Burrë shteti, politikan dhe luftëtar i madh i lirisë së Shqipërisë
Abdyl Frashëri, burrë shteti, luftoi për liri, shiti edhe pasurinë dhe bëri Shqipërinë
Abdyl Frashëri, së bashku me 2 vëllezërit, Naimin e Sami Frashërin, janë tre pishtarë, doktrinierë e shënjtorë të mëdhenj të Shqipërisë. Të tre vëllezërit, Abdyli, Naimi e Samiu, së bashku e veçmas shkrinë në një të vetme tri detyrat themelore taktike që shtroheshin para vendit: së pari, shpëtimin e atdheut nga gjymtimi territorial, së dyti, bashkimin e viseve shqiptare në një vilajet autonom dhe, së treti, lëvrimin e kulturës patriotike në shërbim të çlirimit të Shqipërisë.
Abdyli, Naimi e Samiu, lindën në Frashër të Përmetit dhe u ndanë nga jeta në Stamboll. Jetuan ata fëmijërinë e disa vite të rinisë në vëndlindje, por ata kur jetuan më pak në Janinë dhe më shumë në Stamboll i mbajtën lidhjet me Frashërin dhe çdo gjë e bënë për lirinë e bashkimin kombëtar të Shqipërisë. “Në Stamboll ne kemi pasur tri armata, tri ushtri,/ Një armatë ish Abdyli dhe një tjetër ish Samiu,/ Dhe e treta – gjenerali, gjeneral poet Naimi,/ Që lëshonte nga Stambolli divizione vjershërimi”, – ka shkruar poeti Dritëro Agolli. Vëllezërit Frashëri përdornin apo thirreshin edhe me emrat: Abdyli – Abdyl Hysni, Naimi – Mehmet Naim dhe Samiu – Shemsedin Samiu.
Abdyl Frashëri është nderuar me titullin “Hero i Popullit” dhe, më 11.08.2020, u nderua edhe me “Dekoratën e Flamurit Kombëtar”, dekorata më e lartë që jepet sot në Shqipëri. Dy ditët, 29 gushti i 1839 – ës dhe 23 tetori i 1892-it, përcaktojnë hapësirën kohore 53 vjeçare të jetës së Abdyl Frashërit. Faik Konica, në revistën “Albania”, më 1898 shkruan: “Mjekra e gjatë, pak e thinjur, balli i lartë dhe i gjërë i jepnin Abdyl Beut një hije vërtet madhështore …. Po sytë? Dy sy të mëdhenj e të thellë, që kishin shkëlqimin e yjeve dhe forcën e çelikut dëftenin shumë, gjithë vlagën, gjithë fuqinë e këtij burri”. “Abdyl Frashëri ishte trim, e kishte syrin si shigjeta dhe i bënin të gjithë tungjatjeta. Ishte i matur dhe nuk ia hidhnin dot as mbreti dhe as krajli, ishte i përmëndur për penë dhe dije dhe “Faqe t’bardh i la Shqipërisë”, – ka shkruar Gjergj Fishta në veprën “Lahuta e Malcisë”.

Familja e Abdylit dhe mjedisi jetësor i Frashërit.
