Prof. Dr. Ago Nezha: Kënga labe është e lashtë sa dhe koha. Ajo mbetet identiteti i Labërisë

217
Sigal

Organizojmë këtë simpozium shkencor me ekspert të fushës së polifonisë, jo rastësisht, por si rezultat i reagimeve dhe sugjerimeve, që kemi pasur nga komuniteti lab, intelektual, ekspert të folklorit e më gjërë.

Polifonia është një nga trashëgimitë më të vyera, jo vetëm të trevës së Labërisë, por mbarë Shqipërisë.

Labëria mbart shumë vlera historike, patriotike, atdhetare dhe kulturore, por polifonia është një gur xhevahiri në gjerdanin e artë të trashëgimisë së saj. Këtë pasuri të lashtë sa vetë Labëria, që na e përcollën të parët tanë Kaonët, është detyrë e jona ta mbrojmë nga çdo virus, me të cilin kërkojnë ta infektojnë dhe tjetërsojnë pseudoakademik dhe shpura e tyre, për interesa të fshehta komerciale.

Disa ksenofobë, duke shfrytëzuar pozitën shtetërore, janë vënë në shërbim të huajve, edhe pse me një kosto jo të vogël për identitetin kombëtar. Polifoninë, siç dëshmojnë në veprat e studiuesve të kulturës popullore, të korifenjve si Ramadan Sokoli, Beniamin Kruta etj, se polli as sirenat greke e as Homeri. Polifonia ka lindur si nevojë jetësore kulturore në malet e Labërisë, për të shoqëruar gëzimet, hidhërimet dhe ceremonitë familjare në shekuj. Barinjtë, duke qenë të veçuar me bagëti në stane, pa njerëz për rreth, ju ka lindur nevoja të shprehin gëzimet dhe hidhërimet, gjë që e dëshmon më së miri  monofonia, ku mund të përmendim ligjërimin e Kallaratasit Zeqo Hoxha,“ Çu këput një këmbë mali, si një nga dëshmitë e origjinës së këngës labe. I ngjashëm është edhe rasti i këngës treshe të Dukatit, e vetmja në llojin e vet. Treshja e Dukatit ka marrës, kthyes dhe hedhës dhe nuk ka iso. Sipas teorisë të iso polifonisë kjo këngë nuk i përket trashëgimisë të Labërisë, polifonisë, edhe pse ka fituar disa çmime në festivale folklorike, përfshirë këtu dhe rastin kur është lauruar në festivalin e Kanës në Francë. Kam pasur fatin të bisedoj me studiuesin e shquar Beniamin Kruta. Ai fliste me shumë pasion për treshen e Dukatit, dhe e konsideronte atë një perlë në lëmin e polifonisë shqiptare. Në këtë truall të virgjër, natyrshëm lind pyetja nga lindi dhe pse lindi termi Isopolifoni? Relatuesi në UNESKO si e krijoi togfjalëshin pa u konsultuar me grupin e interesit që përfaqësohet nga një shoqatë “Nderi i Kombit”. Në Labëri kur ja marrin këngës, thonë do ja marrim një herë labçe dhe s’thonë do ja marrim një isoje. Enigma e këtij emërtimi qëndron se ku fle lepuri dhe pse është gjetur ky emërtim?!…Ky emërtim është i dështuar. Ai që i vë vulën, është komuniteti lab, që përligj intecitetin dhe autoktoninë e këngës labe. Kënga labe ka veçori për muzikalitetin, dinamizmin, fuqinë e fjalës dhe pse këndohet pa instrument muzikor, ajo të rrëmben si ujët e lumit në krahinat malore të Labërisë, apo si dallgët e detit në bregdetin e Himarës. Në librin e tij “Kujtime” Ekerem Bej Vlora, shkruan se prejardhja e këngës labe duhet kërkuar te melodia e Dodonës. Këtë pasuri kombëtare duhet ta ruajmë si një thesar të çmuar, që të mos na  ndodh si me Lahutën që na e mori Serbia, se nuk do na e falin brezat.

Kënga labe është aq e vjetër sa çështë dhe vetë Labëria. Autorë të ndryshëm japin versione të ndryshme për kohëlindjen e Labërisë. Zhan K. Faverial në librin e tij “Historia e Shqipërisë” shkruan se : “ Për faj të historianëve, dinastia e Labeatëve, lebërve, është më pak e njohur se ajo e Epiriotëve, megjithëse ajo është shumë e moçme, prej nga vijnë dhe dinastitë më të lashta të Shqipërisë jugore. Origjina e Labërisë zë fill nga fiset Ilire. Në kohën para Krishtit, një popull i quajtur Labeat, i cili banonte rreth liqenit të Shkodrës deri thellë në malësinë e veriut përmëndet për herë të parë nga Tit Livi, gjatë luftës së tretë iliro-romake.

Tukididi shkruante se Labanët përmënden qysh në vitin 629 para Krishtit. Janë të shumtë autorët vendas dhe të huaj, që kanë shkruar për lashtësinë e Labërisë duke filluar nga studiuesit shqiptar si Çabej, Rrok Zojzi, e deri te profesor Ismet Elezi, apo shumë të huaj nga gjermanofonë si Majer, Han, e deri te studiuesi grek Saqelariu që shkruan se pjesa më e madhe e heronjve të Atikës janë Lapët. Edhe Arvanitasi Aristidh Kola shkruan se emri Lap është i njëjtë me atë të lapëve të lashtë. Është popull luftarak, burrëror dhe i ashpër. Në këtë lashtësi zë fill dhe kënga labe.

Polifonia Labe është një pasuri që është vlerësuar kombëtarisht duke filluar nga gjeniu i letrave shqipe, eruditi Fan Stilian Noli, i cili lë amanet: “që kur të vdes të më përcillni me këngë labe “ e deri te rilindësi i kohës tonë Akademiku Kosovar Rexhep Qosja. Në Kuvendin e dytë të Shoqatës Kulturore Atdhetare “Labëria”në Vlorë, theksoi: “Kënga e Labërishtes është shembulli më i ndritshëm i vetëdijes së pandarë, i vetëdijes gjithëkombëtare shqiptare. Ajo është kënga e fuqisë morale, shpirtërore të Labërisë, e cila tash një qind vjet është faktor kryesor kombëtar, që e lëviz historinë shqiptare të Labërisë, që është bërë thelbi shqiptar.” Pra siç citova më lart dy korifenjtë e letrave shqipe e emërtojnë, kënga labe ose labërishte dhe kjo është gjeneza e polifonisë.

Polifoninë, si një pasuri mbarëshqiptare, nuk duhet ta lejojmë ta nëpërkëmbë e tjetërsojë askush. Roli dhe vlerësimi i Ministrisë së Kulturës, le shumë për të dëshiruar në adresë të polifonisë, për ta promovuar dhe ruajtur këtë pasuri të trashëguar në shekuj. Unë shpreha disa konsiderata të miat pa pretenduar se preka thelbin e kësaj dukurie, se nuk jam ekspert i fushës. Këtë problem do na e ndriçojnë specialistë dhe muzikolog të dëgjuar që do kumtojnë në këtë simpozium me vlera reflektuese për tërë organizmat shtetërore, sipas hierarkisë së tyre duke filluar nga Presidenca, Kuvendi, Kryeministria e deri te Ministria e Kulturës.