Hyqmet Zane: Qeverisje me gënjeshtra të sinqerta?

557
Sigal

Gjithnjë e më shumë po shohim e dëgjojmë në TV punë gangsterësh që vriten dhe bëjnë zullume tipike siç edhe i kemi parë edhe nëpër filma, tamam si në kohën e Arturo Ui-së. Njëherazi kuptojmë se çfarë lidhjesh kanë me to qeveritarë dhe pushtetarë që sillen si gangsterë, fshehin pushtllëqet e tyre në kohëra të ndryshme për tu treguar të “sinqertë” para opinionit. Por thuhet një fjalë se “Ku ka za, nuk asht pa gja”, çka do të përkthehej që të gjitha çfarë fliten si thashetheme apo që i shohim të ndodhin, na çojnë në idenë, se po gjeneron një situatë gangsterësh që e struk dhe e bën të vetëdijshëm popullin për gjendjen reale ku jetojmë.

Dikur, tek bëja biseda të herëpashershme me tim atë, si një njeri jo vetëm me shumë eksperienca në vuajtjet e veta jetësore, para rreth më shumë se 35 vjetësh, në një moment ai më thotë: “Është shumë e rëndësishme që në familje të këtë sinqeritet, se kur kërkohet sinqeritet në mes të dy gangsterëve, në një familje të rregullt, po e po që kërkohet”. Im atë thoshte shumë thënie të urta në gjuhë të ndryshme dhe gjithnjë në domethënien e vet kishin familjen, por që mund të nënkuptohej edhe për një shoqëri ku gjithashtu kërkohet sinqeritet nëse vërtet duam të ecim përpara në qëllimet tona të mira. Nëse gangsterët kanë qëllime të mbrapshta në mendjen e tyre, për ta realizuar atë, edhe në mes tyre kërkohet një lloj mirëkuptimi në formën e sinqeritetit, sepse, në të kundërt nuk e realizojnë objektivin e tyre. Por kur ky sinqeritet kërkohet nga ata që janë gangsterë, kuptohet se edhe në një familje e aq më tepër në një shoqëri kërkohet akoma më shumë sinqeritet.

Dhe sapo e klasifikon me këtë përkufizim atë çka dua të trajtoj në këtë shkrim, menjëherë lind pyetja, se për cilin sinqeritet mund të flasësh sot? Atë në shoqëri, në familje apo në qeverisjen e këtij vendi? Ku janë futur veprat e sinqerta që do të donim t’i kishim përherë? Mua dhe jo vetëm mua, na duket se po jetojmë në një gënjeshtër të madhe, në një zhgënjim të pamerituar që po lë pasoja të pariparueshme në jetën e njerëzve në Shqipëri dhe në psikologjinë e tyre të jetesës, siç veproi edhe Arturo Ui në vendin e vet, në kohën e vet.

I ndjek me vëmendje dhe kureshtje prononcimet e shtetarëve dhe qeveritarëve, të kryetarëve të partive dhe liderëve që kanë drejtuar këtë vend, veçanërisht në këto 30 vjetet e fundit. Ka pasur etiketime dhe përkufizime për secilin prej tyre, jo thjesht nga unë, por nga shumë gazetarë dhe analistë, vëzhgues të realiteteve se në këtë vend kanë qeverisur gangsterët politikë. Ekskluzivisht ky epitet i shkon një kryeministri apo një Arturo Ui-je të kohëve moderne që edhe në veshje, edhe në sjellje, edhe në të folur, edhe në të menduar, po aq sa edhe në të qeverisur, edhe në të qëndruar, edhe në sjelljet me ata që ka rreth vetes, e sidomos me popullin që qeveris, ka formën dhe përmbajtjen tipike e një gangsteri politik.

Populli, ajo pjesë e popullit që votoi, e dëgjonte me sinqeritet, e besoi me sinqeritet, e votoi me sinqeritet dhe priste me sinqeritet qeverisjen e tij që, përkundër kësaj pritjeje, jo që nuk bëri asgjë me sinqeritet, por edhe tallet me sinqeritetin e tipit të tij sa është bërë i padurueshëm për popullin e tij dhe tanimë edhe për Evropën dhe socialistët e tij që po e thonë hapur se ka humbur çdo ndjesi sinqeriteti si një shtetar për një popull që tanimë ka vetëm zhgënjim. A nuk kishte të drejtë Arturo Ui për kohën e vet dhe punët që bëri dhe Evropa që e pa dhe më pas pranoi pasojat e tij ?

