Idajet Llanaj: Dikur nafta çante bllokadën, sot po na i grabisin

840
Sigal

Kujtimet e teknikut të ndërtimit të puseve të naftës Idajet Llanaj

Nafta çan bllokadën, nafta ari i zi ishte parrulla e kohës

  • -Enver Hoxha në Patos 1961: Nafta çan bllokadën, kujdes nga sabotimet
  • -Udhëheqja kujdesej për naftën, Koço Theodhosi, Adil Çarçani, Shefqet Peçi vinin vazhdimisht
  • -Ngelëm të befasuar nga grupi sabotator, për mua është ende enigmë
  • -Bedri Spahiu na dha urdhërin për t’u nisur në Kuçovë, na dha 300 lekë me vete
  • -Kur filluam punë në Kuçovë nuk kishim triska ngelëm disa ditë pa bukë
  • -Nuk harrohen dy vizitat e Enver Hoxhës në vitin 1961 dhe në vitin 1969
  • -Në vitin 1969 Enveri fjeti katër ditë në Patos, të gjithë u habitëm
  • -Ne lundronim: kishim 4 mijë puse nafte, ku eksportonim 1 milion ton
  • -Vizita e Shefqet Peçit në vitin 1952 rriti përkushtimin në punë

Gazeta Telegraf

Idajeti ka disa vjet që ka ndërruar jetë, por shënimet e tij për naftën janë shumë interesante. Sot nuk besohet, por Idajeti që në moshën 15-vjeçare filloi punën si naftëtar. Ende fëmijë. Ishte viti 1950. Kishte mbaruar vetëm shkollën 7-vjeçare. Në fillim vendoset në Kuçovë dhe më pas në Patos, i cili në fillimet e veta ishte më keq se një fshat. Në këto vite mban mend dy vizitat e paharrueshme të shokut Enver Hoxha në vitin 1961 kur u prishëm me rusët, dhe në vitin 1969. Në vizitën e dytë në Patos Enver Hoxha ka ndenjur plot katër ditë, një vizitë e rrallë që ka mbetur enigmë. Në Shqipëri gjatë sistemit monist ka psur rreth 4 mijë puse nafte. Ishte koha kur Shqipëria eksportonte rreth 1 milion ton naftë. Sondat e para ishin rumune dhe më vonë sovjetike dhe kineze. Ruset ishin më cilësore. Punoi plot 40 vjet në naftë, 40 vjet ku të gjithë naftëtarët kishin një solidaritet të pashoq. Intervista e tij e para disa viteve ka disa përmirësime që u bënë në bashkëpunim me Shoqatën “Kallarati”

Kur ke filluar për herë të parë në naftë?

Kam filluar në dhjetor të vitit 1950 në Patos. Unë isha një fëmijë jetim dhe isha në Shtëpinë e Fëmijës në Tiranë. Aty mbarova 7-vjeçaren. Pikërisht në vitin 1946 shkova në konvikt. Në kohën para luftës kisha mbaruar tre klasë fillore. Gjatë luftës shkolla u ndërpre kështu që ngela me tre klasë. Me çlirimin e Shqipërisë dhe kur shteti më çoi në Shtëpinë e fëmijës mbarova 7-vjeçaren. Gjithsej në moshën time ishim 15 vetë. Mosha ime ishte 15 vjeç Sa mbaruam këtë shkollë një ditë na vjen në konvikt Ministri i Arsimit të asaj kohe Bedri Spahiu. Ai na thotë që Partia ju rriti, tani jeni në moshë të madhe dhe duhet të punoni.. Duhet të kontribuoni për ndërtimin e socializmit. Partia pret shumë nga ju. Të 15 sa ishim u shpërndamë, pjesa më e madhe në Kuçovë. Bedri Spahiu na dha nga 300 lekë të saj kohe që për ne ishte një ëndërr.

Si ishin kushtet në Shtëpinë e fëmijës?

Si ishin kushtet? Eh, për ne që ishim jetimë ishin kushtet më të mira në botë. Kishim kushte më të mira se fëmijët që ishin në familje, por na mungonin prindërit. Ishin vite zije atë kohë. Nuk kishte bukë. Nuk kishte ushqime, as veshmbathje. Lufta kishte bërë kërdinë. Gjurmët e saj ishin kudo. Nuk mund të imagjinohej buka e grurit apo ëmbëlsirat. Por kishim një strehë ku të fusnim kokën, kishim një trup mësimor që na edukonte dhe nuk rrinim rrugëve. Pra, shteti kujdesej për ne dhe kjo nuk ishte e paktë.