Kush ishte familja e Abdyl Frashërit? Ajo përbëhej prej 10 vetash: 2 prindërit, 2 motrat dhe 6 vëllezërit. Prindërit. I ati, Halit Frashëri, djali i Fejzullahut, nipi i Beqirit, vëllai i Durmishit, lindur më 1797 në Janinë, martuar më 1835 me Emine Mirahorin nga Korça, u nda nga jeta në Janinë më 1859. E ëma, Emine Mirahori, vajza e Islamit dhe e Zymbyles, lindur më 3 maj 1814 në Korçë, stërmbesa e Iliaz bej Mirahorit (1408 – 1512) nga Panariti në atë kohë i Përmetit, themeluesit të qytetit të Korçës në vitet 1494 – 1512. Sami Frashëri për Iliaz bej Mirahorin, në veprën “Kamus – Ul – Alam” thotë: “Eshtë stërgjyshi i autorit. nga nëna dhe themeluesi i qytetit të Korçës”. Emineja u nda nga jeta në Frashër më 28 prill 1861. Vëllezërit e motrat e Abdylit. Më i madhi ishte vetë Abdyli, i lindur më 29 gusht 1839 në Frashër, i martuar 35 vjeç me Ballkëzin, vajzën e Ibrahim Frashërit nga familja e Lahçenjëve nga Frashëri, i cili u nda nga jeta më 23 tetor 1892 në Stamboll. Pas Abdylit, ishte e motra, Nefise Frashëri, e lindur në Frashër më 1841, martuar me Halim bej Përmetin, e cila u nda në moshë të re nga jeta. I treti ishte Sherif Frashëri, lindur më 13 dhjetor 1843 në Frashër, i martuar në Janinë me Hatixhenë (Hexhen), vajzën e një berberi nga Shkodra, i cili u nda nga jeta në Janinë më 26 prill 1874. I katërti ishte Naim Frashëri, i lindur në Frashërmë 25 maj 1846, martuar me Hatixhenë Pas Naimit ishte Shahnisha Frashëri (Bërzeshta), e lindur në Frashër më 1848, e martuar me mjekun ushtarak Ibrahim Lutfi Bërzeshta (1823 – 1904) I gjashti ishte Sami Frashëri, lindur në Frashër më 1 qershor 1850, i martuar më 4 maj 1884 me Emine Velijen, vajzën e Kazasker Sadedin Efendiut, nga paria e Stambollit dhe, pasi i vdiq e shoqja, Emineja, më 1894, u martua me Ballkize Frashërin, së cilës i kishte vdekur më parë i shoqi, vëllai i Samiut, Abdyl Frashëri, i cili u nda nga jeta në Stamboll më 18 qershor 1904. Pas Samiut vinte Tahsim Frashëri, lindur në Frashër më 27 janar 1853 dhe ndarë nga jeta në moshë të re në Janinë më 23 prill 1876. I teti, ishte Mehmet Frashëri, i lindur në Frashër më 26 tetor 1856, i martuar në fillim me vajzën e Myftiut të Bejrutit dhe pas vdekjes së saj, u martua me Vesime Toptanin, vajzën e Said Sermedin Toptanit, motrën e Murat Toptanit, që ishte dhëndri i Sherif Frashërit, u nda nga jeta më 21 dhjetor 1918 në Tiranë.
Familja dhe mjedisi jetësor i Frashërit janë vatrat e para të formimit moral e politik të Abdylit. Në kohën e fëmijërisë së Abdylit, Frashëri nuk ishte thjesht një fshat, por “një qytet i vogël malor”, – ka shkruar Sami Frashëri, vëllai i Abdylit, në veprën “Kamus – Ul – Alam”. Si i tillë ai ishte “qyteti i dytë” i kazasë së Përmetit. Në vitet e mesit të shekullit XIX, Frashëri kishte jo më pak se 300 shtëpi, thotë Kristo Frashëri dhe jo më shumë se 350 shtëpi, ka shkruar Medi Frashëri. Kishte 22 lagje dhe një treg prej 20 dyqanesh. Ishte, sipas Pukëvilit, fshati më i madh ndër 48 fshatrat që përfshinte në atë kohë Dangëllia.
