Jupe Gavoj: Si Ali Pasha filloi luftën me kaçakët e Labërisë

341
Sigal

1914, grekët djegin 325 shtëpi të Nivicës, dhe 65 shtëpi të Rexhinit

Ishte korriku i vitit 1791, Ali Pasha kishte filluar luftën me luftëtarët e krishterë Suljotë pasi ata jo vetëm që nuk i bindeshin, por ishin bërë problem në tërë pashallëkun, pasi kaçakët e tyre hera herës plaçkitnin fshatrat muslimane.

Aliu vendosi ti sulmonte dhe dërgoi tre kapedanët e tij me tabore, Myftar Pashain (djalin), Zyliftar Podën dhe Meço Banon. Na ka ardhur edhe kënga nga ato kohëra: “Tri zogëza po rrinë/ në qafën e Shëndëlliut/ njëra shikon Janinë/ tjetra Kako Sulë/ E treta më e mirëza/ po logoris e thotë:/ Ku jin’ o djemt e Boçarit/ o djemt e Kuço Nikës?/ turqit na mbuluanë/ duan të na robërojnë/ në Tepelenë të na shpienë/ besën të na ndërrojnë./E Kuço Nika sokëlliu,/ moj priftëreshë mos u tremb/ tani të shohësh luftënë/dufeqe kapedanësh/.

Në këtë luftë u vranë shumë luftëtarë ku nga luftëtarët e Labërisë u vra edhe vëllai i Veli Gegës nga kaçaku i Sulit, Kiç Andoni, i cili ishte shumë trim dhe i zgjuar. Aliu me anë të tradhëtisë e zuri Kiç Andonin në vitin 1811. Ai e burgosi dhe thirri Veliun ta vriste atë që të mirrte hak për vëllain. Mirëpo Gega shpirtmadh i kërkoi Aliut lirimin e Kiços si dhe lejën që ai të shkonte në një vend të sigurtë e të lirë, pastaj ai, Gega, të vinte dhe të mirrte gjakun e vëllait duke vrarë një armik të lirë dhe jo të lidhur, ose të vritet prej tij me nder. Kiç Andoni nuk kapej dhe Aliu u bë pishman që e liroi pasi ai sillte gjithmonë trazira duke vrarë dhe plaçkitur. Kaluan kohë Aliut i prenë kokën, pashallëku drejtohej nga të tjerë. Mirëpo Lebrit e Nivicës e Rexhinit e kërkonin kudo Kiç Andonin dhe i zënë pritë në vendin e quajtur Llaka e Sulit. Luftonin shumë kapedanë të zotë dhe të sprovuar nga të dyja palët. Kiç Andoni kishte me vete edhe trimin tjetër Kuço Nikën dhe shumë të tjerë. Veli Gega kishte me vete kaçakët më të dëgjuar Hysen Lab Rexhinin ose siç thirrej nga kaçakët grek Deli Hyso!. Kishte me vete edhe Nivicjotin tjetër Beqir Bodurin,( Beqon), dhe të tjerë lebër. Luftë e ashpër që zgjati shumë:

Tek Llak e Sulit, mos shkoni,/ Është mbyllur Kiç Andoni,/ Kiç Andoni vet i tretë,/

Në mëngjes deri më drekë,/ Ka zën e po lith fishekë,/ Ndë vafshi e shihni vetë.

Thirri Beqir Xhagajdhuri! ( Boduri)

More Qëndro Nikë Nuri,/ Mos u bën kaqë magruri,/ I thonë dufek kauri,/ Që të shpon si halë gruri?/ Se kollaj s’më mirret Suli,/ Janë të gjithë gërxhe guri…

Kiç Andoni vritet, por nga fëmijët që la, la edhe Katerinën, e cila ishte e martuar me një kapedan të krishterë nga fisi i Karabajtë. Ajo lindi djalin Petron. Tetë muaj mbasi i kishte vdekur babai, vritet edhe i shoqi dhe katerina ngeli e ve me Petron motak. Një ditë tek ishte me gratë dhe vajzat në lumë kalojnë një grup kalorësish dhe ndaluan. I pari i tyre Hyseni ( deli Hysua), i vuri syrin një vajze 17 vjeçare dhe e pyeti:- Si të quajnë? – Lena, i përgjigjet vajza.- Ti do të bëhesh gruaja ime i tha dhe hodhi dorën e rrëmbeu dhe e hodhi majë kalit. Ajo s’kishte çfarë të bënte. Kali u nis dhe asaj i ngelën sytë mbrapa. Beqos i ngelën sytë tek një vajzë e re me gërsheta të verdha e veshur me të zeza. E pyeti atë si të quajnë?  Katerina ia kthen: -Burri im qe N. Karabai. Jam vajza e Kiç Andonit, burrin ma vranë jam e ve me një djalë. – E pata njohur burrin tënd, qe shumë trim. … Beqon e prekën fjalët e Katerinës, pasi edhe ai kishte gisht në fatkeqësinë e kësaj krijese hyjnore, u mendua pak dhe foli me zë të fortë sa lutës, aq edhe urdhërues :- Ti do vish me mua! Do të bëhesh gruaja ime dhe do të rritësh fëmijët e mi. – Jo?… të lutem!,… kam Petron dhe se lë dot!.- Petron do ta rrisë nëna jote, ti të mitë,- dhe e rrëmbeu që nga kali dhe e hodhi para duarve. Katerina klithte: – O Petrua im!… o djali im!… Mirëpo kali me revan kaptoi qafën e malit dhe akoma oshëtinte gryka dhe klithma Petroooo! zgjatej në honet e Sulit. Pas dy ditësh udhëtim Bequa arriti në Nivicë. Dolën fshati dhe ç’të shikojnë një vajzë shumë e bukur zbret nga kali.

