Ing. Ahmet Ҫollaku: Ramadan Perhati – Shkencëtari i harruar

1499
Sigal

Ka kohë që për naftën shqiptare nuk shkruhet, ndërkohë që përbindësha vendas dhe të huaj nuk ngopen me këtë lëng magjik. Në Shqipëri qeveritaret tanë shtyjnë në varreza për së gjalli naftëtarët shqiptarë të kudo ndodhur, thjesht herë me harresë, e herë me sensualizëm demokrato-socialist. Gjithmonë do krijohen sensacione të eklipsojnë naftën dhe naftëtarët, ngjarje të shpikura, ca të dhuruara nga Evropa e vitit 1913, ca nga postmonizmi i viteve ’90. Shqiptarët rrihen për një pemë, por jo për naftën shqiptare!

Asnjë qeveritar nuk kujtohet për ikonën e naftës Shqiptare, për të urtin Prof. Dr. Ramadan Perhatin, i cili para disa muajsh festoi ditëlindjen. Këtij shenjtori i zbritën lule edhe nga qielli, por jo nga qeveritarët tanë. Vërsnikët e tij në naftë, tashmë numërohen me gishta, siç numërohen gurët e diamantit, perlat. Mendoj për të dhe bie në mendime që më therin shpirtin… E mbaj mend të ri, riosh. Në vitet ’70 ai ishte meteor, rënë nga qielli. Burrë me një trup mesatar, topolak, gjithnjë i ngacmuar nga puna, veshur me kostum të errët, gjithë nur. Atëherë ishte e thënë që njerëzit e mirë të ngacmoheshin dhe të qëlloheshin nga lloj-lloj sejmenësh. Ca thonë kjo ishte sindromë e sistemit, unë them, ishte virus i atyre instruktorëve të partisë me sy tinëzarë si dhelprat, tinëzar deri në makutëri. Prof. Ramadani lakmohej, prandaj ziliqarët i digjnin atij çdo vlerë të mirë. “Pemën me kokrra e qëllojnë përtej rrugës”. Ky burrë serioz, veshur me një kostum të errët, nxitonte në dimër e në verë. Herë për në zyrë, herë për në puse. E ndjera Nezihaja, gruaja e tij, kur zgjohej herët në mëngjes, së pari kërkonte me sy çizmet e Ramadanit, a ishin aty pranë derës.

Ramadani ishte drejtor i Drejtorisë për shpimet e puseve të naftës dhe gazit po edhe studiues, ai studionte teknologjinë e shpimeve të puseve dhe lëngjet larëse, parametrat që përcaktoheshin nga Instituti Teknologjik i Patosit. Lëngu larës i pusit është gjaku i puseve të naftës. Edhe puset preken nga ‘Diabeti’, prandaj janë në kontroll të rreptë. Njohja e veprimit të këtij solucioni (të parametrave fizikë dhe kimikë) në bashkëveprimin me ndërtimin litologjik të nëntokës, është e rëndësishëm, pavarësisht se në ballë luftën e bënë dalta me diamant. Fontanat si përbindësha rrinë e përgjojnë poshtë, ndër kohë që censura komuniste bën sofizma apo farsa në shesh të pusit me fjalët: ‘Partia, klasa punëtore, burokrate, teknokrate…’ Tani këtij institucioni nuk do t’i gjeni as muret. Ramadani studionte natën dhe aplikonte ditën, kështu me punë hekurash dhe solucionesh gjeti metoda origjinale për të kapërcyer ndërlikimet gjeologjike. Ka shkenca që merren me llafe, dhe shkenca konkrete, ai ishte i shkencave konkrete. Problemet e nëntokës tek ne kanë specifikat e veta, ndryshe nga bota. Këtë gjë e zgjidhi Prof. Ramadani, i cili bëri më shumë se të tjerët, sepse pasuroi teknologjinë e shpimeve shqiptare. Edhe tani, pas shumë vitesh, ai lutet, “Do të isha shumë i lumtur të më jepej mundësia që këto studime t’i vini në zbatim… Unë mendoj dhe ëndërroj për naftën, unë dëshiroj që kjo pasuri, të shërbejë për lumturinë e begatinë tonë”,- thotë ai. Në vitin 1975 partia e shkarkoi nga gjithë detyrat dhe e çoi për riedukim (!?), duke i hequr të drejtën e profesionit, titujt shkencor, dhe atë të botimit, po nuk e divorcoi dot nga puna dhe nga gruaja e tij e shenjtë, Nezihaja! Prof. Ramadani është një personalitet i kompletuar, simpatik dhe i dhembshëm. Feniks. Ai nuk shtiret, sikurse bëjmë ne të gjithë. Sado që shteti hesht dhe nuk shkruan, ai më shumë shenjohet si njeri, si specialist dhe si atdhetar… Cili është atdhetar më shumë se Prof. Ramadan Perhati?! Ai shkruan dhe boton libra. Në një letër që më drejton më thotë : “…Po ju shkruaj duke ia diktuar këto rreshta nipit tim Mesed Bajraktarit se ju e dini se unë kam vite nuk shoh për të shkruar…” Në monizm kishte shumë nga ata që e kishin frikë Ramadanin, e shikonin me cinizëm, sepse nuk donin që Danja të ngjitej lart, t’u zinte vendin, prandaj e piketuan dhe e qëlluan me ideologji. Ideologjia është më keq se plumbi! Atëherë njerëzit e mirë ngacmoheshin dhe qëlloheshin me fjalë, cinikët dhe instruktorët bënin kërdinë sepse ishte koha e tyre, Rilindja. Sharmë. Në socializëm karrierizmi patetik dhe partiak digjte vlerat profesionale dhe shoqërore, ishte një lumë nënujor. Sa vlera të tilla janë djegur në monizëm?! Po cili qëlloi mbi këtë shenjtor në kohën moniste? Cili? I pyesni të gjithë ata që ishin afër me novatorin e madh, a do tu thonë gjë?! Ata rrufjanë-sharmë shtiren të ngrirë. Memecë. Pa dyshim mbi të qëlloi politika moniste nëpërmjet cinizmit tonë shqiptar. U qëllua urtësia dhe ndershmëria, u godit një statujë qelqi. Po ai nuk u thye! Ai i di cilët e qëlluan po ai hesht, sepse është shenjtor. Ata që e qëlluan janë këtu rrotull konvertuar në demokratë që shtiren gjoja se e duan shumë Danen. Skuadra e ku-klus-klanëve nuk mundet të fshehë hipokrizinë, ata kanë erë të keqe, ata vrasin edhe sot, qëllojnë në opinione, në Facebook… Indirekt, këtë shenjtor e qëlluan tani afër “burrat e shtetit” dhe ata të “Shqipërisë që duam”. Ka edhe një goditje, ajo me heshtje të strukturave shtetërore.