Shtëpia e Abdylit, Naimit e Sami Frashërit, e Dulellarëve, ndodhej në mes të fshatit, në shpatin e Kokojkës, në Lagjen e Dumellarëve, e cila njihej dhe me emrin lagjia e Dukollarëve, ishte një ndërtesë prej guri me dy kate, secili kat me nga pesë dhoma. Ajo u rindërtua dhe u kthye në shtëpi muze nga shteti kushtuar Vëllezërve Frashëri më 16 qershor 1974. Fjalën e rastit e mbajti Kryetari i Akademisë së Shkencave, dijetari, Aleks Buda, shiritin e përurimit e preu Ministri i Arësimit e Kulturës, Thoma Deliana dhe unë, me cilësinë e Drejtorit të Muzeumeve të Përmetit, i njoha studjuesit, gazetarët e qytetarët e ardhur nga e gjithë Shqipëria me materialet, me fotografitë, dokumentet, objektet e veprat e artit në pikturë e skulpture, të ekspozuara në stendat e vitrinat dhe mjediset e pavionet e Muzeut. Ishin të pranishëm dhe firmosën në librin e Muzeut ndër të tjerë Aleks Buda, Thoma Deliana, Dhimitër Shuteriqi, Dritëro Agolli, Stefanaq Pollo, Kristo Frashëri, Kastriot Bezati, Mustafa Fezga, Jakov Xoxa, Shefqet Musaraj, Llazar Siliqi, Kadri Baboçi, Elmaz Puto, Jorgo Bulo, Ahmet Mania, Nihat Badra, Teki Malindi e Gazemend Shpuza. Ishin të pranishëm nga familja e Vëllezërve Frashëri dhe firmosën në librin e përurimit të Muzeut “Vëllezërit Frashëri”, mbesa e Naim Frashërit, Naime Rusi, si dhe nipi i Sami Frashërit, Emin Ereri. U bashkëpunua për ngritjen e Muzeut ndër të tjerë edhe me arklitektin Gjovalin Kroqi, piktorin Robert Ballauri, etnografin Fiqiri Haxhiu dhe muzeologët Kleanthi Dedi e Stiljan Adhami.

Abdyli në Janinë.
“Kur ishte 18 vjeç, me vdekjen e të atit, Abdyli mbeti kryetar i një familje me shumë frymë. Me preokupimin për mbajtjen e familjes së madhe u muar me sipërmarje të dhjetash … dhe pas dy vjetëve, pasi i vdiq edhe e ëma, për të siguruar arsimin e pesë vëllezërve të tij më të vegjël, e la vëndlindjen dhe e transferoi krejt familjen në Janinë. Aty ka nxënë arabisht, persisht, frëngjisht e greqisht dhe fillimet e diturisë e të shkencave”, – thotë Sami Frashëri, Kamus ul Alam, Vëll. V, Istanbul, 1896.
Abdyli, para se të tërhiqte vëllezërit dhe motrat në Janinë, u këshilllua edhe me Baba Alushin. “Gjuha shqipe, – i tha Abdyl Frashërit Baba Alushi, sot për sot është fshehur si një thesar i mbuluar në truall …Shpjeri vëllezërit në gjimnazin e Janinës, nga do të dalin shumë të mësuar dhe, kur të dalin nga shkolla, t’u kujtosh të ngjallin librin e gjuhës thjesht shqip, që kësi mënyre të zgjuhet e të ngjallet populli shqiptar”, – ka shkruar më 21 janar 1946 Gjysh Ali Gjirokastra.
Kryetar i Komitetit të Janinës dhe deputet në Parlamentin e Turqisë.
Abdyli, me 3 maj 1877, zgjidhet kryetar i Komitetit Shqiptar të Janinës, ku ndër të tjerë bënin pjesë edhe Mehmet Ali Vrioni (Berat), Mustafa Nuri Vlora, Myslim Ago Vasjari (Kurvelesh), Sulejman Tahiri (Tepelene), Sabri Gjirokastra, Mihal Harito (Zagori), Vesel Dino (Prevezë), Mehmet Goroshiani (Përmet), Rustem Çelo Picari. Po gjatë vitit 1877 zgjidhet edhe deputet i Vilajetit të Janinës në Parlamentin II Osman, ku morri pjesë vetëm në 10 seanca, nga 14 deri më 30 janar 1878.
Abdyl Frashëri ishte për organizimin e kryengritjes çlirimtare antiosmane se, nëpërmjet kësaj kryengritjeje, Shqipëria do të fitonte Pavarësinë dhe, njëherësh, nuk ishte për ta pasur aleate Greqinë, sepse Greqia kërkonte e luftonte që të zhdukte Shqipërinë.“Asnjë bashkim të thjeshtë të Shqipërisë me Greqinë, sepse ky bashkim do të zhdukë shumë shpejt emrin e Shqipërisë”, – do të deklaronte Abdyl Frashëri pasi u zgjodh Kryetar i Komitetit të Stambollit.

