Ylli Meçe: Misteret dhe zbrazja e Ishullit të Sazanit…!

Ish ushtaraku, Ylli Meçe: Dy kuriozitete…dhe një fat tragjik

  • Misteret e Sazanit, si jetonin banorët e ishullit me ‘alarmet’ që i jepeshin anijeve te gatishmërisë dhe në marrëdhëniet me ushtarë e marinarë
  • Dasma e parë në vitin 1982 në historinë e ishullit dhe lindja në det i një fëmije në anijen luftarake.
  • Si ngeli Sazani në ishull të shkretë , drama që pësoi në vitin 1996…Nëse do të vrasësh një tokë…hiqi njerëzit dhe keni  për ta parë se si dhe ajo do të vdesë gradualisht.

Sigal

 Ishulli i Sazani ka mbetur për dekada një hapësirë e mbështjellë me mister, jo vetëm për rëndësinë e tij strategjike ushtarake, por edhe për jetën e veçantë njerëzore që zhvillohej larg syve të publikut. Mes kujtimeve ish-ushtaraku Ylli rrëfen për “Telegraf” se Sazani nuk ishte vetëm një bazë ushtarake me rëndësi të veçantë, por edhe një komunitet i lidhur fort mes vete. Ai ndalet te dy ngjarje të rralla që i kanë mbetur në kujtesë: dasma e parë në ishull dhe lindja e një djali në një anije luftarake në mes të detit. Ylli thekson se, krahas këtyre momenteve emocionuese, ishulli dhe banorët e tij përjetuan edhe tragjedi të dhimbshme, ndërsa sot Sazani mbetet i zbrazët dhe nostalgjik për ata që jetuan aty.

  1. Ylli, ju si një ushtarak që keni shërbyer për një kohë të gjatë në Ishullin e Sazanit gazeta ju ka intervistuar veçanërisht në fushën e veprimtarisë ushtarake të anijeve tona të dislokuar në këtë bazë, por asnjëherë nuk ju kemi marrë mendime rreth jetës dhe veprimtarisë së përditshme qytetare të banorëve të këtij ishulli që dhe sot e kësaj dite ngelet disi misterioz për publikun e gjerë shqiptar .


Ju falenderoj juve “Telegraf” që zgjodhët mua sikurse mund të kishit pyetur dhe çdo ishullor të Sazanit, të cilët do t’ju thoshnin po këto gjera që po jua u them dhe unë.
Ishulli, vërtetë mund të ketë qenë disi “misterioz” dhe po qe se dhe unë do isha në pozitat tuaja kështu do e mendoja .Është e natyrshme, kërshëria për Sazanin dhe kjo rridhte për faktin se ishte një zonë e rëndësisë së veçantë dhe kishte karakter sekret dhe kur shprehem “karakter sekret” e kam fjalën për veprimtarinë ushtarake të tij, të cilat ishin të një rëndësie të veçantë duke filluar që nga llojet e armeve të instaluara atje, repertet dhe njësitë luftarake, shkalla e gatishmërisë,  sistemi i fortifikimit, shkalla e organizimit të vrojtimit radiotekinik të hapësires detare të Kanalit të Otrantos, disllokimi dhe sasija e anijeve sikurse dhe veprimtaria e tyre, shkalla e përgatitjes luftarake të të gjithë strukturave ushtarake e punonjës civilë e deri te aftësia e të rezistuarit me mjetet e veta tekniko luftarake dhe ato të rezervave në municione veshmbathje e ushqime etj…etj. Këto, natyrisht ishin sekrete të një rëndësie të veçantë. “Enigma Sazanjote” për mua është domethënëse dhe duhet kuptuar që përse të gjithë ushtarakët që kanë sherbyer në ishull e deri te punonjësit civilë kanë qenë” memecër dhe në heshtje totale” për të mbajtur, ruajtur fort e me rreptësi këto të dhëna që ju përmenda më sipër.

