Gëzim Tushi: Divorci dhe statusi i gruas së divorcuar…

390
Sigal

“Statusi i të divorcuarës” kurrë nuk mund të jetë pozitiv dhe optimist,

 

Shumica e grave shqiptare nuk e kanë të lehtë “statusin e divorcuarës”

Gëzim Tushi, sociology, “Mjeshtër i Madh”

 Jetojmë në një shoqëri postmoderne, në të cilën akte të tilla sociale, personale e private sikurse janë martesa, divorci, beqaria janë bërë definitivisht dhe për fatin e mirë të njeriut dhe shoqërisë “zgjidhje” dhe “zgjedhje” individuale. Ka ikur koha kur në shoqërinë shqiptare në të gjitha rastet personalja, jo vetëm që ishte çështje publike, por madje edhe në kuintesencën e saj shfaqej si problem i determinuar politik. Është një revolucion i madh social, fakti që sot martesa dhe divorci janë vetëm “zgjedhje individuale” jashtë çdo determinimi mekanik moral, social apo politik. Ato kanë ndikim, por ai është më shumë konceptual dhe me ndikim gjithnjë e më periferik. Koha që jetojmë është duke i shërbyer zgjerimit të lirive dhe të drejtave të patjetërsueshme të individit, për të qenë i lirë dhe sovran për vendimet që merr me mendjen dhe trupin e vet. Kjo është njëra anë, por duhet parë edhe ana tjetër e medaljes, që ka ndikim të gjërë social. Padyshim numuri i madh i divorceve, është  fenomen shqetësues jo vetëm për individët e divorcuar, për statusin e tyre, por dhe për turbulencat që implikojnë edhe shoqërinë. Besoj se duke vlerësuar sasinë, intensitetin dhe ritmin e vazhduar e të pandërprerë të divorceve në shoqërinë tonë, unë besoj se duhet të kemi një vlerësim ndryshe të tyre.  Na duhet një shikim më i gjërë për enumeracionin e shkaqeve të këtij masivizimi të divorcit, duke i “skanuar” dhe duke u dhënë “emrin e duhur” secilit prej tyre. Shikimi i njëanshëm i shkaqeve, korniza e ngushtë e vlerësimit të ontologjisë së tyre, duke i reduktuar vetëm në lidhjet dhe marrëdhëniet në çift apo bazuar vetëm në veçoritë e formimit kulturor, psikologjik, “stofit” të trashëgimisë familjare, është padyshim i drejtë, por nuk është i mjaftueshëm për argumentimin e fenomenit në dimensionin social.

Divorci, kjo gangrenë sociale

Divorci, kjo gangrenë sociale e shoqërisë tonë nuk mund të shpjegohet dhe as të argumentohet duke u mbështetur vetëm në një faktor. Besoj që një shikim i inegruar i shkaqeve, faktorëve të integruar do të ishte më afër të vërtetës, duke bashkuar statusin e lëkundur të familjes shqiptare nga njëra anë, dhe bashkë me të edhe një lloj krize të strukturave makroshoqërore të shoqërisë shqiptare, e cila në këto momente është tejet e dallueshme. Do të ishte naivitet sociologjik nëse kur analizojmë dukurinë e divorcit, e shikojmë të mbyllur brenda “kullës së fildishtë” të martesës dhe neglizhojmë ndikimin që kanë turbulencat sociale, krizat e gjithanshme morale të jetës së sotme shoqërore. Megjithatë fenomeni i divorcit, problemet sociale që e bashkëshoqërojnë atë duhet t’i shikojmë më një optikë ndryshe. Kjo sepse të divorcuarit në shoqërinë tonë numerikisht janë bërë një “shtresë sociale”, me femra dhe meshkuj që ndodhen në situatën pas divorcit duke qenë sikurse thonë sociologët e martesës “beqarë për së dyti”. Unë besoj se kjo shtresë nuk duhet vlerësuar vetëm nga pikëpamja statistikore dhe situate numerike e aritmetike. Fenomeni nuk është vetëm “objekt për INSTAT-in, për të na dhënë shifra të përditësuara. Përkundrazi situata e divorcit na detyron të bëjmë analiza, studime më të thella të ontologjisë, metafizikës dhe problemeve të shumta endemike të divorcit dhe në aspektin e pasojave sociale edhe për “statusin e të divorcuarit”. Sidomos, ndoshta për shkak të traditës dhe peshës sociale që ka patur dikur divorci në shoqërinë tonë, duhen parë indikacionet dhe komplikacionet me të cilat shoqërohet dhe pasojat që sjell tek femra e divorcuar. Sepse tek ato divorci sjell më shumë pasoja sikurse mund të jetë vetmia dhe sidomos përgjegjësia dhe vështirësinë e riorientimit në jetën e re postdivorcit, në luftën individuale për të rivendosur statusin e ri. Që nuk është i lehtë dhe pa vibracione shpirtërore, ekonomike, financiare, sociale dhe edukative. Sidomos për ato gra që kanë në ngarkim, nën përgjegjësinë e tyre edhe fëmijët e martesës së përbashkët.