Abdyli dhe Komiteti Kombëtar Shqiptar i Stambollit.
Më 18 dhjetor 1877, Abdyli, së bashku me bijtë e mëdhenj të truallit shqiptar, ndër ta me Sami Frasherin, Pashko Vasën, Ymer Prizrenin, Jani Vreton, Zija Prishtinen,Iliaz Pashe Dibren (Qokun), Ahmet Koronicen, Mihal Hariton, Mehmet Ali Vrionin e Seid Sermedin Toptanin formuan Komitetin Kombëtar të Stambollit. Këta personalitete të kulturës, politikës e veprimit atdhetar, pranuan platformën e re politike dhe ideologjike të Abdyl Frashërit dhe e zgjodhën atë kryetar të këtij Komiteti. Abdyli hodhi poshtë e luftoi me vendosmëri Traktatin e Shën-Stefanit (03.03.1878), që copëtonte trojet shqiptare midis 4 shteteve, Serbisë, Bullgarisë, Malit të Zi e Turqisë si dhe Traktatin e Berlinit (13.07.1878), i cili coptonte tërësinë e trojeve shqiptare midis Malit të Zi, Serbisë, Greqisë dhe Turqisë.
Abdyl Frashëri dhe Lidhja Shqiptare e Prizrenit.
Më 10 qershor 1878, tri ditë para se të mblidhej Kongresi i Berlinit, me nismën e Komitetit Shqiptar të Stambollit, për të siguruar lirinë dhe unitetin territorial të atdheut, nga atdhetarë të ardhur nga të gjitha viset e vëndit, në Prizren, në kryeqëndrën e Vilajetit të Kosovës, në Xhaminë e Gazi Mehmet Pashës, e njohur ndryshe “Bajrakli Xhami”, që do të thotë “Xhamia e Flamurit”, ndërtuar më 1574, u themelua Lidhja Shqiptare e Prizrenit. Kuvëndi i Përgjithshëm i Lidhjes zgjodhi organet e larta të Lidhjes. U zgjodh Këshilli i Përgjithshëm i Lidhjes, u zgjodhën 56 anëtarë, nga të cilët kryetar i Këshillit u zgjodh Iliaz Pashë Dibra.
”Qëllimi i kuvëndit është që t’u presim hovin armiqve të pashpirt duke lidhur besën shqiptare dhe duke u betuar që t’i mbrojmë me gjak trojet që na kanë lënë gjyshërit dhe stërgjyshërit”, – tha Abdyli përpara 110 delegatëve të Kuvëndit Kombëtar të Prizrenit.
Abdyli së bashku me Mehmet Ali Vrionin, në pranverë të 1879-ës, morën përsipër dhe kryen në emër të Lidhjes së Prizrenit një mision diplomatik me rëndësi në kryeqytetet e Europës, në Romë, Paris, Londër, Berlin dhe Vjenë, ku kundërshtuan vendimet e Kongresit të Berlinit dhe mbrojtën interesat e Shqipërisë. “Evropa na ka njohur si njerëz të luftës, tani ajo do të na njohë edhe si njerëz të punës dhe përparimit”, – u dëgjua zëri i Abdylit edhe njëherë në Europë.

Abdyli e shiti pasurinë për të bërë Shqipëri.
Në interes të çështjes kombëtare, për mbrojtjen e Shqipërisë në kryeqytetet e Europës, Abdyl Frashëri shiti edhe pronat që familja e tij kishte në trevën e Vlorës, të cilat përmënden të paktën në vitin 1706 në Defterin e Sanxhakut të Vlorës.
Ky fakt, kjo e vërtetë, na jepet nga lebërit edhe nëpërmjet këngës, e cila na thotë: Abdyl ç’mënd pate?/ Shite çifligje e irate!/ Shite Kallmin në Myzeqe,/ Mustafa Begës ia dhe,/ qysh e dhe o derëzi,/ për një karroqe flori!/ E dhashë për Shqipëri,/ që të mos e marrë njeri,/ as grek, sërb e Mal i Zi./ Abdyl Frashëri, Abdyl Beu,/ po Zvërnecin kujt ia dhe?/ E bleu Dalan Kanina,/ për dy karroqe stërlina./ E dhashë për Shqipëri …/.
