Kastriot Kotoni: Nasho Jorgaqi dhe mesazhi i filmit “Tomka dhe shokët e tij”

243
Sigal

 

  • Nasho Jorgaqi, dhe mesazhi i filmit “Tomka dhe shokët e tij”
  • – Nëna ime kishte dalë partizane në moshën e “Tomkës”.
  • – Sa herë shfaqeshin filmat me temë nga lufta asaj i rridhnin lotë e kujtonte shokët e shoqet e rënë dëshmorë
  • -Nasho Jorgaqi: Qemal Stafa u bë heroi im i preferuar, prej të cilit u përpoqa të mësoj, kurse në periudhën e pjekurisë kuptova mirë se tek Qemali ishin mëshiruar disa nga vetitë dhe shfaqjet më të fuqishme të revolucionit tonë

 

Në librin “ANTOLOGJIA E FJALËS SË MENÇUR” të profesor Nasho Jorgaqit dhe profesor Xhevat LLoshit në parathënien e saj gjejmë në paragrafin e fundit të shkruhet nga autorët: “Kjo antologji e parë e kësaj natyre nuk ka se si të jetë as e plotë dhe as përfundimtare”, dmth që sërish autorët do të vazhdonin punën për pasurimin e saj, duke e ditur se “Nga të gjitha gjërat është koha që na përket më pak dhe na mungon më shumë” me autorësi Zh.Byfon; fjalë e mençur marrë nga kjo Antologji.

Atëherë Nashon që shumëkush e ka njohur do ta gjente herë në biseda me miqtë në kafenenë pranë busteve të vëllezërve Frashëri, e herë me nxitim duke ngarë biçikletën drejt bibliotekës kombëtare, e herë në ndonjë ngjarje kulturore të Tiranës. Por gjithmonë sistematik në orët e krijimtarisë dhe studimeve, ndaj edhe e çmonte shumë kohën. I shkruajta këto rreshta për të risjellë në kujtesën time bisedën e fundit me të. Njoha rastësisht një të afërm të “Tomkës” hero dmth-në të një Tomke real, i cili në të vërtetë kishte rënë dëshmor. Më kërkojnë të interesohem për kujtimet e Nasho Jorgaqit për shokun e tij të vegjëlisë. Teksa dëgjoja historinë e vërtetë të nipit për dëshmorin e vogël, po habitesha me këtë histori kaq tragjike për një shok fëmijërie të cilin Nasho Jorgaqi e kish shkruar si libër dhe për skenar filmi e me një domethënije optimiste.

Nuk i them bashkëbiseduesit se e njoh Nashon, por i tregoj për nënën time e cila edhe ajo kishte dalë partizane në moshën e “Tomkës”. Sa herë shfaqeshin filmat me temë nga lufta asaj i rridhnin lotë e kujtonte shokët e shoqet e rënë dëshmorë. Berati qyteti ku është xhiruar i gjithë filmi “Tomka dhe shokët e tij”, përbënte nyjën lidhëse të kujtimeve të nënës me moshën e heronjve të filmit. Situata të tilla, kanë një telepati të jashtëzakonshme e unë sapo kisha fiksuar numrin e professor Nashos, e pas pak ndihem mirë kur ai ma hapi celularin. E pyes për shëndetin dhe si zakonisht i them se do ishte kënaqësi të takoheshim sapo të ikte pandemia, por dua të të pyes pa të vënë në siklet: -A ke ndonjë shkrim apo kujtim për Thomain ose për “Tomkën”? A more miku im më tha “Tani kam në dorë kujtimet për shokun tim të ngushtë të fëmijërisë” të cilat do t’i botoj në librin tim me kujtime. Nga krahu tjetër i telefonit ndihej një ngulçimë , dënesë. I kërkova ndjesë për situatën e krijuar profesorit, duke i shpjeguar ngjarjen në vijim me nipin e dëshmorit dhe po çlirohesha nga barra që krijojnë të tilla emocione. Nasho edhe atë pak kohë të çmueshme po e ndante me kujtimin për shokun e tij dëshmor “Tomka”. Po ja edhe një etalon shkencëtari që shohim tek profesor Nasho Jorgaqi ditën kur laurehohet me çmimin e Republikës së Shkallës së parë. Në një intervistë dhënë për revistën “SHKENCA DHE JETA” të vitit 1975. Pyetja:- Cilët kanë qenë motivet që ju kanë shtyrë për të shkruar biografinë e Qemal Stafës? Përgjigja e Nasho Jorgaqit- E kam të vështirë t’i përcaktoj të gjitha motivet, sidomos kur ato mund të jenë të natyrave të ndryshme. Di të them që personaliteti i fuqishëm i Qemalit, si një nga figurat e shquara të revolucionit tonë, më ka tërhequr tërë jetën. Kur isha fëmijë, unë, si gjithë bashkëmoshatarët e mij, përjetova vdekjen e tij heroike dhe kjo la mbresa të thella: Më vonë, në vitet e rinisë, Qemali u bë heroi im i preferuar, prej të cilit u përpoqa të mësoj, kurse në periudhën e pjekurisë duke depërtuar në jetën dhe luftën e tij, kuptova mirë se tek Qemali ishin mëshiruar disa nga vetitë dhe shfaqjet më të fuqishme të revolucionit tonë.

