Ja cila do të jetë administrata Joe Biden

293
Sigal

Presidenti i SHBA-ve Biden bënë realitet premtimin për një kabinet që do pasqyronte popullin amerikan. Ja cila do të jetë lista e 30 bashkpuntorve më të rëndsishëm të kreut të Shtëpisë së Bardhë nga Zëvendëspresidentja, Sekretarët, Prokurori Përgjithshëm, Shefi i Kabinetit, Drejtori i CIA-s, Emisarët Special, Ambasadorët etj

Një qeveri më përfaqësuese e popullit amerikan “Obama 3”? – Ja cila do jetë administrata Biden

Sipas shumë vlerësimeve mediatike, ndryshe nga paraardhësi i tij, i cili u rrethua kryesisht me njerëz të bardhë për katër vjet, presidenti i zgjedhur Biden premtoi një kabinet që do pasqyronte popullin amerikan. Angazhimi duket se është mbajtur.

Kandidaturat e paraqitura nga Presidenti i ardhshëm i 46-të i Shteteve të Bashkuara dëshmojnë për një kabinet me barazi gjinore, gjithpërfshirës dhe të larmishëm. Një pjesë e emërimeve madje ndodhin për herë të pare, nëse i referohemi grupimit social që përfaqësojnë. Sipas komenteve të analistëve të mediave amerikane dhe kanadeze, këto prurje sjellin një ndryshim në ton dhe imazh, por mbi të gjitha në vizion dhe përparësi. Mesatarja e moshës e Kabinetit Biden është 56,8 vjeç dhe për herë të parë pjestare e një qeverie të SHBA do jetë edhe një grua me origjinë kanadeze, pikërisht Jennifer Granholm, e lindur ne Vancouver, e cila do të mbajë postin e Sekretarit për Energjinë.

Duke u përqëndruar në sfidat urgjente të kushtëzuara nga pandemia dhe nga një ekonomi e dobësuar, Joe Biden po dëshmon me sa duket që stafi i tij do të jetë i gatshëm të qeverisë që nga dita e parë. Përvoja në qeverisje, e fituar në veçanti në administratën e Barack Obama, ka qenë pika kryesore e referimit në përzgjedhjen e kandidatëve, deri në atë pike sa disa komentues e vlerësojnë kabinetin e ri si “Obama 3”. Një pjesë e konsiderueshme e të emëruarve gjithashtu kanë njohje dhe lidhje pune prej kohësh me presidentin e zgjedhur.

Shumica e emërimeve do të kërkojë konfirmim në Senat, ku Demokratët, me dy fitoret e 5 Janarit 2021 në shtetin Georgia, do të rimarrin kontrollin menjëherë pas betimit të Joe Biden. Komentet gjithashtu theksojnë që lista e Biden ka krijuar pakënaqësi te progresistët, pjesa e pozicionuar më majtas e Demokratëve.

Duket se edhe “fotografitë familjare” të administratave Biden dhe Trump do të jenë mjaft të ndryshme. Nga 24 individët që do të kenë statusin e anëtarit të Kabinetit, 12 do të jenë gra dhe nëse ato marrin miratimin e Senatit ky do të jetë një precedent në historinë e SHBA. Për herë të parë gjithashtu do të ketë më shumë përfaqësues nga pakicat me ngjyrë sesa të bardhë. Disa komentues kanë theksuar megjithatë, që shumica e portofoleve më të rëndësishëm u janë besuar burrave të bardhë.

Presidenti i ri të SHBA do të betohet dhe do të marrë detyrën pas tri ditësh, pikërisht më 20 Janar 2021, siç përcaktohet dhe nga Kushtetuta Amerikane. Ceremonia do të zhvillohet në kushte të pazakonta, me dyer të mbyllura, gjë që ndodh për here të pare në historinë amerikane. Vendimi u mor pas marshimit mbi Kapitol të përkrahësve të Donald Trump. Washingtoni (në gjendje të jashtëzakonshme) dhe Kapitoli, sëbashku me Shtëpinë e Bardhë, janë “blinduar” nga 20,000 forca të Gardës Kombëtare, nga shërbimet e policisë dhe ato të shërbimeve inteligjente.

