Kush ishin arkitektët e “ARIT TË  ZI”, Prof. Dr. Koço Plaku, Prof.Beqir Aliaj, Dr.Lipe Nashi

101
Sigal

Adile Xhabia – Ish drejtore në shkollë : Këta intelektualë morën titujt “Hero i Punës Socialiste”,“Çmimin e Republikës”dhe çmimin “Naim Frashëri” i klasit të pare, pastaj I nxorën tradhëtarë

Prof.Dr.Teki Biçoku : Në vitin 1974, nafta arriti prodhimin më të lartë në historinë e saj, në 2 milion e 420 mijë tonelata

Niovi Plaku – bashkëshortja e Koço Plakut: Me rastin e dekorimit tëÇmimit të Republikës, sekretari i parë i Fierit, Piro Gusho organizoi një mbrëmje, më vonë…

Prof.Dr.Ajet Mezini: Diktatura komuniste dënoi, persekutoi specialistët më të mirë të naftës, në veçanti drejtuesit e saj, gjeologët

“. . . Mos i prisni rrënjët .

   Në kohë thatësire ,

Ato do të na duhen përsëri . . .”

 

Fadil Shehu

Albert Zholi

Kuçova,tempull i lartësuar nga vlera të papërsëritshme të armatës së mijëra naftëtarëve, që si medalion, mbart dhe emrat e shkencëtarëve  të shquar të naftës, Koço Plaku, Beqir Aliaj dhe Lipe Nashi, lindur në vatra të qytetërimit modern shqiptar, Korçë, Shkodër dhe Gjirokastër. Pas studimeve të kryera në Universitetin prestigjioz të naftës,“Mihajlloviç Kupkin”në Moskë, ndër  më të njohur në Europë, të tre u lidhën  përjetësisht  me “Arin e Zi”. Kuçova, ndër të para qytete intelektuale në vendin tonë, Kuçova ku njerëzit e artit, sportit e pilotimit, gdhendnin me dashuri historinë e saj. Banorë të këtij qyteti, si Koço Plaku, Beqir Aliaj, Lipe Nashi, Milto Gjikopulli, Ramis Xhabia, Eqerem Beci, në sektorin e naftës,Tonin Rrota, Agim Prodani, Çesk Zadeja, Mihal Ciko, Zef Leka, Dedë Gjoni, në fushën e artit, Niko Hoxha, Fahri Bubsi, Bilal Sina, Agim Balili, Babaçe Faiku, pilot të shquar, me punën dhe veprën e tyre, do të cilësoheshin simbole të kombit. Peisazhi piktoresk i natyrës, çukitjet e “sqepave” të zinj të vulfeve të puseve të naftës, drejt gjoksit të tokës, duket sikur të urojnë mirëseardhjen. Kjo rrugicë, me shtëpitë sup më sup në lagjen“11 Shkurti”, të ofron idealet e qindra dhe mijëra naftëtarëve, të cilët me vetmohim, deri në sakrifikim, arritën të skalitnin me dinjitet jetën e tyre.

   Adile Xhabia – Ish drejtore në shkollë.

Kuçova ishte një qytet ku kishte shumë intelektual, disa prej tyre kishin studiuar për naftë, art apo për pilot në shtete të ndryshme të Europës. Kishim shumë familje të ardhur nga Korça e Shkodra, Gjirokastra e Vlora, Fieri e Elbasani, Përmeti e qytete të ndryshme të Shqipërisë, që jetën e tyre e kishin lidhur përjetësisht me naftën. Po kështu ishin dhe pilotët Niko Hoxha, Babaçe Faiku, Agim Balili, Bilal Sina, Fahri Bubsi e të tjerë, në fushën e artit ku spikasnin me talentin e tyre, Gaqo Çako, Agim Shuke, në festivale në radio televizon, Agim Prodani, Tonin Rrota e Çesk Zadeja, të cilët së bashku me Nito Lala që jeton ende në Kuçovë, punuan me mish e shpirt në themelimin e teatrit dhe estradës në këtë qytet. Si këngëtare dallohej Afërdita Leka, si aktore e talentuar Xhuljeta Kulla (Hoxha), duke mos harruar artistë të tjerë nga Elbasani, Vlora ,Patosi e Lushnja. Disa vite më vonë Kuçova u shqua dhe në fushën e sportit, sidomos në futboll me talente të njohura në Shqipëri si Fiqiri Duro, Bashkim Sulejmani, Sofokli Vasili, Tomor Duro, Fatmir Ismaili, Aleksandër Koçi, Enver Afëzi, Mikel Koroveshi e të tjerë. Nafta ishte vërtetë e lodhshme, por ishte shumë e bukur. Gjallëria e jetës artistike dhe sportive në qytetin tonë, bënte që çdo kush të ndjehej i lumtur.

