Kastriot Caka: Teqeja e Backës ka qënë vatër e lëvizjes patriotike për çlirim kombëtar

55
Sigal

Baba Fetau, fetar dhe patriot i madh

Baba Fetau, para se të rindërtonte teqenë e Backës ka patur lidhje të ngushta me një ndër mësuesit e parë të gjuhës shqipe, me Petro Nini Luarasin. Petro Nini Luarasi ka udhëzuar Baba Fetaun që të shndrojë atë institucion në një çerdhe patriotësh dhe luftëtarësh për liri, në një qëndër të përhapjes së gjuhës shqipe dhe ideve për liri. Me ardhjen herë pas here të Petro Nini Luarasit në teqenë e Backës, për ta ruajtur nga turqit që e ndiqnin këmba këmbës këtë patriot të palodhur të gjuhës shqipe, Baba Fetahu e shpalli Petro Ninin myhyp në teqenë e tij. Kështu ai bëhej i paprekshëm. Teqeja ishte ngritur për t’i shërbyer çështjes kombëtare dhe mbrohej me shqiponjën dykrenare, që është gdhëndur në derën e saj dhe me tërë veprimtarinë patriotike të Baba Fetaut. Ndërsa lartësoheshin muret e teqesë, Baba Fetahu dërgoi në Qesarakë dy dervish për t’u përgatitur si mësonjës të gjuhës shqipe. Për sy e faqe babai hapi shkollën për mësimin e turqishtes, kurse fshehtas çeli kurse në gjuhën amtare. Rreth viteve 1900 Baba Fetahu çeli mejtepin, shënjë e të cilit ruhet edhe sot. Mejtepi ka qënë një monument kulturor për atë kohë, sepse atje mësonin gjuhën shqipe, jo vetëm djemtë e Backës, por edhe Helmësit, Staraveckës e Potomit. Baba Fetahu qe një mëmëdhetar i shquar, i cili përpiqej jo vetëm për përhapjen e gjuhës shqipe, por edhe për organizimin e luftëtarëve të atyre anëve në luftë kundër turqve. Në teqenë e Backës, tek Baba Fetahu, do të vinin më vonë për t’u këshilluar patriot të tillë si Mihal Grameno e Çerçiz Topulli, për kordinimin e punëve në luftë të armatosur kundër pushtuesit turk, që do të kontribonin edhe burra prej Backe. Në vitin 1879 bëhet një mbledhje në teqenë e Frashërit nën kryesinë e Avdyl Frashërit dhe Baba Alushit. Në këtë mbledhje kanë qënë edhe 3 burra që përfaqësonin Backën: Baba Fetahu, Ajdin Islami, dhe Tahir Mehmetllari. Këtu ata morën udhëzime dhe shkëmbyen mendime anti turke. Autoritetëve turke në Skrapar u ra në sy veprimtaria patriotike e Baba Fetahut, i cili jo vetëm që po u mësonte backallinjve gjuhën shqipe, por po mundohej të organizonte me ta çeta luftëtarësh prandaj erdhën në teqenë e Backës për ta arrestuar. Por backallinjtë rrëmbyen armët dhe nën komandën e Tahir Mehmetllarit dhe Ajdin Islamit i bën turqit të iknin me vrap nga kishin ardhur. Kjo bëri jehonë të madhe në fshatrat dhe krahinat rreth e rrotull. Më vonë erdhi në teqe kajmokami i shoqëruar nga koshadhja turke. Duke treguar shqiponjën e gdhëndur në derë të teqesë kajmekami tha:” Çështë ky zog me dy kokë “?  Baba Fetahu iu përgjigj: “ Ky është një shpend që do t’u coptojë juve”! Ata nuk e arrestuan dot, sepse aty rrotull u ndodhën jo rastësisht 20-25 djem nga Backa të armatosur.

ÇETA KRYENGRITËSE E BACKËS E UDHËHEQUR NGA TRIMI DHE PATRIOTI LACE TASHANI ËSHTË NGRITUR RRETH VITEVE 1880-1885.

Luftimet e kësaj çete hyjnë në kontributin e madh të paçmuar të të gjithë çetave dhe luftëtarëve trima për çlirimin e Shqipërisë nga pushtuesit turq dhe shpalljen e Pavarësisë. Në këtë kohë kishte nisur një luftë e organizuar kundër pushtuesit otoman. Në përbërje të saj Çeta kishte këta luftëtarë: Lace Mustafa Tashani, Zote Jaho. Tashani, Neim Mustafa Tashani, Shashe Mustafa Tashani, Simite Sejati, Refat Zenun. Kalemi, Qazim Xhixho, Ahmet Luku, Qamil Abazi, Maze Kamberi, Ali Sejkollari, Hilmi Feta Kalemi, Brahim Bebeshi, Xhemal Bido dhe të tjerë. Në vitin 1900 çeta e Backës i vete në ndihmë  çetës së Panaritit në luftë kundër një reparti turk. Pas kësaj turqit dogjën shtëpitë e dy kapedanëve, të Nezirit në Panarit dhe të Laces në Backë. Edhe në vitin 1906 çeta e Laces dhe ajo e Nezirit luftojnë së bashku kundër një bataljoni turk dhe në Backë. Djemtë e Backës dhe të Panaritit, nën komandën e Lace Backës zënë pritë bataljonit turk në rripën e Staraveckës mbas një përlëshje të përgjakshme batalioni shpartallohet duke lënë mbi 20 ushtarë të vrarë. Më vonë, në vitin 1910-1911, çeta e Laces vepronte jo vetëm në Skrapar dhe në krahinat e tjera të Shqipërisë, por edhe përtej kufijve tanë, deri në Selanik dhe në Bullgari. Në vitin 1912, në ato ditë heroike kur i madh dhe i vogël ishte ngritur në këmbë për të dëbuar nga toka pushtuesit otomanë, patrioti Ismail Qemali kërkoi ndihmë edhe nga Skrapari. Ishte 28 Nëntor 1912 kur Lace Backa me më shumë se 40 backallinj niset për në Vlorë,që do të ruanin flamurin kombëtar, i cili për herë të parë pas 500 vjetësh po valvitej krenar në qiellin e mbushur me tym baruti. Më pas me urdhër të Ismail Qemalit Çeta e Laces zuri kufirin grek. Nga dhjetori i vitit 1912 deri në mars 1913 ata luftojnë bashkë me çetën e Sali Butbës në krahinën e Kolonjës kundër grekëve, që donin të pushtonjnë Korçën dhe Gjirokastrën.