Ja cila do të jetë lista e Kabinetit dhe e bashkëpunëtorëve më të rëndësishëm të Joe Biden:

Zëvendëspresidentja – Kamala Harris (56 vjeç)

E treta kandidate grua për këtë post, Kamala Harris do të jetë e para në historinë amerikane që do të ushtrojë funksionin e numrit dy të SHBA. Avokate me profesion, senatore e Kalifornisë nga viti 2017 dhe Prokurore e Përgjithshme e Kalifornisë 2011-2017, Kamala Harris është vajzë e dy emigrantëve, një nëne indiane dhe një babai xhamajkan. Ajo ka marrë pjesë në disa komisione të Senatit, përkatësisht ato për drejtësinë, inteligjencën, sigurinë e brendshme dhe buxhetin. Duke marrë si shembull marrëdhënien e tij me Presidentin Barack Obama, Joe Biden ka deklaruar se Kamala Harris do të jetë personi i pare dhe i fundit me të cilin ai do të konsultohet në Zyrën ovale përpara marrjes së çdo vendimi të rëndësishëm. Kamala Harris, e cila do të ushtrojë dhe funksionin e kryesueses së Senatit, ka jetuar në Montreal gjatë viteve të adoleshencës. Ajo gjithashtu ishte një nga pjestaret e rrethit të miqve të Beau, djalit të madh të Joe Biden, që vdiq nga kanceri.

Sekretari i Shtetit – Antony Blinken (58 vjeç)

Zëvendëssekretar i Shtetit 2015-2017 dhe këshilltar i Sigurisë Kombëtare i ish-zëvendëspresidentit Biden 2013-2015, Blinken ka qenë gjithashtu krahu i djathtë i tij në Komitetin e Senatit për Punët e Jashtme. Përveç përvojës së gjatë në Kongres, Antony Blinken, me profesion avokat, ka mbajtur poste të ndryshme në administratat Demokrate të Bill Clinton dhe Barack Obama, duke e filluar karrierën e tij në Departamentin e Shtetit. Person që beson te qasjet bashkëpunuese, kreu i ri i Diplomacisë amerikane synon të rivendosë lidhjet e besimit me vendet aleate, besim i lëkundur gjatë viteve të administrates Trump si dhe pritet të realizojë rikthimin e vendit në marrëveshjet ose organizatat ndërkombëtare nga të cilat Shtetet e Bashkuara u tërhoqën vitet e fundit. Anthony Blinken ka kaluar në Paris pjesën më të madhe të rinisë së tij dhe flet një frëngjishte të përsosur.

Prokurori i Përgjithshëm – Merrick Garland (68 vjeç)

Pas emërimit të tij, Merrick Garland theksoi rëndësinë e jashtëzakonshme të pavarësisë së gjyqësorit. Nga viti 1997 e deri më sot, ai ka qenë gjyqtar dhe më pas Kryetar i Gjykatës së Apelit në Distriktin Columbia, ndërsa në vitet 1994-1997, zëvendës i parë i Zëvendësprokurorit të Përgjithshëm të Shteteve të Bashkuara. Për opinionin e Demokratëve, Merrick Garland-it iu mohua pa të drejtë posti në Gjykatën Supreme në kohën kur Barack Obama e emëroi në Mars 2016, por udhëheqësi i shumicës Republikane në Senat, Mitch McConnell, refuzoi votimin për konfirmimin e tij, duke sjellë argumentin se pas 9 muajsh do zhvilloheshin zgjedhjet presidenciale. Duke vlerësuar integritetin e tij, senatorët republikanë propozuan më pas emërimin e tij si kreu i FBI pas shkarkimit të James Comey nga Presidenti Trump. Në zyrën e prokurorit federal, Merrick Garland ka mbikëqyrur veçanërisht ndjekjen penale të aktivistit të ekstremit të djathtë Timothy McVeigh, i dënuar për bombën në Oklahoma City që shkaktoi vdekjen e 168 qytetarëve në 1995. Garland, i konsideruar si centrist, do të marrë drejtimin e një departamenti i cili, sipas mendimit të disa juristëve, u politizua gjatë viteve kur në krye të tij ishte Bill Barr.

Sekretarja e Thesarit – Janet Yellen (74 vjeç)

Janet Yellen ka një CV mbresëlënëse. Kryetare e Rezervës Federale 2014-2018 dhe nënkryetare e Rezervës Federale 2010-2014. Gruaja e parë që kryesoi Rezervën e Federale (Fed), ajo është gjithashtu e para grua që do të drejtojë Thesarin e SHBA në historinë 231-vjeçare amerikane si dhe personi i parë që ka qenë gjatë karrierën së saj në krye të Këshillit të Këshilltarëve Ekonomikë, të Fed dhe Departamentit të Thesarit. Misioni i saj do të jetë ringritja e një ekonomie të tronditur nga kriza COVID-19, ndërkohë që shkalla e papunësisë llogaritet rreth 6,7%, ndërsa paga minimale 15 dollarë. E specializuar në ekonominë e punës dhe profesore emeritus, ajo beson në rolin rregullator të qeverisë në ekonomi. Rekordet e saj profesionale i japin siguri sa Wall Street po aq edhe krahut progresiv të Partisë Demokrate.

