Te të parët, është një zakon që e bëjnë ata që zotërojnë lirinë: Në rastet e tjera, është një abuzim që bëhet për avantazhe të skllavërisë së tij; kur një skllav, i zgjedhur nga zotëria e tij për të tiranizuar skllevërit e tjerë, i pa sigurt për të nesërmen e pasurisë së çdo dite, nuk ka tjetër lumturi veçse atë të kënaqjes së krenarisë, dëshirave dhe lakmisë së çdo dite. E gjitha kjo na shpie në një refleksion: republikat përfundojnë te luksi: monarkitë te varfëria”.

E ne mund ta shtyjmë refleksionin deri në kohën tonë kur mbikqyrësit e plantacioneve keqtrajtonin të ngjashmit e tyre në funksion të padronëve, apo sjelljen e kapove të kampeve të përqendrimit ndaj bashkwvuajtësve të tyre, ndërkohë që padronët modernë plotësonin tekat e lakmive të tyre. Për të përforcuar rrezikun e luksit për qeverisjet republikane dhe monarkiste dhe për pasojat fatale të luksit ai i referohet shembullit të Kinës. Në fillim dinastitë kineze fillonin mjaft mirë dhe virtyti që ishte në fillim nuk ishte në fund të dinastive. Kështu “pas tri apo katër princave të parë, korrupsioni, luksi, kotësia, qejfet pushtonin pasuesit; ata mbylleshin në pallate, shpirti i tyre dobësohej, jeta e tyre shkurtohej, familja binte; të mëdhenjtë ngriheshin, eunukët akreditoheshin; vendoseshin në fron vetëm fëmijë; pallati bëhej armik i perandorisë; një popull përtac që e banon, shkatërron atë që punon; perandori vritet ose shkatërrohet nga një uzurpator, që themelon një familje, prej nga pasuesi i tretë ose i katërt, në të njëjtin pallat, do mbyllet akoma më shumë”. Të gjitha format qeverisëse që Monteskjë bën objekt të analizës, ai i shikon në marrëdhënien që ata kanë me lirinë. Që më 1721, nën një mbulesë artistike dhe nën një sfond lindor, Letrat Persiane, bënin kritikën e politikës autoritare të periudhës së Regjencës në Francë. Por në mënyrë të veçantë, letra CIV mund të konsiderohet parathënia e Frymës së Ligjeve ku Uzbek i shkruante mikut të vet Rika se “pushteti pa kufij” që nënkupton një princ që shkatërron subjektet e veta “nuk mund të jetë legjitim”. Pra Monteskjë shikon në ekceset e autoritetit burimin e despotizmit.

Nga ana tjetër, njohuritë e tij të thella historike dhe kontaktet e tij të gjera gjatë udhëtimeve të shumta, i kanë lejuar atij ta shikojë despotizmin në raport me ligjin. Në veprën e tij, Konsiderata mbi shkaqet e madhështisë së romakëve dhe të dekadencës së tyre, ai bën dallimin midis qeverive që mbështeten te ligji dhe ato që nuk e njohin ose abuzojnë me ligjin. Këto të fundit për të janë monstruoze. I tillë është despotizmi që përfaqëson një denatyrim të politikës. Ndërsa ushtrimi i pushtetit politik kërkon “ligje fikse dhe të vendosura, despoti dëgjon vetëm kapriçon e tij”[1]. Duke marrë si shembull Romën në periudhën e aleancës ndërmjet Pompeut, Krasit dhe Qezarit, Monteskjë na jep një përshkrim se si drejtuesit e këqinj korruptojnë popujt e tyre. “Pompeu, Krasi dhe Qezari ja dolën mbanë për mrekulli: ata vendosën një pandëshkueshmëri për të gjitha krimet