Iliriana Koleka: Si reagoi shteti komunist në dy tërmetet e viteve 1967 dhe 1979

197

MË SHPEJT ERDHI TEK NE PARTIA SE SA VAJTI NËNA TE FËMIJA

Sigal

Sot, dy javë mbas tërmetit 6.4 ballë të shkallës Richter të 26 Nëntorit 2019 dhe vërshimit të ndihmave të gjithanshme mbarëshqiptare dhe ndërkombëtare qeverisë shqiptare, kthejmë kokën mbrapa dhe kujtojmë tërmetin e 1979 dhe atë të 1967.
Ai i 1979 ishte më i fuqishëm se ky që sapo goditi Shqipërinë, se sipas specialistëve të kohës ishte një tërmet mbi tetë ballë të shkallës Richter dhe me pasoja shumë më shkatërrimtare se këto të sotmet.
Kujtojmë gjithashtu dhe faktin kokëfortë, që u përballua nga shqiptarët e udhëhequr nga Enver Hoxha, pa asnjë ndihmë nga jashtë vendit.
Në atë kohë ishim prishur dhe me kinezët, ndaj s’mund të flitet për asnjë ndihmë ndërkombëtare socialiste (kineze). Në 1979 unë kam qenë një studente njëzet vjeçare, ndaj mund të dëshmoj për punën vetëmohuese, tërësisht vullnetare, që u bë në zonat e prekura nga tërmeti për zhdukjen brenda pesë-gjashtë muajve të të gjithë pasojave të tij shkatërruese, për ndërtimin e shtëpive, shkollave, qendrave shëndetësore të reja për banorët e prekur nga tërmeti, pra për rindërtimin e lagjeve të tëra të qyteteve e fshatrave të rrethit të Shkodrës (Zona e Nënshkodrës) dhe në rrethin e Lezhës,.etj.
Gjatë tërmetit të 15 Prillit 1979 gjetën vdekjen 35 vetë, u plagosën 382 vetë, mbetën pa strehë rreth 100 mijë banorë dhe u dëmtuan 17.122 shtëpi banimi e objekte ekonomike dhe social-kulturore.
Dëmtimet më të mëdha i patën rrethi i Shkodrës dhe i Lezhës. Në këta dy rrethe u dëmtuan 14.686 objekte, prej të cilave 2413 u shkatërruan krejtësisht. Po dëmtime pati në gjithë Shqipërinë e Veriut e deri në Krujë, mbasi tërmeti i 15 Prillit 1979 goditi edhe rrethin e Pukës, të Tropojës, të Dibrës, të Mirditës, të Matit e të Krujës.
Për të zhdukur pasojat e tij punuan 25 mijë punëtorë, specialistë e kuadro vullnetarë nga i gjithë vendi. Kujtojmë se u ndërtuan 2441 shtëpi e apartamente të reja banimi, 165 objekte ekonomiko-shoqërore e social-kulturore dhe u meremetuan 14.552 të tjera.

Po kujtimet më të sakta se unë i ka shoku i nderuar Muharrem Xhafa, në post drejtues të partisë, që në atë kohë, shkrimin e të cilit, me shumë interes historik, po e sjell të plotë duke e falënderuar nga zëmra për penën e tij të mrekullueshme..

Dëmet e atyre dy tërmeteve
Tërmeti i 30 Nëntorit 1967, ose 62 vjet më parë, ishte gati i të njëjtës stinë e muaj me tërmetin tonë të fundit të 26 Nëntorit 2019.
Tërmeti i 30 Nëntorit 1967, njësoj si ky i fundit, u shoqërua me shumë pasgoditje, ndër të cilat më e forta ndodhi më 2 dhjetor 1967 me magnitudë 5.3 dhe intensitet në epiqendër 7 ballë. Tërmeti i 30 Nëntorit 1967, goditi rëndë rrethet e Dibrës e Librazhdit, me magnitudë 6.6 dhe intensitet në epiqendër 9 ballë në një fshat të Dibrës. Dhe tërmeti i 30 Nëntorit 1967 ishte i rëndë : pati 12 të vdekur dhe 174 të plagosur, u dëmtuan 6335 ndërtesa banimi dhe objekte social-kulturore, prej të cilave 534 u shkatërruan plotësisht.