Përkundër kësaj, kush mund të thotë se nuk ka qenë i sinqertë me partnerët dhe bashkëpunëtorët e vet? Ai ka bërë çmos të mbrojë ata që janë viktima të publicitetit dhe të fajeve të veta. Për këtë ka treguar sinqeritet në bashkëpunimin si gangsterët që edhe mes tyre kanë sinqeritet. Më thoni një rast kur nuk ka treguar zellin e vet për të pasur sinqeritet në PPP dhe dhënien e fjalës ndaj atyre që i ka në funksion të realizimit të të qëllimeve të tij? Gjithnjë ai Arturo Ui ka bërë avokatin e djallit për të mbrojtur të pambrojturën, ka bërtitur për të shantazhuar ata që i dalin si pengesa gjatë rrugës, gjithnjë në funksion të mbrojtjes së bashkëpunëtorëve që ai i ka zgjedhur vetë dhe i ka bashkëshoqërues në planet e tij.

Kur shkrimtari i madh francez Viktor Hygo thoshte se “Nga ferri i të varfërve është ndërtuar parajsa e të pasurve”, kjo filozofikisht do të përkthehej se mbi të varfrit ngrihet perandoria e të pasurve, siç ka bërë qeverisja rilindëse ku për disa oligarkë bashkëpunëtorë të krye gangsterit, është varfëruar një popull i tërë, me “sinqeritet” ama, është shkelur me këmbë çdo ideal me shumë “sinqeritet”, është sakrifikuar çfarëdo lloj lirie e fjalës dhe e veprimit si model “sinqeriteti”, është bërë e pabëra që të bëhet e zeza e një populli të tërë që besoi me sinqeritet dhe u mashtrua me sinqeritet, siç bëri edhe Arturo Ui. Nuk e di se cila filozofi e lashtë apo e sotme e pranon një sjellje të tillë, por veç një gjë është e qartë: Që mund të thuhet kështu “Çfarë më duhet mua se si jeton ti, bëj çfarë të duash, unë jam Arturo Ui, i “sinqertë” siç di e dua unë ?!”.

Në stanin e gangsterëve, si në atë të ujqërve, gjithnjë ka një të parë, ka një kapo, ka një krye gangster që është i sinqertë me të vetët, ua tregon qëllimin dhe sigurohet që me atë sinqeritet e kanë kuptuar, ndaj dhe krye gangsteri sakrifikon gjithçka për shërbëtorët e tij të “sinqertë”. Por e gjithë kjo deri në një farë mase, deri në një farë kohe se një ditë “zullumi e mbyt të zotin”, siç edhe i ndodhi Arturo Ui. A nuk është zotësi qeverisëse me “sinqeritet” për veten dhe ata që e rrethojnë ky realitet? Po e vërtetë është kjo, por këtë lloj “sinqeriteti” që e kanë gangsterët me njeri-tjetrin, ka mungesë të theksuar në raport me popullin që i ke marrë votën se ai e provon realisht “sinqeritetin” e liderit që edhe këtu ka mendimin se “Unë bëj çfarë më do qejfi mua me ju”.

Kur ky popull pret nga “sinqeriteti” i një gangsteri që të mendojë për të, për dëshirat jetike se hapur po thuhet se u varfëruam për të pasuruar gangsterët, më vjen në mendje një shprehje e Faik Konicës: “Tek prisnim të piqeshin kushtet, na u kalbën dëshirat.”.

Në këtë luftë të pasuksesshme mes së keqes që na ka mbështjellë si pa u ndjerë me “sinqeritetin” e gangsterëve që janë të “mirë” siç ka ndodhur në histori që na janë bërë paraqitur si Arturo Ui dhe së mirës që stepet dhe nuk bëhet e dukshme nga sfida e së keqes, më vjen në mendje një shprehje e filozofit Friedrich Nietzsche që ka shkruar se “Kush lufton me përbindëshat, duhet të ketë kujdes të mos bëhet vetë përbindësh. Nëse shikon gjatë brenda errësirës, edhe errësira do të shikojë brenda teje”.

Është zotësi dhe meritë e madhe për një popull që e meriton qeverisjen me gënjeshtra të sinqerta, se për këtë e besoi dhe e votoi dhe sot po korr frytet e asaj që mbolli me “sinqeritet” në të gjithë vendin.