Lidhjet eAbdyl Frashërit me Himarën dhe Bregun në vitet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.
Abdyl Frashëri mbajti lidhje të ngushta dhe i dha shumë lëvizjes atdhetare të Himarës dhe Bregut.
Himara e Bregu e dëgjoi, e nderoi dhe i këndoi edhe këngë Abdyl Frashërit. Qeparoi këndoi: “Abdyl, prishe pasurinë!/ Një barrë flori!/ Hipe vaporit e shkove:/ Vajte në Berlin/ … Dhe Bismarku të pyeti/ “Djalë nga je ti?”/ “Unë jam nga Shqipëria,/ Abdyl Frashëri/ i rritur në ato male,/ me libra në gji./ Mos e bëni pjesë-pjesë,/ sikur s’ka njeri/ S’jemi grekë as bullgarë,/ as nga Mali i Zi. / Jemi vetëm shqipëtarë/ dhe duam liri …”/.
Abdyl Frashëri – Apostull i Shqiptarizmit.
Abdyl Frashëri është apostull i shqiptarizmit. Arritjet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit janë ashtu siç shkruan J. Sëire në librin “The rise of Kingdom”: “Përçapjet dhe arritjet e saj (të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit – K.B) përbëjnë një nga ngjarjet më mahnitëse në historinë e Europës”. Abdyli i ra tejembanë Shqipërisë, Kosovës e Çamërisë. Në Bicaj të Kukësit edhe sot thuhet “Erdhi Abdyl Toska e na tha: “E shikoni atë mal atje? Eshtë Gjalica Juaj. Me një gisht ai nuk rrëzohet!” Sipas revistës “Albania” të Catanzaros në fushën e Qernanicës, pranë qytetit të Dibrës, Abdyli para 10000 malësorëve tha: “Vëllezër, vetëm po të harroni dhe po të flakni tej shpirtin e gjakmarrjes, vetëm po të vllazërohemi ngushtë me njëri tjetrin, ju mund të shpëtoni jetën e nënës tuaj të përbashkët, Shqipërisë”. Abdyli luftoi për pajtimin e gjyqeve dhe forcimin e unitetit ndërfetar edhe në Çamëri. Ai zhvilloi për këtë qëllim edhe një mbledhje të përbashkët me kazatë e Filatit, Paramithisë e Margëlliçit, që janë tre nga qëndrat kryesore të Çamërisë. Në një këngë popullore çame thuhet: “Tri kazatë besën lidhnë:/ Glishtrit prenë e gjaknë pine./ Iktar me Abdyl Bejnë dhanë./ Komandar Jakup Çaparë”. Abdyli firmosi edhe një letër që Komiteti i Lidhjes Shqiptare për Janinën u dërgoi më 20 qershor 1880 Fuqive të Mëdha, ku ndër të tjera thuhej:”Treva e njohur me emrin Epir është që nga kohët e lashta një pjesë përbërëse e Shqipërisë”.
Abdyli u martua në moshën 35 vjeç me Ballkëzin nga Frashëri, vajzën e Ibrahim Frashërit nga familja e Lahçenjëve dhe të Xhanfize Frashërit (Çokut) nga familja e Çokllarëve (Aliçkasit). Nga 6 fëmijët e lindur, u jetuan vetëm dy: djali, Mit’hat Frashëri, që nuk u martua dhe, vajza, Emineja, e cila u martua në Fier me Kahreman Vrionin. Mit’hati u lind më 25 mars 1880 në Janinë dhe u nda nga jeta më 3 tetor 1949 në New York (në hotelin “Winthrop” dhe u varros në varrezat “Fernch”). Eshtrat e tij u suallën në Shqipëri më 14 nëntor 2018. Mit’hati ka qënë ndër të tjera kryetar i Kongresit Kombëtar të Manastirit më 1908, pjesëmarrës në Kuvëndin Kombëtar të Vlorës si delegat i Pejës (Kosovë), Përmetit e Elbasanit, nënëshkrues i Aktit të Shpalljes së Pavarësisë, Ministër në Kabinetet e Ismail Qemalit dhe Turhan Pashë Përmetit, themelues e drejtues i Ballit Kombëtar në vitet e LANÇ-it, pronar i librarisë “Lumo Skëndo”në Tiranë,. mbante 3 pseudonime: “Lumo Skëndo”, “Ismail Melosmani” dhe “Mali i Kokojkës”.
