Koleksionisti Gjergji Thimo: Ja si më grabitën vlerat e trashëgimisë kulturore. Së shpejti padi ndaj kryeministrit

708
Sigal

Ja si m’u grabitën vlerat e trashëgimisë kulturore shqiptare

Koleksionisti Gjergji Thimo: Së shpejti padi penale ndaj kryeministrit

 Së shpejti do të dërëzoj në Prokurori një padi penale ndaj kryeministrit të Shqipërisë,  Edi Rama dhe personave të tjerë përgjegjës  për vjedhjen e ikonave, vlera  të trashëgimisë  kulturore shqiptare. Padia do t’i dorëzohet  SPAK-ut, BKH-së, dhe Prokurorisë  së Përgjithshme, të cilën e kemi ngritur mbi bazën e dosjes  të quajtur  operacioni  “Ikona”, kryer në datën 8 tetor 2013.  Padia në fjalë drejtohet kundër kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, ish-ministrit të Punëve të Brendshme,  Saimir Tahiri, ish-ministres së Kulturës, Mirela Kumbaro, prokurorit të çështjes Ervin Karanxha, ish-prokurorit të Tiranës, Petrit Fusha, 8 punonjësve të Galerisë Kombëtare të Arteve dhe veçanërisht ndaj Ylli Drishtit dhe Suzana Varvaricës, të cilët administruan provat materiale (ikonat), duke anashkaluar Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë. Padia do të jetë konkrete, me prova të forta,  të argumentuara, të cilat flasin për vjedhjen e veprave të artit dhe kulturës shqiptare, e kryer në bashkëpunim prej një grupi të strukturuar  duke  shfrytëzuar postet e larta shtetërore.

Faktet flasin

Nga 3000 objekte të certifikuara të muzeut privat të Artit dhe Kulturës Shqiptare  “E.A.Thimo” Korçë,  policia në deklaratën zyrtare të saj, bëri të ditur për mediat vetëm për 1.174 objekte, ndërsa një ditë më pas, me urdhër të ministres së Kulturës, Mirela Kumbaro (Furxhi) në dt 9. 9. 2013, me shkresën 4795 dhe nr. 9 të protokollit, duke anashkaluar  Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor  Tiranë,  dorëzoi në Galeri të Arteve nga oficeri i Policisë Gjyqësore, Elton Shima, 329 objekte.  Dhe ndërsa këto prova materiale duhej t’i dorëzoheshin,  sipas Kodit të Procedurës Penale, Prokurorisë  së Rrethit  Gjyqësor  Tiranë, iu dorëzuan 8 punonjësve të Galerisë së Arteve: Meliha, Ramaliut (QKIPK), Ylli Drishtit Galeria Kombëtare e Arteve Tiranë (GKA), Suzana Varvaricës (Kuka) (GKA), Olsi Laskajt (GKA) , Lubjana Dashit (GKA), Aurela Dyrmishit (GKA) dhe Aldi Zgjanit (GKA). Ndërsa ish-drejtori i GKA-së, z. Shima dhe Hysen Hajdaraj, përgjegjës  i sektorit të Mirëmbajtjes dhe Sigurisë së Galerisë Kombëtare të Arteve, nuk e firmosi procesverbalin e marrjes në dorëzim, sepse nuk ishte kompetencë e tij. Për këtë arsye materialet qëndruan 2 vjet pa u firmosur, gjë la shteg për vjedhje, kur këto materiale duhej të ishin marrë në ruajtje nga Policia Gjyqësore, me sistem ruajtjeje 24 orë në 24 orë. Shkeljet ligjore ishin flagrante.

 Policia gjyqësore nuk i mori në dorëzim

Policia Gjyqësore nuk i mori në dorëzim materialet e sekuestruara (ikonat). Me ndërrimin e drejtorit të Galerisë Kombëtare të Arteve, të z. Shima me z. Artan Shabani, ky i fundit me shkresë zyrtare me numër 122/12 të protokollit, dt. 9. 11. 2023 (pas një muaji), kërkoi ruajten e materialeve me sistem 24 orë. Kërkesa nga ana e Galerisë Kombëtare të Arteve iu drejtua Ministrisë së Punëve të Brendshme, Policisë së Qarkut Tiranë, z. Ardian Çipa, gjithashtu për dijeni iu dërgua Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, z. Petrit Fusha dhe ministres së Kulturës, znj. Mirela Kumbaro. Shkresa u bënte të ditur institucioenve se Galeria Kombëtare e Arteve, nuk i kishte marrë në dorëzim materialet dhe nuk mund t’i merrte në dorëzim sepse materialet e sekuestruara nga policia e shtetit, u përkisnin materialeve të parashikuara nga nenet 150 dhe 187 të ligjit 7905 dt. 21.3.95 të Kodit të Procedurës Penale dhe  për këtë arsye, ato duhej të merreshin në dorëzim nga Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë.

