Haxhi Dede Edmond Brahimaj/ 80 vjet më parë ish- Kryegjyshi Botëror, Sali Niazi Dede u pushkatua pse refuzoi pushtimin fashist të Shqipërisë

311
Sigal

Kryegjyshi Botëror Bektashian, Haxhi Dede Edmond Brahimaj: Refuzoi të firmosë dokumentin e pushtimit fashist të Shqipërisë

80 vjet nga vrasja e ish-Kryegjyshit Botëror Bektashian, klerikut atdhetar, Sali Niazi Dede

Nuri Çuni

Sekretar i Përgjithshëm i Selisë së Shenjtë Bektashiane

Më 28 Nëntor të këtij viti, mbushen 80 vjet nga vrasja e ish-Kryegjyshit Botëror Bektashian, Sali Niazi Dedei. Në këtë ditë, në mjediset e Selisë së Shenjtë ka pritje nga Shenjtëria e Tij Haxhi Dede Edmond Brahimaj, homazh në tyrbet e dedelerëve, vizitë të ekspozitën për jetën dhe veprën e këtij kleriku, etj… Sali Niazi Dede erdhi në Shqipëri me një vizion të qartë dhe plotë shpresa se Qendra Botërore e Bektashinjve, duke u vendosur në jugperëndim të Evropës të krishterë në paqe dhe  bashkëjetese me besimet e tjera fetare, por edhe  do të kontribuonte në harmoni midis feve. Ky akt madhor, sot e kësaj dite, qëndron plot dinjitet midis zgjidhjeve të ndryshme të shqiptarëve, përgjatë historisë  së vet, kjo është krenari për gjithë shqiptarët dhe sot në këtë  90 vjetor të ardhjes së tij në Shqipëri është shumë domethënës dhe e paimagjinueshme. Sot ne përulemi me respektin më të thellë ndaj personaliteteve të tillë, si “Dëshmor i Atdheut dhe “Nderi i Kombit”, të cilët i bëjnë nder jo vetëm besimit bektashian, por krejt Shqipërisë dhe botës.”-pohon mes të tjerave Kryegjyshi Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj.

KLERIKU SALI NIAZI DEDE

Sali Niazi, u lind në Starje të Kolonjës më 5 mars të vitit 1876. Në këtë kohë, bektashizmi në Shqipëri kishte ardhur duke u zhvilluar. Madje, jo vetëm në trevat shqiptare, por edhe në vende të tjerë ballkanikë fqinj. Doktrina bektashiane po gjente përhapje gjithnjë e më të gjëra. Kjo, aq sa për shkak të përshtatjes të këtij besimi me realitet ballkanikë, aq dhe për frymën tolerante që përcillte. Ka qënë pikërisht ndikimi i teqesë së famshme të Starjes, por edhe ato të Leskovikut, të Qesarakës dhe Kreshovës, që lanë gjurmë të thella në fëmijërinë e Sali Niaziut të vogël. Sali Niazi u gjend në moshën 8 -vjeçare në Stamboll me familjen e tij, në kërkim të një jete më të mirë. Plot trembëdhjetë vjet, ky ndoqi mësimet në Stamboll në Haxhi Bektash. Falë kësaj trashëgimie shpirtërore shqiptare, në vitin 1897, vendosi të futet në rrugën plot mirësi bektashiane. Në këtë kohë, është në vëmendjen e ish-Kryegjyshit të kohës, Haxhi Fejzi Dedeit, tek i cili, pasi dorëzohet si dervish, përqafon menjëherë jo vetëm mësimet e Kuranit, hadithet e Profetit Muhamed por edhe çelësat e diturisë mistike. Në vitin 1908 Dede Fejziu e ngarkon Salih Niazin me detyra të rëndësishme. Mes të tjerave, ai erdhi dhe në Shqipëri. Me largimin nga kjo jetë e ish Kryegjyshit Bektashian Haxhi Fejzi Dedei, këshilli i lartë gjyshnor, në vitin 1914, cakton Sali Niazi në postin e lartë të udhëheqjes të këtij besimi. Me emërimin e tij në 17 dhjetor 1919, Mustafa Qemal Ataturku, i cili vizitoi teqenë e Haxhi Bektashit, mori mbështetjen morale dhe materiale të Salih Niazi Babait dhe Xhemaladin. Kur parlamenti turk, me vendim të veçantë, në dhjetor të vitit 1925, urdhëroi mbylljen e të gjitha teqeve në perandorinë osmane, Salih Niazi Dedei i hodhi sytë nga atdheu i tij, Shqipëria. Janë disa letërkëmbime midis tij dhe Mbretërisë shqiptare në vitin 1929, të cilat nxjerrin në pah jo vetëm dëshirën e këtij kleriku për t’u vendosur përfundimisht në Shqipëri, por edhe garancitë e Mbretit Zog. Kjo padyshim bëri që Sali Niazi Dede, duke u këshilluar me këshillat gjyshërore nëpër vende të ndryshme, të merrte vendimin për të zhvendosur qendrën botërore bektashiane prej Turqije në Tiranë. Ky akt madhor, sot e kësaj dite, qëndron plot dinjitet midis zgjidhjeve të ndryshme të shqiptarëve, përgjatë historisë së vet. Është ndarë nga Ankaraja në janar të vitit 1930 dhe mbërriti në Shqipëri ku zhvilloi një veprimtari të gjërë për çuarjen më tej të bektashizmit në Shqipëri, Ballkan dhe në botë. Salih Niazi Dede, erdhi në Shqipëri me idenë e qartë për rritjen e besimit bektashian, pikërisht në jugperëndim të Evropës të krishterë. Aktiviteti atdhetar i bektashinjve ka pasur mbështetje e plotë të shtetit shqiptar dhe të mbretit Zog. Dekretimi i Hirësisë së Tija Sali Niazi Dedei si Kryegjysh Botëror i Bektashizmit u bë në mars të vitit 1930.

