115 vjet “Lufta e Mashkullorës”
115 vjet Kongresi i Manastirit
115 vjet shkolla e parë shqipe “Liria”
100 vjet Liceu i Gjirokastrës
Ilirjan Lluri
Që në ndërtimin e saj, kalaja si funksion ka pasur mbrojtjen nga armiqtë jashtë dhe brenda saj. Nga bedenat dhe frëngjitë bëhej lufta me armikun jashtë mureve të saj, ndërkohë që me armiqtë e brendshëm funksiononte eliminimi fizik ose burgosja e tyre. Është kjo arsyeja pse në arkitekturën e kalasë së qytetit tonë burgu është projektuar pranë pesë elementeve kryesorë të saj: garnizonit të ushtarëve, kullës së vrojtim – komandimit, thesarit, vendit të organizimit të ceremonive, dhe vendit të frëngjive të topave luftarakë të kalibrave të ndryshëm. Ky burg sot njihet me emrin, burgu mesjetar.
Burgosja e Koto Hoxhit
Në burgun mesjetar veç tradhëtarëve, kanë kryer dënimin edhe vrasës, kriminelë të rrezikshëm dhe hajdutë. Në të njëjtën hapësirë të burgut, vuanin dënimin edhe ata atdhetarë që ngrinin krye kundër pushtuesve të shumtë në duart e të cilëve kaloi qyteti në shekuj. Më kryesori ndër këta atdhetarë është rilindasi i madh, Koto Hoxhi. Faji i tij i vetëm ishte se kishte guxuar t’ju mësonte fëmijëve dhe të rriturve të shkruanin dhe lexonin në gjuhën e tyre, në gjuhën shqipe. Por në vend që pas dënimit ta ndalte veprimtarinë, Koto Hoxhi e vijoi me më pasion punën e tij si mësues shëtitës. Askush nuk e mendonte se ai do të vijonte punën edhe brenda burgut mesjetar. Një pjesë e të burgosurve filluan të mësojnë alfabetin e gjuhës së tyre, ABC-në. Të kësaj periudhe janë vargjet e tij:
Ju o djem do më kujtoni
kur të fitonet liria.
Po ç’të bëj unë i mjeri
që po mbyllen sytë e mia!
Ishte ajo kohë kur të gjitha funksionet publike kryheshin në kështjellë. Midis tyre edhe ai i gjyqësorit. Imagjinoni sa afër ndodheshin mes tyre, vendet e dhënies së vendimit, vuajtjes së dënimit apo egzekutimit. Disa vendime me vdekje madje, kishin anën e tyre të spektaklit. Ato kryheshin në sy të banorëve të kështjellës.
Abetarja, libri i mohuar i shqiptarëve
Çensura në përgjithësi është bashkëudhëtare e sistemeve shoqërore të dhunës. Pushtues të ndryshëm i kanë ndaluar shqiptarëve mbajtjen e armës, flamurit, librave dhe gazetave në gjuhën shqipe. Në një artikull të botuar në vitin 1910 në revistën “National Geographic” ishte shkruar për gjuhën e “ndaluar” se:
“Ligji i Perandorisë Turke parashikonte një dënim deri në 15 vite burg për këdo që shtypte dhe përhapte abetaren shqipe.
Por rasti për të cilin unë po flas, nuk bën fjalë për dënimin e një individi, por të një libri.