Kuçova së bashku me Patosin, Fierin, Vlorën e Sarandën, shumë shpejt do të bëheshin kollona vertebrale në industrinë naftënxjerrëse. Pas Marinëzës, të shndërruar në një pyll të vërtetë metalik, zona të reja nafte, do të çelnin si lule maji. Përvoja e fituar në seminare kombëtare e botërore, rritën ndjeshëm kontributin konkret në punën shkencore të Koço Plakut, Beqir Aliaj dhe Lipe Nashit. Për këtë u vlerësuan me titullin “Hero i Punës Socialiste”,“Çmimin e Republikës”dhe çmimin “Naim Frashëri” i klasit të parë. Në vitet që do të trokasin më pas, Visoka, Ballshi e Gorishti në rrethin e Vlorës, do të cilësoheshin vendburime të rëndësishme.

     Prof.Dr.Teki Biçoku- Kryetar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.

Në vitin 1974, nafta arriti prodhimin më të lartë në historinë e saj, në 2 milion e 420 mijë tonelata. Kjo arritje u vlerësua nga specialistët, duke patur parasysh kapacitetin e teknollogjisë, që zotëronte industria e naftës. Për këtë sukses të madh, mjaft specialistë e naftëtarë, u vlerësuan me tituj e medalje. Por duke u nisur nga dëshira të pabazuara shkencërisht, qeveria synonte në kërkesa të reja, të cilat kërkonin studime, projektime dhe investime. Qeveria pothuajse nuk e njihte nga afër shkencën e naftës, gjë e cila bëri që çdo çast kërkonte hesape. Të çudit fakti, që jo vetëm Koço Plaku, Beqir Aliaj, Lipe Nashi dhe disa drejtues e inxhinierë u vlerësuan në fund vitin 1974, me çmime e dekorata, pas katër muaj, në mars të vitit 1975, u konsideruan sabotator dhe armiq të popullit. Në vend që këta njerëz me bagazh të madh, të falenderoheshin dhe të mbaheshin afër nga udhëheqja, çuditërisht u goditën prej saj padrejtësisht. Po të shikosh, pas arrestimit të shkencëtarëve Koço Plaku, Beqir Aliaj, Lipe Nashi e të tjerë, industria e naftës, jo vetëm nuk shënoi rritje, por nga viti në vit, kishte vetëm rënie drastike.

Nëntoka të ofronte dhe kapriçio misterioze. Krahas emocioneve, shoqëruar me lot gëzimi në “lindjen” e një pusi të ri, naftëtarëve do u duheshin të përballeshin me fenomene të padëshiruara, siç ishin fontanat, të cilat me “gjuhët” gjigande të flakëve të tyre, shkaktonin dëme kolosale. Naftëtarët, që më tepër mbanin veshur çizmet se këpucët, u duhej të sakrifikonin deri në vetmohim.

Hoçishti, një nga fshatrat piktoresk në qarkun e Korçës, mbështetur në prehër të malit Moravë.Vendi më i bukur në botë për çiftin Koço e Niovi Plaku. Të dy u lindën, u rritën, u dashuruan, madje u martuan këtu. Shtëpia e tyre, ngritur mbi supet e kësaj kodre, si një lule bore, të ofron, magjinë e natyrës dhe pritjen e  banorëve të kësaj treve. Në qendër të fshatit, lartësohet lapidari kushtuar dëshmorit të luftës nacional-çlirimtare, Jorgo Plaku, vëllait të Koços.

   Niovi Plaku – bashkëshortja.  –Në tetor të vitit 1971, jemi martuar. Pas tre muajve, në janar të vitit 1972, shkuam në Fier. Në këtë qytet të gjithë i respektonim dhe na respektonin. Krijuam një familje të lumtur. Me lindjen e djalit, Janit, i gëzoheshim më shumë jetës që po ndërtonim. Koçua e shikonte djalin si sytë e ballit. Edhe në punë ai gëzonte respekt nga të gjithë naftëtarët. Pas dy vjetësh ku po krijoheshin zona të reja nafte dhe puse të rinj, ai dhe disa shokë të tij dekorohen nga qeveria. Me rastin e dekorimit tëÇmimit të Republikës, sekretari i parë i Fierit, Piro Gusho organizoi një mbrëmje. Koçua dhe shokët e tij që u dekoruan, marrin vlerësime të veçanta nga disa drejtues të qeverisë. Kur erdhi në shtëpi, e pashë jo shumë të gëzuar. E pyes: Si dole? Mirë më thotë, por nuk e di se çfarë do të vijë prapa. Është bërë një metodë, që kur të ngrejnë në përgjegjësi, të bien kokës.

Zhvillimi ekonomik i vendit, shtroi kërkesa të reja për sektorin e naftës. Çdo kush e kuptonte se qeveria të kërkonte llogari, ndryshe do të kishe një ikje, pa kthim. Diktatura do të prodhonte të ashtuquajtur, grupe armiqësore në naftë. Pas pleniumit të katër të komitetit qëndror, ku shkencëtarët Koço Plaku, Beqir Aliaj dhe Lipe Nashi, u vlerësuan me tituj e medalje, do të vihej në zbatim projekti i listës së zezë, me emrat e atyre që do të flijoheshin në altarin e naftës. Tek jo pak drejtues e inxhinier, do të binte akuza e rëndë e etiketimit, armik e sabotator.