Pra pas takimit me Bedri Spahiun u nisët për Kuçovë. Me se u nisët ?

U nisëm me makina të rastit. Ndaluam në Kuçovë dhe shkuam drejt e në kantierin e naftës ku na kishin caktuar të punonim. Ose më mirë Ndërmarja e nxjerrjes së naftës. Ato ditë hëngëm bukë në menzën e punëtorëve. Shtatë ditë qëndruam aty pa punë duke parë si punonin të tjerët dhe si organizohej puna. Pas shtatë ditësh na ndanë. Mua më caktuan në Patos. Në atë kohë Patosi ishte më i vogël se një fshat. Fare i prapambetur. Flinim në baraka, por ende s’kishim ku të hanim.

Pse?

Sepse s’na kishte ardhur triska e bukës. Atëhere çdo gjë ishte me triskë. Ku gjeje bukë! Kur na dhanë triskën sikur u lehtësuam. Hanim në menxa ku ushqimi ishte për ibret po ta krahasosh me sot, por duke e parë me atë ç’kishim hequr në luftë ishim lule.

Çfarë pune fillove?

Fillova me montimin e kullave të shpimit. Pra i mirrnin pjesë- pjesë në copa mekanizmash dhe i montonim si ato kullat që shihni ju sot. Ishte punë e vështirë, pasi mosha ishte e vogël dhe ne nuk ishim mësuar, pasi kishte dhe pesha të rënda. Punonim jashtë orarit për të realizuar objektivat. Kishim shumë probleme me ujin apo me larjen. S’kishim kush të na lante rrobat: rrinim muaj pa u ndërruar. Edhe uji i pijshëm ishte problem , por më vonë u zgjidh.

A mësove më vonë për shpimin?

Po. Një vit më vonë 1951 dhe në vazhdim u hapën kurse speciale për montim shpim. Ne shkonim me dëshirë në shkollë. Ishim kurioz për nxjerrjen e naftës. Mbas përfundimit të kurseve ishim më të prefeksionuar. Ne ishim të detyrua në punë, që kishim ardhur me rekomandim të shtetit, pra ne që ishim në shtëpi të fëmijës. Atëhere këto vende pune ishin shumë të vështira në kushtet e atëhershme. Ana tjetër nuk largoheshe dot nga puna se dënoheshe. Shkoje në gjyq si i larguar pa leje. Pra në Patos punova deri në vitin 1953, dhe nga fundi i këtij viti shkova ushtar në marinë, në bregdet.  Tre vjet shkova ushtar. Mbetet një nga eksperiencat më të bukura. Kishim një dashuri të madhe për njeri tjetrin. Mbas ushtrisë shkova prap në Patoz.

Nuk bëre më asnjë kualifikim?

Jo pas ushtrie bëra tre vjet politeknikumin në Kuçovë. Fill pas shkollës punova disa vjet në Drejtorinë e ndërmarrjes rreth 6 vjet megjithëse nuk e kisha qejf. Në vitin 1969 më transferuan në Drejtorinë e Përgjithshme në Patos, pasi Drejtoria erdhi nga Kuçova në Patoz. Këtu punova deri në 1975, pikërisht në kohën kur doli grupi puçist i naftës, kohë kur kjo Drejtori u shkri. Në vitin 1976 shkova prap në Patoz derisa dola në pension.

Kush ka ardhur nga udhëheqësit e kohës në zonën e naftës?

Kush nuk vinte thuaj. Të gjithë vinin. S’ka ngelë udhëheqës pa ardhë. Nafta çan bllokadën thuhej në atë kohë. I pari ka ardhur Enver Hoxha.

Hera e parë ka ardhur në fund të vitit 1961, kur ne u prishëm me rusët. Ndenji disa orë. Bëri nëj takim me kuadrot, pastaj foli në shesh për punëtorët. Foli shumë gjatë, mbi 2 orë. Hera e parë që e shihja nga afër. Ai të mbërthente kur fliste. Kishte një zë kumbues. Fliste me forcë duke e vënë theksin tek rëndësia e naftës dhe ruajtja nga sabotimet. Kujdes sabotimet tha disa herë. Të gjithë ne brohorisnim. Ovacionet ishin të papara. Një miting që zgjati më pas me takime të tjera. Në darkë mori pjesë në një koncert. Kur doli na dha dorën të gjithëve që kishte afër. Kur më dha dorën u mrekullova. E ku kishte burrë atë kohë që të takonte Enver Hoxhën dhe të mos gëzonte? Sot mund të thonë shumë gjëra. Por ai foli kundër Hrushovit dhe ngriti në qiell Stalinin. Emrin e tij e përsëriti disa herë. Mandje theksoi se mësimet e Stalinit dhe të Leninit po tradhëtoheshin në BRSS. Ne habiteshim se s’kishte disa kohë që Hrushovi vizitoi Shqipërinë.