Sekretari i Mbrojtjes – Lloyd Austin (67 vjeç)

Emërimi i Lloyd Austin, nëse konfirmohet, do të jetë historik. Gjenerali në pension, i cili u largua nga ushtria vetëm tre vjet më parë, do të ketë nevojë për miratim të veçantë nga Kongresi. Ai ka qenë Shefi i Komandës Qendrore të SHBA, CentCom 2013-2016 dhe Zëvendës i Shefit të Shtabit të Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara 2012-2013. Gjenerali me katër yje, i cili pritet të jetë i pari afro-amerikan në krye të Pentagonit, ka qenë shpesh pionier në arritjet e tij. Ai ishte për shembull i pari Black që komandoi një divizion të ushtrisë, pastaj i pari që drejtoi CentCom, pjesa e ushtrisë përgjegjëse për operacionet e SHBA në Lindjen e Mesme. Ai ishte gjithashtu Komandanti i Përgjithshëm i forcave amerikane në Irak kur Joe Biden, asokohe zëvendëspresident, ishte përgjegjës për dosjen irakiane. Ushtaraku i karrierës, i cili shërbeu në ushtri për katër dekada, pritet të bindë Kongresin të heqë dorë nga një ligj që ndalon cilindo që është larguar nga ushtria më pak se shtatë vjet më parë të drejtojë Pentagonin, një precedent që ka ndodhur dy herë në 70 vitet e fundit.

Sekretari për Sigurinë e Brendshme – Alejandro Mayorkas (61 vjeç)

Avokat me profesion, Alejandro Mayorkas ka qenë më parë Zëvendëssekretar për Sigurinë e Brendshme në vitet 2013-2016 si dhe Drejtor i Shtetësisë dhe Shërbimeve të Emigracionit në Shtetet e Bashkuara 2009-2013. Gjatë kohës kur ka punuar në Departamentin për Sigurinë e Brendshme (DHS), ai kontribuoi në ngritjen e programit të quajtur DACA, i cili mbronte përkohësisht nga deportimi emigrantët e mitur të paligjshëm. Me origjinë kubane, i ardhur në SHBA si fëmija i një refugjati politik, ish-prokurori federal Mayorkas pritet të jetë personi i parë spanjishtfolës, por edhe emigranti i parë që do drejtojë departamentin në fjalë.

Sekretari për Shëndetësinë dhe Shërbimet Sociale – Xavier Becerra (62 vjeç)

Xavier Becerra është një nga avokatët kryesorë për mbrojtjen e “Obamacare” në gjykata. Prokuror i Përgjithshëm i Kalifornisë nga 2017 dhe përfaqësues i Kalifornisë në Kongres 1993-2017, ai është fëmijë i dy emigrantëve meksikanë dhe do të jetë i pari hispanoamerikan që do të drejtojë Departamentin e Shëndetësisë dhe Shërbimeve Sociale. Zyrtarët e shëndetit publik ndërkohë patën bërë thirrje për një ekspert të mjekësisë në drejtimin e këtij departamenti dhe Xavier Becerra përflitej më shumë si një kandidat i mundshëm për postin e Prokurorit të Përgjithshëm, por avokati i cili ka hapur mbi 100 procese gjyqësore kundër administratës Trump, ka qenë megjithatë në krye të betejave të rëndësishme ligjore për çështjet shëndetësore. Të tilla mund të përmenden ajo e zhvilluar nga 20 shtete për të mbajtur në fuqi planin e sigurimeve shëndetësore të hartuar nga Barack Obama (i njohur me emrin “Obamacare”), që Republikanët u përpoqën pas sukses ta anulonin. Ai gjithashtu udhëhoqi një koalicion prej 22 shtetesh për kontestimin e një ligji të Misisipit që kufizon mundësinë e abortit.

