Bashkim Suçe: Jeta që kujtohet për t’u treguar

188
Sigal

E kanë lënë sytë. Kurse mendjen e ka top. Njeriu, kur kalon të nëntëdhjetat, do t’i pranojë këto “dhurata” që të jep jeta. Megjithatë ai jo vetëm jeton çdo ditë me situatën dhe ngjarjet në fshat e në shkallë vendi, por është gati të debatojë edhe për konfliktin e tensionuar në Veriun e Kosovës, për luftën e padrejtë të Rusisë ndaj Ukrainës, apo në lidhje me konfliktin verbal mes Kinës dhe SHBA, për garën  ekonomike. Ka një rregullsi të madhe në axhendën ditore. Gjithçka, që kur e ka humbur shikimin, orientohet me intuitë, plus një kujdesje e kontrolluar e hedhjes së çdo hapi të matur, në shtëpi dhe në rrugë. Sepse, të dalësh nga shtëpia me një bastun në dorë e të kalosh në rrugën e fshatit deri në lokalin e kafesë ku ai e pi kafen çdo ditë me shokët e moshatarët e tij, nuk është fare e lehtë. Fatmirësisht, ka një djalë dhe më tepër uron nusen e djalit se sa djalin, sepse ajo me sjelljen dhe kujdesjen e saj ia ka zgjatur jetën. Nusja e djalit e vesh, e lan dhe e pastron, kujdeset për pastërtinë e tij dhe sigurisht për ushqimin. Ndaj ai e uron atë si ta kishte vajzë e kaluar vajzës. “Më paç uratën, moj bijë!” Merr radion e dorës nga xhepi dhe e hap e dëgjon lajmet apo muzikë popullore, se ka nostalgji për traditën popullore. Ecën duke e kontrolluar me shkop çdo  pengesë që mund të ketë përpara dhe pasi e ka llogaritur se është afruar te lokali ku e presin shokët, u thërret atyre që larg: “Keni ardhur, more, apo akoma  jeni në gjumë?”-Hajde, Tili, hajde se këtu na ke, i përgjigjen ata dhe dikush shkëputet dhe i del përpara, i fut krahun që të jetë më i sigurt në ecje dhe Tili me shaka i thotë: “Ama tani që erdha këtu më fut krahun ti, more? Të kishe ardhur që te shtëpia ime, hajde de!”. Dhe zgjat dorën andej nga vjen zëri i shokëve të tavolinës, i takon dhe kamarieri sjell kafen duke i kujtuar porosinë: “Kujdes se mos derdh filxhanin!” Tili nuk ia zgjat.-Pse e kam derdhur ndonjëherë që ma jep reston pa bërë fajin?” Dhe e lëviz dorën aq ngadalë, lehtë deri sa e prek filxhanin dhe nis urimin me shokët…Ka një jetë të tërë që ka punuar dhe ia vlen që ta kujtojmë. Në kohën e fletës së palosur ai ka qenë karrocier i koperativës dhe më pas  në ndërmarrjen e tregtisë, sërish karrocier.

