Kujtimet e Prof. Muzafer Xhaxhiut: Si fillova të shkruaja te gazeta “Bleta” apo te “Tomori i vogël”
-Si realizova fjalori “ Ja si flitet në qytetin e gurtë”
– Në 1946-n fillova të botoja poezi satirike në revistën “Hosteni”, e themeluar nga Nonda Bulka
– Si u magjepsa pas Homerit, Eskilit, Aristofanit e Euripidit
Gazeta Telegraf
( Dhënë më 7 Korrik 2006 )
Me dilemën se duhej ta intervistonim si poet apo pedagog, studiues të letërsisë apo përkthyes, u nisëm në studion e prof. Muzafer Xhaxhiut. Një shtëpi e thjeshtë ku brenda një hapësire një dhomë e kuzhinë ndan botën e tij sot në 88-vjetorin e tij profesori i moshuar. E gjejmë të rrethuar me skeda e fletë të shpërndara gjithkund nëpër divan. Thotë se po punon për një fjalor të të folurës gjirokastrite. Por Xhaxhiu nuk rresht së botuari edhe në shtypin e përditshëm. Kryesisht kritika e studime; hera-herës edhe ndonjë poezi. Thotë se poezia është stacioni i tij i parë. Nuk i mbahet mend se kur e ka shkruar strofën e parë, por duhet të ketë qenë rreth vitit 1928. Tetë dekada krijimtari për profesorin i mjaftuan gazetës “Telegraf” që, në shtatorin e kaluar, t’i jepte çmimin e karrierës për kontributin në letrat shqipe. Dy librat e botuar së fundi të Aref Mathieu janë ato çka është duke lexuar profesori tani. Nuk mund të ndodhte ndryshe, pasi të dy punimet e studiuesit francez me origjinë shqiptare – “Mikenët dhe pellazgët” dhe “Shqipëria, odiseja e pabesueshme e një populli parahelen”- i përkasin botës së tij. Edhe pse në një moshë të thyer, duket se prof Xhaxhiu nuk e ka gjetur ende paqen e tij me leximin dhe librat. Kur “gjen” kohë hedh në letër ndonjë varg a strofë, dashuria e tij e vjetër. Dhe ndoshta po merr jetë një tjetër libër me poezi, që do të mbajë firmën Muzafer Xhaxhiu. Se te shkrimet ai gjen jetën, pasi, sikundër thotë me shaka, “dyshoj se s’më vjen vdekja kur e dua dhe, sa herë që më afrohet ajo, e urrej…” Dhe ka arsye ta urrejë, pasi nuk i ka thënë të gjitha. Një pjesë të atyre që nuk i ka thënë, na i rrëfen ne në mikrofonin tonë…
Si nisi krijimtaria e juaj, porf. Xhaxhiu; ishte një shkëndijë, një rastësi apo diçka e brendshme, që shpërtheu falë ndonjë ngacmimi të jashtëm?
Unë kam lindur dhe jam rritur në Gjirokastër. Gjirokastra ka qenë një qytet i çuditshëm, madje vazhdon të jetë i tillë. Ka shumë mister në atë qytet prej guri dhe atje gjërat nuk ngjanin me asgjë tjetër. Pra, vetë Gjirokastra ishte një qytet që nuk ngjante me asgjë. Dëshira për të shkruar nuk më kujtohet saktësisht se kur më lindi. Por kam në mendje nënën time. Ishte bijë nga bektashinjtë e lagjes Pllakë në Gjirokastër. Duhet të kem qenë shumë i vogël, kur, me rastin e festës së Novruzit, në një ditë marsi, dëgjoja të thosh përmendësh disa vargje nga një vjershë e Naimit. /Cështë ai që shkon kaluar/Eshtë Abaz Aliu/Me dy-tri foshnja në duar/Ikën si veriu./ Aneja i thoshte këto vargje me një zë si në të qarë. Ka qenë kjo magji që më shtyu t’i thosha: “Dua edhe unë të bëj vjersha si Naimi.” Isha në klasën e dytë fillore, dhe nëna m’u përgjigj: “Protoparë, mëso mësimet dhe bëhu djalë i mirë të të mbajë bota në golë.” (të të lavdërojë bota). Më pas fillova të hidhja ku këtu e ku atje nga një strofë e nga një varg. Herë në letra e herë në fletore, në kapakë librash e ku të mundja. Kështu nisi rruga drejt poezisë…
Një djaloshar në vitet ‘30-’40 të shekullit të kaluar, si ndiheshit në klimën letrare dhe mes intelektuale të atyre viteve, kur mendon se në atë kohë shkruanin edhe emra të rëndë krijuesish të nivelit të Bulkës, Shuteriqit, Migjenit, Spasses etj.?