Prof. Ramadani nuk bën vizatime abstraksioniste si K/ministri ynë i fundit, Ai shkruan libra për naftën. Libri tij “Një jetë për arin e zi”, shkruar tani së fundmi është një libër origjinal, libër shkencor, ku ndërthuren formulat me novatorizmin e tij krijues.. Në këtë libër nuk derdhen bojërat për humor, aty vizatohen kolona dhe dalta, jepen koeficiente teknik. Ky libër është një patentë që nënkupton vlera të mëdha monetare. Ligjet harrohen, po librat ngelen, thotë një filozof. Ka shumë skolastikë që nuk thonë asgjë për naftën tonë. Cinizmi shqiptar është biologjik, apo diçka më shumë. Meskinët duan ta ngrijnë dhe ta lënë të heshtur Ramadanin, këtë skofiar të shenjtë. Por nafta dhe puset janë dëshmitarë të përjetshëm të punës së tij… Provoni të shfletoni këtë libër dhe do të gjeni netët pa gjumë, gjakun dhe nervat e një novatori të vërtetë… Ramadani ishte aplikativ, ai ndërthurte teorinë me praktikën, puna e tij ishte nëpër fushat dhe kodrat e naftës, puset e naftës ishin tempujt e tij. Ai punoi, studioi, krijoi, ndihmoi, udhëzoi, përqafoi, ai i donte njerëzit. Dikur në rini mendonte të behej shkrimtar. Ata pseudo shkencëtare që kishte dikur afër, rritur në hijen e tij, tani mezi thonë dy fjalë të vetme. Janë ata të cilët e qëlluan në ato mbledhje partie. Ai u dënua kot, me loje fjalësh, jo nga njerëz anonim, por real. Njëri nga ata ishte ai saldatori që u bë ideolog. Po saldatori ishte magnet, se kishte pas një suitë të tërë. Ku janë ata tani?! Më pas Ramadanin e ҫuan për riedukim në prodhim, nëpër parcelat e kopshtit të tij, po dinjiteti iu ndez më si një fontanë e lartë nafte që përhap dritë. Ai ka dhënë disa intervista, pra, ka pasur rastin të shfryjë kundër armiqve të tij, po ai nuk e bën këtë, ai nuk përmend emra, nuk kërkon hakmarrje. Ai është shenjtor.

Prof. Ramadani Perhati është dekoruar shtatë herë, ai mban disa Urdhra dhe Çmime Republike. I kaloi të tetëdhjetat. Rrudhat nuk i shtohen nga mosha, por kur shikon si gremiset nafta jonë, kjo pasuri shqiptare e pa rinovuesheme. Dhe shqiptarët heshtin! Ai ulërin, kërkon të dijë perse nuk zbatojmë eksperiencën Norvegjeze? Përse, përse, përse?.. Prof. Ramadani ka zënë një vend dinjitoz në elitën e naftës shqiptare, ai është një ortek i madh i kompletuar në saj të pasionit të tij vigan. Ai ka moral të lartë, prandaj kështu magjishëm u bë shenjtor i naftës shqiptare, shtyllë mermeri që zor se e rrëzon dikush. Ramadani pikoi nga një krahinë shqiptare e pastër që kërkon qëndresë, që ka uri për dije, jo për tym duhani, apo hashash rrugësh. Prof. Ramadan Perhati, nënkupton një fond teorik dhe praktik më vete, unik në vlera të mëdha monetare kombëtare, po kush do t’ia dijë në Shqipëri? Asnjë! Shqiptarët turren të politizojnë çdo gjë, po kurrë çfarë bëhet me vajgurin shqiptar. Si i bëhet puna që këto qeveri që ndryshojnë për ditë nuk kujtohen për Prof. Dr. Ramadan Perhatin, për shenjtorin e fundit të naftës shqiptare atje në qytetin e Shkodrës? Ata të djeshmit fshihen, kurse këta të sotshmit e mbulojnë me heshtje. Shqiptarë, kur kaloni nga qyteti Shkodrës, gjeni pak kohë të takoni heroin e gjallë të naftës shqiptare, të urtin Prof. Dr. Ramadan Perhatin!