Sekretarja e Departamentit të Brendshëm – Deb Haaland (60 vjeç)

 

Konfirmimi i Deb Haaland nga Senati do të jetë gjithashtu një vendim historik. Përfaqësuese e New Mexico në Kongres nga 2019 dhe kryetare e Demokratëve të New Mexico 2015-2017, ajo është me origjinë autoktone dhe do të jetë pëfaqësuesja e pare e kësaj shtrese në qeveri në gjithë historinë e deritanishme të SHBA. Përveç kësaj, ajo pritet të drejtojë departamentin përgjegjës për shumë dosje që lidhen me 574 komunitetet indigjene të njohura nga qeveria federale, me të cilat marrëdhëniet shpesh janë tensionuar. Departamenti, i cili administron rreth një të pestën e tokës së vendit, mbikëqyr burimet natyrore, ndër të tjera, duke përfshirë dhe tokat autoktone. Deb Haaland është e angazhuar për ta kthyer departamentin (i përqendruar kryesisht në zhvillimin e karburanteve fosile) në një promovues të energjive të rinovueshme dhe politikave kundër ndryshimeve klimatike.

Sekretarja e Tregëtisë – Gina Raimondo (49 vjeç)

Gina Raimondo ishte në mesin e politikaneve që Joe Biden konsideronte të zgjidhte zëvendëse, por jo ndër të preferuarat. Guvernatore e Rhode Island (shteti më i vogël i SHBA) nga 2015 dhe Shefe e Thesarit të Shtetit 2011-2015, Gina Raimondo ka patur zhvillimin ekonomik si fokusin e saj kryesor. Ish-drejtuesja i një shoqërie private kapitalesh me risk shikohet si personi i përshtatshëm pë rivendosjen e marrëdhënieve tregëtare me partnerët ekonomikë të Shteteve të Bashkuara, marrëdhënie që u dëmtuan gjatë epokës Trump. Ajo gjithashtu do të trashëgojë çështje të tjera komplekse, të tilla si legjislacioni rregullator i gjigandëve teknologjikë.

Sekretari i Transportit – Pete Buttigieg (38 vjeç)

Kur u njoftua zyrtarisht emërimi e tij, vetë Pete Buttigieg nënvizoi natyrën historike të vendimit të Joe Biden. Kryetari i Bashkisë South Bend, Indiana (2012-2020) dhe oficer i Shërbimit të Inteligjencës në Rezervën e Marinës së SHBA 2009-2017, Buttigieg ishte i pari person nga komuniteti LGBTQ që synoi të kandidojë për president i SHBA në primaret Demokrate.  Ai do të jetë gjithashtu personi i parë nga ky komunitet në qeverinë e SHBA pas miratimit në Senat. Fëmija i një emigranti maltez ai do të jetë sekretari i dytë më i ri në historinë e SHBA. Prania e tij në kabinetin Biden ishte e parashikueshme dhe fillimisht u përfol se do vinte në krye të Departamentit të Çështjeve të Veteranëve. Nëse Senati mbështet emërimin e tij, roli i tij në zhvillimin e infrastrukturës, i përqendruar në krijimin e vendeve të punës dhe luftën kundër ndryshimeve klimatike do të jetë thelbësor për zbatimin e përparësive të programit të Joe Biden. Me nofkën “Mayor Pete”, politikani i ri që flet 8 gjuhë kontribuoi shumë në ringritjen e South Bend, një qytet industrial me 100,000 banorë.

Sekretarja për Energjinë – Jennifer Granholm (61 vjeç)

Jennifer Granholm ka qenë Guvernatore e Miçiganit (2003-2011) dhe Prokurore e Përgjithshme e Miçiganit (1999-2003). Misioni i Departamentit të Energjisë është i përqendruar kryesisht në energjinë bërthamore, por zgjedhja e Jennifer Granholm, e njohur për angazhimin e saj në energjitë e rinovueshme dhe zhvillimin e automjeteve elektrike, sinjalizon synimet e Joe Biden. Ish-guvernatorja i Miçiganit, zemra e industrisë amerikane të automjeteve, menaxhoi përgjigjen e shtetit të saj ndaj krizës financiare të vitit 2008. Ajo gjithashtu punoi me administratën Obama për të shpëtuar industrinë e makinave amerikane, veçanërisht me Joe Biden, lojtari kryesor në planin e rimëkëmbjes ekonomike. Lindur në Vancouver, ajo do të jetë anëtarja e parë e qeverisë amerikane me origjinë kanadeze.

Sekretari i Arsimit – Miguel Cardona (45 vjeç)

Miguel Cardona vjen nga një karrierë në sistemin arsimor publik si Komisioner i Edukimit i Connecticut nga 2019 dhe Asistent profesor i Universitetin të Connecticut (2015-2019). Joe Biden e pat konsideruar përvojën në sistemin e arsimit publik si një kriter të përzgjedhjes. Me një karriere në shkollë dhe universitetet e rrjetin publik, Miguel Cardona ka punuar fillimisht si mësues i shkollës fillore, drejtor shkolle e më pas asistent profesor universiteti. Cardona, i ngarkuar të marrë drejtimin e Departamentit të Arsimit në mes të periudhës së pandemisë, është shprehur gjithmonë favor të mbajtjes hapur të shkollave. Me origjinë portorikane, Miguel Cardona kishte veçanërisht mbështetjen e grupit parlamentar hispanofon të Kongresit dhe sindikatave në Connecticut.