Ishte një kohë e magjishme për krijuesit. Kishte emra dhe stile të fuqishme. Shkruhej drejt dhe fort për halle njerëzish e për një vend që duhej të ishte ndryshe. Secili kishe zërin e tij, penën që e dallonte. Migjeni ishte Migjen, po kështu Bulka, Shuteriqi dhe shumë të tjerë. Unë isha një prej të shumtëve. Vija me skica, artikuj, poezi dhe shkruaja te gazeta “Bleta” apo te “Tomori i vogël”. E kujtoj me shumë mall atë kohë.
Pas luftës ju u tërhoqët nga krijimtaria letrare dhe u hodhët në fushën e studimeve dhe të kritikës. Përse ky kalim? E tradhtuat poezinë?
Jo, jo, nuk ishte tradhti. Ishte një largim. Madje as largim, një lloj pauze, ose një lloj “ndërrimi kursi”. Më kujtohet që në 1946-n fillova të botoja poezi satirike në revistën “Hosteni”, e themeluar nga Nonda Bulka. Pra, nuk kish braktisje të poezisë, por ecje në disa shtigje të reja përkohësisht. Ka edhe diçka që ndikoi në këtë ndryshim, të cilin ju e quani “tradhti të poezisë”. Në 1946-n unë u nisa fillimisht për studime në Beograd, ku qëndrova deri në 1948-n e më pas në Moskë, deri në 1952-shin. Vende të reja, klimë tjetër letrare. Për t’ju thënë që nuk e tradhtova poezinë, ju kujtoj se në 1957-n nxora librin tim të parë më poezi – “Lirika”.
Ju jeni shquar më shumë si përkthyes, studiues dhe pedagog i letërsisë antike greke e romake. Si ju lindi kjo dashuri për këtë botë antike?
Studimet e mia në Moskë më orientuan drejt kësaj letërsie. Atje u laureova për letërsi klasike greke-latine dhe për gjuhë frënge. Por përsëri iu ktheva Gjirokastrës së fëmijërisë sime. Vjetërsia e tij, gurtëzimi, misteret dhe një lloj mitologjizimi më kanë shoqëruar edhe atje ku jam përballur me modernen, me zhvillimin dhe qytetërimin, sikundër ishte një pjesë e botës ku unë studiova. Si student, u magjepsa më pas me Homerin dhe Eskilin, Aristofanin e Euripidin. Ata do të bëheshin më pas miqtë e mi, pjesa tjetër imja, shokët e vetmisë sime.
Si është të jetosh për më shumë se 60 vjet në universin e Eskilit, të Aristofanit, Plutarkut e Homerit? P.sh. të ngrysesh me Helenën dhe të gdhihesh me Paridin? Ta “njohësh nga afër” Akilin, apo të endesh në rrathët danteskë të ferrparajsës… një botë zotash, dashurish, tragjedish fatale tradhtish fisnike apo jo?
