Ushtria jonë jo vetëm nuk u forcua dhe nuk u modernizua por gjatë viteve të “postmonizmit”, erdhi vazhdimisht duke u dobësuar
Kam mall për fushat ku vinte aromë gruri,
për poligonet ku harlisej i plotë blerimi,
për ushtarin që e vinte kokën në majë guri,
për çastet kur flakë e zjarr ndizej kushtrimi…
O kohë gjurmëlënëse, kohë lavdie,
s’të ulin dot në gjunjë hajdutëritë!
Se cak më cak i ramë kësaj shqiptarie.
Në çdo pëllëmbë tokë mbollëm dashuritë.

Që në moshën katërmbëdhjetë vjeçare kam ikur nga shtëpia ime në Lurë, duke lënë pas kujtime dhe emocione të fëmijërisë, moshës më të bukur të njeriut dhe pjesa më e madhe e jetës së deritanishme më ka kaluar me kapele ushtarake në kokë. Ushtria ka qenë dhe mbetet familja ime e dytë, streha, shtëpia, pasioni, vizioni im për jetën, deviza për atdheun, lirinë dhe kombin e tokës së shqiponjave.
Në kohën e monizmit ushtria ishte solide, me një disiplinë të hekurt, me një gadishmëri të lartë, me shpirt sakrifice dhe vetëmohimi, që buronin natyrshëm nga vetëdija e ushtarakëve dhe e gjithë popullit të armatosur për të mbrojtur lirinë dhe sovranitetin e tij.
Pas vitit 1991, ushtria iu nënshtrua sprovave të një kalvari të trishtë. Rënia e saj morale, u shoqërua me shkatërrimin e reparteve dhe strukturave të saj, me shitjen e armatimit jo për llogari të shtetit, por të strukturave të oligarkive politike e ushtarake, që pasonin njëra tjetrën, për të kulmuar me vitin 1997, kur u hapën depot me armë e municione, bashkë me teknologjinë e klasifikuar ranë në duart e krimit të rrugës dhe të bandave të armatosura.
Arsyet e shkatërrimit të ushtrisë, më së shumti, duhen kërkuar në përvojën dhe në masat e marra pas vitit 1991,në të ashtuquajturën “politikë të mbrojtjes”, që u ndoq
nga klasa jonë politike, pas vendosjes së pluralizmit politik në Shqipëri, në “reformën” që u programua dhe zbatua në fushën e mbrojtjes.
Ishte e logjikshme që, në kuadrin e ndryshimeve rrënjësore në fushën politike, sociale dhe ekonomike, që po kryheshin në vendin tonë, edhe në fushën e mbrojtjes, qoftë në sferën e mendimit ushtarak e të politikës ushtarake të shtetit shqiptar, ashtu edhe në drejtim të strukturës organizative dhe të aktivitetit praktik të ushtrisë të bëheshin ndryshime të mëdha. Pra ishte plotësisht e drejtë dhe e nevojshme të kryhej, ajo që në ato vite u quajt “Reforma në Ushtri”. Një objektiv të tillë e kishin parashtruar të gjitha forcat politike opozitare me PPSH, në programet e tyre elektorale. Konkretisht ato deklaronin se do të punonin për ta ngritur ushtrinë tonë, si nga pikëpamja organizative ashtu edhe përsa i përket përgatitjes dhe pajisjes së saj teknike, në nivelet e ushtrive
të vendeve të tjera të zhvilluara. Të gjithë shqiptarët, veçanërisht ne që kishim punuar gjithë jetën në ushtri dhe që ia njihnim realisht, asaj, edhe arritjet, por edhe të metat, në raport me standardet ndërkombëtare, e uronim një gjë të tillë.

Por fatkeqësisht nuk ndodhi kështu.
Ushtria jonë jo vetëm nuk u forcua dhe nuk u modernizua siç deklarohej, përkundrazi, gjatë viteve të “postmonizmit”, erdhi vazhdimisht duke u dobësuar, në të gjithë komponentët e saj, deri sa ndodhi ajo që neve kurrë nuk na kishte shkuar në mendje, shkatërrimi i plotë i saj.
