Halil Bregasi: Mall dhe brengë për ushtarakët e Ishullit të Sazanit

164
Sigal

Takim brezash të malluar mes ish-ushtarakësh që kanë shërbyer në bazën ushtarako – detare në Sazan

Nga Halil Bregasi

Më datën 10 shtator 2022, Kryesia e shoqatës “ Detaria Shqiptare” dhe antarët e saj që kanë shërbyer në bazën ushtarako – detare në Sazan organizuan aktivitetin homazh: “Promovimi i vlerave të përbashkëta të kulturës dhe traditave detare shqiptare dhe në veçanti të detarëve të bazës ushtarako-detare në Sazan”, duke përkujtuar me respekt gjithë atë plejadë kuadrosh që kanë dhënë kontributet e tyre në këtë bazë e që nuk jetojnë më.

Pjesëmarrja ishte mbresëlënëse. Përveç kuadrove që kishin shërbyer në Sazan, kishin ardhur edhe pjesëtar të familjeve të atyre që nuk jetonin, bashkë me fëmijët e tyre. Anija “Oriku” e mbushur plot e përplot nga Durrësi, Vlora dhe qytete të tjera, takim shokësh e miqsh aq sa edhe kur u nis anija për lundrim. Nuk kuptohej se po lundronim, vetëm takime dhe pyetje për shëndetin e familjeve sidomos midis atyre që kishin jetuar në  Sazan e që njiheshin, por që jeta i ndau vite më parë. Përgatitja për këtë takim ishte disi e veçantë: ishin përgatitur: një kurorë me lule në emër të Shoqatës “Detaria Shqiptare” dhe buqeta me lule nga pjesëtarë të familjeve të kuadrove që nuk jetojnë. Udhëtimi në det ishte i qetë, ndoshta edhe deti ishte me ne në përkujtim. Nuk ndihej qoftë dhe përplasja më e vogël e dallgëve, megjithëse ato nuk munguan, veçse askush nuk e kishte mendjen tek ato. Në afërsi të hyrjes për në Bazën Ushtarake – Detare Sazan, n/presidenti  Shoqatës, Z. Astrit Aliaj, afrohet tek pjesa ballore e anijes “Orik” për të hedhur kurorën në det. Ndodhi aty afër edhe veterani H. Bregasi. Të dy, në mënyrë simbolike, e ngritën kurorën mbi katër duar që të dukej nga pjesëmarrësit, por edhe në kuptimin që kjo kurorë vinte nga qielli ku prehen shpirtërat e atyre që përkujtohen dhe e hodhën në det. Fill pas kurorës filluan të hidhen buqeta me lule nga shumë familjarë.

Ajo pjesë e hyrjes për në Akuariumin e Sazanit u mbush me lule shumëngjyrëshe sikur të ishte një baçe ku lulëzojnë të gjitha ngjyrat e luleve. Prekëse, për familjarët e miqtë dhe kolegët e tyre. Më në fund “Oriku” bregëzohet dhe njerëzit, sikur të ishin të përgatitur për rastin, të qetë, zbresin në bankinë. Që këtu fillon mërzitja. Bankinë e shkatërruar nga forca e dallgëve dhe e pambrojtur nga njeriu. Sidoqoftë njerëzit të ndërgjegjshëm për atmosferën që do të shohin, ecin për të dalë diku në një hapësirë, që dikur ishte e shtruar me asfalt. Ecin pas atyre që drejtonin ceremoninë. Jo pak u shkëputën për të shkuar atje ku dikur kishin jetuar e rritur fëmijët, në shtëpitë e shkatërruara. U mblodhën në oborrin e vogël të një njësie, që qëndron si roje e vëzhguese se kush hyn e del nga kjo bazë. Dikur aty ka qenë dyqani ushqimor i familjeve të marinës. U vendosën flamujtë e zbukurimit, tavolinat dhe fonia. Ishte vërtet bukur megjithëse e sajuar aty për aty. Këto janë kushtet atje, edhe kaq ishin shumë. Erdhi momenti. Mbas dëgjimit të Hymnit Kombëtar, u bë apeli i kuadrove që nuk jetojnë, ku në një mënyrë simbolike, përgjigjej komandanti i njësisë detare Pashaliman dhe një kuadër i anijes “Oriku” me përgjigjen: “Këtu”! Në kuptimin që ata janë gjallë e midis nesh jo fizikisht, por me jetën dhe veprimtarinë e tyre për Flotën Ushtarake – Detare dhe në veçanti për Bazën në Sazan.