Takimi i dytë dhe më i rëndësishëm në vitin 1969

Ishte viti 1969 dhe ka qëndruar në Patos katër ditë. Me sa kam dëgjuar kurrë Enver Hoxha nuk ka qëndruar më shumë se një ditë në një vend. Në Patos plot katër ditë. Ishte një ngjarje e madhe. Bëri shumë takime me punëtorët. Erdhi për t’u njohur me jetën e të gjithë naftëtarëve. Pra pa nga afër jetën, punën, kushtet, rendimentet si dhe funksionimin e partisë dhe të strukturave të ndërmarrjes. Ishte vizita më e imët që ka bërë ai në të gjithë Shqipërinë, pasi i jepte shumë rëndësi naftës. Atëhere kishte dhe probleme. Ai kishte dhe një kushëri të parë, djalin e tezes në Fier dhe shkoi e takoi. Kjo ishte vizita më e rëndësishme, që ka bërë ai në Kuçovë dhe Patos. Masat ishin të shumta. Me atë rast edhe kushtet në fjetina u përmirësuan sikundër edhe ushqimi. Ai shkoi madje në disa fjetore. Ato ditë mobilizimi ishte i jashtëzakonshëm. Ne gjenim rast ta shikonim nga larg aq admirim kishim për të.

Cili nga udhëheqësit e kohës ju ka bërë më shumë vizita veç Enverit?

Dua të veçoj Koço Theodhosin, Adil Çarçanin. Atëhere Kiço ishte ministër. Por dua të veçoj edhe dy vizita të Shefqet Peçit.

Kur ka ardhur Shefqet Peçi?

Në vitin e dytë të punës time në Patos, pikërisht në vitin 1952. Atëhere isha vetëm 17 vjeç. Për të flitej shumë se është trim dhe i papërtuar. E takova dhe pashë që kishte veshur një palë çizme të gjata dhe shkonte pus më pus. Të gjithëve sa takonte u binte me dorë në supe. Shikonte me kërshëri çdo pus. Ndërsa Koço Theodhosi e kishte punën e tij, detyrën e tij.

Po në vizitat e Adil Çarçanit çfarë mban mend?

Adili ishte njeri i butë, u jepte të gjithëve dorën, u buzëqeshte, shkonte kudo pa teklif. Nuk bërtiste, dhe theksonte në çdo bisedë rëndësinë që kishte partia, por sidomos shoku Enver për naftën. Nafta është zemra e çdo pune theksonte, pa naftë asgjë nuk lëviz, ndaj duhet të punojmë me ndërgjegje.

Si ishte nafta jonë, a ishte cilësore?

Nafta ndahet në tre grupe

1-Naftë e hollë që kanë sot vendet arabe.

2 Naftë e mesme

3 Naftë e trashë

Cila është nafta që ka vendi ynë?

Ne kemi naftën e mesme, ajo përmban shumë bitum. Pikërisht bitumi kërkohet shumë në ndërtimet e autostradave dhe të rrugëve, për pallate. Pra ne kemi  naftë me bitum që bën pjesë në grupin e dytë. Nafta ishte shumë e mirë po të kemi parasysh se ajo përpunohej në Ballsh, në uzinën e rafinerimit të thellë të naftës.

Kur doli grupi i sabotatorëve të naftës ku ishe me punë?

Isha në Drejtorinë e Përgjithshme të naftës në Fier. Në këët grup bënte pjesë Koço Plaku, Kryegjeolog, vëllai i Panajot Plakut, Milto Gjikopulli me në krye Koço Theodhosin. Vetë habitem për atë grup. Nuk e kuptova kurrë si funksinonte pasi ne punonim të gjithë me ndërgjegje. U trajtuan si sabotatorë, por se di çfarë gjëra konkrete kishin bërë për sabotim. Atë kohë tek të gjithë shikoje një frikë. Një frikë e çuditshme.

A erdhën grupe kontrolli në atë kohë për të pyetur?

Erdhën, madje një grup më pyeti mua. U thashë me plot gojën. Ne o vëllezër dimë të punojmë. Se marr me mend se ç’bëjnë sabotatorët, pasi ne këtu kemi një jetë që punojmë, Ne vijmë për punë të ushqejmë familjen, të nderojmë veten dhe partinë. Si të sabotojmë punën ku hamë bukë?