Do të doja të flisja gjatë për këtë. Por, sado që të flas, nuk keni për ta kuptuar ndonjëherë për aq kohë sa nuk e keni prekur, për aq kohë sa nuk keni qenë brenda saj. Është një botë tjetër, herë magjike e herë me shumë dhimbje. Marrim mitet p.sh.: e keni parë transparencën dhe bukurinë e tyre të mrekullueshme. Në to ndonjëherë kafsha, dikur vetë i zoti, bëhet shok besnik, si shqiponja e Zeusit, bufi i Atenës, gjarpri i Demetrës etj. Një herë tjetër ai bëhet viktimë e përkëdhelur e hyjit (dëshmi është ujku i Apolonit, Lykokton, Ujkvrasësi). E shikoni, pra, magjinë e mitologjisë dhe të atyre që e shkruan atë? Ja pra pse jam ndier mirë në këtë bote, brenda së cilës vijoj të mbetem i burgosur.
A jeni më shumë poet apo pedagog? Ku është ai filli i tyre ndarës, që ne e kemi vështirë ta dallojmë?
Nëse më ndiqni si një lexues, pra, si një i dashuruar pas poezisë, vargut dhe frymëzimit, atëherë unë jam thjesht poet. Por, nëse më vini pas si një student i letërsisë, unë jam thjesht pedagogu i saj, që për 40 vjet transmetova dhe kërkova të fusja brenda botës së grekëve gjenerata të tërë studentësh. Edhe unë vetë e kam të vështirë ta vë vijën ndarëse. Por, le ta lëmë kështu.
-Në ditën e Shën Valentinit ju nuk arrini t’i dhuroni asgjë asaj që doni, por krijoni një perlë vargjesh dhe thoni: /Dhe sot u zumë ne të dy/Një histori e vjetër/Më mirë i zënë veç me ty/Se sa të dua një tjetër./ Nga buron ky lirizëm i poetit Xhaxhiu? A njeh lirizmi ndjenja, frymëzimi një shuarje një zvetënim me moshën?
Jo, jo. Ndjenja është universale. Nuk ka kufij, as kufij moshorë. E dini si ka dashuruar Gëtja në moshën 80-vjeçare? Zjarret janë brenda gjithsecilit. Duhet vetëm të dish t’i nxjerrësh jashtë. Të ngrohësh të tjerë me to.
-Ju flisni në poezitë tuaja shpesh për një mike. Në fakt, cila ju ka frymëzuar? A është ajo “mikja” një vegim, një ndjenjë, një femër e prekshme, apo thjesht e bukura që vetëm ju mund ta zbuloni, edhe atje ku ne të tjerëve na është dukur e zakonshme?
çdo poet, besoj, frymëzohet nga një dashuri reale, të qenë, të prekshme, dhe i këndon mikes në vargjet e tij. Por i këndon asaj edhe kur nuk e ka; pra, kur e ka më shumë si vegim. Madje, në këtë rast, frymëzimi mund të jetë edhe më i vrullshëm. Një fjalë e urtë latine thotë: “Mbështetemi në atë që është e ndaluar dhe shpesh dëshirojmë atë çka na mohohet.” Këtë ide e kam shprehur edhe te “Meteori”, një poezi nga libri “çmenduri natyre”. Bëhet fjalë për një vajzë që m’u shfaq si meteor /Dhe tër’hiret e saj m’i pat’dhuruar/Mora pendën të shkruaja, ish e kotë./Meteori hënën kish mbuluar/…
Cila është ajo vajzë, mos vallë Farzileti?
Nga ju kujtua Farzileti. A, po, kam një poezi për të. Një dashuri e vjetër e adoleshencës së hershme. Jua kujtoj vargjet, edhe pse është shkruar dekada më parë……
Në çastet e fundit të jetës Gëtja kërkoi merhr hiat (më shumë dritë). E keni menduar profesor se çfarë do të kërkoni ju në fund të frymës suaj? Më shumë dritë më shumë dashuri… çfarë?
Do të kërkoj të iki në paqe. Si dikush që i ka bërë të gjitha dhe që po shkon tani te të tijët, që nuk i ka më dhe që e presin në botën e tejme. Në një nga poezitë e mia të fundit u them njerëzve: /Dhe kur të vdes, mos m’i përmendni vitet/Mos thoni ishte aq e kaq,/Iu hoq qafe shtëpis.ë/Doni t’jua them?/Vdoqa në moshën e dashurisë./
Disa kohë më parë ju frekuentonit shpesh Bibliotekën Kombëtare, duke treguar se jeni ende aktiv. çfarë keni aktualisht në dorë dhe a keni menduar se kur do të pushoni, pra, t’i shikoni librat më në fund nga larg dhe jo të jeni pjesë e tyre?
