Hyqmet Zane: Mbi të vërtetën e vrasjes së Ali Demit

483
Sigal

Të shkruash dëshmi të pavërteta nuk i bën shërbim lexuesve, por dezinformimit tipik antishqiptar

Kanë kaluar 77 -vjet nga vrasja e « Heroit te Popullit »  Ali Demi dhe përsëri dalin hamendësira dashakeqëse që shkruhen në shtypin shqiptar dhe shiten si të vërteta. Eshtë e habitshme këmbëngulja e disa njerezve që pretendojnë se dinë të shkruajnë histori, edhe pse kanë kaluar pothuaj 30 -vjet nga shembja e diktaturës, kërkojnë ta përmbysin gjithë historinë e kohës së luftës dhe njerëz pa integritet hedhin baltë mbi heronjtë, ndërsa ata që u vranë në luftë t’i poshtërojnë. Kjo vetëm i zhvlerëson shkrimet e tyre të cilat kthehen në të ashtuquajtura dëshmi pa asnjë vlerë, pasi në vetvete nuk tregojnë historinë e vërtetë. Në dëshminë e ish pjesëtarit të Ballit Kombëtar Abdyl Hakan Banushi shkruhet se Ali Demi ishte me një batalion partizanësh në Kaninë, ndërkohë që e vërteta është se ata ishin vetëm tre veta : Aliu me dy partizanë që e shoqëronin dhe që kishin shkuar me punë partie (Ali Demi në atë kohë ishte sekretar politik i Qarkut të Vlorës) për të biseduar me popullin e Kaninës. Banushi tregon se batalioni i komanduar nga Ali Demi u ndesh me forcat e Ballit, çka është qesharake kur dihej, se ata ishin vetëm tre djem të rinj, që nuk kishin shkuar në Kaninë për të bërë luftë, në një kohë kur Risilia kishte bërë masakrën më të tmerrshme në Vlorë. Do bënte mirë Banushi të fliste për masakrën e Vlorës dhe jo të trillojë të pavërteta. Batalioni ishte ai i Tare Kalos që e rrethuan dhe e vranë. Çuditërisht në ketë dëshmi të gënjeshtërt thuhet se u vranë të tre, ndërkohë që pasi çau rrethimin dhe pas vrasjes së shokut të tij Pano Dhimgjoka, Aliu arriti të fshehë shokun tjetër Dhimitër Mandro, i cili si dëshmitar i gjallë e ka dëshmuar gjithnjë se si iu përgjigjën luftës gjatë rrethimit.

Unë personalisht si publicist i përkas familjes së Zenelatëve nga Filati i Çamërisë, njera nga 6 fiset e vjetra të këtij qyteti siç është edhe familja Demi e Sejko dhe prindërit e të afërmit e mi e tregonin vrasjen e Ali Demit si një humbje e madhe për djemtë e këtij vendi që i dhanë luftës antifashiste shumë kontribute dhe në mes tyre edhe im atë që shpesh më flsite për luftën e bijve të popullit për lirinë e atdheut, ku Ali Demi ishte një shembull krenarie.

Kë nderojnë dhe kujt i japin vlerë shkrime të atilla që shtremëbërojnë dhe qëllimisht që në titull bëhen sarksatikë. Askush nuk kishte dyshim për të dëshmuar historinë e vërtetë të asaj që ka ndodhur gjatë luftës si dhe veçanërisht gjatë kohës së diktaturës.

