Gëzim Llojdia: Një takim i rastësishëm me Koço Devolen

286
Sigal

Si u shqetësua artisti i madh pasi Filip Çakulin e thirrën te SHIKU

1.
“RD” ishte gazeta me zyrat e saj aty ku sot më duket se është Komuniteti Mysliman. Aty takova Zefin një mirditor të mirë gazetar, redaktori i rretheve dhe njeri i qet, burrë i besës. Zefi më thotë të dalim të pimë kafe jashtë. I dhashë një shkrim. Më tepër ishte një intervistë me një nga aktorët e mëdhenj të Vlorës, që kishte shumë role në teatër, por edhe në kinematografi dhe kishte lënë gjurmë të pashlyeshme. Bëhej fjalë për aktorin Myqerem Ferra që së bashku me bashkëshorten Meliha Ferrën e kishin shkuar jetën me shumë role në skenë. Aty te dera që ishte hapur qëndronte një burrë me flokë të rëna. Në fytyrë m’u duk i njohur por, s’po e kujtoja dot. Ishte shkrimtari Fatos Kongoli. Punonte si redaktor dhe më thotë t’ia jepja atij shkrimin.
-E kam njohur Myqeremin, -më thotë- në rolet në teatër. Nuk e di çfarë kishte shkruar shkrimtari F.Kongoli, por dukej që e njihte mjaftë mirë Myqeremin, një personazh tipik lab në filmin : “Kur zbardhi një ditë”.

 


2.
Dolëm për kafe nja 100 m larg selisë, aty ku kioskat kishin zaptuar Tiranën, në çdo skaj. U ulëm diku aty dhe porositëm kafe. Nuk kaluan më tepër se 4-5 minuta ende s’kishte ardhur kafeja, kur Zefi më thotë: Koçua është ai?!
-Cili Koço? – i them unë.
-Koço Devole,- thotë Zefi dhe i thërret:
-O Koço, kë kërkon?
-Ty po të kërkoja –thotë Koçua.
-Pse çfarë ka ngjarë?- e pyet, Zefi.
-Kanë marrë Filipin –thotë Koçua.
-Kush e mori ?
-Kush? SHIK-u, kush tjetër.
-Si, e nga e di ti këtë pse e morën? –pyet Zefi.
-Po hajde ulu njëherë pi kafe dhe llafosemi – i thotë Zefi.
Koço e kish parë vetëm në TV lajmin. Ishte hera e parë që po e shikoja kaq të shqetësuar, por thirrjet e tij dhe alarmi më ngjanin si ato batutat që bënte në skenë. Më shumë më vinte për të qeshur me sjelljen teatrale dhe alarmin që në fakt ishin të vërteta, por ngaqë ishim mësuar me rolet dhe shfaqjet e tij të shumta edhe kur fliste seriozisht të dukej se bënte teatër. Ishte e çuditshme se ai ulej dhe ngrihej nga karrigia. Pastaj tha:
-Shkova në mëngjes të shtëpia e Filipit (Çakuli) por më thanë se kishte marrë SHIK për një numër të gazetës ‘Hosteni’ që po përgatiste atje te redaksia juaj. Filipi punote te gazeta dhe ishte më duket te kati i parë dhe përgatiste numrat e humorit për gazetën dhe ndërkaq nxirte edhe nga një numër të revistës së dikurshme: “Hosteni”.

3.
-Zef, -i thotë Koço,- isha te zyra jote dhe më thanë ka dalë dhe po të kërkoja andej- këtej. Tani shko te zyra dhe na sill ndonjë lajm për Filipin.
Zefi çohet.
-Më prisni këtu,- thotë .
Koço ishte përballë meje dhe ndërkaq më pyet:
-Ti gazetar je?
Po,- i them, -po nga Vlora.
-D.m.th, je nga ata që e kanë zemrën gropë apo jo…
-Po, po nga ata i thashë.
-Pse je munduar -më thotë- deri në Tiranë?
-Çova një intervistë me aktorin Myqerem Ferrën.
-Aha, Myqon… Ka aktorë të mirë Vlora.
-Po Leka ç’bën ?.
-Leka i madh bënë humor kudo, në skenë, në jetë,- i them.
Koço dukej i hutuar dhe s’e mbante vendi. I thashë se kisha parë në Tvsh atë shfaqjen e bukur.
-Kë, tha?
-Atë,- i thashë- që ndërsa ti ishe duke dhënë lajmet, kalon dikush nga pas.
-Po ky çdo këtu? Nuk e kishte radhën tani. Ishte një gjetje e bukur dhe e veçantë plotë humor.
Kaluan më shumë se gjysmë ore dhe Zefi s’po dukej.
-Çohemi thotë Koço, vemi te zyrat e Zefit.
Te zyrat e gazetës si gjithmonë rrëmujë, ca hynin, të tjerët dilnin. Zefi doli nga një zyrë pak i hutuar dhe i zhgënjyer.
-Ja ku është, -thotë Koço.
-Hë Zef, – e pyet, -çfarë u bë?
Zefi ishte disi i menduar dhe thotë: “S’ka gjë, ishte vetëm një sqarim dhe tani do kthehet në shtëpi”.
-Po përse, për një numër të gazetës ‘Hosteni’, që sigurisht nuk do të botohej.
-Tjetër çfarë të thanë, -e pyet Koço?
-Do kthehet në shtëpi, ishte për një sqarim për një numër të ri të revistës : “Hosteni”
-Po çfarë sqarimi, -thotë Koço. Atë e kanë marrë nga shtëpia dhe ishin bërë merak dhe nuk dinin ku të shkonin, prandaj erdha te ty.
-Tani do vij, -thotë Zefi, -kur do vijë edhe pyete, dhe diçka bisedon nga afër me Zefin. Koço na dha dorën para se të ikte dhe nxitoi të dilte për të takuar Filip Çakulin. Krejt takim i rastësishëm me humoristin Koço Devole, aktorin që iku siç shkruan Lasgushi: “Fluturoi dhe shtergu i fundit madhështor…..”