Vërtet se mendoja kurrë se si mund të sabotonte një njeri: kurrë se besoja. Edhe sot nuk mund ta besoj se kishte sabotime.

Nga vinin pjesët e puseve, pra të sondave të çpimit?

Sondat e para kanë ardhur në 1951, plot 16 sonda nga Rusia, të cilat shponin deri në 1 500 metër. Ishin sonda shumë të mira që ishin të kohës. Në atë kohë si fillim morëm sonda edhe nga Rumania. Këto ishin jo të mira, jo cilësore. Gjithsej ishin 10 sonda të tilla rumune, por që kishin një përparësi pasi shponin deri në 4 mijë metra. Më vonë nga ish BRSS sollën sonda shumë të mira prodhim i viteve 1957, të cilat shponin deri në 5 mijë metër. Me këto sonda cilësore ne sikur u ambientuam më shpejt.

Pra keni arritur deri në 5 mijë metër thellësi shpimi?

Po. Kemi arritur. Ndërsa për kuriozitet të them se mesatarja jonë e shpimit të pueseve ishte 1400 metër, ndërsa në USA është deri në 600 metër, pra ne kemi puse thellësie dhe ndaj kemi marrë sonda më shpime të mëdha.

Sa sonda kemi pasur në atë periudhë në prodhim?

Kishim shumë puse. Mund të them mbi 4 mijë puse. Ato shtrihen deri në Sarandë, Delvinë ku ka shumë gaz.

Sa ishte prodhimi ynë i naftës në atë periudhë?

Mund të them se në fund të vitit 1974, kur unë kam firmosur prodhimin e atij viti në 31 dhjetor prodhimi i naftës bruto ishte 2 milion e 499 mijë ton naftë. Ky ishte firmosja e bilancit që kam bërë vetë. Mendoj se ky ishte prodhimi më i lartë i naftës në vend.

A sigurohej në vend nafta që konsumohej me këtë sasi?

Ne mund të themi me bindje që jo vetëm që siguronim prodhimin në vend, por edhe eksportonim naftë. Afërisht ne eksportonim një milion ton naftë. Shumicën e përpunonte fabrika e Ballshit.

Ka pasur disa puse që digjeshin, kanë qenë të rrezikshme?

Po, kanë qenë të rrezikshme, këto vinin nga presionet e mëdha të gazit. Në fillim kemi pasur humbje, por më vonë ne kemi mundur që t’i mbyllim vetë këto puse, që digjeshin.

Kur ëshët hapur pusi i parë në Shqipëri?

Pusi i parë është hapur, apo shpuar në vitin 1917. Këtë pus e kanë shpuar italianët në Drashovicë të Vlorës, i cili jep prodhim edhe sot. Ka puse që vazhdojnë prodhim edhe prej 50 vjetësh. P.sh gazi që nxirret në Delvinë ka më shumë se 40 vjet dhe nxjerr në po atë sasi sërishmi dhe vjen këtu në Fier.

Sot sa nga puset janë në punë, apo japin prodhim?

Se di të saktë, por mund të them se nga 4 mijë do jenë më pak se gjysma. Sot nuk e di se si funksionon pasi kanë ardhur firmat e huaja.

Kur dole në pension si je ndjerë?

Mos e pyet. Kam dalë fiks në vitin 1990. Pra kam punuar plot 40 vjet në naftë. Një jetë të tërë. Venat e mia kanë qenë Kuçova, Patosi, Fieri. Në këtë trekëndësh kam punuar në 40 vjet. Nuk mund ta besoni se sa kam qenë i lidhur me naftën. Ishte pjesa më e bukur e jetës time. Nuk mund ta përshkruaj të gjithë, kaq shumë ngjarje kam. Kemi pasur dhe raste kur na janë plagosur shokë gjatë montimit, por kemi pasur një solidaritet të paparë. Kemi pasur një jetë shumë të bukur. Nafta mbetet pjesë jetike e çdo vendi.

Si ndihesh kur dëgjon kaq shumë për shpërdorimet, për vjedhjet, për problemet e naftës?

Nuk ndihem mirë. Ne mund ta sigurojmë naftën në vend. Ne kemi naftë të mirë që e pëlqejnë të gjithë. Jo më kot ne eksportonim, por sot nafta ka shumë probleeme. Duhet vënë dorë mbi naftën mbi këtë pasuri të madhe të vendit tonë.