Prof.Dr.Ajet Mezini-Drejtor i drejtorisë gjeologjike, në drejtorinë e përgjithshme të naftës,Patos.

Diktatura komuniste dënoi, persekutoi specialistët më të mirë të naftës, në veçanti drejtuesit e saj, gjeologët, Koço Plaku, Beqir Aliaj, Lipe Nashi, Milto Gjikopulli, Prokoto Murati, Petraq Xhaçka, Enriko Veizi, Mynyr Harapi e të tjerë, disa prej të cilëve, tashmë  nuk jetojnë më. Këta specilistë dhanë një kontribut shumë të madh, në zbulimin e vendburimeve si në ranor, ashtu dhe në gëlqeror. Midis tyre spikat puna vetmohuese e Koço Plakut, i cili kishte përfunduar studimet në Moskë, me rezutate të shkëlqyera. Ai ishte një gjeolog me njohuri të gjëra në fushën e gjeologjisë së naftës, si dhe në fusha të tjera të shkencës. Ai ka dhënë një kontribut me shumë vlerë në ekonominë shqiptare, duke u njohur si zbulues i zonave të reja nafte, në Visokë, Ballësh dhe Gorisht.

Më 25 mars të vitit 1975, kur skica e projekte të reja, prisnin zbatimin konkret të tyre, naftëtarët u përballën me aktin më të turpshëm të njerëzve liliput të kohës. Çfarë akuza do të provonin, profesorët, doktorët e shkencave dhe inxhinierët, graduar veçse me tituj nderi e medalje? Terrori komunist nisi të shtrihej si metastazë në të gjithë arteriet më nevralgjike të industrisë së naftës. Me çizme të llangosur nga balta, pranë grykës së pusit, arrestohet mes naftëtarëve në Visokë, Koço Plaku, nga mëndja e duart e të cilit, ishin “pagëzuar” një sërë puse dhe zona të reja nafte. Njerëzit e sigurimit të shtetit, që fare mirë e dinin se ai ishte i pafajshëm, i trëmbeshin diturisë së tij. Në shtëpinë e tij, ata kishin rebeluar gjithshka. Skica e projekte të reja u burgosën si vetë ai. Ndërkohë Niovi, bashkëshortja e Koços, me të birin  filiz, pa mbushur ende dy vjeç, Janin, si pjesë përbërëse e persekutimit, në shkretëtirën e internimeve, degdiset fillikat në fshatin shtyllas të Fierit.

Niovi  Plaku – bshkëshortja.

Pasi e hoqën nga partia, e çuan direkt në prodhim. E kuptova se diçka kishte ndodhur me të, sepse kur vinte nga puna, ishte mjaft i mërzitur dhe me rroba me naftë e baltë. Një ditë më thotë : E shikoj se tani  duan të më heqin qafe,ndaj ti duhet të mendosh për të ardhmen tënde dhe të djalit. Duhet të bësh divorcin, sepse mund të më internojnë ose do më dënojnë me burg. Duhet të jesh krenare, sepse unë kudo kam punuar me përkushtim.U bëra e fortë nga e keqja. Kam ndënjur një muaj në Fier, sa bëra divorcin siç më tha Koçua, që më pas mos të kisha telashe. Mora djalin dhe ika në fshatin tim në Hoçisht. Pa kaluar disa ditë, më lajmërojnë të shkoja përsëri në Fier. Me shumë mundime gjatë rrugës, e vetme, me foshjën dy vjeç arrij në shtëpi, kur shikoj katrahurën e bërë nga njerëzit e sigurimit. Kam qarë gjithë natën. Në mëngjes mblodha plaçkat dhe më internojnë në Shtyllas, Levan. Së bashku me djalin kemi hequr të zitë e ullirit.

Njeriu që ishte ngjitur në podin e titujve më të lartë, kurrësesi nuk e kishte menduar se 25 marsi i vitit 1975, do të shënonte përfundimisht ndarjen nga bashkëshortja, Niovi, dhe djali i tij Jani, i cili nuk do e ndjente më dorën e ngrohtë dhe zërin e ëmbël  të të atit. Askush nga ata që e kishin njohur nga afër naftëtarin dhe shkencëtarin e shquar, njeriun e mirë, nuk e besonin se një ditë, jeta e tij do të shuhej në errësirën e natës, s’di se ku honeve të largëta nga krismat e armëve të skuadrës së pushkatimit. Burgu Tiranës, do të ishte stacioni i fundit, i kalvarit të vuajtjeve të tij. (Ende dhe sot nuk dihet vendi i pushkatimit të Koço Plakut, edhe pse familja e tij prej vitesh vazhdon të kërkoj vendodhjen e eshtrave të tij,)

Ing. Minella  Çami – ish i dënuar politik.