Gjyqi kundër Abetares shqipe
Kalaja ka qënë vendi ku ishte e vendosur pjesa më e madhe e administratës në kohën e Perandorisë Osmane. Në pazarin e qytetit në atë periudhë funksiononte institucioni i Prefekturës, institucioni i një rëndësie të veçantë për rajonin jugor. Por “institucioni” i dhënies së drejtësisë, gjykata, ende funksiononte brenda mureve të kështjellës. Aty ishte shumë e thjeshtë që kriminelët e rrezikshëm, vrasësit apo hajdutët pasi të merrnin dënimin, t’i shpinin për ta vuajtur atë drejt e në burgun mesjetar. Një gjyq i tillë, i cili u bë në kalanë e qytetit 120 vjet më parë, mbetet unikal për nga vendimi që dha. Një atdhetar u gjykua se u kap me librin e Abetares shqipe. Ishin kaq të forta ndërhyrjet e miqve të tij, sa gjykatësit sigurisht të paguar nën dorë, e lanë të lirë. Por gjyqi për çudi vazhdoi, megjithëse i akuzuari u la i lirë. Vendin e tij në bankën e akuzës e zuri Abetarja shqipe.
Vendimi i gjyqit
Sesa i “rrezikshëm” ishte ky libër për Perandorinë, e tregon vendimi që dha trupi gjykues. Abetarja e gjuhës shqipe u dënua me 15 vjet burgim. Vendi i vuajtjes së dënimit ishte një dollap. E mbyllën me çelës brenda tij, dhe brava u sigurua edhe me vulën prej dylli mbi të. Në atë kohë çmendurish edhe mund ta kishin “egzekutuar”. Nuk e bënë. Çudi! Por ndërkohë që Abetarja rrinte e mbyllur në burgun – dollap të kalasë së qytetit, Çerçiz Topulli me shokë, i shpërndanin ato në fshatrat dhe zonat ku çeta kishte shtrirë veprimtarinë.
U mundova më kot të gjeja ndonjë detaj mbi kohëzgjatjen e vuajtjes së dënimit të Abetares. A e kreu ajo të plotë dënimin, apo jo? Ndoshta burgosja e saj ka përkuar me shpalljen e Konstitucionit turk dhe vuajtja e dënimit nuk ka zgjatur shumë. Por sado pak muaj apo vite ta ketë vuajtur dënimin Abetarja shqipe, gjesti i burgosjes së një libri është i pazakontë, i pangjashëm askund. Sipas zakonit të asaj kohe, edhe kronika e kësaj ngjarjeje u këngëzua:
Zaptiet Kudhës Errinë
Zaptiet Kudhës Errinë,
te Konom Kabuci zbrinë.
Çark se ç’ja bënë shtëpinë
të fortë ja bënë bastinë,
për të gjetur vivlinë.
Dhe vivlinë kur ja gjenë
një për një fletët ja kthenë:
Mirë fletët ja kthien,
por nga gërmat s’e pëlqien;
se s’ishin turçe e greqishte,
po të gjitha llatinishte.
Ishte Abetarja shqipe.
“Në hapsanë”,- tha kumandari,
po s’u trëmb Dhimo shqiptari!
Gjirokastër se ç’e prunë,
në hapsanë e në bodrumë.
Po Konomi mëndjelartë,
seç vuri një avokat
dhe ca miq i erdhë imdatë…
Për një javë e nxuar jashtë.
Udhrrëfimi i plotë i një vizite në kala
Vizitorët vendas dhe të huaj në kalanë e qytetit njihen me shumë të dhëna, që flasin për arkitekturën dhe historinë e saj. Sigurisht që ngjarja e dënimit të Abetares shqipe, nuk ka zënë vend në asnjë nga guidat e deritanishme në kështjellë. Teksa shoh një tabelë që flet për një legjendë, atë të princeshës Argjiro, e cila në mbrojtje të nderit u hodh nga kalaja, më vjen çudi që të mungojë një tabelë tjetër ku të shkruhet jo më për një legjendë, por për dy të vërteta të mëdha:
burgosjen e rilindasit dhe luftëtarit të gjuhës shqipe Koto Hoxhi dhe
burgosjen e librit të Abetares shqipe.
Vetëm kështu do të mësohej dhe vlerësohej prej të gjithëve sa e shtrenjtë është gjuha që flasim dhe shkruajmë, gjuha jonë e bukur, gjuha shqipe.