Provat e sekuestruara dolën në ekspozitë

Çështja e operacionit  “Ikona”, u hetua dhe u gjykua në të gjitha shkallët e hetimit dhe të gjykimit, por pa u analizuar provat e sekuestruara nga ana e Prokurorisë  së Rrethit Gjyqësor Tiranë, konkretisht nga prokurori i çështjes, Ervin Karanxha, e vërtetuar kjo edhe nga shkresat zyrtare  të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, Thoma Perikli, me nr. protokolli 1740/1 dt 30.5.2017, ku thuhet: “Përsa kërkoni me kërkesën tuaj nr. prot. 1140, dt 23. 5. 2017 ju sqarojmë se nga verifikimi i akteve të Procedimit Penal 3298, i vitit 2013, të administruar në dosjen gjyqësore nuk rezulton të ketë procesverbal që policia e shtetit i ka dorëzuar provat materiale të sekuestruara në muzeun e shtetasit, Gjergji Thimo, Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë. Kancelari  Donald Xhelili”. Gjatë gjithë hetimit dhe gjykimit të kësaj çështje, ministrja e Kulturës, znj. Kumbaro eleminoi totalisht gjithë strukturat ligjzbatuese të shtetit shqiptar së bashku me ish-ministrin e Punëve të Brendshme, Saimir Tahiri. Gjithçka u krye në kundërshtim flagrant të Procedurës penale gjë që vërtetohet edhe nga një shkresë tjetër e ministres Kumbaro dt. 23.9.2016, nr. 311, e cila urdhëroi dhe dha leje që ikonat e sekuestruara në cilësinë e provave materiale të ekspozoheshin në muzeun kombëtar,  pa patur asnjë kompetencë ligjore, pasi kjo është e drejtë  vetëm e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë.

Urdhëri i ministres, shpërfilli Prokurorinë

Po kështu, kjo ministre kulture, me urdhër nr 381, dt 21.10.2015 urdhëroi lëvizjen e përkohshme të 472 veprave të trashëgimisë kulturore shqiptare (provave materiale të sekuestruara nga Policia e Shtetit), duke i zhvendosur ato nga Galeria Kombëtare e Arteve pranë ambienteve të Muzeut Historik Kombëtar. Theksojmë sërish se kjo e drejtë është vetëm e prokurorisë.

 Kryeministri njëherazi edhe prokuror

Një akuzë tjetër e rëndë ndaj kryeministrit ngrihet sepse një ditë pas operacionit më 9.10.2013, qëllimisht dhe në kundërshtim të procedurave ligjore ekspozoi para ambienteve të Galerisë Kombëtare të Arteve të gjitha ikonat dhe veprat e trashëgimisë kulturore, në prani të të gjitha medieve të cilat ishin në cilësinë e provave materiale, ku kodi i Procedurës Penale shprehet qartë në raste të tilla: “Provat materiale ruhen në vendngjarje, përshkruhen hollësisht në procesverbale e  vulosen me vulat e organit  të  Prokurorisë dhe askush nuk ka të drejtë të vërë dorë mbi to deri në përfundim të hetimit dhe gjykimit”. Veç kësaj, kryeministri, Edi Rama, doli në krye të një operacioni policor  në prani të mediave për çështjet që ishin në fillim të hetimit dhe gjykimit, madje duke u shprehur: “Falenderoj Policinë e Shtetit për kapjen  e këtij trafikanti, ky është një nga aksionet më të mëdha antitrafik i veprave të artit dhe kulturës i ndodhur ndonjëherë në Shqipëri”, por 6 muaj më pas nga hetimi i Prokurorisë, akuza për trafik të veprave të artit ra. Me shprehjen e tij ai kishte kërcënuar sistemin e drejtësisë.

 Objektet e mia janë të certifikuara

Të gjitha objektet e mia janë të certifikuara dhe të regjistruara në Qendrën e Inventarizimit në Tiranë, në Muzeun e Artit Mesjetar Korçë, në Institutin e Monumenteve të Kulturës, Berat dhe në Institutin e Monumenteve të Kulturës Shqiptare, gjë që vërtetohet edhe nga kartelat përkatëse të lëshuara për këto subjekte. Vlen të theksohet se si koleksionist i veprave të artit dhe të kulturës,  kam ushtruar aktivitet ligjor në bazë të një statusi si muzeu i parë privat në Shqipëri, data e themelimit 8.6.2006, me  numër 2 të protokollit nga ish-ministri i Kulturës, Teodor Laço. Aktiviteti im u krijua mbi bazën e një vendimi të Gjykatës së Tiranës, dt 3.7.96, me të drejtën e grumbullimit, restaurimit mbrojtjen e veprave të artit dhe ikonografisë, çeljen e ekspozitave etj. Kam mbi 20 vjet aktivitet, kam çelur 18 ekspozita, të gjitha të sponsorizuara nga shteti shqiptar duke marrë vlerësime maksimale nga njerëzit më të shquar të artit e të kulturës shqiptare si Kadare, Laço, P. Milkani. Eno Koço, Sajmir Kumbaro, Beqir Meta etj. Për këtë aktivitet shumëvjeçar  kam patur edhe financim të Amabsadës Amerikane  në Shqipëri, është bërë edhe një dokumentar  historik mbi ciklin “Heronjtë e Shqipërisë”,  ku në qendër të saj pasyrohej puna dhe aktiviteti i familjes dhe e e imja personalisht, në ruajtjen e trashëgimisë së vlerave kulturore shqiptare. Po ashtu edhe Këshilli i Ministrave të Shqipërisë më ka sponsorizuar për dokumentarin e RTSH-së në ciklin “Shtëpitë e Artit”, ku u pasqyruan  mbledhja dhe ruajtja e pasurive kulturore shqiptare. Dhe nuk kam qenë asnjëherë trafikant siç pretendonte kryeministri Edi Rama, madje edhe Prokuroria e rrëzoi këtë akuzë. Së shpejti, bashkë me avokatin tim do të kërkojmë drejtësi

Gjergji Thimo, koleksionist Korçë