Edhe sot ruaj në kujtesë figurën e Koço Plakut, veçanërisht gjatë periudhës së burgut, ku birucat i kishim përballë njeri tjetrit. Më kujtohet atë natë, kur Koçon e muarrën nga biruca për ta pushkatuar. Por si zakonisht në ato momente i dënuari nuk mund të flasë dot, sepse në gjellë i hedhin ilaçe të atilla, që në disa momente atij i shkaktojnë shënja paralizuese dhe nuk mund të reagoj. Vetëm dëgjohej zhurma e këpucëve të policëve të burgut. Nga frengjia e derës të birucës time, vura re se Koçon e kishin lidhur dhe në kokë i kishin vendosur një helmet. E tërhiqnin zvarrë, pa ndjenja, për ta pushkatuar. Ishte një natë e tmershme, e pagjumë për mua, një natë që nuk do e harroj kurrë në jetën time, pasi pashë atë skenë kriminale. Më kujtohet se së bashku me të, ishin dhe dy të tjerë.

Ishte mesnatë e 26 qershorit e vitit 1976. Midis të burgosurve që u zgjodhën me dorë një nga një, ishte dhe simboli i shkencës shqiptare. Koço Plaku, dënohet nga inkuzicioni komunist, me dënimin kapital, pushkatim. (Skena e tre të pushkatuarve nga skuadra e pushkatimit, është reale në pamjet filmike.) Ky është i vetmi studim që i shpëtoi katrahurës nga njerëzit e sigurimit, të cilin vëllai i Novit, Sotiraqi, prej vitesh e mbante fshehur në shtëpinë e tij, e ruan si gjë tepër të shtrenjtë. Ky studim të posa përfunduar nga mëndja e duart e Koço Plakut, disa ditë para arestimit të tij, i përket zonës së Dumresë në rrethin e Elbasanit, i cili ende dhe sot nuk ka gjetur zbatim për t’u emëruar, zonë e re nafte.

Jani Plaku – i biri.

Materiali i mëposhtëm është shkëputur nga përshëndetja e Jani Plakut, para shfaqjes së dokumentarit Arkitektët e “Arit të Zi në sallën e teatrit të pallatit të kulturës Mustafa Matohiti Patos, në prani të më se 600 shikuesve të ardhur nga qytete të ndryshme të vendit.

“Ju falenderoj të nderuar pjesëmarrës të ardhur nga qytete dhe zona të ndryshme të naftës, për të kujtuar këtu emrin dhe veprën e babait tim Koço Plaku dhe dy martirëve të tjerë të demokracisë Beqir Aliaj dhe Lipe Nashi. Është ky një motiv më shumë ndaj respektit, figurës dhe veprës së tij. Falenderoj organizatorët e dokumentarit “Arkitektët e Arit të Zi” për përkushtimin e treguar në realizimin me vërtetësi të tij, si dhe interesimi e përkushtimi i drejtorit të përgjithshëm të Albpetrolit z.Ylli Gjoni, ministrit të Ekonomisë dhe Energjitikës z. Genc Ruli, Prof,Dr. z.Ajet Mezini e të tjerë, që ndihmuan në realizimin e tij. Ju falenderoj të gjithëve. Dua t’ju bëj një thirrje, të cilën e kam bërë dhe në biseda në televizion. Kushdo që dëgjon fjalën time dhe ka sado pak të dhëna në vendodhjen e eshtrave të babait tim të më ndihmojë për t’i gjetur ato. Ende nuk di se në cilin vend të vendos një tufë me lule të freskëta, në kujtim të emrit dhe veprës të babait tim të nderuar Koço Plaku. Faleminderit dhe ju përshëndes të gjithëve me shumë mirënjohje:”.

Beqir Aliaj ka lindur në këtë shtëpi në lagjen “Vojo Kushi’’, në qytetin e Shkodrës. Liqeni që si qerpik i qëndron qytetit, kaltërsia e Bunës, mrekullitë natyrore përreth qytetit, i lindën atij dëshirën për t’u bërë artist. Por nuk ishte e thënë, që kjo ëndërr e hershme të bëhej realitet. Pas përfundimit të shkollës së mesme të përgjithshme,“29 Nëntori”, dhe studimeve të kryera për naftë, në universitetin e njohur “Mihajlloviç Kupkin” në Moskë, Beqir Aliaj, emërohet me punë në qytetin “Stalin”.(Sot Kuçovë).                               

Prof. Ramadan Perhati

Beqir Aliaj, një nga shokët e mi të gjimnazit dhe viteve studentore në Moskë, është emëruar me punë në qytetin Stalin. Pas disa ditësh, më vjen emërimi dhe mua për të filluar punë po në këtë qytet. Së bashku me specialistë rus, ai i përkushtohet me seriozitet të madh punës, ku shumë shpejt shfaqet si inisiator i studimeve dhe projektimeve. Disa prej tyre dhanë frytet e vet. , duke gjetur rrugën e zbatimit konkret, në dhënien e puseve të rinj nafte.

