Lamtumirë Prof. Idriz Metani, themeluesi dhe drejtuesi i Shoqatës Atdhetare Kulturore “Tomorri”

426
Sigal

Prof. Dr. Idriz Metani: Studenti sot, duhet vlerësuar si një “pishtar që duhet ndezur”

Idriz Metani ka lindur në Skrapar, më 23 qershor 1956. Ka kryer studimet e larta për Gjuhë e Letërsi shqipe në Universitetin e Elbasanit, ndërsa studimet pasuniversitare për gjuhësi i përfundoi në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë të Universitetit të Tiranës. Për më shumë se 20 vjet ka punuar si metodist dhe specialist në organet drejtuese të arsimit parauniversitar, kurse që nga viti 2002 është pedagog për lëndën e Leksikologjisë e të Historisë së Gjuhësisë në departamentin e gjuhës shqipe të Fakultetit të Historisë dhe të Filologjisë të Universitetit të Tiranës. Mban gradën doktor i shkencave dhe titullin prof. as. Është autor i dhjetëra artikujve gjuhësorë të botuar brenda dhe jashtë vendit, bashkëpunëtor në disa projekte shkencore për studime në fushë të shqipes të ndërmarra nga departamenti i gjuhësisë. Ka hartuar në bashkautorësi disa tekste shkollore të gjuhës shqipe. Është anëtar i grupit të punës për vlerësimin e kurrikulës së gjuhës shqipe në arsimin parauniversitar dhe për mësimin e shqipes në shkollë, ngritur nga Këshilli Ndërakademik. Ka marrë pjesë në disa konferenca shkencore dhe seminare ndërkombëtare për çështje të gjuhës shqipe.

-Si ka ndryshuar gjuha shqipe pas viteve ’90? Si i shihni ju këto ndryshime, kryesisht në leksik?

Gjuhëtari i madh gjerman i shekullit XIX dhe njëri prej figurave më të spikatura të gjuhësisë historiko-krahasuese, me një kontribut të jashtëzakonshëm në historinë e mendimit gjuhësor, Vilhelm Humboldi, duke folur për natyrën e gjuhës, si një mjet universal komunikimi ndërmjet njerëzve, pohonte gati dy shekuj më parë, se gjuha njerëzore nuk është një ergon d.m.th një diçka e ngurtë e dhënë njëherë e përgjithmonë, që nuk ndryshon, por një energji, pra diçka që është në ndryshim të pandërprerë. Të gjitha gjuhët e botës, pra edhe shqipja, për të përmbushur sa më mirë funksionin komunikativ pësojnë ndryshime në rrjedhë të viteve. Këto ndryshime janë më të mëdha e më të dukshme sidomos kur ndërrohen sistemet ekonomiko-shoqërore. Kështu ka ndodhur edhe me gjuhën shqipe. Pas vitit 1990, kur në Shqipëri u përmbysën marrdhëniet socialiste dhe shoqëria shqiptare kaloi në një shoqëri të organizuar në mënyrë kapitaliste, shqipja u fut në një hulli ndryshimi, sidomos në leksik, i cili dihet, që është pjesa më e lëvizshme e çdo gjuhe.

-Ç’mendim keni për gjuhën e folur dhe për atë të shkruar, që përdoret në auditorë nga studentët. Sa afër dhe sa larg standardit është? 

Po e them që në fillim si pedagog, si prind e si qytetar se ne duhet të gëzohemi që fëmijët tanë dinë shumë gjuhë të huaja, por, nga ana tjetër, me brengë në zemër e më shqetësim jo të vogël, duhet të pohojmë se fëmijët tanë dinë shumë pak shqip. Nuk është asesi faji i studentëve që kanë një formim gjuhësor të cekët, apo që ligjërimi shqip i tyre është i gjymtë. Faji natyrisht bie mbi politikat arsimore, që ndjek shteti shqiptar, që për shumë e shumë vite hoqi gjuhën shqipe si lëndë mësimore në shkollën e mesme, kur vendet e tjera rreth nesh e më tutje, e kanë futur gjuhën amtare edhe në programet e shkollave të larta.

  Cilët janë studentët që mbeten më tepër në kujtesën e një pedagogu? 

Kam një përvojë pune gati 35-vjeçare në arsim, nga të cilat më tepër se gjysma e tyre si pedagog në departamentin e gjuhës shqipe të Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë të Universitetit të Tiranës, në auditorët e të cilit janë ulur me mijëra studentë, por, sigurisht që pak prej tyre mbeten në kujtesën e një pedagogu.

Cila është metoda që duhet të zgjedhë një pedagog për të tërhequr vëmendjen e studentëve, pa i lodhur ata?

