Korça pa simbole kombëtare dhe me flamur gjysmështizë

673
Sigal

Institucionet publike të qytetit të Korçës, në pjesën më të madhe të tyre, janë pa simbole kombëtare. Në fasadën ballore të godinave nuk shihet të vulëvitet asnjë flamur kombëtar. Sikur të mos mjaftonte kjo, ka dhe institucione që flamuri u ka mbetur në gjysmë shtizë dhe askush nuk e vëren. Kjo nuk është ndodhi e kohëve të fundit, pasi prej disa vitesh institucionet publike shqiptare gjenden në këtë situatë. Të vetmet flamuj që valëviten janë ato të institucioneve të huaja. Mosvlerësimi dhe mungesa e respektit ndaj simboleve është mëse i dukshëm. Kjo ndodh jo vetëm me institucionet që gjenden në periferi, por edhe ato që gjenden në qendër, kur simbolet kombëtare nuk duhet të mungojnë, pavarësisht vendndodhjes së institucionit. Vazhdimisht dëgjohet për blerje tavolinash, karrigesh, pagesash telefoni, rregullime zyrash, shpërblime etj, etj, por për simbolet shqiptare askush nuk shqetësohet edhe pse është detyrim ligjor.

 

Vendosje e simboleve kombëtare detyrim ligjor

 

Mungesa e flamurit kombëtar, nuk u bën përshtypje as drejtuesve të institucioneve dhe as punonjësve të administratës. Madje ata kanë harruar që një institucion publik, nuk mund të ketë dinjitetin dhe solemnitetin e duhur nëse i mungojnë simbolet kombëtare. Madje, pa asnjë dyshim, mund të thuhet se këta drejtues institucionesh, vetëm drejtues institucionesh nuk mund të jenë, sepse është një përdhosje që i bëhet ligjit nr 8926 datë 22.7. 2002 “Për formën dhe përmasat e flamurit kombëtar, përmbajtjen e himnit kombëtar, formën dhe përmasat e stemës së Republikës të Shqipërisë dhe mënyrën e përdorimit të tyre”. Madje në nenin 4, pika 2 të këtij ligji, thuhet: “Të gjitha institucionet publike detyrohen të vendosin flamurin kombëtar në mjediset e tyre të brendshme dhe të jashtme. Në këto institucione ndalohet ngritja ose vendosja e flamurëve të huaj, me përjashtim të rasteve të pritjeve ose të ceremonive protokollare dhe të solemniteteve të tjera, të parashikuara në ligj, por gjithmonë të shoqëruara nga flamuri kombëtar. Ne këtë rast flamuri kombëtar nuk mund të jetë në përmasa më të vogla se flamurët e tjerë”. Pra, ligjërisht gjithçka është e qartë.

Por, çfarë ndodh në Korçë?

 

Sot flamuri kombëtar nuk vulëvitet as në godinën e Bashkisë së Korçës, e cila gjendet në qendër të qytetit, në një nga rrugët kryesore të tij më të frekuentuarat, ku kalojnë vendas dhe të huaj nga shumë vende të botës. Godina është e bukur, mbresëlënëse, por askush nuk e kupton se ajo ndërtesë është institucion publik, asnjë i huaj nuk e kupton që, sapo ka shkelur në një qytet shqiptar, të cilët me të vërtetë kanë një flamur të bukur kuq e zi, që flet shumë për historinë e shqiptarëve. Jo, kjo nuk ndodh, dhe ky është një turp, aq më shumë për qytetin e Korçës, kur në këtë qytet ekzistonte edhe shtëpi ku qëndiseshin flamujt kuq e zi. Kjo ishte shtëpia e Tyxharëve. Për rikonstruksionin e kësaj godine u përdorën fonde të mëdha, por duket se për blerje flamujsh, nuk teproi asgjë. Por, nuk është vetëm Bashkia pa flamur. E njëjta situatë mbretëron edhe te Ndërmarrja e Shërbimeve Publike, Drejtoria Rajonale e Tatim Taksave, te Zyra Rajonale e Shërbimit Kombëtar të Punësimit, te Qendra Rinore, te Muzeu Arkeologjik, te Institucioni i Shërbimit Stomatologjik, te Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore, te Drejtoria Rajonale e Formimit Profesional etj. Kështu ndodh edhe në disa institucione arsimore, si te Fakulteti i Infermierisë, Shkolla Naum Veqilharxhi etj.

 

Flamuj në gjysmështizë

 

Për ironi të respektit ndaj simboleve kombëtare, u gjet edhe një flamur në gjysmështizë. I tillë ishte flamuri në godinën e Drejtorisë së Ujitjes dhe Kullimit. Kishte mbetur ashtu rastësisht apo ishte ulur në gjysmështize me ndonjë rast të veçantë dhe që atëherë ishte harruar, kjo nuk dihet, por që flamuri vijon të mbajë zi, këtë nuk e mohon dot askush. Historia e trishtë e simboleve kombëtare në qytetin e Korçës, nuk mbaron këtu. Pa flamurin kuq e zi janë edhe godina e Partisë Socialiste edhe ajo e Partisë Demokratike. Në vend të flamujve, sheh veç postera dhe sigla të të dy partive, gjë që na kujton një shprehje të së kaluarës: “Partia mbi të gjitha!” Flamuri Kombëtar dhe Shqipëria na duhen vetëm atëherë kur duam të hiqemi si patriotë, dhe këtë dimë ta bëjmë mirë…