Keni patur ndonjëherë ndodhi apo dhe veprimtari të tilla, të cilat kanë qenë në qendër të vëmendjes së banorëve të ishullit ?

Shumë… dhe mund të them se vetëm alarmet që i jepeshin anijeve te gatishmërisë për kryerjen e veprimtarisë së tyre në drejtim të verifikimit kapjes apo shoqërimit të objekteve të huaja që shkelnin hapsirat tona detare, ishin të tilla që do thoshja, se në “alarm” nuk ishim vetëm ne, por në një farë mënyre i gjithë ishulli, sepse dhe ata jetonin me shqetësimet tona si ushtarake e si familjarë, si psh dalja dhe kapja e anijeve italiane ”Zeusi” apo “Maria Doria” shoqerimi deri në dalje nga kufijtë tanë detarë të luftanijeve amerikane, hapja zjarr ndaj një shkelsi të kufinjve detarë që nuk u bindeshin urdhrave tona, fillimi kërkimi dhe bombardimi në Gjiun e Vlorës ndaj një nendesteje te huaje cila i shpëtoi për mrekulli rrethimit etj..etj raste që për ne ishin si të thuash një veprimtari, e cila na mbante përherë në këmbë.

 Të hidhemi të tema duke e anashkaluar veprimtarinë ushtarake, pra çfarë kanë mbetur në kujtesën tuaj e që ju ka lenë mbresa nga jeta e banorëve të ishullit?!

Sikurse e shpreha në fillim ka shumë  dhe do të duheshin mijëra faqe të përshkruaje jetën e ishullit,atë kolektivitet të mrekullueshëm të banorëve, atë unitet dhe mirësjellje reciproke jo vetëm mes banorësh, por dhe në marrëdhëniet me ushtarë e marinarë . Me siguri si unë mbase dhe më mirë se unë mund të flasë dhe shprehet çdo banor i ishullit të Sazanit, por mua më kanë lenë një kujtim të paharruar dy kuriozitete dhe një fatkeqësi me përmasat e një drame që i ka ndodhur vetëm një familje.

Ishte dimër i viti 1983 teksa në skuadrilen  e dytë katrit silurues me nr. Bordi 512 dhe komandant Anastas Goga ju dha alarm luftarak, sepse një nënë e re, e cila bëhej”mama” për herë të parë, ish në një rrezik të madh dhe me komplikacione që mund të çonin drejt humbjes së jetës së saj. Atë e quanin Suzana apo si i thërrisnim ne Zana Halilaj. Ajo kish një vit që ish martuar, po me një oficer  Agron Peshtanaku djalë shumë i mirë dhe për t’u admiruar si një çift ideal e i përsosur. Ata u njohën të dy sëbashku aty në ishullin e Sazanit aty u fejuan dhe po aty u martuan.