Me dijet e fituara gjatë punës, ai skalit profilin dhe individualitetin e tij si krijues shkencor. Veprat e tij në fushën e naftës, zënë një vend të rëndësishëm në fondin e librave, pranë institucioneve e bibliotekave shkencore në vendin tonë. Në pleniumin e katër të komitetit qëndror, Beqir Aliaj, merr vlerësime maksimale si drejtues e shkencëtar. Çuditërisht  pas këtij pleniumi, ai shkarkohet nga detyra e drejtorit të Institutit Gjeologjik të naftës e gazit në Fier, dhe dërgohet në zona të thella të naftës, ku punon si inxhinier. Më 25 mars të vitit 1975, punonjësit e sigurimit të shtetit, kishin nisur të arestonin trurin e naftës. Prangat nuk kursyen as Beqir Alinë. Mos more burrë, nuk jam burrë që lidhem, do t’i thoshte ai në momentin e arestimit, punojësit të sigurimit.

        Ahmet  Aliaj – i vëllai.(Në mes, midis dy vëllezërve)

Jemi rritur bashkë, kemi vazhduar shkollën bashkë, kemi kryer shërbimin ushtarak bashkë. Pas studimeve në Moskë, Beqiri emërohet me punë në qytetin Stalin, sot Kuçovë. Ndërkohë, me zgjerimin e fronteve të reja për naftë, ai shkon në Patos, ku dhe krijoi familjen e tij. Ecuria shumë e mirë e disa detyrave të caktuara, dhe nafta nisi të zhvillohej me rritme të shpejta, duke krijuar dhe zona të reja, Ai arrin të kryej me përkushtim detyrën e drejtorit të Institutit gjeologjik të Naftës. Beqiri ishte i kënaqur me progresin në këtë sektor të rëndësishëm për vendin. Por diktatura e dënoi atë dhe shokët e tij padrejtësisht. Vuajtjet e tij kanë qenë nga njeri burg në tjetrin. I fundit ka qenë burgu famëkeq i Spaçit.

Më tepër se pesëmbëdhjetë muaj, së bashku me Jani Konomi, Prokoto Murati, Dhimitër Stefa, Nuredin Skrapari, ai terrorizohet dhomave të hetuesisë së Fierit dhe birucave të burgut  të Tiranës, Burrelit dhe Spaçit. Beqir  Aliaj, dënohet me 25 vjet burg.

   Jani Konomi  –  ish i dënuar politik.( Duhet foto e tij)

Ne kemi qëndruar disa ditë dhomave të hetuesisë dhe birucave të burgut të Fierit. Gjatë këtyre ditëve, ne nuk jemi takuar asnjëherë me njeri tjetrin. Nuk vonoi dhe na u bë gjyqi. Aty jemi takuar për herë të parë që nga momenti i arestimit. Pothuajse mbi tridhjetë përqind të peshës trupore, kishte humbur secili prej nesh, nga torturat dhe dhunimi brutal nga ana e hetuesve dhe punonjësve të burgut.

Dritaret e hekurta, si britma mesazhe të dala prej zemrës së tij, janë të vetme dëshmitarë, që përjetonin gjithshka, dhe shfaqeshin të pa gojë, duke përcjellë dhimbshëm ndodhitë misterioze nga “barku” i akullt i tyre. Njëri prej punonjësve më të zot, në industrinë e naftës, do të provonte torturat më çnjerëzore të kohës. Cili vallë e ndali buzëqeshjen në sytë e nënës  dhe bashkëshortes Lejla, të djalit Bujar dhe vajzës Kozeta? Si për të mos mjaftuar kjo, persekutimit komunist nuk i shpëtoi as familja e Beqirit.

 

Tragjedia e përjetuar në vite, kurrësesi nuk shlyhet lehtë nga kujtesa e Kozetës, e cila tregon. :

Kozeta Aliaj – e bija.

Jeta e babës tim, ka qenë e vështirë, duke punuar në frontin më të vështirë dhe kryesor në industrinë e naftës. me përkushtim të jashtëzakonshëm deri në vetmohim. Shpesh e gjithë familja jonë, ishte e interesuar për ecurinë e punës të babës tonë. Në kohën e arestimit unë kam qenë pesë apo gjashtë vjeçe dhe shumë gjëra nuk isha në gjëndje me i kuptue. Shpesh kam pyetur veten: Çfarë ka bërë Baba, kush është faji i tij? Po kështu dëgjoja vëllanë që pyeste nënën: Nënë, ç‘ka ka bërë baba? Por as ajo nuk ishte në gjëndje të jepte një përgjigje të saktë. Telashet e jetës i hoqi nëna jonë, e cila na ka edukuar dhe rritur me shumë sakrifica. Më vjen keq si u rritëm Uff.  Në çast në sytë e Kozetës shfaqen perde loti. U rritëm me vështirësi shumë të mëdha. Pas disa vjetësh kur unë po rritesha, kur u thoja të gjithëve se bija e kujt jam, sytë e tyre më shihnin me dashuri, por në mënyrë të atillë, të mos i shihte tjetër kush. E kisha kuptuar tashmë, se ne na kishin mohuar të gjithë. Për ne kjo gjë ishte shumë e rëndë. Megjithatë kishte dhe njerëz të mirë që na respektonin, na jepnin kurajo e forcë.