publike; gjithçka që mund të ndalte korrupsionin e zakoneve, gjithçka që mund të bënte një polici të mirë, ata e shaktërruan; dhe, meqë legjislatorët kërkonin t’i bënin qytetarët e tyre më të mirë, ata punonin t’i bënin më të këqinj. Pra, ata futën zakonin për të korruptuar popullin me çmimin e parasë dhe, kur u akuzuan si intrigantë, korruptuan edhe gjyqtarët”. Sa i ngjan kjo pikturë kohës sonë, me përjashtim të faktit se drejtuesit tanë të partive nuk kanë madhështinë e Pompeut apo të Qezarit. Është gjenial mendimi i Monteskjësë se është e vështirë të kuptohen që në fillim projektet e tiranisë, “i cili, në fillimet e tij është i lehtë dhe i dobët, por i shpejtë dhe i gjallë në fund; që në fillim tregon një dorë për të ndihmuar dhe ndërkohë shtyp me një pafundësi krahësh”. Kjo frazë e fundit duket se përmbledh të gjitha tipet e despotizmit duke përfshirë dhe ato që njohën epokat moderne deri te despotizmi i kuq. Dishepulli i tij, Tokëvili, na jep një përshkrim të shkëlqyer të gjendjes shpirtërore të popullit në aristokraci dhe në despotizëm. “Në shoqëritë aristokratike – shkruan ai – populli lëshohet vullnetarisht në hovet e një gëzimi zhurmëmadh dhe të flaktë që i largon menjëherë nga soditja e mjerimit të vet; banorët e demokracisë, nuk duan aspak që të mbahen dhunshëm jashtë vetvetes dhe është gjithmonë për të ardhur keq nëqoftëse e humbasin këtë vështrim. Ndaj këtyre kalimeve të kota, ata preferojnë zbavitje të thjeshta dhe qetësuese, që u ngjajnë çështjeve të tyre dhe që nuk i harrojnë”. Pasi bën këtë dallim ndërmjet njerëzve nën aristokraci dhe atyre nën demokraci, ai nxjerr një përfundim në formën e një maksime të përgjithshme: “Nën despotizmin, popujt lëshohen herë pas herw në thirrjet e një gëzimi të marrë; por në përgjithësi, ata janë zemërlënduar dhe të përqëndruar, sepse kanë frikë”. Si ilustrim mjafton të përmendim praktikën e paradave ushtarake dhe manifestimeve madhështore dhe të kushtueshme të regjimeve moderne diktatoriale.

Kështu, despotizmi e fillon punën duke abuzuar me entuziazmin e popullit.
Pra çështja më themelore për një diktaturë është se si ta përgjumë popullin. Dhe ja Monteskjë mwse aktual kur shkruan: “Skllavëria fillon gjithmonë nga përgjumja. Por një popull që nuk njeh qetësi në asnjë situatë, që pyesin vazhdimisht vetveten dhe ndodhen në situata të mundimshme, nuk do të mund të përgjumen kurrë.” Pavarësisht nga fakti se në këtë pohim Monteskjë ka parasysh shembullin e Anglisë dhe ndikimin e klimës, ne mund të dallojmë universalitetin e gjykimit të Monteskjësë, domethënë se skllavëria fillon gjithmonë nga përgjumja e popullit. Problemi që shtrohet para një rregjimi politik dhe që Monteskjë jep përgjigje me veprën e vet është çështja: kush mund dhe duhet t’i kundërvihet tendencës për despotizëm që shkon çdo pushtet? Njerëzit do të ishte një përgjigje. Por përgjigjen më të saktë e gjejmë te filozofia iluministe dhe veçanërisht te Monteskjë. Jo njerëzit, por qytetarët. Ka një dallim thelbësor ndërmjet këtyre dy