Abdyli u kap më 27 prill 1881 në afërsi të fshatit Bujqës, jo shumë larg Elbasanit. U gjykua në Prizren nga një Këshill Lufte i Portës së Lartë dhe u dënua me vdekje, dënim që iu kthye në burgim të përjetshëm. U burgos më 10 maj 1881 në Kalanë e Prizrenit dhe doli më 19 ose 31 maj 1884. U internua në Anadoll, në Belikeser dhe, pas një viti, në Bandërma, deri në maj 1886. U fal dhe, dy vitet e fundit të jetës, u emërua dhe punoi në detyrën e anëtarit të Këshillit Bashkiak të Stambollit. Abdyli vdiq në Stamboll më 23 tetor1892, 53 vjeç, një vit më i ri se Naimi dhe Samiu, por ngeli një monument i madh i patriotizmit. “Edhe vdekjen, sikurse jetën, e pati burrërore. Vdiq duke dhënë këshilla të urta dhe duke thënë fjalë trimash”, -ka shkruar për vëllanë e tij të madh, Abdylin, Sami Frashëri në veprën “Kamus-Ul-Alam”.
Abdyli hyri dhe mbeti në histori si një nga burrat më të mëdhenj të Shqipërisë. Më 1899 atdhetari Dervish Hima shkruante: “Shpirti i Abdyl Frashërit vërtitej në qiellin e Shqipërisë për t’u kujtuar shqiptarëve detyrën që kishin ndaj atdheut”. “Ismail Qemali, – më thotë Xhevahir Spahiu, – sipas ditarit të Zaim Brahimajt, bashkëkohësit të Ismail Qemalit, fliste me dashuri për figurën e Abdyl Frashërit”. Rexhep Qosja, akademik, u vu në mendime dhe, më 19 maj 1999, hodhi në ditarin e tij fjalët e një atdhetari që e pyeti: “Vallë a nuk ka një Abdyl Frashër tjetër Shqipëria”?
Eshtrat e Abdylit u sollën në Shqipëri më 19 mars 1978 nga një delegacion i përbërë nga Xhorxhi Robo, Luan Omari, Anastas Kondo dhe Duro Kopo. Qëndroi arkivoli me eshtrate Abdylit në shtëpinë e tij në Frashër nga 20 marsi deri me 9 qershor 1978. Eshtrat e Abdylit u rivarosën më 10 qershor 1978 në Varrin Monumental të Vëllezërve Frashëri në Kodrat e Parkut të Madh të Tiranës, ku është vendosja edhe e eshtrave të Naim Frashërit dhe është bërë edhe një varr simbolik (pa eshtra) për eshtrat e Sami Frashërit, eshtrat e të cilit sot prehen në varret e Fario Kunit në Stamboll.
“Ngrehu, o Abdyl, nga varri se t’u mbarua qëllimi”, – i këndon populli birit të vet të madh që tha fjalët e fundit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit: “Shqipëria do të bëhet!”. Dhe u bë Shqipëria më 28 nëntor 1912. Dhe u bë edhe Kosova më 17 shkurt 2008. Do të vijë dhe një Ditë e Tretë e Madhe Historike, trojet shqiptare në Ballkan do të bashkohen, Shqipëria do të bëhet ashtu si e krijoi natyra dhe historia, ashtu siç e deshën edhe Vëllezërit Frashëri. Emri dhe vepra e Abdyl Frashërit ka qënë, është dhe do të jetë simbol atdhedashurie, uniteti dhe bashkimi për shqiptarët, që jetojnë brenda dhe jashtë Shqipërisë.






















