Ismail Kadare : “Zhurma e erërave të dikurshme” të Agollit

195
Sigal

 

Ismail Kadare: “Zhurma e erërave të dikurshme” mbetet një libër një ndër më të mirët e kohës

Gëzim Llojdia

1.Dritëroi vinte nga Menkulasi i Devollit. Pra ishte Devolli. Nga ata devollinjtë e mirë, të bukur, muhabetçinjë, punëtorë, të besës dhe të fjalës së ëmbël. Punoi si gazetar. E gjeje majë skodave me jakën e xhaketës ngritur, te njerëzit e punës, të fushës të plorit, të traktorit, të bujkut. Dritëroi e njihte fushën dhe njerëzinë e tij më mirë se një vendali. Ai e dinte se çfarë bënte plori, kau, parmenda, kali kokulur, gomari i ndërkryer, pela, shterpat dhe pllajat, mëzat dhe kërthinjtë etj. Ai ulej e bisedonte me këdo, pinte raki dhe këndonte. Pra ky Dritëroi ynë ishte dhe mbeti deri në fund, një shqiptar i mirë, një shkrimtar i mirë, një njeri i bukur. Në vitet ‘60, siç e pohon edhe Kadare të rinjtë e letrave shqipe, po krijonin dhe po përpiqeshin të bënin letërsi të mirë. Mirëpo udha e tyre ishte gati e vështirë, në mos e pamundur. Edhe Agolli në rrugën e tij të krijimit, nuk është se e ka pasur fushë me lule. Edhe pse ishte një figurë dhe krijimet e tij dhe të disa të rinjve të kësaj kohe në vitet ‘60, ishin brilante, sërish sëpata nuk harronte të godiste mbi këdo. “Zhurma e erërave të dikurshme” ishte përmbledhja me tregime, krijime që është dëgjuar shpesh edhe në kohën e socializmit si një ndër krijimet e mira, por që si kudo kishte pasur sulme shqiptarçe. Më mirë t’i referohemi shkrimit, që bën analizën e këtij rrëfimi artistik, që në fakt u pëlqye nga masa, që e kalonte nëpër dorë: Lexoje, por mos ta shoh njeri se na more në qafë…Kishte diçka të bukur të fshehtë, letërsi e re, e bukur dhe realiste po shpalosej, mirëpo nuk ishte e thënë…

…Si fillim në vitin 1966 te gazeta letrare’Drita’, në një artikull për tregimin goditet Dritëroi në përgjithësi ngase janë marrë në analizë shumë tregime dhe proleme të tregimit shqip. Ja çfarë thuhet më konkretisht:’- Është folur për të metat e librit të D.Agollit :’Zhurma e erërave të dikurshme”. Tregimet e tij:”Kur dashuroja një grua” dhe:” Ajo, që nuk edukojmë me moralin tonë, autori do të luftojë meskinitetin po nga pozita të padrejta, që në vetvetete mbeten meskine. Nuk ka asgjë fisnike, që të pajtohesh me moralin tonë, të shkosh për vizitë te një shokë dhe t‘i marrësh gruan. Nuk do të zgjatemi se për këtë është shkruar gjer e gjatë. E kishim fjalën për ta lidhur me diçka tjetër, me disa shenja që një moral i tillë mund të bëhet si modë në emër të “gjoja të përparimit dhe të luftës kundër jetës të ngushtë…”

2.

Korrik, 1966. Gazeta letrare e kohës shkruan: “A vlen ky tregim për edukimin e njeriut? Shkruar nga nja aktor i estradës në Elbasan. Ja çfarë shkruan autori:

“…Asht kritikue në përgjithësi përmbledhja me tregime: «Zhurma e erërave të dikurshme» e Dritëro Agollit, unë due të them disa fjalë rreth tregimit «Egërsia» të këtij vëllimi. Kur u botua libri, fleta «Libra te reja e N.SH. Botimeve, kishte një informacion për këtë përmbledhje dhe e ngrinte si vepër të realizueme. Unë nuk due të vë këtu në dyshim forcën poetike të Dritëro Agollit dhe as aftësitë e tij për të shkrue në prozë, por do të doja të vë në dukje mentalitetin mikroborgjez, që fshihet në këtë tregim e që shpesh herë shpërthen haptazi në tregimet e tjerë të këtij vëllimi, si p.sh. «Lamtumirë, kapedani im», «Kur dashuroja një grua» etj. Nëqoftëse tregimi asht i bazuem në realitetin dhe ngrihet në art, atëherë asht letërsi, por në qoftë se ky asht vetëm pjellë e një fantazie të ngushtë, pa njohë thellë realitetin, tue e zvogëlue ose tue e zmadhue atë jashtë mase, atëherë kjo s’ashtë letërsi, por nji kallëzim bajat e pavlerë.”

Si u prit libri ja çfarë thotë autori në botimin nga Shtëpia botuese: Onufri
Viti: 2014.Fq. 368.