termave. Qytetarët janë njerëz të ditur me kurajo qytetare, të cilët janë në gjendje të frenojnë tendencën drejt despotizmit, por në të njëjtën kohë ata janë të parët që e pësojnë nga tiranët. Kjo e vërtetë shprehet në këtë formulë të famshme të Monteskjësë: “Qytetari mund të vdesë dhe njeriu të mbetet”. Kjo ide gjeniale e Monteskjësë është një nga të vërtetat më të thella të filozofisë politike. Pra, nëqoftëse qytetari vdes, atëherë rruga është e hapur drejt vendosjes së despotizmit. Historia e vendosjes së çdo diktature fillon përmes një dehje të përgjithshme dhe, en sourdine, vepron procesi i eliminimit të kundërshtarëve potencialë që e kuptojnë dhe luftojnë kundër vendosjes së diktaturës. Është e rëndësishme të nënvizohet fakti se procesi i likuidimit fizik të kundërshtarëve mbetet një shqetësin i vazhdueshëm për çdo regjim despotik. Që despotizmi të funksionojë, duhet që për disa persona të mos ekzistojë nocioni i barazisë para ligjit dhe, nga ana tjetër, nuk duhet të ekzistojë pavarësia e institucioneve. Gjithçka duhet të varet nga kapriçot e princit, siç thoshte Monteskjë, ose nga shefi i partisë, do të shtonim ne në epokën e despotizmave modernë. Parimi i frikës mbetet thelbësor në funksionimin e despotizmit. “Qeveria despotike ka si parim frikën, por popujve të ndrojtur, injorantë, të shtypur nuk u duhen ide të reja. Kur ju mësoni një kafshë, ju i kushtoni kujdes ndërrimit të të zotit, mësimit dhe të ecurit, ju e qëlloni trurin e tij me dy ose tre lëvizje dhe jo më shumë”. Despotizmi nuk do qytetarë, por subjekte të nënshtruar. Për arritjen e këtij qëllimi mekanizmi ishte frika që, siç shprehej Monteskjë, i shërbente despotit, apo diktatorit, për të mbytur kurajon dhe për të shuar edhe ndjenjën më të vogël të ambicies. Por ka edhe më. Për despotizmin Monteskjë shkruante se praktikon akuzat antijuridike, letrat anonime dhe spiunazhin, të cilat ai i konsideron si rrugët më të turpshme të korrupsionit, mjetet më të egra të tiranisë. Në librin e 7, Monteskjë ka dy kapituj me titujt e mëposhtëm, Spiunët në monarki, kapitulli XXIII dhe kapitulli XXIV me titull, Mbi letrat anonime. A duhen spiunët në monarki? – pyet Monteskjë dhe përgjigjet se spiunazhi ndoshta do të ishte i lejueshëm nëqoftëse ushtrohet nga njerëz të ndershëm. Për më tepër në qoftë se marrëdhëniet e princit me subjektet e tij bazohen mbi besimin dhe sinqeritetin dhe mbi bazën e ligjeve, nuk ka nevojë për spiunë, por nëqoftëse këto marrëdhënie bazohen mbi dyshimet dhe frikën atëherë princi ka nevojë për spiunë. Për më tepër, roli i tyre është i madh për të krijuar një imazh të gabuar rreth karakterit të vërtetë të princit, për ta paraqitur atë të pafajshëm rreth gjendjes së vendit, në rast se ajo është e keqe. Madje edhe në rastin e mynxyrave publike nuk akuzohet aspak personi i tij; qahen se ai nuk e dinte, ose se ai ishte i rrethuar nga njerëz të korruptuar: a sikur ta dinte princi thotë populli”.
Kur populli mbetet në këtë mentalitet, diktatorët ndjehen të sigurtë në fronet e tyre.
