Ish-ministri Osman Murati: Një jetë me emocione

1028
Sigal

Një jetë me emocione

Kujtime

 

Osman Murati

 

Mendoj se çdo njeri, i thjeshtë apo intelektual, e ka të vështirë të përshkruaj jetën ose veprimtarinë e tij me detaje, sepse ajo, aq sa e shkurtër është, ka edhe zigzaget e saj, me gëzimet, hidhërimet, ankthet e të papriturat. E parë në kuptimin e gjerë të fjalës mendoj se veprimtaria e njeriut qenka me të vërtetë një shkollë më vete, nga e cila, në mënyre te pandërprerë, vëzhgon, punon, gabon, korrigjohesh dhe ecën me mendje e fantazi, duke u përpjekur të futesh thellë e më thellë në të panjohurat e jetës. Në fëmijëri kërkon të rritesh e të avancosh në moshën e të rinjve që i sheh me admirim. Në periudhën e rinisë përpiqesh të zotërosh ambientin që të rrethon dhe të shpërthesh me ndjenjat që janë të gjithfarëllojshme për t’u futur sa më gjerë në të panjohurën që mëson nga shkolla e shoqëria, duke mos përjashtuar edhe aventurën. Ndërsa në moshën madhore gjatë veprimtarisë së punës, mendoj së është e rëndësishme të zotërosh veten dhe ndjenjat e të mos kursehesh për t’i shërbyer familjes dhe shoqërisë, për të gëzuar admirimin dhe respektin nga shoqëria, nisur nga qëllimi i mirë për t’i shërbyer atdheut. E parë në këtë prizëm jeta dhe veprimtaria ime është si e të gjithë moshatarëve të mi, ku dhe e fillojmë atë në një trase të njëjtë dhe gjatë vazhdimit të saj, gjejmë rrugët e zhvillimit me prirjet e secilit. Në varësi të formimit intelektual, nga shkolla dhe nga praktika e jetës. Nisur nga synimi i mirë, mendova që të shkruaj këto kujtime në formën e disa episodeve të jetës të cilat i kam kaluar në rrjedhën e tyre, që nga mbarimi i Luftës së Dytë Botërore në vitin 1944, me periudhën e ndërtimit te socializmit ne vendin dhe me kapërcimin cilësor te ndryshimit te sistemeve politike dhe ekonomike shoqërore në demokracinë kapitaliste.

Si të gjithë fëmijët e viteve të Luftës Nacionalçlirimtare dhe mbas çlirimit të vendit, me të gjithë popullin, jemi një plejadë e vuajtur, sepse nga regjimet e kaluara dhe shkatërrimet e luftës çlirimtare Shqipëria u gjend në situatën më mjerane të kohës. Shtetit të asaj kohe të dalë nga lufta çlirimtare iu desh një punë e madhe që me popullin e varfër të përballohej rindërtimi i shkatërrimeve të luftës, të fillohej menjëherë zhdukja e analfabetizmit në të gjithë popullsinë, të luftoheshin sëmundjet vdekjeprurëse që e kishin kapluar të gjithë vendin, bashkë me masat për të siguruar ushqimin e popullsisë në qytet dhe në fshat. Ky ishte një proces i pandalshëm zinxhir i asaj kohe për të ndërtuar jetën e re në Shqipërinë e lirë, ku populli bëhej zotërues i fate-ve të tij, pa shtypës e shfrytëzues, pa bejlerë, agallarë e fajdexhinj. Mbi këtë bazë ish PKSH (PPSH)-ja, me pushtetin e saj me shpejtësi dhe me ndihmën edhe të ish vendeve socialiste të asaj kohe, i shpejtoi proceset e zhvillimit të jetës njerëzore në të gjitha fushat. Mbi këtë bazë u krijuan kuadrot e nevojshëm qe u bënë pjesë e drejtimit shkencor të politikës dhe të strategjisë së zhvillimit të ekonomisë, në rrugën që kish përcaktuar partia dhe shoku Enver Hoxha. Ky proces i pandalshëm, e ndryshoi pamjen e vendit tonë në të gjitha drejtimet, ku dhe në të njëjtën kohë u formua gradualisht klasa punëtore, fshatarësia kooperativiste dhe inteligjenca popullore që i vunë gjoksin me optimizëm të ardhmes së atdheut. Si pjesë e kësaj plejade të shkolluarish te asaj kohe edhe mua m’u krijuan të gjitha mundësitë për të dhënë kontributin tim, si specialist dhe si kuadër, i armatosur me dijet dhe kulturën përkatëse që t’i shërbeja atdheut tim në fushën e ekonomisë, ku do ta gjykonte partia dhe pushteti i dalë prej saj. Çdo shmangie ndaj kësaj vije ishte disfatizëm dhe, nëse kthehej në sabotim ndëshkohej me ligjet e atij shteti. I parë në këtë këndvështrim, edhe veprimtaria e punës sime ka qenë kurdoherë e kujdesshme, në atë mënyrë që dijet e fituara në arsimimin tim, ambiciet, gjendja emocionale dhe impulsive që unë kam, të kthehet në një mbështetje për të kontribuar ndaj familjes, shoqërisë të udhëhequr nga partia dhe pushteti i asaj kohe. Mbi këtë bazë, jeta ime e 30 viteve që punova dhe sakrifikova në ish pushtetin e PPSH-së, jam përpjekur ta plotësoj me devotshmëri detyrat e ngarkuara, ashtu sikurse dhe kam pasur guximin ta them falën time, kudo për të mirën e punës, si në periudhën e socializmit dhe në atë të demokracisë kapitaliste, me biznesin tim, në publik me shkrime e publikime të karaktereve të ndryshme. Vlerësimi i përvojës dhe reflektimi ndaj gabimeve kanë qenë për mua motoja e cila më ka dhënë impulset e nevojshme të jetës, për të ruajtur thjeshtësinë në marrëdhëniet me njerëzit dhe për të përmbushur me mundësitë e mia kryerjen e detyrave shtetërore, te biznesit ndaj familjes dhe shoqërisë me kulturën që kam arritur në jetë. Duke parë veprimtarinë e jetës time në këtë këndvështrim, mendova që të bëj një përmbledhje të saj, nisur nga i vetmi qëllim, i cili rrethi i familjes sime, veçanërisht nipërit dhe mbesat, të afër-mit dhe e gjithë shoqëria, me të cilët jemi njohur në moshën e fëmijërisë gjatë jetën shkollore dhe sidomos, gjatë veprimtarisë së punës në detyra të ndryshme shtetërore dhe shoqërore të njohin dhe kujtojnë sadopak një shok, një prind e bashkëqytetar të vendlindjes së tyre.