Por mua personalisht më bën nostalgjik historia e atij ishulli që është e lidhur me gjithë Historinë e Kombit tonë. Shkurtimisht për ta ditur nga ata që e shikojnë nga bregu i detit si një mal mes detit: Ky ishull përmendet qysh nga shek.VI  para Krishtit dhe ai shënohet nga mjaft gjeografë grekë e romakë me emrin Sason. Pra, për derisa ka një emër, ka dhe jetë, sepse ishujt e pabanuar në harta detare shënohen me shenja e pa emra. Një kohë të gjatë ka qënë nën zotërimin e Venedikut, më vonë, në kohët e reja u pushtua nga anglezët, por në shek. XV, me pushtimin e vëndit tonë prej osmanëve, u pushtua prej tyre. Gjatë luftrave ballkanike u pushtua nga Greqia, të cilën e detyroi të largohej prej aty Konferenca e Ambasadorëve e 1913-s. Gjatë Luftës I Botërore u pushtua nga Italia që e mbajti deri në shtator 1943 kur Shqipëria u pushtua nga gjermanët. Më 21 tetor 1944 u çlirua nga partizanët. Sipërfaqja e tij është 5.7 km katrorë, gjatësia 4.8 km, gjerësia më e madhe 2 km, lartësia e pikës veriore 342m, ndërsa e jugut 331m. Sipas një studiuesi italian, Antonio Baldaçi, ka patur një fshat me emrin Shën Koll nga i cili ka marrë emrin gjiu ku është ndërtuar porti, por nuk jepen hollësi. Për qënien e vendbanimit flitet në dokumentet osmane, regjistrimi i vitit 1431, ku gjejmë dhe emrin e fshatit Sebep. Ka të dhëna: në vitin 1780 kishte 47 shtëpi si dhe kishën e Shën Kollit. Ky fshat kishte një flotë detare me 34 anije dhe bënte tregëti me Brindisin, Venecian, Triesten, Dubrovnikun, Spanjën, Francën Egjiptin, Maltën, Ulqinin, Prevezën, Himarën, Vlorën dhe Durrësin. Pra, kanë qënë detarë të zotë. Në fillim të shekullit XIX, Ali Pashë Tepelena nisi të ushtronte pushtetin e vet në krahinat vetëqeverisëse, si Himara, Suli, Labëria dhe gjer në ishullin e Sazanit. Ekspeditat e Pashait të Janinës ndeshën në rezistencën e banorëve të Himarës e të ishullit të Sazanit. Qëndresa e banorëve të Sebepit zgjati 8-9 muaj, por zëmërimi i Pashait të Janinës bëri që ta rrafshonte këtë vendbanim të lashtë. Sipas studiuesit italian Antonio Baldaçi, thuhet se kur piratët e Ali Pashës shkatërruan fshatin Sebep, 13 familje u internuan në Salahorë të Greqisë, të tjerët gjetën strehim në lagunën e Vlorës, sidomos në manastirin e Zvërnecit, ku formuan ato pak fshatra, duke ruajtur fenë dhe gjuhën e baballarëve.  Gjiu  i Shën Kollit, që ishte gjiu ku ndodhet dhe porti i vogël,  ishte vëndbazimi i Flotës Detare Luftarake, përjashtuar nëndetëset. Deri në vitin 1964 aty ishin të bazuara: 6 ks; 6 Dr. vogla; 2 Dr. të mëdha; 4 Gjuejtsa detarë të mëdhenj; artileri bregdetare dhe kundërajrore; kompani e grupe speciale. Sazani ka qenë i banuar në të gjitha kohërat, edhe gjatë periudhës kur atje ishin italianët, madje ka një toponim: “Plazhi Admiralit”, që do të thotë se atje vinin ushtarak të lartë, ka edhe fotografi të familjeve italiane, që banonin aty. Në vitin 1965, atje kishte rreth 60 familje dhe ato erdhën duke u shtuar. Në përgjithësi terreni shkëmbor i pyllëzuar ishte pothuajse me gjelbërim gjithëvjetor. Uji ishte shumë i pakët, ishin shpuar vetëm tre puse, ku kishte dalë ujë, por jo i mirë. Në bazën Detare kishte një depo të ndërtuar nga italianët, rreth 350-400 tonëshe, dhe prej aty, me pompa, uji dërgohej në një depo në kodrën mbi banesat. Vetëm në dy periudha ky ishull ka mbetur shkretë: në atë që shkruam më lart, pra, kur Ali Tepelena e rrafshon fshatin Sebep dhe periudha Berishiane e 1997 dhe të atyre që pasuan, kur familjet që jetonin aty u detyruan të largoheshin drejt perëndimit për të mbijetuar. Më thoni: kush nga ju e përfytyron këtë largim? Hajde lëri të gjitha orenditë shtëpiake, shtresa e mbulesa e çdo gjë që nevojitet për jetën më modeste, merr rrobat e trupit e fëmijët dhe largohu të shpëtosh kokën!? Vallë kaq e thjeshtë qënka dhe këta njerëz, kur kthehen nuk gjejnë jo vetëm çfarë lanë pas, por as jetë njerëzore?? Duhet të quhen këta “Nostalgjikë”??  Respekt për të gjithë.