Beqir Aliaj, kurrë nuk u nënshtrua nga britmat dhe torturat, dhe priste që një ditë të shihte përsëri jetën. Më 29 mars të vitit 1991, kur si në të gjitha vendet e lindjes, edhe në Shqipëri, kishin nisur të shpërthenin ndryshimet demokratike, Beqir Aliaj, zyrtarisht do të shpallej i pafajshëm. Ishte periudha kur bashkëshortja e tij ruse, Lida Haritova, dy fëmijët Vladimir dhe Rita, që kishin mundur t’i shpëtonin persekutimit dhe internimit në Shqipëri, dhe prej tridhjetë vjetësh nuk e kishin parë bashkëshortin dhe prindin e tyre, shpresonin se do të rishiheshin përsëri.

Dr. Lena  Çami  ( Shishkina.)  këtu foto e saj

Shtëpinë në Moskë, e kisha shumë afër me shtëpinë e Lidës. Edhe marrëdhëniet midis prindërve tanë ishin shumë të mira. Kur shkova në Moskë dhe Beqiri vazhdonte të ishte në burg, e pyeta Lidën:- Ti Lida përse nuk martohesh? Ajo m’u përgjig : Duke patur atë dashuri, respekt e atë figurë, që kemi patur si bashkëshort nuk kisha arësye pse të martohesha. Në momentin e arrestimit të Beqirit dy fëmijët, Vladimiri tre vjeç dhe Rita nëntë muajshe, Lida për t’i shpëtuar persekutimit në Shqipëri, u nis për në Moskë, duke i rritur të dy fëmijët me shumë sakrificë. Kur u lirua Beqiri ajo u sëmurë. Pas disa muajve Beqiri shkoi më tren në Moskë. Lida dhe dy fëmijët prisnin bashkëshortin dhe prindin e tyre, pas një ndarje prej tridhjetë vjetësh. I fundit nga treni zbret Beqiri. Kur Lida e shikon, asaj i bie të fikët. Vajza u muar me Lidën, ndërsa Beqiri i afrohet djalit dhe e pyet: Vovo je ti ? Ndërkohë Vovo i përgjgjet:- Po ti babai im je? Ishte vërtetë një takim emocional. Gjithë jetën Lida i fliste me respekt fëmijëve për babanë e tyre, të izoluar nga diktatura. Edhe atëhere, edhe tani që ata jetojnë së bashku në Moskë, si Vovo dhe Rita kanë shumë respekt për Beqirin.

Kjo është ndërtesa e ish drejtorisë së përgjithshme të naftës, me qëndër në Kuçovë, drejtor i së cilës, ishte Lipe Nashi. Nxënës i shkëlqyer në shkollën e mesme të përgjithshme në Gjirokastër dhe një nga studentët më të mirë shqiptarë në Moskë. Intelekti i tij i veçantë, bëri që pas studimeve, shumë shpejt të shfaqej si drejtues i zoti, e intelektual model.

                                         Vasil  Nashi – i vëllai               

Me Lipen takohesha shpesh kur vinte këtu në Tiranë. Ai ishte mjaft optimist kur më fliste për zhvillimin që po merrte industria e naftës, duke arritur një prodhim si asnjëherë tjetër në historinë e naftës. Ai ishte një njeri i thjeshtë, gëzonte respektin dhe simpatinë e të gjithë punonjësve dhe qytetarëve. Lipja i qëndronte në kokë punëve dhe problemit që kishte ndonjë naftëtarë, sidomos atë të strehimit.

Si gdhendës i fjalës, Lipe Nashi, dinte të komunikonte me zërin e butë me çdo vartës e naftëtarë të thjeshtë. Falë aftësive organizuese e drejtuese, si kreu i industrisë së naftës shqiptare, ai vlerësohet si krenaria e komuniteteve në qytetet Kuçovë, Patos, Lushnje, Fier, Vlorë e Sarandë. Lipe Nashi kontribuoi në zhvillimin urbanistik të këtyre qyteteve. Madje më e angazhimin e tij, u përmirësuan ndjeshëm kushtet e jetës të naftëtarëve. Më së miri këtë fakt e dëshmojnë institucione sociale, kulturore e sportive dhe mjaft blloqe të reja pallatesh, duke  ndryshuar kështu, fizionominë e zhvillimit të këtyre qyteteve. Por oktapodi komunist, kishte nisur të shtrinte kthetrat e tij ogurzezë, në çdo zonë nafte, institucion, ndërmarje e sektor. Në mëngjesin e 25 marsit të vitit 1975, Lipe Nashi arestohet gjatë punës, kur projektohej e ardhmja e naftës shqiptare.

 Prof, Dr. Ajet Mezini.

Lipe Nashi ishte një njeri tepër energji, e drejtues i zoti. Ai ishte i papërtuar në zgjidhjen e çdo problemi në të gjitha sferat e naftës. Si njeri me talent të veçantë komunikimi, ai dinte të vlerësonte çdo drejtues e naftëtarë të thjeshtë. Diktatura e dënoi Lipe Nashin shumë rëndë. Pra, të gjithë këta drejtues e specialistë të naftës, me drejtorin e tyre të përgjithshëm, muarrën një dënim që nuk e meritonin.

