Qyteza e vogël e Rambujes ndodhet 54 km në jug perëndim të Parisit. Aty banojnë 20.000 qytetarë krejtësisht autoktonë. Por Rambujeja bëhet e përmendur nga kështjella e Rambujesë, që është rezidencë presidenciale. Aty ka një park dhe pyll i pafund. Ato e bëjnë këtë qytezë të figurojë si më e njohura në të gjithë qëndrat turistike të rrethinave të Parisit. Kështjella Rambuje u ndërtua në vitin 1375 nga Jean Bernier, që ishte një personazh i lartë i oborrit të Charles V, por ajo u bë pronë e familjeve të d’Angennes. Mbreti kalorës, France I, që ishte në moshën 51 vjeç, duke u kthyer nga një udhëtim nëpër France u prek nga ethet, prandaj vendosi të qëndrojë në kështjellën e Rambujesë tek kapiteni i tij i
gardës d’Angennes. Ndërkohë gjëndja e tij u keqësua dhe më 30 mars 1547 vdiq. Para se ai të vdiste i la amanet djalit të tij që të lutej që shpirti i tij të shkonte tek Zoti. Një shekull me vonë Markezi i Rambujesë, Charle d’Angennes, u martua me Catherine de Vivone. Ajo qe një grua që nga bukuria, kultura, shpirti e virtyti arriti të vendosej në krye të shoqërisë së zgjedhur e të lartë franceze të asaj kohe. Për Parisin
hoteli Rambuje në atë kohë u bë shpirti i tij. Me të vërtetë në atë kohë luante rolin e një akademie. Markezia, në këtë kështjellë jepte festime dhe pritje për artin dhe poezinë. Në vitin 1700 d’Angennes, që ishin pronarët e kështjellës e shitën atë për një çmim fare të vogël 170.000 franga. Zotit Fleurian d’ Armonville, i cili si një krijues i vërtetë e mobiloi gjithë kështjellën dhe rrethoi parkun e saj. Disa vjet më vonë Louis XIV ia bleu këtë kështjellë Fleurian d’ Armonville për njërin nga djemtë e tij, që e kishte lindur me zonjën Montespan. Për këtë Louis XIV e shpërbleu shumë me para, dhe i dha post duke e emëruar Fleurian e Armonville në kapitenerinë e pyllit të Boulogne-s. Më vonë konti i Toulouse-s i trefishoi apartamentet e kështjellës dhe e rindërtoi parkun. Ndërsa kontesha që kishte një shpirt të hapur e plot imagjinatë e shumë e aftë për të joshur njerëzit e zgjedhur, që vinin me dëfrimet që jepeshin në kështjellë. Gati çdo javë aty vinte edhe Louis XIV. Më vonë nën regjimin e Louis XVI kështjella i përkiste dukës së Panthiervre, djalit të kontit të Toulouse-s, i cili vazhdoi ta zbukuronte dhe e modernizoi më tej parkun për princeshën Llambalie, që ishte nusja e djalit dhe mikesha e Marie Antoinette.
Më 1873, Louis XVI, që ishte gjuetar i apasionuar dhe që kishte një pasion të veçantë për këshjellën e Rambuje-s e bleu atë për 16 milionë franga, por meqë as mbretëresha nuk e kishte shumë në qejf këtë kështjellë, mbreti për ta argëtuar atë dhe për t’i hequr mërzinë, bën disa rregullime që i kujtonin mbretereshës Trianon e Versajës. Kështu u ndërtua aty një bulmetore dhe kopshti anglez. Më 1814 këtu në Rambuje e njohura Marie – Louise takoi babanë e saj. Pas kësaj ajo duke abandonuar Napoleonin e Parë, pranoi të ikte për në Vienë. Në këtë vit me 29 qershor në darkë, Napoleoni duke ardhur nga Malmaison, ndaloi karrocën përpara kështjellës së Rambujesë, aty ku ai kishte ardhur për t’u qetësuar mbas divorcit me Zhozefinën dhe për të kaluar ditë të gëzuara me Marie Louise-n. Por këtu, Perandori ka një natë të trishtueshme i kredhur në mendime. Të nesërmen herët në mëngjes ai u nis për udhëtimin e gjatë, fundi i të cilit do të ishte Shën Helena… Pak me vonë dhe pikërisht më 31 korrik rreth orës 6-të të darkës, Charles X i përzëne deri në Saint Cloud nga kryengritësit, mbërriti në Rambuje. Abdikirni i tij përfundimtar ishte i nënshkruar. Ai pas kësaj ndoqi rrugën për në Angli.