Ky proces shkatërrimi nuk është rezultat vetëm i ngjarjeve të pranverës së vitit 1997. Këto ngjarje qenë akti i fundit i tragjedisë. Shkatërrimi ushtrisë sonë lidhet me një sërë veprimesh të ndërmarra, edhe me qëllim, përgjatë viteve 90-të. Shkatërrimi i ushtrisë, në mënyrë të padeklaruar, ka qenë synimi i forcave politike që erdhën në pushtet pas vitit 1992. Këtë të vërtetë të hidhur e venë në dukje edhe përfaqësues të ushtrive të huaja, të atashuar pranë qeverisë dhe Ministrisë së Mbrojtjes shqiptare. Ndër ta, këshilltari i lartë ushtarak amerikan pranë Ministrisë së Mbrojtjes, në vitet 1995-1997, Charles Lane thotë se ’’Ushtria Shqiptare është e prirur dhe e hapur ndaj ndryshimeve. Por, problem kryesor ishte se qeveria kishte vendosur për ta shkatërruar gjithçka të mëparëshme, pavarësisht nëse ishte e vlefshme apo jo’.’Momenti që do të niste aradhën e rënies së ushtrisë dhe të forcave të armatosura nën pushtetin e oligarkisë
civile dhe politike ishte sulmi politik mbi ushtrinë duke e quajtur atë një “detashment të regjimit komunist” dhe duke i quajtur oficerët dhe ushtarakët e shkëlqyer shqiptarë bartës të psikozave komuniste e duke i luftuar me të gjitha format dhe mjetet e një lufte të re klasore.
Në fillim të viteve ’90, opozita politike, që erdhi në pushtet, duke vlerësuar gabim situatat politiko-ushtarake në rajon e në nivel global, ndryshuan plotësisht konceptin strategjik dhe politikën e mbrojtjes së shtetit shqiptar. Në vija të përgjithshme u promovua koncepti se tashmë rreziku i luftës në rajon e veçanërisht kundër vendit tonë nuk ekzistonte më. Dhe, nëse do të paraqitej ndonjë rrezik ne do t`a përballonim atë në kuadër të veprimit të strukturave ushtarake ndërkombëtare, veçanërisht në kuadër të NATO-s. Ndryshimi i konceptit për mbrojtjen u pasua me veprime që në fakt shumë shpejt çuan në dobësimin e kapaciteteve morale dhe ushtarake, deri në shkatërrimin e plotë të ushtrisë.
Që në krye të herës pati një përfytyrim dhe qëndrim të gabuar të pushtetarëve të rinj ndaj ushtrisë; në kuadrin e të ashtuquajturës “luftë kundër përvojës së viteve të socializmit”. Ushtria u konsiderua si një instrument dhune në dorë të PPSH dhe të udhëheqjes saj. Duke e konsideruar të tillë ushtrinë, ajo filloi të shihej dhe të goditej
si një e keqe e madhe, dhe më shumë si një barrë e panevojshme për popullin shqiptar. Nisur nga disa detyra që mori përsipër, sidomos aksionet në ruajtje të rendit, të qetësisë publike dhe objekteve të rëndësishme politike, sociale, ekonomike dhe ushtarake, ushtria u akuzua si forcë e errët në dorë të udhëheqjes së PPSH. U stisën edhe veprime, si demonstrimet e shkollave ushtarake në mbrojtje të veprës e të monumenteve të Enver Hoxhës, vetëm e vetëm për ta paraqitur ushtrinë si një mjet presioni kundër zhvillimeve demokratike në Shqipëri. Në të njëjtën kohë u godit baza morale, fondamenti mbi të cilin ishte ndërtuar koncepti ynë mbi mbrojtjen, sipas të cilit
“mbrojtja e vendit ishte përgjegjësi dhe detyrim moral për çdo qytetar”.
Nuk mund të mohohet fakti se në epokën socialiste u bë shumë për ushtrinë, u modernizua dhe perfeksionua ajo, u përgatitën kuadro të aftë për të përballuar detyrat e kohës e në këtë kuadër, ushtria, duke ruajtur strukturën kushtetetuese dhe sovrane të territorit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë, ruante dhe apogjetët e rendit shoqëror komunist.