Ai goditet si pjestar i grupit armiqësor në naftë, së bashku me Koço Plakun, Beqir Aliaj, Milto Gjikopullin, Dhimitër Stefën, Prokoto Muratin, Jani Konomin e Nuredin Skraparin. Por këtij terrori, nuk i shpëtuan dhe mjaft drejtues e specialistë të zot, të cilët shkuan në frontin më të vështirë dhe punonin si naftëtarë të thjeshtë apo punëtorë krahu. Ky akt i pashpirt do të shënonte një turp për kombin, nën kthetrat e sigurimit, në mënyrë çnjerëzore, psikologjike e fizike.

Vasil  Nashi –  i  vëllai

Kur doli para përgjegjësisë në këshillin e ministrave, më lajmërojnë se Lipja u kritikua rëndë. Jam tronditur shumë dhe nuk besoja në punën armiqësore të Lipes. Mora leje dhe shkova në Fier. Takova Lipen dhe e pashë shumë të mërzitur. Unë – më thotë Lipja, kam punuar gjithë jetën me ndërgjegje, dhe nuk kam arësye t’më thonë sabotator. Ju mos u mërzisni, ju do të vuani, por kini parasysh se unë kam punuar me përkushtim, dhe nuk jam as sabotator, as armik. Pas pak ditësh mora vesh arestimin e tij. U trondita dhe më shumë. Në atë kohë Lipja i dërgon një letër Enver Hoxhës, ku i thotë se si mund të bëhet armik një njeri që gjithë jetën e tij, ja ka kushtuar naftës dhe interesave të vendit. Enver  Hoxha i kthen përgjigje, se kur Lipja po kthehesh nga Kina, gjoja në tren kishte takuar gjeneralë rus e pallavra të tjera. Pas kësaj ndodhie vjen dhe persekutimi ynë. Familja e Lipes, largohet nga Fieri dhe internohet në fshatra të Myzeqesë.

Të burgosurit rrinin të pagojë, mes acarit dhe të ftohtit, me duar shtërnguar në xhepat e tyre, sikur shtërngonin dhimbjen, duke menduar se çfarë fati do u sillte e nesërmja. Ndonëse jetonin në burgjet më famëkeqe të vendit, ku të dënuarit si hapësirë kishin vetëm kupën e qiellit, e malet përreth, dukej se burgu i Spaçit, kishte zbritur posaçërisht aty, rrethuar nga male gjigandë. Lipe Nashi ishte i bindur se një ditë do të zbardhej e vërteta. Më 29 Mars 1991, ai do të shpallej nga gjykata e lartë, i pafajshëm.

 Prof. Jani Konomi – ish i dënuar politik.

Lipe Nashi ka dhënë një kontribut me shumë vlera, jo vetëm në gjetjen e shfrytëzimit të vendburimeve të naftës, por edhe në drejtim të përmirësimit të jetës së naftëtarëve. Ai ka ndërtuar dy qytete, Kuçovën dhe Patosin, madje dhe në qytetin e Fierit, ai ka ndërtuar blloqe të tëra pallatesh, disa lagje dhe institucione, Bashkinë, Poliklinikën, e të tjera, Ai punonte ditë dhe natë. Shpesh herë, kur Lipen e kërkonin në zyrë, ai ndodhej në Sarandë, dhe kur e kërkonin në Sarandë, ai ishte në Vlorë, apo në Tiranë. Lipe Nashi ishte i interesuar në çdo kohë për ecurinë e punëve në naftë. Ai ka vlera të papërsëritshme, jo vetëm si organizator, por i përkushtuar për kushte jetese sa më të mira për naftëtarët. Në naftë ka patur dhe Fontana, të cilat sillnin dëme katastrofike. (Në këtë çast njerit prej drejtuesve të kupolës së naftës, sytë i mbushen me mjegull loti) Ai ishte ndër të parët që merrte pjesë në mbyllje sa më të shpejtë të tyre. Në të gjitha këto raste sillnin dëme katastrofike. Ndëshkimi i Lipe Nashit, nga diktatura, ishte një njollë e zezë për vendin.

(Fjalët e mëposhtme janë të shkëputur nga përshëndetja e Spartak Nashit, në  Kuçovë para se të shfaqej dokumentari Arkitektët e Arit të Zi , kushtuar Martirë i Denokracisë , Koço Plaku, Beqir Aliaj, Lipe Nashi. Në këtë eveniment mbresëlënës përshëndetën ministri i Ekonomisë e Energjitikës Genc Ruli, Drejtori i përgjithshëm i sistemit të naftës Ylli Gjoni, Prof. dr. Ajet Mezini, kryetari i bashkisë së Kuçovës  Artur Kurti, e të tjerë.)

Spartak Nashi- I biri.