Mbas Charles X. Rambuje u dha me qera personave të ndryshëm. Disa herë kështjella u bë restaurant, ku parizianët shkonin për t’u kënaqur. Në kopshtin e tij u instaluan dyqane panairesh. Në kanalet me ujët e liqenit gondulat që merreshin me qera shëtisnin amatorët e një argëtimi të tillë.
Kështjella ka shumë histori, që lidhen me ngjarje të rëndësishme të Francës. Napoleoni III e riintegroi kështjellën në listën e tij civile. Ndërsa shteti e mori atë me rënien e perandorisë dhe në vitin 1897, Felix Faure e caktoi kështjellën si rezidencë verore për presidentët e republikës franceze. E tillë është ajo edhe sot. Ajo mund të vizitohet kur në të nuk është Presidenti i Republikes dhe kjo ndodh nga ora 10.00-12.00 dhe 14.00-18.00 të çdo dite. Parku i Rambujes është i përshtatshëm për gjueti. Ai zë një sipërfaqe prej 14.000 hektarësh i mbuluar me liqene të bukura e piktoreske. Vetë pylli i përtëritur herë pas here, është i vjetër që në epokën romane shtrihej deri në Chartres. Vende vende bukuria ekzotike e pyllit merr ngjyra të jashtzakonshme. I tillë është i ashtuquajturi “Kopshti Anglez”, i cili reflekton madhështisht në valët kapriçioze të ujrave të pastër. Në freskinë që kanë pyjet dhe ujrat, gjejnë ambjent të përshtatshëm për t’u zhvilluar gjithfarë kafshësh të egra nga më të rrallat si derra të egër, dhi të egra, drerë dhe shpendë. Prandaj për këtë aty shkojnë personalitete të shquara të botës politike dhe diplomatike.
Periferia e Rambujes fillon me sheshin de la Liberation. Aty ku sot ndodhet bashkia, që është një ndërtesë e shekullit të XVIII. Ajo i ishte dhënë bashkisë së qytetit nga Napoleoni i Parë. Me të kaluar grilat e sheshit de la Liberation përpara të shfaqet ansambli i ndërtesave të kështjellës së Rambujes, sidomos bukuria e kullës së madhe e emërtuar Francois I, këtu ka vdekur ky i fundit. Vetë
kështjella ka mbetur si një gjurmë e shekullit të XIV. Por ajo ka edhe ndërhyrjet e herë pas herë me qëllim që të rriten vlerat. Kështu midis katit përdhes dhe katit të parë ndodhen apartamentet e “përbashkëta” që i dedikohen kontit të Toulouse-s të zbukuruara nga punime të mrekullueshme prej druri. Ato fillojnë nga paradhoma, vazhdojnë në sallonin e pritjes me kolltuqet e Louis XV. Tapiceria e saj është e zbukuruar me figurat nga fabulat e La Fontenit. Thuajse kështu është edhe Salloni i madh, dy sallone të vegjël, një sallon i vogël dame i quajtur salloni i Marie Antonette. Aty çdo ambjent është i veçantë e karakteristik. Kështu salla e banjos e Napoleonit të Parë tek e cila shkohet nëpërmes një korridori që përshkon kullën e Fracois I. është zbukuruar me afreske të ndryshme e të bukura. Kështu është dhoma e gjumit të perandorit ku ai kaloi edhe natën 29 dhe 30 qershor 1814 ku ai kaloi natën e fundit të qëndrimit aty. Kabineti i punës, salla e ngrënies, salla e vjetër e festave ku Charles X abdikoi prej fronit, ruajnë kujtimet e kohës dhe janë të zbukuruara me punime të mrekullueshme druri të shekullit XVIII. Nga ato shihet një pamje e bukur e parkut. Nga një herë sallat e objektet emërohen nga karakteristikat e veçanta që kanë. Salla përdhese e mermerëve ka marrë këtë emër, sepse muret e sallës janë të veshura me mermere. Ky emër vjen që nga koha kur kështjella ishte pronë e Jacques d’Angennes.