-Kjo është Katerina, është kaure dhe është gruaja ime, – tha Bequa….Katerina me Beqon bënë dy djem: Mevlanin dhe Ahmetin. Katerina gëzonte respektin më të madh në Nivicë, veshja e saj e përkryer, shumë e zgjuar. Në shumë këngë të labërisë është personifikuar figura e gruas së përsosur si “kaçandone”!

Në 1850 Bequa vdiq. Pas dy vitesh nga vdekja e B. Bodurit në Nivicë vjen një kalorës i huaj. Pasi pyeti për shtëpinë e Katerinës, i bie portës dhe para i del një zonjë Labe, e cila sa e pa klithi:- Petrua im! E dija që do të vije…si më gjete!…dhe u përqafuan. Petrua përsëriste nëna imeee! Pasi u çmallën Petrua i tha :- Hajt’ të ikim, kam sjellë kalin për ty! – Ah Peetrua im!… nuk vij dot! Nuk dua të dal nga kjo derë,… nuk dua të lëndoj kockat e Beqos!. Petro Karabai largohet dhe u përqafuan për herë të fundit. Katerina rriti fëmijët i martoi dhe vdiq si zonjë e nderuar në kullën -kala buzë kanioneve të Nivicës. Katerina vdiq dhe u varros bashkë me Beqon dhe prehen tek varrezat Selime, në Nivicë.

Hardhija moskostafidhe,/ Sërmaja moj nikoqire,/ Nikoqire me të rënda,/ Vdiqe si ta deshi ënda,

Me djem e me nuse brënda,/ Hapëtë të qoftë porta, (e parajsës)/ Katerin’ Suljotija,

gjithë punë jotija!!

Edhe djemtë e Katerinës u shquan për fisnikëri e trimëri. …Trima po që ka Nivica/ janë nip nga Petrovica/…

NIVICË 1914 !!

Greku dogji gjithë Labërinë. Dogji edhe 325 shtëpi të Nivicës, dhe 65 shtëpi të Rexhinit. Kur flakët e kullës së Bodure ishte në të mbaruar atje vjen me trok të shpejtë një kalorës, një kolonel grek, i cili pyet banorët se cila është shtëpia e Katerina Bodurit? Ata i treguan me gisht shtëpinë dhe trarët, që digjeshin . Ai u bërtet ushtarëve të tij dhe i urdhëron dhe nxjerrën qereste të dëllënjta e lisa në Lluf të Rexhinit dhe e ndërtojnë shtëpinë nga e para dhe e mbulojnë me tjegulla. Të gjithë ngelën të habitur. Kapiteni grek qe nga Petrovica, djali i Petros, nipi i Katerinës. Shtëpia ishte m’u si kala buzë kanioneve të Nivicës. Ajo kullë priti shumë miq e burra të dëgjuar si Hodo Aliu, Zenel Gjoleka, Çelo Picari, Eduart Lir, Edit Durham, Dervish Hima, Sulejman Delvina, Mufit Libohova e shumë të tjerë edhe gjatë luftës së dytë botërore.

Në vitet e monizmit u kthye në shkollë tetëvjeçare. Kulla e Katerinës së Bodure, kësaj bije të krishterë shqiptare nga Petrovani rri dhe do të rrijë aty si kala në shekuj, për të treguar se dashuria ngrihet mbi urrejtjen dhe armiqësitë, dhe dashuria nuk njeh fe, ajo është hyjnore dhe e tillë do të ngelet si kulla-kala buzë greminave që u bën karshillëk udhëtarëve në çdo kohë!!

 

Ali Pasha

1812-1822

Orvatjet e Ali Pashë Tepelenës për të krijuar në vitet 18121819 një besëlidhje me sundimtarët feudalë të Shqipërisë së Veriut e sidomos me Bushatllinjtë me qëllim që të përballonin bashkërisht politikën centraliste të filluar nga Sulltan Mahmuti II, nuk dhanë rezultat. Rivaliteti midis Vezirit të Janinës dhe atij të Shkodrës e shpuri Mustafa Pashë Bushatlliun të merrte haptazi anën e Portës, kur kjo filloi të mente masa ushtarake kundër qeveritarit të Janinës, që ishte bërë tashmë tepër i rrezikshëm dhe po tregonte haptazi synimet e tij për t’u bërë i pavarur nga Porta. Në vitet 18201822 Ali Pashë Tepelena filloi luftën për mbrojtjen e vendit nga sulmi i forcave të Perandorisë Osmane dhe me këtë filloi faza më e lartë e veprimtarisë së, sundimtarit shqiptar për të shkëputur zotërimet e veta nga vartësia e Perandorisë. Ai ndihmoi për këtë qëllim edhe lëvizjet çlirimtare të popujve ballkanas e sidomos kryengritjen e popullit grek, së cilës i dha ndihmë të madhe si në vitet e përgatitjes, ashtu edhe gjatë vitit të parë të zhvillimit të saj. Por aleanca luftarake e lidhur me kryengritësit grekë të Etolisë e Akarnanisë nuk mundi të zhvillohej më tej, ajo u sabotua nga krerët e kësaj lëvizjeje. Megjithëse forcat e Ali Pashë Tepelenës në këto kushte u ndodhën vetëm përballë ushtrive osmane që u dërguan kundër Pashallëkut të Janinës, Ali Pashë Tepelena i bëri ballë rrethimit për një vit e gjysmë. I braktisur më në fund edhe nga të bijtë dhe sundimtarë të tjerë krahinorë, Ali Pashë Tepelena bëri një qëndresë këmbëngulëse, deri sa i ngujuar në një ishull të Liqenit të Janinës, u vra më në fund me të pabesë