Për këtë histori të Ali Demit mjafton të risjell në vëmendje pjesën e vrasjes nga libri i Luan Ramës për Ali Demin, i cili si shkrimtar dhe historian, ka botuar dëshmitë e  njerëzve të kohës në Kaninë, për të kuptuar se cila eshte vërteta e asaj historie, se është e turpshme të mburresh me vrasjen e një luftëtari të tillë të lirisë, se është e turpshme që, pasi e vranë Ali Demin, ballistët e batalionit Roshi, shkuan dhe i vodhën çizmet e ushtrisë italiane që kishte mbathur dhe populli i Kaninës e varrosi të zbathur. Imagjinoni që njerëz të tillë që i kanë vjedhur dhe çizmet, të mburren sot dhe deformojnë historinë. Luan Rama, i cili di t’i nderojë të persekutuarit e diktaturës, çka e ka treguar me botimet e shumta si dhe me librat për të internuarit e Porto-Palermos (Porto Palermo – fjalët e gurit) apo për të burgosurit politikë të Zvërnecit (Epistolari i Zaratës), jep një tablo të qartë të asaj dite, pasi Aliu nuk u vra në « tavan » por doli e luftoi dhe e çau rrethimin, se vrasja e tij ndodhi në dalje të Kaninës. Ishtë populli i Kaninës që e dëshmoi këtë. Trimërinë e tij, Ali Demi e tregoi kur ishte dënuar me vdekje nga fashistët italianë ku arriti të organizonte arratisjen nga burgu të shumë të burgosurve politikë. Mos X a Y duhet të shtojë se bëri mirë fashizmi që futi në burgje dhe dënoi djalërinë shqiptare që donte të çlironte Shqipërinë ?! Askujt dhe asnjëherë nuk i bëjnë nder botime të sajuara që bëjnë të ulen vlerat e dëshmive të vërteta. Ja se çfarë thotë Luan Rama, nipi i Ali Demit në librin e tij, duke iu referuar Dhimitër Mandro, njeri nga ata të tre që mbeti gjallë, pasi Aliu dhe Pano Dhimgjokën:

“Atë mbrëmje bëmë një mbledhje të rëndësishme në një nga shtëpitë bazë, ku Aliu foli për situatën e luftës dhe rolin e dëmshëm të ballistëve, të cilët kishin bërë tashmë pakt me gjermanët. Qëndruam deri në mesnatë. Pastaj dolëm të flinim në një nga bazat e tjera. Ramë të flinim. Pa zbardhur mirë, u dëgjuan trokitje tek dritarja. U zgjuam. Dikush na njoftoi se shtëpia ishte rrethuar nga ballistë, të udhëhequr nga Ismail Golemi. Aliu dhe Pano morën automatikët dhe të tre nxituam drejt malit që t’i largoheshim Kaninës. Por pas pak, pas tri katër shtëpish një zë thirri: Ndal! Dorëzohuni! Jeni të rrethuar!…”

Kanina po zgjohej, por krismat e para e zgjuan gjithë popullin. Pas pak, duke e kuptuar se s’kishin rrugë për të çarë rrethimin, Aliu u tha dy shokëve të tij se ishte më mirë të ktheheshin drejt shtëpisë ku ishin dhe të rezistonin deri sa të vinte mbrëmja dhe pastaj të tentonin të çanin rrethimin. Ishin të vetëm dhe shtigjet e fshatit nuk i njihnin ashtu siç i njihnin fshatarët. Me nxitim u kthyen drejt shtëpisë dhe u thanë njerëzve që banonin në të që të largoheshin që të mos vriteshin nga armiqtë. Lufta filloi e ashpër. Pano Dhimgjoka zuri vend tek dera që të mos lejonte njeri të afrohej nga rruga përballë hyrjes së shtëpisë. Aliu ishte në një nga dritaret dhe në tjetrën Dhimitri. Thirrjet nga jashtë për t’u dorëzuar vazhdonin. Por si përgjigje kishte vetëm shkrehje armësh. Tashmë drejt Kaninës po afroheshin dhe forca gjermane. Rrethimi ishte i jashtëzakonshëm. Madje gjermanët zunë pozicione dhe në kalanë e Kaninës nga ku mund të vëzhgonin çdo lëvizje.  Por rezistenca ishte e fortë.