Sekretari i Punës – Marty Walsh (53 vjeç)

Kryetar i Bashkisë së Boston nga 2014 e deri më sot, përfaqësues në Asamblenë Legjislative të Massachusetts (1997-2014), djali i dy emigrantëve irlandezë, Marty Walsh, do të trashëgojë Departamentin e Punës në një kohë të vështirë për ekonominë amerikane, me 11 milion qytetarë të papunë. Në veçanti, ai do të jetë përgjegjës për kushtet e punës në kompanitë private. Sindikatat e mirëpritën emërimin e tij, sepse ai do të jetë i pari Sekretar i Punës me përvojë si sindikalist në gati 50 vjet. Mbështetës i pagës minimale prej 15 dollarësh, ai ka meritën e tij për disa arritje progresive, si për shembull në drejtim të strehimit të përballueshëm ose arsimit falas për studentët me të ardhura të ulëta në shkollat ​​publike. Modest, sipas komentit të mediave dhe i përkushtuar për më shumë 25 vjet për të ndihmuar njerëzit që luftojnë kundër varësive prej produkteve që dëmtojnë shëndetin, ai pat tërhequr vëmendjen në Konventën Demokrate të vitit 2016 teksa e fillonte fjalimin e tij me këto fjalë: “Mirëmbrëma. Emri im është Marty Walsh, dhe unë jam një alkoolist”.

Sekretarja për Strehimin dhe Zhvillimin Urban – Marcia Fudge (68 vjeç)

 

Përfaqësuese e Ohio në Kongres nga viti 2009 dhe Kryetare e Bashkisë së Warrensville Heights, rrethinat e Cleveland (2000-2008), ish-presidentja e Grupit Black të Kongresit është e njohur për punën e saj në mbështetje të të drejtave civile dhe praktikave të drejta të punës. Është e para grua në mbi 40 vjet që do drejtojë këtë department.

Sekretari i Bujqësisë – Tom Vilsack (70 vjeç)

Tom Vilsack ka qenë Sekretar i Bujqësisë në Kabinetin Obama (2009-2017) dhe Guvernator i Iowa (1999-2007). Veteran i politikës, ish-kolegu i Joe Biden, Vilsack, është thirrur të rimarrë përsipër rolin që ai luajti për tetë vjet nën administratën e Obamës, ndryshe nga ç’do kishin preferuar progresistët që donin një emër të ri. Kritikët e Tom Vilsack, shef ekzekutiv i Këshillit Amerikan të Eksporteve të Qumështit që nga viti 2017, e konsiderojnë atë si shumë i afërt me lobin e prodhuesve të mëdhenj të fermave bujqësore. Sipas komenteve, kandidatura e tij u imponua si një kompromis në fund të një beteje midis dy krahëve rivalë të Partisë Demokrate, njëri që mbështeste një vizion tradicional të rolit të departamentit të Bujqësisë dhe tjetri që ishte në favor të reformimit të programeve kundër varfërisë dhe luftës kundër ndryshimeve klimatike.

Sekretari për Çështjet e Veteranëve – Denis McDonough (51 vjeç)

Denis McDonough nuk është veteran por ka qenë Shefi i Kabinetit të Shtëpisë së Bardhë nën presidencën e Barack Obama (2013-2017) dhe Zëvendëskëshilltar i Sigurisë Kombëtare (2010-2013). Sipas komenteve, emërimi i tij në drejtimin e Departamentin të Veteranëve, që me një përjashtim të vetëm është drejtuar gjithmonë nga një ish-ushtarak, i ka zhgënjyer grupet e veteranëve. Ekipi i Biden këmbëngul se ai ka qenë rregullisht në kontakte me personelin ushtarak në Qendrën Kombëtare Mjekësore Ushtarake Walter Reed (ku trajtohen të plagosurit në luftime) si dhe në Irak e Afganistan. Ai i njeh mjaft mire mekanizmat e funksionimit të qeverisë dhe besohet se do të jetë i aftë për ti kapërcyer pengesat burokratike.