Parku i kështjellës, me kopshtet alla franceze, qëndron i hapur nga lindja, deri në perëndimin e diellit, ai është i ndarë nga e djathta e tij në pesë pjesë dhe nga e majta ka një tendë kopshti, e cila mbyllet tek rrugica e shkëlqyer e selvive masive, të marra nga Luisiana dhe të mbjellura aty që në 1805. Karakteristike është në Rambuje një ndërtesë e vogël prej guri në formë tempulli, në pjesën e përparme të së cilës është bulmetorja e mbretëreshës, ndërsa përpara saj një sallë me një gufe – shpellë artificiale e zbukuruar nga një bllok nimfe dhe një dhi nga Julien. “Kopështi i ujit” është tej pamja e kanalit të madh qëndror, që zgjatet e ka pamjen e një qylymi jeshil. Kanalet gjarpërojnë si një trapez duke u ndarë në ishuj si Roche, i cili ka qenë teatri i festave mitologjike, që jepeshin nga Markezia e Rambuje-s. Shumë njerëz të shquar të Francës dijetarë e politikanë kanë kontribuar që Rambuje-ja të jetë jo vetëm me ndërtime të bukura, me monumente historike e kulturore, por edhe natyrore. Në Rambuje është një vathe kombëtare e dhenve , e cila vizitohet ditëve të djelave dhe ditëve të festave. Edhe ky monument ka historinë e vet. Louis XVI i apasionuar pas bujqësisë dhe blegtorisë më 1876 krijoi në Rambuje një fermë eksperimentale, e cila u quajt vatha kombëtare e dhenve. Për këtë mbreti ju drejtua spanjollëve, që në atë kohë posedonin delet merinos që nuk njiheshin në Francë, dhe që ishin më të mirat në Evropë. Duke blerë 334 dele dhe 42 deshë, spanjollët i rekomanduan mbretit të Francës që merinoset të rriteshin në ajër të pastër. Por, francezët vepruan ndryshe, tufën e sjellë nga Spanja e sistemuan në stane, dhe përmirësuan ushqimin, që ishte shumë më i mirë se në vendin e lindjes, dhe rezultatet ishin më të mira se sa të spanjollëve. Është interesante të theksohet se qysh në kohën e Louis XVI edhe sot merinoset e Rambuje-s janë më të famshmit në të gjithë botën. Sot aty janë 800 dele, nga të cilat 200 të racës merinos. Nga këto çdo dash jep 6 deri 8 kilogram lesh, ndërsa çdo dele 4 kilogram lesh. Dhëntë mbahen aty 6-7 vjet pastaj seleksionohen çdo qengji qysh në lindje në vesh i vihet numri i matrikullit, kurse mbi kurriz numri respektiv i mashkullit dhe i femrës nga është lindur qengji. Delet e tjera janë të racës franceze. Gjithashtu këtu ekzistojnë dhe tufat që mbarështrohen kryesisht në ajër të pastër.
Rambujeja për ne shqiptarët ka edhe një vlerë tjetër të madhe kombëtare. Aty në 15 ditëshin e dytë të muajit shkurt 1999 filloi konferenca ndërkombëtare e Rambujesë për Kosovën. Këtu u luajt ngjarja më e rëndësishme kombëtare e 86 vjetëve të fundit. Aty filloi një tranzicion i ri në zgjedhjen e problemit të bashkimit kombëtar shqiptar. Filloi një proces i ri i vënies në vënd të padrejtësisë, që u ishin bërë shqiptarëve duke i copëtuar përgjysëm. Ky proces do të bëjë që Kosova që përbën thuajse gjysmën e trojeve kombëtare shqiptare për disa vjet do të jetë protektorat ndërkombëtar, kohë gjatë, të cilës do të vendosen institucionet demokratike në perspektivë të organizimit të zgjedhjeve të lira dhe të vetëvendosjes me përkrahjen ndërkombëtare. Kështu aty është hapur dera e Pavarësisë së Kosovës. Çështja erdhi në këtë rrugë pas 17 ditë bisedimesh në mes një delegacioni kosovar, përfaqësues i gjithë partive e shtresave të popullit shqiptar të Kosovës dhe delegacionit serb, me ndërmjetësinë ndërkombëtare, sidomos amerikane e të grupit të kontaktit që ishin ministrat e jashtëm anglez, francez, gjerman. Nën një presion të jashtëzakonshëm ndërkombëtar serbët u ulën në bisedime, por nuk e nënshkruan marrëveshjen. Atë e nënshkruan vetëm shqiptarët. Beogradi hodhi poshtë në mënyrë të prerë vendosjen e trupave ndërkombëtare. Ata thanë se marrëveshja mund të ishte politike, e absolutisht jo ushtarake. Kështu u larguan nga Rambujeja me shpresë se do i shpëtonin ndëshkimit ndërkombëtar. Por kjo nuk ndodhi. Më 24 mars 1999 natën, filluan sulmet e NATO-s mbi Jugosllavi, të cilat vazhduan 78 ditë. Ato e detyruan udhëheqjen jugosllave të ulen në tryezën e bisedimeve e të nënshkruaj kapitullimin duke tërhequr nga Kosova tërë forcat ushtarake. Tani në vend të tyre për një kohë të papërcaktuar janë vendosur forcat ndërkombëtare të paqes, të cilat do të garantojnë një proces të natyrshëm të pavarësisë së Kosovës.





















