Prof. Dr. Qemal Lame: Kina mbështet Serbinë në konfliktin me Kosovën

147
Sigal

Është shumë e rrallë që Ministria e Jashtme në Pekin të komentojë pasojat e zgjedhjeve lokale në Evropën e largët. Në 30.05.2023, transmetuesi shtetëror ÇTV donte të dinte nga zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme Mao Ning se si qëndron Kina ndaj trazirave në Kosovë, pas zgjedhjeve për këshillin lokal. “Kina po ndjek nga afër zhvillimet,”- tha Mao. Dhe: Pekini mbështet “përpjekjet e Serbisë për të ruajtur sovranitetin dhe integritetin e saj territorial” dhe refuzon “masat e njëanshme nga institucionet e përkohshme në Prishtinë”. Kina vepron drejt me ndjekjen nga afër të situatës, por argumentimi është i gabuar. Serbia nuk ka sovranitet dhe integritet teritorial në Kosovë.

Kosova është njohur nga 110 shtete, plus 6 shtete që kanë pezulluar njohjen në pritje të marrëveshjes midis dy vendeve. Qeveria e Kosovës kritikohet me të drejtë pasi para se të merrte masat për hyrjen e kryetarëve të komunave në ndërtesat qeveritare me mbështetjen e forcave policore, duhet të bashkëpunonte me KFOR, EULEX, NATO, SHBA dhe BE. Kryetarët e komunave mund të punonin në ndërtesa të tjera shtetërore, ose edhe nga shtëpia e tyre sipas përvojës së periudhës së pandemisë korona. Është e nevojshme që krahas përgjegjësisë së Qeverisë së Kosovës, që gaboi me masat e dhunës dhe i dha shkak ripërsëritjes së tensioneve, të njihet edhe qëndrimi i padrejtë i Serbisë, për të cilën nuk flitet hapur dhe realisht nga politika ndërkombëtare për shkak të interesave të ndryshme gjeopolitike. Konflikti në Veriun e Kosovës u shkaktua nga fryrja artificiale e gjendjes për interesat e politikës antishqiptare të ultranacionalistëve serbë në Beograd dhe strukturave ilegale të tyre në komunat me shumicë serbe. Qeveria e Kosovës ka vepruar në zbatim të detyrimeve kushtetuese dhe policia brenda kompetencave ligjore. Serbët që kanë plagosur ushtarët e KFOR-it e të NATO-s, janë arrestuar në bazë të ligjit dhe kërkohet të gjykohen sipas fajësisë. Beogradi saboton funksionimin e shtetit ligjor dhe shtrirjes në gjithë teritorin të pushtetit qëndror të Prishtinës. Qeveria e Serbisë dhe me orientimin e saj serbët në Veriun e Kosovës bojkotuan zgjedhjet e pushtetit vendor. Serbët kanë të drejtë të kërkojnë zgjedhje të reja, me një kërkesë nga jo më pak se 20 000 persona. Ashtu si Rusia dhe pesë vende të BE-së, Kina nuk e njeh Pavarësinë e Kosovës. Politikanët kinezë e njohin historinë e shqiptarëve dhe serbëve dhe duhet të jenë objektiv. Mendoj se është në nderin e Qeverisë së Kinës të kontribojë në zgjidhjen e konfliktit të zgjatur duke e njohur Kosovën. Kombi shqiptar ka vlerësuar miqësinë dhe ndihmat kineze. Prishja e marrëdhënieve ka qenë gabim i rëndë i udhëheqjes shqiptare të asj kohe. Në rast se do të bëjë njohjen, do të ketë një argument më shumë edhe për Tajvanin. Pekini në mënyrë indirekte ka fajësuar NATO-n për trazirat. Kina i bën thirrje “NATO-s të respektojë sovranitetin dhe integritetin territorial” të Serbisë “dhe të japë një kontribut të vërtetë për paqen në rajon”. Pekini argumenton situatën politike të krijuar në Veriun e Kosovës në një mënyrë të ngjashme e të njëanshme si me luftën e Ukrainës. Megjithëse ende nuk e ka dënuar pushtimin e Rusisë, fajësohet zgjerimi i NATO-s drejt Lindjes si shkakun kryesor për përshkallëzimin e konfliktit. Pekini është ende i zemëruar për bombardimin e ambasadës së tij në Beograd nga avionët luftarakë të NATO-s në vitin 1999, ku u vranë tre persona dhe u plagosën 21 persona. Në 23-vjetorin e tragjedisë në fillim të majit, Ministria e Jashtme në Pekin deklaroi se “populli kinez nuk do ta harrojë kurrë këtë mizori barbare të kryer nga NATO-ja e udhëhequr nga SHBA”. Sipas SHBA-së, ambasada u godit aksidentalisht. Objektivi ishte në fakt një autoritet ushtarak. Serbia dhe Kina kanë partneritet strategjik dhe projekte infrastrukturore. Për Kinën, Serbia ka qenë prej vitesh një nga partnerët më të besueshëm në rajon.