Koment nga autori

…Kaloi një kohë dhe libri “Zhurma e erërave të dikurshme” nuk po dilte nëpër librari. Nuk vonoi edhe shumë dhe mua më thirrën në Komitetin Qendror, bashkë me redaktorin e librit dhe me shefin e redaksisë së tregimit të shtëpisë botuese “NaimFrashëri”. Në atë takim ishim përgjegjësi i shtypit, drejtori i drejtorisë së propagandës dhe një tjetër. Në takim u diskutua, me libër përpara, se çfarë duhej bërë me atë botim: a mund të lejohej të qarkullonte nëpër librari apo të ndalohej. Vërejtja kryesore ishte se nxihej realiteti i jetës së atëhershme socialiste dhe se deheroizohej Lufta Antifashiste Nacional – Çlirimtare: personazhet e partizanëve pasqyroheshin të zymtë dhe me shumë kontradikta mes tyre, pushkatoheshin kur bënin gabime dhe shkelnin rregullat e luftës. Pas këtyre vërejtjeve, një ndër pjesëmarrësit, që nuk më kujtohet se cili ishte, tha se libri duhej ndaluar, një tjetër shtoi se duheshin hequr disa tregime dhe të botohej me një kopertinë tjetër jo aq të zymtë. I treti propozoi të botohej siç ishte dhe pastaj të kritikohej, duke u përcjellë me disa artikuj. Pasi më bënë disa vërejtje të tjera dhe disa këshillime, se si gazetar i “Zërit të Popullit”, ku punoja duhej të isha shembull në pasqyrimin e realitetit dhe të mos bëja gabime ideologjike, vendosën që libri të shkonte përsëri në shtëpinë botuese “Naim Frashëri”, të hiqeshin disa tregime dhe të zëvendësoheshin me disa të tjerë, të cilët të kishin në qendër “heronj pozitivë”. Sipas këtij këshillimi, unë hoqa disa tregime si, fjala vjen, “Njeriu me veladon”, “Egërsia” dhe ndonjë tjetër, duke i zëvendësuar me skica dhe reportazhe. Me këtë ndryshim, libri doli në qarkullim pas disa muajve me një kopertinë tjetër, por disa kopje të botimit të parë të tërhequra nga shtypshkronja mbetën në duart e dashamirësve. Me gjithë këtë ndryshim “Zhurma e erërave të dikurshme” filloi të bëjë zhurmë. Në shtyp ai u kritikua si një vepër me gabime ideologjike. Kritikat u rritën pas Plenumit të 15 – të të KQ – së të PPSh – së të vitit 1965, ku vërejtjet morën një formë zyrtare. Në atë plenum, bashkë me librin tim, u kritikuan edhe dramat e Naum Priftit, Qamil Buxhelit, Fatos Arapit dhe u thumbua Ismail Kadare dhe ndonjë tjetër që nuk më kujtohet. Kjo kritikë mund të kishte rrjedhoja të pakëndshme, sikur mos të kishte folur Enver Hoxha në konkluzionet e atij plenumi në mbrojtje të ndonjë autori të këtyre veprave. Kështu, për mua ai tha se Dritëro Agolli është bir i Partisë dhe ka vepra të bukura. Unë atëherë kisha botuar poemën “Devoll, Devoll”.Koha bën të sajën. Librit tim me tregime i ishte caktuar fati. Pas atij plenumi iu dha orientim shkollave të mesme që të kritikonin veprat që përmendeshin nga Partia. Kjo barrë iu ngarkua mësuesve të letërsisë. Gruas sime, Sadijes, 23 vjeçare, në atë vit e martuar me mua, mësuese e letërsisë në shkollën “Partizani”, i ra shorti të kritikonte burrin e saj, që kishte tre muaj e martuar.Ajo u kthye nga shkolla e habitur dhe e shqetësuar dhe, sa hodhi librat mbi tavolinë, m’u drejtua: “Më thanë në drejtorinë e shkollës që të të kritikoj ty për atë librin…”. Iu përgjigja: “Ti më vrafsh, ti më prefsh, vetëm jo Partia!”. Sadija m’u përgjigj se kjo nuk ishte punë shakaje dhe më kërkoi t’ia shpjegoja gabimet ideologjike që përmbante “Zhurma e erërave të dikurshme”. Po kjo është një histori e gjatë, që në këto shënimet do të dukej pakëz e tepërt. Megjithatë duhet përmendur se Sadija ime, mësuesja e letërsisë, pasi mori nga unë gabimet e librit, të nesërmen shkoi në shkollë dhe para mësuesve dhe nxënësve analizoi “Zhurmën…”. E gjora Sadije, çdo gjë në atë sallë mund të fshihte, vetëm skuqjen e fytyrës jo!

Koment nga Ismail Kadare

Ne kemi qenë miq, kjo është e vërtetë. Madje miq shumë të afërt, qysh në gjimnaz. Pas kthimit nga studimet e larta në Rusi, miqësia u bë edhe më e fortë për shkak të bindjeve të njëjta politike dhe hapur flisnim kundër tij. E donim vendin, por ishim të zhgënjyer nga komunizmi, e sidomos nga versioni i tij shqiptar. Kjo vazhdoi gjer në vitin 1966, kohë në të cilin ai botoi librin e tij më të mirë, një ndër më të mirët e kohës, “Zhurma e erërave të dikurshme”.