Nga dreka, pasi e panë se ishte e vështirë që të rrethuarit të dorëzoheshin, ballistët dhe gjermanët mblodhën popullin në qëndër të fshatit dhe i kërcënuan që t’i dorëzojnë të rrethuarit. Por si? Askush nuk pranonte të shkonte drejt tyre. Ndërkohë, nga kodra filloi gjëmimi i artilerisë. Aliu e kuptoi se gjylet e para ishin thjesht për t’i impresionuar dhe se gjermanët nuk mund të qëllonin, pasi rrezikonin të qëllonin shtëpi të tjera. Por një orë më vonë, forcat që i rrethonin bënë dhe një përpjekje tjetër për tu afruar. Filloi një shkëmbim i ashpër zjarri. Aliu dhe Dhimitri qëllonin nga dritare të ndryshme për të dhënë përshtypje se ishin një grup i madh luftëtarësh dhe jo thjesht tri persona. Në një moment qetësie, Aliu i tha Dhimitrit t’i thoshte Panos të bëhej gati që të çanin rrethimin. Nuk kishte asnjë rrugëdalje tjetër. Forcat balliste i kishin larguar njerëzit e shtëpive përreth dhe tani po filloin të qëllonin shtëpinë me artileri. Kur Dhimitri zbriti, Panon e gjeti në frymën e fundit. I shtrirë pranë derës ai ishte mbushur në gjak. Një breshëri e kishte qëlluar për vdekje.

– “Pano është vrarë!” – i tha Dhimitri Aliut.

Për të dy ishte e dhimbshme të shihnin shokun e tyre të vrarë. Aliu dhe Dhimitri e përqafuan si për t’i dhënë lamtumirën e fundit dhe menjëherë u sulën nga dera dhe çanë përpara duke qëlluar…”

Dhimitri vazhdonte tregimin e tij: «Gjithnjë duke qëlluar, kaluam disa shtëpi rradhazi, por ndërkohë Aliu më pa që isha plagosur dhe u rrëzova. Ndaloi dhe kërkoi të më ngrinte. “Mbahu, edhe pak”, më tha, dhe më tërhoqi me vete, por unë isha mbushur gjithë gjak. Ç’të bënte. Krismat tutje vazhdonin…”

Artileria qëllonte duke goditur muret e shtëpisë. Gjermanët ende nuk e dinin se luftëtarët e kishin lënë  “shtëpinë-kështjellë”. – “Më lër Ali, nuk mundem!” – i thashë Aliut. Por ndërkohë Aliu dalloi një ferrë të madhe dhe u sul duke më tërhequr. – “Shiko Miti, do të të fsheh këtu. Mos lëviz që këndej. Në mbrëmje do të dërgoj shokët të të marrin!…” – Kështu më tha dhe u largua duke qëlluar… Më shtrëngoi dorën dhe kapërceu shtëpi të tjera. Që nga ai çast nuk e pashë më… nuk do ta shikoja më kurrë atë njeri me një kurajo të jashtëzakonshme, i cili besonte se kjo luftë do të sillte një Shqipëri të re, të bashkuar dhe të begatë.

Edhe pse kishte tetë orë që luftonin, lodhjen Aliu nuk e ndjente. Kaloi dhe fushën, pa u kuptuar nga njeri, pasi të gjithë ishin përqëndruar nga shtëpia ku mendohej se partizanët atje ende luftonin. Po linte Kaninën dhe po drejtohej nga “Kodra e Dheut të Bardhë”… Aliu mendonte se më së fundi e kishte çarë rrethimin dhe tashmë nxitonte drejt Ujit të Ftohtë. Nga ullishtat poshtë dukej deti. Por pikërisht në atë moment, një breshëri mitrolozi u shkreh mbi të. Gjermanët i kishin zënë të gjitha pikat nga ku mund të kalohej. Tutje ende gjëmonin të shtënat e artilerisë. Në sytë e Aliut ullinjtë dukej sikur binin e rrëzoheshin me rrapëllimë, bashkë me të. Pastaj gjithçka ra në heshtje. Heshti përgjithnjë…”