Çdo pedagog ka metodat e veta të mësimdhënies në universitet, por, unë kam bindjen se, cilado qoftë metoda që mund të zgjedhim, nëse studentin e trajtojmë vetëm si një “enë që duhet mbushur”, duke e detyruar atë të “gëlltisë” pa u menduar informacionin shkencor që i jep leksioni apo ndonjë burim tjetër literature, duke e detyruar, gjithashtu, “të recitojë” përmendësh paradigma lakimesh e zgjedhimesh e duke vlerësuar me notën më të lartë studentin që reciton më mirë, atëherë mund të themi se e kemi bërë detyrën ashtu siç duhet. Studenti sot duhet vlerësuar si një “pishtar që duhet ndezur”, që do të thotë ta vendosësh atë në qendër të orës së mësimit e t’i krijosh mjedisin e përshtatshëm që të shprehë mendimin e vet kritik, në lidhje me ato që studion. Kjo arrihet nëse pedagogu e njeh filozofinë e të menduarit kritik, nëse bën përpjekje për ta bërë mësimdhënien universitare sa më ndërvepruese, duke përdorur teknika të reja mësimdhënieje.

Çfarë ju bezdis më tepër? 

Bezdisem deri në mërzi, kur studentët në seminare heshtin, rrinë gojëkyçur si ata murgjit e mesjetës.

 Çfarë ju pëlqen ? 

Më pëlqen futbolli dhe natyra.

Jetëshkrimi

Prof.Dr.Idriz Metani u diplomua në vitin  1971 – 1975 në shkollën  e mesme pedagogjike Fier dhe përfundoi më 1980  studimet universitare në Fakultetin e Historisë dhe të Filiologjisë, Dega Gjuhë – Letërsi.

-1993 – 1995Mësues në shkollën 8-vjeçare „ Zylyftar Veleshnja“, Çorovodë, Skrapar

-1995 – 1997 Përgjegjës i zyrës së arsimit në bashkinë e qytetit të Çorovodës, Skrapar

-1997 – 1998 Specialist pranë drejtorisë arsimore të rrethit të Skraparit

-2005 -Anëtar i grupit të punës për gjuhën shqipe në shkollë, ngritur nga Këshilli Ndërakademik për Gjuhën Shqipe

Nga 2003 e në vijim ishte Pedagog në departamentin e gjuhës shqipe Fakulteti i Historisë dhe Filologjisë, Universiteti I Tiranës.

Ka botuar artikuj shkencor jashtë dhe brenda vendit si : Semntika leksikore e emërtimeve të njerëzve sipas tipareve fizike e morale në gjuhën shqipe, Tiranë, 2016.

– Bashkëpunëtor i jashtëm i Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë për Aksionin Kombëtar të mbledhjes së fjalëve e të shprehjeve popullore dhe për Atlasin Dialektologjik të Gjuhës Shqipe – Bashkëpunëtor i jashtëm i Institutit të Studimeve Pedagogjike për vëzhgimin dhe pilotimin e teksteve të gjuhës shqipe në arsimin parauniversitar

-Bashkëpuntor në projektin“Studime sociolinguistike për të folmet e Shqipërisë juglindore

-Botime në shtypin periodik dhe të përditshëm për çështje të gjuhës shqipe -Kumtesa dhe leksione për kualifikimin e mësuesve

Qoftë i përjetshëm ndër breza kujtimi, figura dhe vepra juaj, Prof. Dr.Idriz Metani

Kemi qenë me fat që jetuam dhe patëm midis nesh personalitetin e veçantë të gjuhës shqipe, të komunikimit njerëzor, kulturës dhe vlerave, por edhe themeluesin  dhe drejtuesin e Shoqatës Atdhetare Kulturore  “Tomorri”,  Prof. Dr. Idriz Metani. Dje u nda nga jeta shpirti juaj fizik, Prof.Idrizi, por puna për gjuhën, si një mjet universal dhe arritjet tuaja janë një pasuri kombëtare që do të  mbeten mes nesh dhe do të  kujtohet nga të gjithë brezat e studentëve, auditoreve dhe botës akademike. Ndarja e parakohshme nga jeta është një humbje e madhe jo vetëm për familjen dhe auditorët e universiteteve, por edhe për gjithë komunitetin, njerëzit që e njohën dhe e deshën shumë, si dhe të gjithë anëtarësinë e Shoqatës “Tomorri” që ju e themeluat. U prehtë në paqe shpirti juaj fisnik, Prof. Dr.Idriz Metani !

                                                            Për Shoqatën Atdhetare Kulturore “Tomorri”                                                                                                    

Kryetari Engjëll Musai