Pyetje:- Çfarë rruge ndoqët për hartimin e veprës? Hartimi i jetëshkrimit të një figure historike ndjek një rrugë të veçantë. Jeta e njerëzve të shquar është si një minierë e shpërndarë në kujtesën dhe historinë e popullit. Prandaj duhet gjurmuar e duhet mbledhur me dashuri e me durim, i nisur nga disa pikësynime të rëndësishme dhe kjo përbën ndoshta hallkën më të vështirë të punës. Në rastin e Qemalit vështirësitë ishin akoma më të mëdha jo vetëm se ai pati një jetë të shkurtër dhe veprimtaria e tij revolucionare u zhvillua në kushtet e rënda të ilegalitetit, por sepse mungojnë mjaft dokumenta që përbëjnë themelin mbi të cilin ngrihet jetëshkrimi i një figure historike.

Pyetje:- Ç’mendoni tani që libri është botuar dhe kanë kaluar disa vite nga botimi i tij?

Megjithëse libri për Qemalin u prit me ngrohtësi nga lexuesit dhe u vlerësua nga kritika, prap unë si autor kam pakënaqësitë e mija. Mirë thotë populli se i zoti e di ku i pikon çatia. Krijuesi nuk e quan kurrë një vepër të mbaruar, aq më tepër kur është fjala për një biografi. Gjithmonë ka vend për punë të mëtejshme, për thellim e pasurim. Nga kjo pikëpamje do të thotë që kam akoma”borxhe” ndaj Qemalit. Kjo është arësyeja që nuk jam ndarë prej tij. Libri zgjoi tek mjaft njerëz kujtime të reja të luftës dhe u bë shtytës për evokime të tjera rreth jetës dhe luftës së heroit tonë të shquar. Unë gjatë kësaj kohe jam njohur me dokumenta të reja e me shokë të tjerë të Qemalit. Fatkeqësisht e njoha vonë Bije Vokshin, e cila ruante kujtime të mrekullueshme për Qemalin dhe libri ishte botuar. Do të jap disa shembuj. Para disa kohësh më erdhi një letër nga Italia. Libri i përkthyer në italisht ishte lexuar nga antifashisti veteran Çezare Kolini, i cili gjatë luftës ka qenë udhëheqës i lëvizjes antifashiste për krahinën e Firences. Qemali kishte marrë kontakt drejpërdrejt me të dhe ai më dërgon kujtimet e tij duke çmuar lart figurën e Qemalit si revolucionar internacionalist. Po kështu në Fier u gjet një bllok ku pjesëmarrësi i një mbledhjeje ilegale të rinisë komuniste kishte mbajtur shënime nga fjala autentike e Qemalit, këto e shumë të tjera përbëjnë një pasuri të re dhe unë si autor nuk e kuptoj librin tim pa to, prandaj kam filluar nga ripunimi.

Pyetje; Çfarë keni shkruar e ç’farë do të shkruani në fushën e letërsisë dokumentare?

Dua të ve në dukje,- shprehet profesor Nasho, se në përgjithësi interesimi i lexuesit për letërsinë dokumentare vjen duke u rritur. Kjo nuk mund të mos përbëjë nxitje për punën time, Prandaj, pa

lënë mënjanë gjinitë e tjera letrare, ku unë punoj, do të vazhdoj të merrem me letërsinë dokumentare-biografike, duke e trajtuar gjithmonë si shkrimtar. Kështu, kohët e fundit kreva “Nëpër analet e heroizmit të rinisë komuniste” e cila u vlerësua me çmim në konkursin e madh të 30 vjetorit të çlirimit. Kam mbledhur materiale të shumta e po bëhem gati të shkruaj një biografi letrare mbi jetën dhe aktin heroik të të riut punëtor Vasil Laçi. Në perspektivë dëshiroj, dhe sapo kam filluar nga mbledhja e materialeve, të hartoj një biografi letrare për F.S. Nolin.

Siç shihet tek kjo intervistë profesor Nasho Jorgaqi ka nisur punën e tij prej 25 vjetësh për biografinë e Nolit. Në përfundim të këtij rekujemi për Nasho Jorgaqin po përdor një fjalë të mençur të tijën “Fillimi dhe mbarimi i jetës së njeriut takohet në hapat e tij”, duke mësuar jetën e autorit, mund të kuptosh hapat në veprën e tij.