Xha Sadiku, një fshatar nga Kanina, i cili i kishte përjetuar ngjarjet e atij fund dhjetori të vitit 1943, ai më tregoi për vrasjen e Aliut, i cili, pasi kishte kaluar “çezmën e Nafijes”, siç e quante populli, kishte marrë nga përroi i Vasunjës duke dalë në Qafën e Dheut të Bardhë. Ai më kishte thënë : «Mbaj mend kur trupin e Aliut e sollën dhe e vunë në rrugë të fshatit. Njerëzit filluan të mbidheshin dhe të shikonin të vrarin. Kush ishte? Si quhej? Askush nuk e njihte. Pas pak dikush u afrua dhe duke i parë çizmet e mira, qeshi, u ul dhe ia hoqi. I mori dhe u largua, i ndjekur nga të qeshurat e ca ballistëve të tjerë. Kaluan pak çaste dhe dikush u afrua drejt të vrarit dhe duke i bërë shenjë dikujt tha: Ndihmomë ta marrim. Duhet ta varrosim, siç i ka hije zakonit shqiptar! Njerëzit nuk lihen në mes të rrugës! Por ndërkohë ndërhyri një ballist që iu hakërrua. – “Komunistët do të varrosësh ti?!…” Por fshatari qëndroi krenar dhe ia ktheu: “Do ta varros në varrin e vëllait tim!”… Dhe bashkë me një njeriun e tij, e mori Aliun dhe e varrosi».

Disa ditë me vonë një grua fshatare, do t’i ngrinte këngë:

“Ti Shqipëri, ti djalëri,

Nga gjaku yt nxjerr liri,

Ti Çamëri veshur në zi,

Me gjak të Aliut kërkon liri…”

“Nga fundi i dhjetorit të vitit 1943, – kujton Rrahman Parllaku, – i kthyer në rrethin e Vlorës pas luftimeve në Kurvelesh kundër një operacioni gjerman, mësova lajmin shumë të hidhur mbi vrasjen e Aliut, të rrethuar tradhëtisht, tradhëti që fatkeqësisht nuk u zbulua kurrë

Më 19 të dhjetorit 1943 u rrethua prej më se 500 tradhëtarësh në Kaninë. Vetë i tretë luftoi si luan kundër gjithë kësaj mizërie, një ditë të tërë. Dhe tradhëtarët nuk guxonin të afroheshin sepse e dinin se brënda atyre mureve të rrethuara nga mitrolozat dhe mortajat, gjëndeshin djemtë e vërtetë të Shqipërisë, ata që s’kursejnë as edhe gjakun për çlirimin e popullit, gjëndeshin komunistë.

Në kujtimet e tij, për vrasjen e Ali Demit, shkrimtari Qamil Buxheli shkruante: “Nga fundi i dhjetorit të vitit 1943, në mbledhjen e celulës së Partisë, në fshatin Pandelejmon të prefekturës së Konispolit, sekretari i Partisë, Sami Murati, na dha një lajm tronditës: “Komunisti Ali Demi, bir i Çamërisë, sekretari politik për Qarkorin e Vlorës, mbasi kishte çarë rrethimin në një shtëpi të Kaninës, kishte rënë duke luftuar në Qafën e Dheut të Bardhë. Të gjithë ne mbajtëm një minutë heshtje në kujtim të tij dhe kënduam marshin funebër: “Me dhimbje ju përcjellim, në të varrit ftohtësi”! dhe u betuam edhe njëherë se deri në vdekje do t’i qëndronim besnik idealit për të cilin kishte dhënë jetën Ali Demi”.

Çdo qorollepsje dhe tendencë për të bërë pis figurën e një “Heroi të Kombit” dhe nga Filati i Çamërisë, është edhe një shprehje e urrejtjes antishqiptare tipike greke dhe e atyre që duan shtrembërimin e të vërtetave historike. E vërteta për Ali Demin është e gdhendur në kujtesën e banorëve të Kaoninës dhe popullit të Vlorës dhe e shkruar me gjakun e një djali që u lind dhe u rrit me dashurinë për liri dhe dha jetën për të.