Pasojat

Studimet, faktet dhe analiza e situatës së grave të divorcuara në Shqipëri nuk është as e njëjtë, as e barabartë. Ka gra që dalja nga martesa i bën më të “lira” për të ndjekurr rrugën, synimet dhe ambicjet e tyre dhe statusi i “beqarespër së dyti” i bën ato të shfaqin më shpejt aftësitë, zoteësitë, hiret dhe personalitetin e tyre të plotë në jetën sociale. Është vërtetë shumë positive fakti që gra të tilla, për shkak të kontributeve të tyre por edhe një lloj “fati” në jetë, janë në gjëndje që pas divorcit jo vetëm që nuk tronditen nga “vetmia” por janë më të zonjat dhe tregojnë aftësi për të marrë të sigurta në dorë “timonin” e ri të jetës, duke mos e ndjerë peshën e statusit të të divorcuarës. Janë me dhjetra gra të divorcuara që punojnë në arsim, shëndetësi, administratën publike apo në sekstorin privat dhe shoqërinë civile, të cilat “humbjen” nga divorci e kthejnë në energji të shfaqura me një forcë të re në punë, zhvillim, karrierë, ambicjet personale. Këto janë të divorcuara por nuk janë të dekurajuara nga divorci. Por këto nuk janë shumë dhe nuk përbëjnë statistikisht shumicën e grave të divorcuara. Ato për fat të keq janë pak. Shumica e grave shqiptare nuk e kanë të lehtë “statusin e divorcuarës”, sepse ato pas divorcit kanë probleme serioze me varfërinë, nga që kanë qënë vetëm “zonja shtëpie” apo gra të papuna, pa të ardhura të sigurta. Duhet vlerësuar fakti që tani në shoqërinë shqiptare, ndryshe nga tre dekada më parë, divorci nuk përjetohet si “tragjedi”. Madje, gjithnjë e më shumë shoqëria shqiptare, përtej problemeve që sjell dhe shqetësimeve që e shoqërojnë, divorci shikohet si diçka normale. Dhe mos harroni vijmë nga një shoqëri, që jo shumë larg ishte intolerante për shkak të kornizës ideologjike dhe parimeve morale patriarkale, dhe me shumë vështirësi e pranonte divorcin. Në kushtet tona pothuaj është kapërxyer stigmatizimi i individit, sidomos gruas së divorcuar. Një gjë evidentohet qartë në shkaqet e diversifikuara personale e sociale të divorcit. Gratë dikur me pamundësi gati absolute për të bërë divorcin kur martesa nuk funksiononte, sot janë më të lira ta bëjnë atë.

Shoqëria shqiptare po bëhet gjithnjë e më liberale.

Nga kjo klimë sociale progresive, duket se janë gratë që kanë mundësi të ndërmarrin iniciativën, të kërkojnë divorc bashkëshortor nëse martesa bëhet e vështirë, problematike apo kur ajo reduktohet në një marrëdhënie “pushteti mekanik” maskilist apo çifti bëhet “fasadë” me partnerë indiferentë, që nuk e duan dhe as e respektojnë njëri tjetrin. Padyshim megjithë ndryshimet kulturore dhe transformimet e mentalitetit social, në shoqërinë tonë akoma ka mbeturina gjykimesh maskiliste dhe paragjykime për gratë e divorcuara. Për shkak të kornizës kulturore maskiliste dhe shikimit të divorcit më së shumti si “përgjegjësi femërore. Sot statusi i përmirësuar i gruas së divorcuar, aftësia e saj për të qënë sovrane, e pavarur nga një martesë asfiksuese dhe një burrë që nuk është partner i denjë, ka njerëz që e gjykojnë si “shkak” që ndikon në rritjen e numurit të divorceve. Është e vërtetë që nga divorci për shkaqe të motivuara vërtetë femra bëhet “beqare për herë të dytë”, por nga ana tjetër është krejtësisht në dorën e saj, mënyra si e përjeton etapën e post-divorcit dhe bashkë më të edhe “statusin e divorcuarës”. Me shfaqje të pakënaqësive psikosomatike, ankth personal apo izolim social, apo si një moment të rimarrjes së jetës nga një “platformë e re” personale dhe sociale. Padyshim është i pranishëm rreziku në shumë raste që pas divorcit, statusi i gruas përkeqësohet nga ndikimi i rrethanave të disfavorshme të jashtme, por dhe implikacionet e përjetimit të gabuar të situatave të brendshme. “Statusi i të divorcuarës” kurrë nuk mund të jetë pozitiv dhe optimist, nëse atë e shikon me gjëndje permanente ankthi, dëshpërimi personal. Aftësia e gruas moderne është rrigjetja e optikës për ta kthyer në situatë të dobishme “statusin e të divorcuarës”. Qoftë duke ecur në jetën e re personale “vetëm”, por jo e vetmuar, e ndarë artificialisht nga njerëzit, jeta sociale apo duke gjetur mundësi të reja dhe të bëjnë “rimartesë”. Pse jo nuk është “mëkat” që nëse partnerët kuptojnë gabimet e shkuara, dhe i bëjnë një autodafe të sinqertë njëri tjetrit edhe mund të ribashkohen në martesën e tyre të parë. Historia tregon se në shumë raste “ribashkimi martesor” ka funksionuar dhe më pas historia e martesës “pas divorcit”  ka qënë definitivisht e suksesshme. Nuk ka arsye pse për të divorcuarat, “statusi”të jetë barrë individuale absurde apo të mbulohet nga paragjykimet sociale të ndryshkura të shoqërisë së vjetër.

Gëzim Tushi, sociolog

Mjeshtër i Madh