Irakli Bita

E quajnë Irakli Themi Bita, kurse shkurt, i thërrasin Tili. Është i datëlindjes 1934, lindur e banues në Kolonjën tonë. Vjen nga një famlje me tradita të hershme patriotike. Fëmijërinë, rininë dhe shkollën e ka mbaruar në vendlindje me mësuesin që s’e heq nga goja, z. Koli Allkanjari “Qytetar nderi” dhe Ferit Kurti. Çeta e parë partizane e Myzeqesë u krijua më 26 dhjetor 1943. I ati i tij Themiu, ka qënë korrier i çetës së Myzeqesë. Familja kishte disa krerë bagëti të imta dhe këto i ruante Tili. Por pas moshës 17 vjeçare kërkoi punë. Më 1952 punoi lulishtar në qytet, në brigadën e Petro Mërtirit, bashkëfshatarit të vet. Rreth 5-6 muaj ka punuar edhe në Fermën e qytetit të Cërrikut. Kreu detyrën ushtarake në qytetin e Pogradecit në vitet 1953-54 dhe pas ushtrie kthehet në fshat duke punuar në fronte të ndryshme të bujqësisë. Në moshën e rinisë tregoi edhe pasionin e tij për udhëtimet me karrocë. Kishte imagjinatë krijuese. Ndërtoi një karrocë ku për rrota përdori kuzhineta, por që vlejti për disa kohë. Drejtuesit e fshatit, duke parë se Tili e kishte pasion karocën, i besuan  përdorimin e saj me dy kuaj, të cilën ai e mirëpërdori për 4 vjet (1968-1972). Ra në sy si një punëtor i kujdesshëm dhe Dega e tregtisë e Kolonjës e kërkoi për karrocier, sepse  u duhej shumë për të shpërndarë mallrat në fshatrat e zonës si: në Krutjen e Poshtme, Fierin e Ri, Këmishtaj, Goricaj, Sopëz, Mërtish, Gradishtë, Spolatë, Gorre, , Lumth, Bishqethëm, Shakuj, Rrapëz, Pirrë, Kamçisht, Bubullimë, Halilaj, Eskaj, Gjonas, Imshtë, Ardenicë, Bitaj etj. Puna e donte që të shkonte të merrte furnizime edhe në qytet. Martesa me znj. Margarita, më 1960, i dha dy fëmijë, Maksin dhe Alketën.

“Kur dilja nga puna, e mbushja karrocën plot me njerëz, saqë qanin rrotat e karros”, tregon Tili. Bukur ishte kur merrja rrugës kalamanjtë, që shkonin në shkollë apo si të qëllonte, kur ktheheshin për në shtëpi. Nxënësit gëzoheshin dhe qeshnin e këndonin lart në karrocë duke kënduar e brohoritur: “Xha Tili me karrocë, ka një çun dhe një gocë!” Kam kaluar mirë si karrocier, por kam pasur edhe telashe, se e tillë ishte koha atëhere. Në vitet ’70 në fshat erdhën disa banorë nga fisi “Xhindoli”, të cilët konsideroheshin të internuar se i kishin bërë kulak. Erdhën nga Berati dhe Kavaja dhe i vendosën në fshatin Eskaj, kooperativa Bubullimë. Kryesisht i çonin nëpër punë të rënda. Një herë, unë pasi çova disa materiale në dyqanin e Bubullimës, te kthesa e rrugës, pashë nja 3 a 4 veta dhe qëndrova e u thashë: ”Ç’prisni, hipni lart!”. Kur u afruam në fshat, një drejtues i fshatit më ndaloi e më tha në formë qortimi:

-Pse i ke marrë lart në karrocë këta?

-Njerëz janë! Çfarë u bë, qameti?

– Do të mbash përgjegjësi për këtë gjë!-kërcënoi kuadri drejtues.

Xhindolët zbritën nga karroja, e falenderuan karrocierin dhe i hodhën një vështrim mosmirënjohës drejtuesit të fshatit.

U agravua problemi. Disa thoshin se do ta hiqnin nga puna Tilin.

-Nuk e ke mirë punën me këtë karron, i tha një kuadër tjetër, më i lartë në detyrë se i pari.

-Pse?-tha Tili.

-Sepse ke marrë lart në karrocë ata…kulakët e Eskajt!

-Dëgjo, more vëlla,-iu përgjigj Tili. Këta janë  fshatarët tanë, punojnë me ne dhe jetojnë me ne. Do të vijë një ditë që ata do të na qeverisin, prandaj thirri mendjes, vëlla!

20 vjet punoi në Degën e shitblerjes Tili. Ka edhe një fletore ku hedh këngët e vargjet që krijon për jetën e punët në fshat. Tili doli në pension në vitin 1992. Në vitin 1993 afrohet në org e veteranëve dhe pasardhësve teranë të fshatit. Në vitin 2016 i vdes gruaja dhe jeton me djalin e vetëm, Maksin. Nusja e djalit Drita e shikon kaluar babait të saj. Me kërkesë të tij, këta muajt e fundit. Tili është larguar nga organizata e veteranëve dhe vendin e tij e ka zënë  i biri, Maksimi.