Shefi i Kabinetit – Ron Klain (59 vjeç)

Ron Klain ka qenë bashkëpunëtor me Joe Biden për tre dekada dhe ishte ndër këshilltarët kryesorë të tij gjatë fushatës së fundit. Shef Kabineti i zëvendëspresidentëve Al Gore (1995-1999) dhe Joe Biden (2009-2011), koordinator i luftës kundër virusit Ebola në Shtëpinë e Bardhë (2014-2015), Ron Klain konsiderohet një veteran i qarqeve demokrate që ka këshilluar shumë zyrtarë të zgjedhur. Avokat dhe ish-lobist, ai ka punuar në të tre degët e qeverisë federale dhe e njeh mire funksionimin e ingranazheve të Kongresit dhe Shtëpisë së Bardhë. Emërimi i Ron Klain është duartrokitur si nga progresistët ashtu edhe nga të moderuarit në Partinë Demokrate. Personi kyç që kontrollon aksesin tek presidenti, Shefi i Kabinetit përcakton strategjinë politike dhe legjislative të presidentit dhe shpesh lidhet me Kapitolin gjatë negociatave për projektligjet. Emërimi i tij nuk kërkon konfirmim nga Senati.

Drejtoresha e Shërbimeve Inteligjente Kombëtare – Avril Haines (51 vjeç)

 

Avril Haines ishte gruaja e parë që mori rolin e Zëvendëskëshilltarit të Sigurisë Kombëtare (2015-2017) dhe gjithashtu Zëvendësdrejtoresha e parë e CIA-s (2013-2015). Në krye të Inteligjencës Kombëtare (DNI) ajo ka shërbyer si koordinatore e 17 agjencive të inteligjencës amerikane. Avril Haines hyri në administratën Obama në 2010 si këshilltare ligjore e Këshillit të Sigurimit Kombëtar të Shtëpisë së Bardhë. E diplomuar në Fizikë dhe Drejtësi, ajo ka qenë zëvendëskëshilltare ligjore e Komitetit të Punëve të Jashtme të Senatit, kur Joe Biden ishte kryetar.

Drejtori i Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit – Michael Regan (44 vjeç)

 

Sekretar i Departamentit të Cilësisë së Mjedisit në Karolinën e Veriut nga 2017, Zëvendëspresident për energjitë pastra dhe Drejtor Rajonal i Fondit të Mbrojtjes së Mjedisit (2008-2016), Regan është ekspert në fushën e cilësisë së ajrit dhe ka punuar për dhjetë vjet në Agjencinë e Mbrojtjes së Mjedisit (EPA) në administratat e George W. Bush dhe Bill Clinton. Në rolin e tij aktual, Regan ka bërë emër si nënshkrues i një marrëveshje shumë miliard dollarëshe me kompaninë e energjisë Duke Energy për pastrimin e hirit të qymyrit dhe si themelues i një Komiteti Këshillimor për Drejtësinë Mjedisore. Regan pritet të luajë një rol kyç në bërjen realitet të agjendës mjedisore të Joe Biden, i cili përveç premtimit për të luftuar ndryshimet klimatike dhe shfytëzuar energjinë e gjelbër, është zotuar të luftojë dhe racizmin mjedisor.

Presidentja e Komisionit të Këshilltarëve Ekonomikë – Cecilia Rouse (57 vjeç)

 

Cecilia Rouse do të jetë e para Afrikano-Amerikane që do të drejtojë Komisionin e Këshilltarëve Ekonomikë të Presidentit. Dekane e Shkollës së Çështjeve Publike dhe Ndërkombëtare në Universitetin Princeton nga 2012 dhe anëtare i Komisionit të Këshilltarëve Ekonomikë (2009-2011), ekonomistja e Princeton gjithashtu ka shërbyer në Këshillin Ekonomik Kombëtar në administratën e Bill Klinton. E specializuar në ekonominë e punës dhe arsimit, kjo akademike e njohur ka insistuar rregullisht në favor të urgjencës së ndërhyrjes ekonomike të qeverisë ndaj pandemisë. Ndryshe nga Donald Trump, Joe Biden vendosi të rikthejë këtë pozicion në rangun e anëtarit të Kabinetit.