Me kujdes dhe djallëzi u përpunua një opinion i shtrembër se gjoja çfarë ishte bërë në fushën e mbrojtjes nga PPSH na paska qenë e panevojshme, na paska qenë një shfaqje e megalomanisë së saj dhe një barrë e rëndë, e kotë, për ekonominë, për popullin dhe shtetin shqiptar. Në kronikat televizive qytetarët filluan të “flisnin” me neveri për ushtrinë, për stërvitjen ushtarake, për zboret, për provat e gatishmërisë, për fortifikimin etj. Mohuesit e veshur me qyrk politik, me “kompetencë” deklaronin edhe pa vërtetësinë e një rreziku ushtarak ndaj vendit tonë. Çdo ditë televizioni paraqiste njerëz, me vare dhe me vegla të tjera vetëm për të marrë një sasi të papërfillshme hekuri ose për të liruar një sipërfaqe të vogël toke, për interesa private. Për të diskredituar sistemin tonë të fortifikimit u formulua cilësori “i bunkerizuar” dhe u arrit deri atje sa të dekonspiroheshin objekte të karakterit tepër sekret.
E gjithë kjo propagandë synonte të krijonte te njerëzit e thjeshtë, tek qytetarët bindjen se “çështja e mbrojtjes ka qenë vetëm një alibi e PPSH dhe e Enver Hoxhës, për të garantuar jetëgjatësinë e pushtetit të tyre dhe se vendit tonë nuk i kanosej asnjë rrezik ushtarak”.

Ky opinion i ndërtuar mbi të vërteta të falsifikuar, çoi në rënien e moralit dhe shkatërrimin e strukturave ushtarake, në vjedhje galopante, të cilat mbuloheshin me fjalime propagandistike “kundër Diktatorit” dhe “ushtrisë komuniste”. Depot ushtarake, ku kishte aq shumë armatime e municione, sa Shqipëria, nëse i shiste për interesa të saj (gjë që nuk do të ishte aspak e drejtë) të jetonte pa punë me të gjithë të mirat për njëzet vjet! Po nuk u shitën për interesa të Shqipërisë, çfarë do të qe e keqja më e vogël, por për interesa të ministrave, këshilltarëve të lartë ushtarakë e civilë, gjeneralëve, politikanëve të lartë të oborreve politike, që për të fshirë çdo gjurmë të kësaj hajdutërie të paparë ndonjëherë në faqe të dheut, organizuan hapjen e depove dhe grabitjen e gjithçkaje, duke i kthyer depot ushtarake, ku “pjesa e luanit” qe shitur më përpara, në tokë të zezë!
Shkatërrimi ndodhi duar-duar në emër të reformave, reforma të ndërmarrë në ushtri, pas vitit 1991, të cilat nuk të çonin askund përveçse në përdorimin politik të ushtrisë dhe të Forcave të Armatosura dhe në ligjërimin e hajdutërisë, që u bë “shkolla dhe modeli” nga po ecte ushtria e re shqiptare! Përkundër deklarimeve, se gjoja reforma do të forconte dhe do të modernizonte ushtrinë tonë, ndodhi e kundërta, kjo “reformë” nxiti më tej procesin e dëmtimit dhe të shkatërrimit të ushtrisë shqiptare!
Në vend që reforma, që u aplikua në ushtri, të bazohej në kritere shkencore, pra të realizohej mbi bazën e një programi, që do të garantonte në të njëjtën kohë ndryshimet
e domosdoshme në fushën e organizimit, të përgatitjes dhe të pajisjes së ushtrisë, por edhe mbajtjen në gjendje gatishmërie luftarake të të gjithë elementeve të mbrojtjes dhe, mbi të gjitha, të forcave të armatosura, ndodhi një demotivim i ushtrisë në strategjinë e saj operative për të përballuar rrisqet potenciale të një strukture solide të përgatitur për mbrojtje kombëtare.
Përvoja ime në ushtri në kohën e kësaj “reforme” ishte një përvojë e zymtë, ku ne si ushtarakë nuk stimuloheshim në bazë të cilësive dhe dhuntive të shfaqura në punën
tonë, por në bazë të meritokracisë partiake; nëse do të kishe shansin e keq të kapeshe duke blerë gazetën “Zëri i Popullit” të nesërmen të flaknin nga ushtria, pa asnjë lloj ceremonie, në mënyrë të ftohtë, “në emër të reformës”!



