Për 11 vjet me radhë, Sali Niazi Dede, u vu në krye të punëve të vështira për organizimin sa më të mirë të besimit tonë, veçanërisht në trojet shqiptare. Por kujdesi i tij u ndje deri larg, në teqetë bektashiane në Greqi, Bullgari, Rumani, Maqedoni, Serbi, Kosovë e Mal të Zi.

VRASJA e SALI DEDEIT

Dora vrastare, që shtiu mbi Salih Niazi Deden në 28 nëndorin e vitit 1941, ka menduar se do të trembte krejt armatën e klerikëve bektashianë. Në të vërtetë ndodhi e kundërta. Salih Niazi Dedej ra dëshmor për kryerjen e misionit të tij të shenjtë. Komisioni Qendror i Statusit “Dëshmor i Atdheut” e ka shpallur Sali Niazi Dede  ”Dëshmor i Atdheut”.

Deviza jonë “Pa atdhe nuk ka fe” i ka trembur kurdoherë armiqtë e Shqipërisë. Salih Niazi Dede ka qënë dhe mbetet ideatori dhe ndërtuesi i godinës madhështore të bektashizmit në vendin tonë. Albapost, në ciklin e figurave të shquara për vitin 2001, ka emërtuar në emisionin e pullave Salih Niazi Dede. Ka marrë titullin “Dëshmor i Atdheut” nga Këshilli i Ministrave të Shqipërisë, urdhrin “Nderi i Kombit” nga Presidenti i Republikës.

DEDE RESHAT BARSHI PËR SALI DEDEIN

Për klerikun atdhetar, Sali Niazi Dede, është folur dhe shkruar shumë. Ndër të tjera, ish-Kryegjyshi Botëror Bektashian, Dede Reshat Bardhi, i zgjedhur në këtë funksion pas vitit 1990, me rikthimin e besimit fetar, ka pohuar: “Sali Niazi Dede ka qenë dhe mbetet ideatori  dhe ndërtuesi i godinës madhështore të bektashizmit në vendin tonë. Ai ka qenë dhe mbetet reformatori i parë i këtij besimi në vendin tonë, duke e ngritur bektashizmin në nivele të larta përfaqësimi, duke i dhënë frymëmarrje të re.”

Përgatiti faqen: K. BORIÇI