Me respekt e mirënjohje, dua të falenderoj të gjithë pjesëmarrësit, për nderin që i bëhet figurës dhe veprës së babait tim dhe dy Koço Plaku e Beqir Aliaj. Kuçova në tërë madhështinë, me emrin e saj të dikurshëm qyteti Stalin, ku unë kam kaluar vitet më të mira të fëminisë dhe rinisë sime, padyshim më ofron një ndiesi e nostalgji të madhe. Ende dhe sot në kujtesë ruaj të freskët jetën dhe gjallërinë e këtij qyteti sa intelektual aq dhe punëtor, me një llojshmëri mjaft të larmishme lokale e kombëtare. Ju e keni respektuar dhe vazhdoni të respektoni figurën dhe emrin e babait tim të dashur. Ju e respektoni edhe sot në këtë eveniment tepër të veçantë siç është dokumentari Arkitektët e Arit të Zi, nëpërmjet të cilit ju e kujtoni atë, megjithëse i dënuar nga diktatura. Ishte populli, naftëtarët e thjeshtë, të cilët Ai i

konsideronte si shokë e miqtë e tij më të mirë. Ishin ata që e respektuan dhe e ngritën babanë tim në këtë piedestal. Kjo është dhe arësyeja që më obligon të falenderoj me shumë respekt e mirënjohje, familjarisht, të gjithë pjesëmarrësit e këtij aktiviteti të veçantë, ish naftëtarët dhe naftëtarët e sotëm, kudo që ndodhen. Ju uroj mbarësi e lumturi në familjet e tyre. Ju faleminderit shumë.

Kampi i përqëndrimit në ferrin e Spaçit, sot me murre të gremisur dhe shkretinë, ku dielli duket sikur dridhet nga përjetimi i ngjarjeve makabre të kobshme, që ndodhnin aty, si i vetmi dëshmitarë i pikëlluar për gjenocidin e Spaçit. Në këtë kamp vdekjeprurës e fatkeq, ishin të dënuar figura të shquara të kombit. Midis tyre janë skalitur dhe emrat e intelektualëve shquar të industrisë së naftës, Koço Plaku, Lipe Nashi, Beqir Aliaj, Prokoto Murati, Dhimitër Stefa, Milto Gjikopulli, Jani Konomi, Nuredin Skrapari, Petraq Xhaçka, Enriko Veizi, Mynyr Harapi, Tomi Kristo, Luan Këlliçi, Petrit Sadushi, Tomi Kristo, Niko Koçobashi, Skënder Elbasani e të tjerë. Sot Spaçi, Burreli, Qafë Bari, Zejmeni e Borshi, kanë pushuar së qënuri, por hija e kobshme e tyre, nuk shlyhet lehtë nga kujtesa e atyre që e përjetuan atë kohë, të burgosur për të vetmen arësye, sepse punonin me sakrificë të shumëfishtë, për progresin e industrisë së naftës, kësaj kollone vertebrale për ekonominë e vendit, duke synuar një Shqipëri të përparuar. Krahas medaljes “Martirë i Demokracisë”, dhënë nga presidenti i Republikës, Koço Plaku, Beqir Aliaj, Lipe Nashi, vlerësohen nga këshillat bashkiake të qyteteve Kuçovë, Patos e Fier, me titullin “Qytetar Nderi”. Me emrat e tyre janë pagëzuar sot rrugë e sheshe në qytetet, Patos e Kuçovë, Fier e Sarandë, Shkodër e Korçë.

  Bardhi  MELI –Kryetar i bashkisë  Patos.

Bashkia dhe këshilli bashkiak i qytetit që unë drejtoj, do të mbeten të vëmëndshëm, në drejtim të vlerësimit dhe ndriçimit, të figurave më të spikatur në historinë e qytetit të Patosit, në veçanti, për ngritjen në altarin e respektit, për punën dhe veprën e madhe, që kanë bërë ndër breza këta arkitektë. Të flasësh për Koço Plaku, Beqir Aliaj dhe Lipe Nashi, të cilët kanë kontribuar në progresin e naftës, shkencën shqiptare dhe veprimtaritë e institucioneve, në të gjitha aspektet e jetës, është njësoj sikur të flasësh për themelet e historisë moderne të këtij qyteti. Edhe sot, qytetarët e Patosit, kanë ende të freskët në kujtesë, vetmohimin, zhvillimin ekonomik e social, që ka patur në vite ky qytet, që drejtohej nga këta njerëz me vlera të mëdha e humane, në drejtim të zhvillimit ekonomik, shkencor dhe jetës  artistike e sportive, në qytetin tonë.

Komunitetet e qyteteve Patos, Kuçovë, Ballsh, Fier, Lushnje, Korçë, Vlorë, Sarandë, Shkodër e  Gjirokastër, në çdo kohë i kujtojnë me respekt e mirënjohje, këta njerëz të sakrificës, me shpirtin e tyre të madh.

                       Skenari & Realizimi  : Fadil  SHEHU                                                                                                           

                      Kameramanë               :  Neritan  TRIFONI,  Fabio Shehaj 

                                  Folës                 : Roland  ROSHI

                            Montazhier              : Neritan  TRIFONI

                                Muzika                : Liman  MALOKU

                                Konsulent            : Prof.Dr. Ajet  MEZINI

Ky dokumentar është shfaqur në teatrin“Mustafa Matohiti” Patos, Pallatin e Kulturës Kuçovë, TV.publik shqiptar“ T.V.SH.”, TV. “A.V.N.”+ 63, TV dhe TV  “Apollon”.