Drejtoresha e Zyrës së Administrimit dhe Buxhetit – Neera Tanden (50 vjeç)

 

Kur u prezantua nga Joe Biden, Neera Tanden, e rritur në një familje emigrantësh nga India me një prind të vetëm dhe që përfitonte nga ndihma ushqimore, deklaroi se dëshironte që të gjithë të kishin mundësinë të dilnin nga kushtet e vështira ekonomike, ashtu si nëna e saj. Presidente e Qendrës për Progresin Amerikan nga 2011 e deri më sot, këshilltare e Sekretares së Shëndetësisë dhe Shërbimeve Sociale Kathleen Sebelius (2009-2010), Neera Tanden ka dekada përvojë në hartimin e politikave, fillimisht në administratën e Clinton, por veçanërsisht në administratën Obama duke u konsideruar si një nga arkitektet e “Obamacare”. Kritikat e saj të ashpra kundër disa senatorëve Republikanë hedhin dyshime serioze në konfirmimin e këtij emërimi, që komentohet si më i diskutueshmi i Kabinetit të Biden. Tanden, këshilltarja edhe e Hillary Clinton, në krye të një think-tank progresiv, shpesh gjithashtu ka “kryqëzuar shpatat” në “Twitter” me kampin dhe mbështetësit e Bernie Sanders.

Përfaqësuesja speciale për Tregëtinë – Katherine Tai (46 vjeç)

Kur u njoftua zyrtarisht emërimi i saj, Katherine Tai deklaroi se ishte e lumtur të punonte për mbrojtjen e interesave të punëtorëve amerikanë. Këshilltare dhe më pas këshilltare e lartë ligjore në Komitetin e Çështjeve dhe Mekanizmave Tregëtare (2014-2017, 2017 deri më sot), këshilltare kryesore për zbatimin e rregullave të këmbimit tregëtar me Kinën në Zyrën e Prokurorit të Përgjithshëm të Zyrës së Përfaqësuesit Tregëtar të Shteteve të Bashkuara (2007-2014), avokatja me origjinë nga Tajvani është e specializuar në çështjet e tregëtisë së lirë dhe me ekspertizë të veçantë në marrëdhëniet tregëtare me Kinën. E konsideruar si një negociuese e aftë, ajo luajti një rol vendimtar në përmirësimin e Marrëveshjes Kanada-Shtetet e Bashkuara-Meksikë, që hyri në fuqi verën e kaluar. Pasi u arrit marrëveshja midis tre vendeve, demokratët arritën të përfshinin dispozita më strikte lidhur me punën dhe mjedisin. Katherine Tai, e cila flet mandarinisht, do të jetë aziatiko-amerikania dhe gruaja e parë nga pakicat me ngjyrë që do mbajë këtë post.

Administratorja e Agjencisë për Ndërmarrjet e Vogla – Isabel Guzman (49 vjeç)

 

Isabel Guzman do të drejtojë agjencinë federale ku ka punuar më parë. Aktualisht Drejtore e Mbrojtjes së Biznesit të Vogël në Zyrën e Guvernatorit të Kalifornisë dhe këshilltare e kompanive në zhvillim (2017-2019), në pozicionin e saj, Isabel Guzman ka koordinuar planin e rimëkëmbjes ekonomike të shtetit të saj në kushtet e pandemisë. Ajo ka qenë një sipërmarrëse dhe më parë ka punuar edhe në një bankë tregtare ku këshillonte kompanitë e sapokrijuara.

Ambasadorja e SHBA në OKB – Linda Thomas Greenfield (68 vjeç)

Linda Thomas-Greenfield është diplomate karriere. Zëvendës Sekretare e Shtetit në Zyrën e Çështjeve Afrikane në Departamentin e Shtetit (2013-2017), Drejtore e Përgjithshme e Shërbimit Diplomatik dhe Drejtore e Burimeve Njerëzore në Departamentin e Shtetit (2012-2013), ajo përfaqësoi Shtetet e Bashkuara në katër kontinente për 35 vjet para se të dëbohej nga administrata Trump.  Duke dalluar veten nga paraardhësi i tij, Joe Biden e riktheu postin e ambasadorit në OKB në rangun e anëtarit të Kabinetit.

Disa bashkëpunëtorë të tjerë të Presidentit Joe Biden

Presidenti Biden do të asistohet edhe nga disa persona që nuk kanë statusin e anëtarit të Kabinetit (dhe nuk kërkojnë miratimin e Senatit), por që megjithatë do të luajnë një rol kyç. Ja disa prej tyre:

Zëdhënëse e Shtëpisë së Bardhë – Jen Psaki (42 vjeç)

Jen Psaki ka punuar në administratën e Barack Obama si Drejtore e Komunikimit të Shtëpisë së Bardhë (2009-2011, 2015-2017) dhe si zëdhënëse e Departamentit të Shtetit (2013-2015) Anëtare e ekipit të tranzicionit të Joe Biden, ajo do të jetë zëri dhe fytyra e Shtëpisë së Bardhë për gazetarët dhe do të punojë në një ekip komunikimi ku pozicionet kryesore do mbulohen të gjitha nga gratë, çka ndodh për herë të pare në historinë e SHBA.