Po, kam qenë mik i vjetër i Bibliotekës Kombëtare qysh kur ajo ishte përballë hotel “Vollgës”. Tani, siç thotë fjala e urtë… “iku vapa me gushtin”. Ka qenë kjo bibliotekë që nuk u kursye të më jepte çka më është dashur për të pasuruar kulturën dhe për të hartuar tekstet: “Letërsia antike greke”, “Letërsia romake”, librat me shkrime të ndryshme për probleme dhe shkrimtarë të letërsisë. Tani Bibliotekën Kombëtare e kam “sjellë” në shtëpi. Kjo që shikoni, është e gjithë bota ime. Atje ku jam ndier mirë për më shumë se 70 vjet.
Sot në këtë 88-vjetor tuajin, nëse ju pyesim se cili është Xhaxhiu i vërtetë: poeti apo pedagogu, kë do të preferonit të zgjidhnit?
Fare thjesht: Xhaxhiu është pak nga të gjitha.
Fjalori. Ja si flitet në qytetin e gurtë:
Ka 12 vjet që po mban në duar fjalorin e të folurës gjirokastrite. Janë me qindra fjalë, shprehje e thënie, të cilat Xhaxhiu po i nxjerr pak nga pak në dritë. Të fosilizuara nga koha, të humbura, herë të shtrembëruara nga brezat, ato vijnë tani sikundër janë përdorur edhe 100 vjet më parë në qytetin jugor. Por shumë prej tyre përdoren edhe tani, thotë Xhaxhiu, i cili duket se është krenar kur na e shpreh një gjë të tillë.
Si ju erdhi ideja të hartonit një fjalor të tillë?
Ka shumë gjirokastritë të brezit të ri, që nuk ua dinë kuptimin shumë fjalëve që përdoren rëndom në shtëpitë e gjirokastritëve tipikë. Më ndodh edhe me nipërit e mbesën time, që më pyesin shpesh se çdo të thotë kjo e ajo, kur dëgjojnë nga goja ime apo e sime shoqeje fjalë e shprehje tipike gjirokastrite. Ndoshta kjo më ka shtyrë të nisja një punë të tillë. Kanë qenë edhe ngacmime të tjera; nga fëmijëria ime e hershme p.sh. Atëhere kur dëgjoja net të tëra ligjërimin e gjyshes sime, të anesë sime, të babait dhe motrave më të mëdha. Tani po kërkoj të hap të gjitha kasetat e memories për t’i risjellë sikundër i kam dëgjuar në atë kohë.
Dhe arrini t’i riprodhoni saktësisht? A kërkon kjo një memorie të hekurt?
Sigurisht. Por kërkon edhe shumë punë. Kam arritur të mbaj gjallë kontaktet me të afërmit e mi pothuajse të së njëjtës moshë. Po kështu kam sjellë në kujtesë copëza bisedash të dikurshme, por edhe kam shfletuar shumë. E gjithë kjo botë gjirokastrite brenda së cilës kam jetuar, edhe pse nga qyteti im kam ikur që para Luftës së Dytë Botërore, ka arritur të ma lehtësojë shumë punën.
Ku jeni mbështetur për hartimin e fjalorit?