Ishte dasma e parë në vitin 1982 në historinë e ishullit, dasëm që bëhej atje dhe mbase dhe vet ishulli e kish për herë të parë që shikonte një dhëndërr dhe një nuse me vello që doli nga një shtëpi e ishullit, për të shkuar në një tjetër po aty në ishull…por të hidhemi te ngjarja në fjalë, te alarmi luftarak dhe përgatitja e anijes për ta çuar Zanën sëbashku me mami-infermieren Tefta Ago-n, në Portin e Vlorës dhe prej andej në spital. Mendojeni një kohë e vështirë me det të trazuar e plot dallgë dhe një e ftohtë shkurti që të priste si brisk në fytyrë. Duke qenë se kishte shumë det dhe katerisilurues me komandant Anastas Goga, një oficer i zoti dhe shumë i përgatitur, pra në këto kushte të pamundësisë anija e jonë mori urdhër që ta bënte zbarkimin e Zanës dhe personalit mjeksor që shoqëronte atë  në Pashaliman dhe po prej andej do i merrte makina e urgjences. Teksa anija nderroi kursin nga lëkundjet dhe përplasjet mbi dallgë Zana – lindi në anije dhe ngaqë i duhej prerë dhe mjekuar kërthiza, infermiera kërkoi një palë gërsherë, sepse kurrsesi nuk i shkonte ndërmend që do kish një lindje në anije. Me atë rast nga veglat dhe çelsat mekanike të anijes n/oficeri kryemekanik, nxorri një palë gërsherë. E habitshme apo jo ? E habitshme ti presesh kërthizën një fëmije me gërshërët mekanikë të anijes që prisnin tela e gomina. Kuptohet gërsherë mekaniku, gjithe vaj dhe naftë dhe aty për aty Tefta i preu kthizën. Ishte djalë. Djali i parë në historinë e Shqipërisë që mbas çlirimit, që lindi në det, në një anije luftarake në një det tejet të vështirë. Ai djalë nuk lindi as në spital e as në shtëpi sikurse ndodhte shumë shumë vite më parë, por në det në gjiun e Vlorës në një palë koordinata të caktuara gjeografike që shënohen vetëm në ditarët e anijes . Ajo infermiere e zgjuar, në momentet kritike që sapo lindete Zana i thotë komandantit që gjatë punës që po bënte mbi kuvertën e anijes mundësisht të merrnin disa mushama dhe të improvizonin një hapsirë të rrethuar po me to.  (ishin mushamate e silurave dhe mitrolozve, të cilat ashtu në formë rrethake krijuan me mjete rrethanore një “shtëpi lindje” mbi kuvertën e anijes)  Komandant Anastasi, ashtu veproi duke i urdhëruar marinarët që mushamaja të dilte mbi kokat e tyre. Pra sikurse e theksova anija ngaqë nuk mund të ankorohej dot në Vlorë , ndërroi kurs dhe mori drejtimin e Pashalimanit… dhe prej andej u nis drejt spitalit të Vlorës . Djalit ja vendosën emrin Marenglen dhe sot ai është mbi 40 vjeç teksa e motra e tij më pak, sepse tre vjet më vonë ata linden dhe një vajzë në kushte normale dhe pa asnje shqetësim
Gazeta – Z.Ylli, ju në mos gaboj pak më sipër shpreheni se më kanë lënë mbresa dy kuriozitete dhe një fatkeqësi. Natyrisht, përsa rrëfyet, kuriozitetet besoj se janë ato që sapo i përshkruat pra dasma e çiftit Agron sëbashku me Zanën në ishullin e Sazanit që në historinë e vet sikurse shpreheni ju nuk ishin parë ndonjëherë… sikurse dhe lindja në det e një fëmije në një anije luftarake;  po fatkeqësia ?
Ylli- Pikërisht dhe fatkeqësia lidhet me ta, por në të njëjtën kohë dhe me ishullin e Sazanit, sepse Agroni dhe Zana mbas asaj tragjedie apokaliptike që do pësonin shqiptaret ata dhe vet si çift do pësonin tragjedinë më të madhe familjare. Në një aksident automobilistik që tashmë emigrantët Agron dhe Zana, të cilët kishin marrë rrugët e mërgimit në Turqi, në vitin 1996 ata do të humbënin jetën e tyre, duke lënë jetim dy fëmijët e tyre. Ashtu sikurse e përmenda gëzimi i ishullit për këtë çift, për fatin e keq u shoqërua me dramën e tij… paralelisht kjo me gjithë dramën që pësoi dhe vet ishulli i Sazanit çuditërisht dhe ai në vitin 1996…. Ja pse dhe drama e Agronit dhe Zanësnë mënyrë të habitshme lidhen dhe me dramën në të njëjtin vit të Sazanit, i cili  ngeli një ishull i shkretë që ne përlotemi, sepse na mungon…por dhe ai qan me dënesë sepse e lamë jetim dhe pa njeri. Nëse do të vrasësh një tokë…hiqi njerëzit dhe kini për ta parë se si dhe ajo do të vdesë gradualisht.