PE “rrëzon” projektet e Rilindjes për Jahtet e Durrësit, Skavicën e aeroportin Vlorë

179

Parlamenti Europian thekson nevojën për të forcuar masat mbrojtëse, transparencën dhe kushtëzimin në kuadër të një procesi të shqyrtimit strategjik të investimeve të huaja dhe për të ndjekur penalisht incidentet e korrupsionit

Sigal

 

Në mes të majit 2023, Këshilli Kombëtar i Territorit miratoi lejet zhvillimore për dy fazat e projektit “Porti i Jahteve Durrës”, duke konfirmuar edhe njëherë se kryeministri Edi Rama është i vendosur për të betonizuar qendrën e qytetit bregdetar, pavarësisht kritikave të shumanshme, brenda dhe jashtë vendit.

Projekti “2 miliardë dollarë” është në lupën e Brukselit, i cili ka treguar disa herë skepticizmin për iniciativën personale të Edi Ramës dhe biznesmenit nga Dubai, Mohamed el Alabar.

Së fundmi, Parlamenti Europian ka përsëritur thirrjet e tij drejtuar qeverisë shqiptare për më shumë transparencë dhe respektim të rregullave të Bashkimit Europian.

Në Raportin për Shqipërinë për vitit 2022, të hartuar nga Komiteti për Politikën e Jashtme dhe të miratuar në 31 maj 2023, europarlamentarët janë shumë të qartë për Portin e Durrësit. Por jo vetëm. Nën objektivin e Parlamentit Europian janë edhe projektet e shumë-diskutuara të hidrocentralit të Skavicës dhe aeroportit të Vlorës. Për këtë të fundit, europarlamentarët nuk kanë asnjë mëdyshje-ky projekt duhet ndalur.

Porti i Jahteve Durrës

Në dokumentin e Parlamentit Europian për Shqipërinë, theksohet detyrimi i autoriteteve për të garantuar transparencë dhe konkurrencë në prokurimet publike, kontratat qeveritare, privatizimin, ndihmën shtetërore dhe procedurat e koncesionit.

Parlamenti Europian thekson nevojën për të forcuar masat mbrojtëse, transparencën dhe kushtëzimin në kuadër të një procesi të shqyrtimit strategjik të investimeve të huaja dhe për të ndjekur penalisht incidentet e korrupsionit, mashtrimit, shpërdorimit të detyrës dhe pastrimit të parave, duke luftuar njëkohësisht evazionin fiskal, ndërtimet e paligjshme dhe anashkalimin e sanksioneve.

Duke u treguar më konkret, europarparlamentarët kujtojnë se “procedurat e dhënies së kontratës për projektet e infrastrukturës, duke përfshirë brenda dhe rreth portit të Durrësit, duhet të jenë në përputhje me standardet e BE-së për prokurimin publik sipas Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit” (MSA).

Aeroporti i Vlorës

Edi Rama dhe qeveria e tij janë të vendosur të vijojnë me procedurat për ndërtimin e aeroportit të Vlorës, pavarësisht se projekti dëmton në mënyrë të pakthyeshme bio-diversitetin dhe rrezikon seriozisht natyrën.

Për këtë projekt, dokumenti i Parlamentit Europian është shumë i qartë dhe pa gjuhë të drunjtë.

Në raport i kërkohet qeverisë shqiptare të ndalojë projektet që rrezikojnë të cënojnë kombëtare dhe normat ndërkombëtare të mbrojtjes së biodiversitetit, si Aeroporti Ndërkombëtar i Vlorës, dhe për ndalimin e zhvillimit të hidrocentraleve në zonat e mbrojtura”.

Hidrocentrali i Skavicës

Europarlamentarët kanë vënë në pikëpyetje edhe projektin “500 milionë dollarë” për ndërtimin e hidrocentralit të Skavicës, në qarkun e Dibrës.

Për këtë projekt, në dokumentin e Parlamentit Europian i bëhet thirrje qeverisë shqiptare “për përmirësim të transparencës, sjelljes, zbatimit dhe monitorimit të vlerësimeve të ndikimit mjedisor dhe strategjik mjedisor, veçanërisht në projektet me pasoja të mëdha mjedisore dhe socio-ekonomike, si projekti i hidrocentralit të Skavicës; shpreh shqetësimin e tij për ndikimin ekonomik dhe mjedisor të projekteve zhvillimore jokonkurruese të financuara nga jashtë”.