Gëzim Llojdia: Në ç’orë niset treni për në Europë?

160
Sigal

Treni ynë ka ngecur në stacion. Udhëtarët me bagazhe kanë vite, që presin. Pyetja e tyre mundonjëse ka qenë prej vitesh: Kur niset treni tjetër për në Europë?

Aty s’gjen as faturino me fener në dorë, as përgjegjës stacioni që të të japi një shpjegim.

Të gjithë ngrenë supet, rrudhin buzët, psherëtijnë: Ishallah, e lënë punën në duart e Perëndisë:

-Do Zoti, mërmërijnë.

Tani, që të merrni vesh shkoqur: Duam të niset treni për në Evropë dhe pyesim: çfarë orari ka, ku ndalon, në ç’stacion, kur mërin në Europë etj? Mirëpo përpara të gjithë këtyre pyetjeve e gjej një gjysmë përgjigje, te një sentencë e folklorit. Në të vërtetë: A ka tren, që niset apo jo?

Në fakt, binariN që është caktuar për të qëndruar treni ynë ka vite, që e kanë mbuluar shkurret. Të gjithë sytë i hedhin veç nga treni, po binari ynë ballkanik, që rri e pret dhe në kaq vite, në pritje për të shkuar në Evropë si shtetas të kësaj Evrope.

2.Meqë përmendëm trenat, këto mjete të lëvizshme me shina, vendi ynë ka një përvojë të hidhur. Trenat në këtë vend filluan të lëvizin vetëm atëherë në këto vite: 7 nëntor 1947Durrës – Peqin: 23 shkurt 1949 – Shkozet – Tirana: 22 dhjetor 1950 – Peqin – Elbasan – Krasta / – Cërrik 7 maj 1963Vora – Laç: 13 tetor 1968 : Rrogozhina – Fier; 20 mars 1972 : Krasta – Librazhd; 10 mars 1974 : Librazhd – Prenjas; 9 mars 1975 : Fier – Ballsh; gusht 1979 : Prenjas – Pogradec; prill 1981 : Laç – Lezha:25 janar 1982 : Lezha – Shkodra: (Trafiku i mallrave që më 11 nëntor 1981) 11 janar 1985: Shkodra – Han i Hotit; 14 tetor 1985  Fier – Vlora (Trafiku i mallrave deri Narta që në janar 1985) Fundi i viteve 1980 : Milot – Rrëshen,

Pasi rinia e këtij vendi ndërtoi më parë udhët e këtyre trenave Evropa plakë kishte vite, që mbante të instaluar jo vetëm trenat, por edhe tramvajet, vetëm këtu për çudi në këtë truall të lashtë, trenat erdhën vonë dhe punuan vetëm për një sistem ekonomik të caktuar.

…Sapo hyri “krimbi” dhe shfryu llafi se udhët e Evropës plakë u hapën edhe për banorët e këtij trualli, trenat patën punë, mirëpo më pas udhët e tyre dhe punesat e tyre mbetën aq larg botës dhe zhvillimit sa mund të thuhet se gjithë ky investim i rinisë shqiptare shkoi dëm. Trenat shqiptarë janë trenat më të lodhur të botës. Binarët ku nisen dhe stacionet ku ata qëndrojnë janë kandisur në ca sheshe plot ferra. Trenat nuk janë më në modë, në këtë vend. Në Perëndim trenat, janë një alternativë e mirë transporti, veç në këtë vend jo. Shpejtësia e tyre është lemeritëse dhe mundonjëse. Dikur trenat e fundit qëndronin edhe nëpër ca fshatra të vegjël ku kishte stacione të vegjël, që sot nuk ekzistojnë më.

Ka edhe një shkak tjetër. Përse trenat nuk nisen nga  Tirana, për në Evropë? Mirë do të qe, por ka një pengesë të vogël: në Tiranë nuk ka më as tren dhe as stacion treni.

Dikur vite më parë në qytetin tonë sikurse nëpër disa qytete të tjerë treni niset e soset i trembur, se mos i thyejnë xhamet, se mos këputet ndonjë binarë, se mos i pret udhën ndonjë maqinë, se mos i zënë udhën me ndonjë ndërtim.