Kam dashur të paraqes në fondin leksikor të ligjërimit të përditshëm atë që është thelbësore, origjinale, e tërësisht vendase. Nuk pretendoj se kam bërë më të mirën, pasi unë nuk jam leksikolog, por, të paktën, pretendoj se kam bërë një gjë që do të mbetet. Dhe kjo më gëzon. Të tjerë pas meje le ta pasurojnë atë. Rëndësi ka që unë trazova, nxora në dritë atë pasuri gjuhësore aq të veçantë në tërë vendin, karakteristike për qytetin e murrëtyer, por që ka brenda kaq diell e dritë…
( Dhënë më 7 Korrik 2006 )
Bibliografi e botime
“Kritikë dhe studime letrare” – ShB “Naim Frashëri”, 1975
“Shkrimtarë, vepra dhe dukuri letrare” – ShB “Naim Frashëri”, 1961
“Sofokliu, tragjiku i madh i Greqisë së lashtë” – Toena, 1998
“Letërsia botërore – 1” – ShBLSh
“Letërsia antike greke” – ShBLU
“Letërsia antike romake” – ShBLU
Nga krijimtaria letrare
“Lirika” (poezi) – ShB “Naim Frashëri”, 1957
“Rapsodi magjare” (poezi) – ShB “Naim Frashëri”, 1957
“Vargje per dashurinë” (poezi) – ShB “Naim Frashëri”, 1963
“Ujërat e pranverës” (poezi) – ShB “Naim Frashëri”, 1971
“Ditë maji” (poezi) – ShB “Naim Frashëri”, 1987
“Kënga e mjellmës” (poezi) – ShB “Naim Frashëri”, 1999
“çmenduri natyre” (poezi) – “Dituria”
Vepra të përkthyera në shqip
“Vesë lotësh” (antologji e poezisë botërore) – Toena, 1994
“Endre Ady” (poezi) – Albinform, 1998
Giovani Bernardi, “Falemnderit” (poezi) – Toena, 1998
“Antologji e poezisë bullgare” – Dudaj, 2001
“Antologji e poezisë lirike botërore” – Toena, 2005
Tituj, medalje, urdhra
Mban titullin Profesor Doktor
Medaljen ‘Mësues i merituar”
Urdhrin Naim Frashëri i Klasit të Parë
Urdhrin Naim Frashënri i Klasit të Dyte
Medaljen “Mjeshtër i madh i Punës”, dhënë nga presidenti i Republikë më 2001
Fjalë në të folmen gjirokastrite
Anapolla – së prapi
Anangj – nevojë, hall
Ashqimo – i shëmtuar
Abansez – papandehur
Backë – shuplakë
Bidate – kotësira
Brashnja – këpucë të grisura
Cimbidh – mashë për të trazuar zjarrin
Humbameno – njeri që nuk është i zoti për asgjë
Cfaragonjë – merimangë
Poezi lirike të Xhaxhiut
Kusarë
Ma vodhe zemrën,
Kusare!
Pa të si mund të ndiej?
Dhe tani s’kam ç’bëj,
Do të vjedh ty!
Kusarë që të dy!
Njësoj
Për V. K.-në
Veten s’e mbyta dot me nikotinë.
Dhe e gëlltita si t’ish ujë e verë,
Pa çka se mushkrinë
E kam të nxirrë stere.
E shoh se koha rrjedh e fluturon,
Dhe e pangopur na gëlltit çdo ditë.
Si me dhe pa cigare, gjë s’ndryshon.
Vdekja çdo çast njësoj na rri në pritë.
E po nuk erdha
Kur të largohem un’ nga kjo jetë,
Qoftë mot i mirë apo shi, furtunë,
Mos qani, veç i ngrini syt’ përpjetë,
Shikoni retë. Aty do jem dhe unë.
I djegur mallit do të zbres në tokë,
Në ndonjë rreze dielli a lot qielli
Do të pi kafe në ndonjë kioskë me shokë,
A do pushoj në ndonjë hije bredhi.
E, po nuk erdha, lus mos më gjykoni.
Një hall të madh do të lem pas’ në jetë.
Ësht’ më e fortë se vdekja, më besoni,
Kur një Kalipso të zë rob në rrjetë…
Dëgjomëni, pa më përgojoni
Dhe kur të vdes, mos m’i përmendni vitet,
Mos thoni se ishte kaq e aq,
Iu hoq qafe shtëpisë.
Doni t’jua them?
Vdiqa në moshën e dashurisë.
(Nxjerrë nga libri “çmenduri natyre”)



