Vende të tjera në Evropën Lindore dhe Juglindore kanë qenë kritike ndaj Pekinit për një kohë të gjatë, sepse Kina është në anën e Rusisë në luftën në Ukrainë. Siç raportoi Washington Post, duke cituar dokumente të zbuluara ushtarake të SHBA-së, sipas shërbimeve sekrete amerikane, vetëm dy vende në Evropë janë veçanërisht të prekshme ndaj propozimeve kineze: Gjermania dhe Serbia. Që nga viti 2013, Beogradi dhe Pekini janë të lidhur me një të ashtuquajtur “partneritet strategjik”. Serbia është gjithashtu anëtare e Iniciativës së Rrugës së Mëndafshit të Kinës. Kritikët akuzojnë projektin global të infrastrukturës se i shërben interesave gjeopolitike të Pekinit. Projekte të tilla si zgjerimi i linjës hekurudhore nga Beogradi në Budapest janë në qendër të investimeve kineze në Serbi. Synohet që një ditë të lidhë portin grek të Pireut të kontrolluar nga kinezët me Evropën Perëndimore. Me kredi kineze po ndërtohet edhe autostrada nga Beogradi në portin malazez të Tivarit. Në vitin 2018 një grup kinez siguroi shumicën e aksioneve në një nga minierat më të mëdha të bakrit në botë, në Serbinë Lindore. Partneritet i ngushtë me Pekinin drejtohet mbi të gjitha nga Aleksandar Vuçiç. Në mars 2020, në fillim të pandemisë korona, gjashtë mjekë kinezë zbarkuan në Beograd së bashku me ndihmat, Vuçiç puthi flamurin kinez para kamerave dhe thirri për forcimin e miqësisë me “vëllain e hekurt” të Kinës. Ai injektoi në trupin e tij një vaksinë kineze kundër koronës. Vitin e kaluar, Beogradi bleu disa avionë luftarakë e sisteme kundërajrore të prodhuara në Kinë. Ishte dorëzimi i parë i këtij lloji në një vend evropian. Rusia nuk kishte mundësi për shkak të sulmit të saj në Ukrainë. Pekini po pozicionohet gjithnjë e më shumë si një alternativë ndaj Kremlinit. Vuçiç u takua me ambasadorin e Kinës, në 30.05.2023, dhe deklaroi se Pekini duhet të përdorë ndikimin e tij ndërkombëtar në konfliktin me Kosovën. Kosova dhe Tajvani janë dy realitete krejt të kundërta. Krahasimi që bëhet nga Pekini si dhe nga Moska është thjesht i njëanshëm dhe me qëllimin e përligjies së politikës së tyre nacionaliste. Kosova është faktikisht Dardania e njohur që nga lashtësia si teritor i banuar nga shqiptarët etnikë. Kujtojmë se Serbia është krijuar artificialisht në teritoret shqiptare me statusin e një autonomie nga Perandoria Osmane dhe si shtet pas traktatit famëkeq të Shën Stefanit, në 1879, si dhe me ndryshimin me dhunë të identitetit kombëtar e besimit fetar kristian – ortodoks të shumicës së popullsisë nga shqiptarë në serbë. Kosova është pushtuar nga Serbia, e cila ka zhvilluar gjenocid të organizuar shtetëror dhe dëbime masive për të ndryshuar përbërjen e popullsisë. Së fundi në Luftën e Kosovës nga Serbia u zbatua politika e shkombëtarizimit dhe zhdukjes së shqiptarëve. Kjo detyroi afro një milion shqiptarë të lagohen nga vendi i tyre për t’i shpëtuar masakrave, ashtu si në rastin e gjenocidit në Sanxhak ku u masakruan haptazi më shumë se 300 000 deri në 700 000 shqiptarë. Në rastin e Luftës në Kosovë shqiptarët nuk janë serbë. Ndërhyrja e NATO-s ka qenë e domosdoshme dhe një aksion human për të shpëtuar nga zhdukja kombin shqiptar. Agresorët serbë kërkohet të dënohen. Për këto arësye, në bazë të parimeve të së drejtës ndërkombëtare, nuk janë të drejta pretendimet për respektimin e sovranitetit të Serbisë pushtuese dhe gjenociduese. Kina është në anën e Serbisë për çështjen e Kosovës pasi ka të bëjë edhe me një konflikt, që aktualisht po zhvillohet rreth 9000 kilometra në lindje, në ngushticën e Tajvanit. Pekini e vlerëson Tajvanin si një provincë të shkëputur dhe po kërcënon të përdorë forcën ushtarake për ta bashkuar me kontinentin. Kina argumenton historinë dhe identietitn e njejtë kinez të Tajvanit. Por bën gabimisht krahasimin midis Serbisë dhe Kosovës me histori dhe popuj me identitet të ndryshëm kombëtar. Kosova mund të bëhet lojë e fuqive të mëdha në konfliktin mes Pekinit dhe Uashingtonit. Marrëdhënia midis dy vendeve aktualisht luhatet midis afrimit të kujdesshëm dhe armiqësisë së hapur. Kina akuzon Shtetet e Bashkuara se pengon ngritjen e saj në fuqi globale, ndërsa Pekini po punon krah për krah me Moskën për të përmbysur rendin botëror të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara. Nëse tensionet SHBA-Kinë vazhdojnë të përshkallëzohen në çështje në dukje të palidhura (si lufta në Ukrainë), Kosova përfundimisht nuk mund të bëhet trofe për t’u përdorur nga gjeopolitika si kolateral.