 

3.Si punë e këtij treni,është udha jonë, rrugëtimi shqiptar drejt Evropës. Të gjithë fajësojnë dhe harrojnë se këtë vend e pllakosën ca regjime që i bënë këtij vendi për të zezën e tij largimin nga Evropa ku ne gjeografikisht jemi pjesë e saj prej formimit të tokës dhe popullimit me njerëz. Në vitin 2010 erdhi në Orikum një ambasador holandez, aty holandezët kanë një financim. Ai vizitoi edhe qytetin e lashtë që pati vizituar Cezari me ushtarët e tij në dimrin e vitit ‘48, përpara Krishtit. Ambasadori ishte historian dhe e njihte mirë këtë fakt, por ai pa ndërtesat në shkëmb, puset e ujit, murin rrethues të qytetit dhe i shpjeguam se ky qytetërim u ndërtua këtu në një tokë pellazge, po këta evropianët  ku gjendeshin atëherë kur ne ishim pjesë e qytetërimeve botërore?

Ne kemi qenë këtu dhe këtë vend na e zgjodhi Zoti vetë. Asdreni ka shkruar: Se Zoti vetë e tha me gojë,/që kombe shuhen përmbi dhé!/Po Shqipëria do të rrojë!/Për të, për të luftojmë ne!

4.

Ka dy mënyra për të kapur trenin e Europës.Ta zëmë s’duam të presim trenin tjetër ngase pritja e gjatë na ka lodhur shumë  atëhere duhet të nxitojmë dhe t’i presim udhën trenit, që është nisur. Nëse ne jemi në stacionin e Fierit nxitojmë dhe diku aty nga Gradishta i avitemi trenit përpara: mbaje o shofer?

Po çfarë i   themi ne: Trenit mbaje trenin!

Po nëse treni s’ka ndalesë aty, ne si shqiptarë i dalim përpara me prita e barrikada e ndalim me hir e pahir. E pyesim faturinon në gjuhën e shqipove:

-A bën me hyp në këtë tren?

Me mirësjellje, ai na përgjigjet në gjuhën tonë:

-Si jo o burrë i dheut!

E kuptoi mirë, po më habit si ka mësuar kaq mirë shqip?

-Po mirë, a nuk më thua ku ke mësuar kaq mirë shqip?

-Akoma vëlla se ke kuptuar se këtu gjendemi në Gradishtë dhe në këtë territor flitet veç shqip.

-Po a nuk jemi ne në atë tren për në Evropë? Po ai dreq kur niset?

-Ende s’është afishuar orari i trenave, që nisen nga lindja drejt perëndimit. Një ditë të jeni të sigurtë ai orar do të gjendet në çdo stacion treni të Evropës plakë dhe uturima e tij do na zgjojë çdo mëngjes.

…Ka një këngë Ilir Shaqiri në tekstin e të cilës thuhet:

Moj Evropë, Evropë e vjetër, /si s’më gjete një rrugë tjetër?/ Një rrugë tjetër me pak besë, 100 vjet m’qite n’harresë./ Moj Evropë perdja e kallkanit, /ta vunë zjarrin n’mes t’Ballkanit! /Ta vunë zjarrin që m’përvlon,/ e nuk pres ma nuk pres si kujton. /Nuk ja pres hilet si t’thash, /se m’ka ra ma thika n’asht! /E dredhitë po dalin n’fushë, /arat vorre mi kanë mbushë. /100 vjet po i pres ngushllim, /po i laj duartë me gjakun tim./
Kthema mua krenarinë dhe dorën se… /mos të ndajmë kufi. /Kthema tokën,/kthema qiellin. /Kthema borxhin. /Lëshoma diellin. /Du’ t’jem Zot n’time tokë! /Dje dhe sot, sot e nesër unë jam Evropë, jam Evropë, jam Evropë. /Deshtën Lindje e Azi, herë me fe, herë me dredhi. /Trup e kokë t’mi bënin copë, /që t’mos isha më Evropë! /Moj Evropë perdja e kallkanit, /ta vunë zjarrin n’mes t’Ballkanit, /Ta vunë zjarrin që m’përvlon, /e nuk pres ma nuk pres si kujton. /Nuk ja pres hilet si t’thash, /se m’ka ra ma thika n’asht, /e dredhitë po dalin n’fushë, /arat vorre m’i kanë mbushë. /100 vjet po i pres ngushllim, /po i laj duartë me gjakun tim. /Kthema mua krenarinë dhe dorën se… /Mos të ndajmë kufi, mos të ndajmë kufi. /Kthehma tokën, kthjellma qiellin. /Kthehma borxhin, kthehma borxhin. /Lëshoma diellin. /Du’ t’jem Zot! /N’time tokë! /Dje dhe sot, sot e nesër unë jam Evropë, jam Evropë, jam Evropë. /Kthehma tokën, kthema qiellin. /Kthema borxhin, kthema borxhin. Lëshoma diellin. /Du’ t’jem Zot /n’time tokë! /Dje dhe sot, sot e nesër unë jam Evropë, jam Evropë, jam Evropë.