Këshilltari për Sigurinë Kombëtare – Jake Sullivan (44 vjeç)

 

Jake Sullivan ishte këshilltari i Sigurisë Kombëtare të Joe Biden, kur ky i fundit ishte zëvendëspresident si dhe Drejtor i Planifikimit të Politikave të Departamentit të Shtetit (2011-2013). I diplomuar në shkenca politike, studime ndërkombëtare dhe drejtësi, ai bashkëpunoi në dy fushatat presidenciale të Hillary Clinton dhe atë të Barack Obama. Pasi shërbeu në Departamentin e Shtetit nën Hillary Clinton, ai punoi më pas në kabinetin e Joe Biden. Ai ka marrë pjesë në negociatat që çuan në 2015, në marrëveshjen për programin bërthamor iranian, marrëveshje nga e cila Shtetet e Bashkuara gjatë presidencës së Donald Trump u tërhoqën.

Emisari Special i Presidentit për Klimën – John Kerry (76 vjeç)

 

John Kerry ka qenë Sekretar i Shtetit në administratën Obama (2013-2017) dhe Senator i Masaçusetsit (1985–2013). Veteran i dekoruar i Luftës së Vietnamit, kandidati demokrat për presidentit më 2004 ka një histori të gjatë politike. Ish-shefi i Diplomacisë amerikane, ndër të tjera, udhëhoqi negocimin e Marrëveshjes Klimatike të Parisit dhe më pas e nënshkroi atë në emër të Shteteve të Bashkuara në 2015, përpara se Donald Trump të hiqte dorë prej saj. Emërimi i Kerry konsiderohet si një shenjë e rëndësisë që kanë çështjet mjedisore për Joe Biden dhe kjo është hera e parë që Këshilli i Sigurimit Kombëtar do të përfshijë një zyrtar, roli i të cilit do t’i kushtohet tërësisht luftës kundër ndryshimeve klimatike.

Drejtori i CIA – Williams Burns (64 vjeç)

 

Drejtori i Fondacionit Carnegie për Paqen Ndërkombëtare nga 2015 e deri më sot, Burns ka mbajtur gjithashtu postin e Zëvendësdrejtorit të Departamentit të Shtetit (2011-2014). Joe Biden ka zgjedhur një diplomat karriere për të kryesuar Agjencinë Qendrore të Inteligjencës së SHBA, një simbol ky i divergjencës së vizionit të tij me paraardhësin. Diplomat për 33 vjet, William Burns ishte midis kandidatëve për postin e Sekretarit të Shtetit. Ai u ka shërbyer pesë presidentëve të SHBA, nga republikani Ronald Reagan te demokrati Barack Obama. Ai ka qenë Ambasador i Shteteve të Bashkuara në Rusi nga 2005 deri në 2008 si dhe ka marrë disa nderime presidenciale e nderimet më të larta civile nga Pentagoni dhe komuniteti i inteligjencës amerikane. Ai do të jetë i pari diplomat karriere që do të drejtojë CIA-n. Ndërsa Donald Trump u kishte dhënë bartësve të këtij posti statusin e anëtarit të Kabinetit, Joe Biden ka vendosur të kundërtën.

Drejtoresha e Këshillit për Politikën e Brendshme – Susan Rice (56 vjeç)

 

Nuk ishte habi fakti që Joe Biden rekrutoi ish-kolegen Susan Rice në stafit të tij, por ekspertiza e saj në politikën e Jashtme la përshtypjen në fillim që do ti besoheshin përgjegjësi të tjera, përfshi dhe postin e Sekretares së Shtetit. Këshilltare e Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë (2013-2017) dhe Ambasadore në OKB (2009-2013) ish-diplomatja do të jetë përgjegjëse për mbikëqyrjen e një pjese të madhe të agjendës politike të presidentit të 46-të të SHBA. Shumë e kritikuar nga Republikanët, ajo do ta kishte shumë të vështirë kalimin e provës së Senatit. Deklarimet e saj paraprake pas bombardimeve të 2012 në Konsullatën Amerikane në Benghazi, Libi, sipas të cilave ngjarja ishte një manifestim spontan që degjeneroi më pas, duket se e kanë privuar atë nga posti i Sekretares së Shtetit.

(Me referenca nga Associated Press, New York Times, Washington Post, Politico, AFP dhe Radio-Canada)

Photo credit: REUTERS