Ndërsa, përsa i përket letrave anonime ato janë më të këqija, sepse personi mund të bjerë pre e paragjykimeve dhe të dënohet pa e njohur publikisht abuzuesin. Për të treguar poshtërsinë e letrave anonime. Monteskjë bën një paralelizëm përmes një shembulli nga historia. Tartarët, për shembull, ishin të detyruar që të vendosnin në shigjeta emrin e tyre me qëllim që të njihej dora që e kishte lëshuar. Me fjalë të tjera, në qoftë se ata që akuzojnë një njeri e bëjnë në funksion të të mirës publike, ata nuk duhet ta bëjnë akuzën përpara princit, por përpara gjyqtarëve, ose magjistratëve, ndryshe letrat anonime janë një mënyrë për të ndihmuar shpifësit në synimet e tyre, qofshin karrieristë, qofshin për përfitime. Akuzat publike para gjykatës kanë vlerë për të mirën publike, ndërsa atyre që preferojnë letrat anonime Monteskjë u përgjigjet me fjalët e perandorit Konstandin: “Ne nuk duhet të dyshojmë mbi dikë, të cilit i mungon akuzuesi, ndërkohë që atij nuk i mungon armiku”[2]. Praktika të tilla, që qëndrueshmërinë në pushtet e bazojnë mbi veprimtarinë e spiunëve dhe letrave anonime, për fat të keq nuk e hasim vetëm nën despotizmin që përshkruan Monteskjë, por edhe në regjimet diktatoriale moderne, madje edhe në kushtet e diktaturave të proletariatit. Një pasojë tjetër fatale e despotizmit shihet në fushën e edukimit. Në despotizëm edukimi duhet të jetë servil. “Edukimi – shkruan Monteskjë – është në një farë mënyre zero. Duhet hequr gjithçka, me qëllim që të jepet diçka; të fillohet duke bërë subjekte të këqinj, për të bërë një skllav të mirë”. Në të gjitha llojet e despotizmit edukimi synon përgatitjen e vullneteve të ndrydhura dhe servile përpara autoritetit, qoftë ky princi, fyhreri apo sekretari i parë. Kjo është arësyeja pse regjime të tilla krijojnë ligje kundër mendimit të lirë, siç janë krimi i fyerjes së mbretit, parimi fuhrerprincip apo ligji i agjitacionit dhe propagandës në komunizëm në shoqërinë tonë. Ideja themelore e Monteskjësë kur flet për rregjimet despotike është se ato bazohen mbi padrejtësinë. Sipas tij ka një lidhje të ngushtë ndërmjet padrejtësisë dhe njerëzve që e ushtrojnë pushtetin. Një gjë e tillë është e kuptueshme, sepse në qeveritë despotike gjithçka varet nga trillet e tiranit, i cili rrethohet nga lakej që duan të përfitojnë nga pushteti që u jep princi. “Qeveria – shkruan ai – nuk mund të jetë e padrejtë pa patur duart që e përdorin për vete. Përvetësimi i të hollave të shtetit është i natyrshëm në shtetet despotike”. Pak më poshtë ai do të precizojë: “Duke qenë i zakonshëm ky krim, konfiskimet janë të dobishme. Përmes kësaj ngushëllohet populli, paraja që del prej këtej është një tribut, që princi do ta mblidhte me vështirësi prej subjekteve të rrënuar, madje nuk ka, në këto vende, asnjë familje që do të ruajë”. Pikërisht kjo shpjegon varfërinë ekstreme në vendet ku ekziston despotizmi. Gjithçka qëndron në faktin se, “Në këto qeveri, autoriteti nuk mund të balancohet; autoriteti i magjistratit më të vogël nuk është më shumë se ai i despotit”. Nisur nga kjo analizë Monteskjë bëri edhe një parashikim gjenial mbi shkaqet se pse lulëzon kopracia, fenomen, të cilin Balzaku do ta përshkruajë më vonë në mënyrë artistike. Varfëria dhe pasiguria e pasurisë, na thotë Monteskjë, në shtetet despotike e bëjnë të natyrshme fajdenë. Secili e shton çmimin e parave të tij në përpjesëtim me rrezikun që ka duke e dhënë hua. Pasojë e kësaj është përhapja e mjerimit në të gjithë vendin.
Nesër do lexoni:*** **************
– Në shtetet despotike, ku nuk ka as nder dhe as virtyt, mund të nxitesh për të vepruar vetëm nga shpresa për komoditetet e jetës
Parimi i demokracisë korruptohet jo vetëm kur humb shpirti i barazisë, por edhe kur merr shpirtin e barazisë ekstreme
– Për shkak të mbretërimit të padrejtësisë në shtetet despotike kompromentohet edhe ideja e barazisë
– Njerëzit janë të barabartë në qeveritë republikane, ata janë të barabartë dhe në qeverinë despotike: në të parën sepse ata janë gjithçka; në të dytën sepse ata janë asgjë
– Kur Roma drejtohej nga meritat dhe virtyti, ajo ishte republika më e përparuar, kur korrupsioni dhe veset pushtuan tërë organizimin shoqëror dhe shtetëror, Roma shkoi drejt rënies



















