Gazeta “Dielli” 110 vjet, një epokë përtej shekullit

1080
Sigal

Harry BAJRAKTARI*

Gazeta “Dielli ” u themelua nga Federata Pan-Shqptare “Vatra” në Boston më 1909, kur Shqipëria ende ishte nën sundimin e Perandorisë Osmane. Gazeta “Dielli” është dhe mbetet gazeta me jetëgjatësi më të madhe nga të gjitha gazetat dhe publikimet tjera të botuara në gjuhën shqipe në Shqipëri dhe në diasporën shqiptare. Një gazetë që i dha frymë shqiptarizmit, aq sa është jeta e saj sot. Vetë emri i saj simbolizon dritën, kundër errësirës.

Sivjet kjo gazetë po kremton 110 vjetorin e saj në rrethana krejt tjera nga atëherë kur u botuan numrat e parë të saj nga dy intelektualët më të mëdhenj atëherë e sot, Fan Noli dhe Faik Konica.

Gazeta “Dielli”, si organ i “VATRËS” që në fillim të daljes së saj në dritë, u bë zë i fuqishëm i atdheut dhe i shqiptarëve kundër pushtimit të Perandorisë Osmane, duke nxitur e motivuar shqiptarët të bashkoheshin në një kauzë të përbashkët për liri dhe pavarësi të Shqipërisë. Nga Bostoni i SHBA, kjo gazetë ringjalli fuqishëm idetë e Rilindjes Kombëtare në një kohë ku në atdheun tonë mbretëronte një terr i plotë dhe ishte ndaluar çfarëdo letre e publikuar në gjuhën shqipe.

Kontributi i “Diellit”, përmjet shkrimeve të Fan Nolit, Faik Konicës, Çekrezit, Panaritit dhe intelektualëve të tjerë që vepronin në Boston, ku ishin të përqendruar shqiptarët e ardhur nga atdheu, për kohën ishte i pazëvendësueshëm që edhe shqiptarët, të fundit në Ballkan, të fitonin lirinë dhe pavarësinë. Kjo ëndërr e hershme e shqiptarëve, u realizua në vitin 1912, kur në Vlorë u ngrit Flamuri ynë i bukur dhe Shqipëria filloi të bëhej. Kjo ëndërr e madhe e shqiptarëve u përgjysmua në Konferencën e Londrës më 1913, ku jashtë Shqipërisë, mbetën gjysma tjetër e territoreve shqiptare bashkë me Kosovën që sot ka pavarësinë.

Gazeta “Dielli”, si organ i VATRËS, kishte reaguar ashpër kundër fuqive të mëdha rreth copëtimit të Shqipërisë, ku tokat shqiptare pa të drejtë iu kishin dhuruar shteteve fqinje: Serbisë, Malit të Zi dhe Greqisë. Kjo gazetë kishte luftuar për çdo pëllëmbë tokë të krahinave të shumta shqiptare, duke ngritur zërin edhe në Konferencën e Versajës më 1919, kundër projektimit famëkeq, sidomos të Rusisë, që edhe Shqipëria Londineze të copëtohej dhe t’u jepej serbëve dhe grekëve. Këtë tragjedi të projektuar kundër shqiptarëve, e shpëtoi presidenti i SHBA, Thomas Woodrow Wilson.

 Në këtë kontekst dëshiroj t’ them dy fjalë për mikun tim, biznesmenin dhe veprimtarin e “VATRËS” dhe të gjithë shqiptarëve, z. Anthonio Athanas, i cili ishte edhe bashkëpunëtor i Nolit e Konicës. Zoti Athanas ka qenë një figurë shumë e respektuar nga të gjithë shqiptarët në Amerikë, në Shqipëri dhe në të gjitha trojet tona, si dhe nga shumë amerikanë. Ka ndihmuar Shqipërinë në të gjitha krizat e saj. Ka mbështetur edhe Kosovën, kur u hap çështja e saj për liri dhe pavarësi. Restoranti i tij ka qenë një Ambasadë shqiptare, derë e hapur për miqtë tanë. Ai, ishte një urëlidhës me administratën në Washington dhe kishte influencë në qeverinë amerikane, nga që kishte një lidhje të ngushtë me presidentin Kennedy dhe vëllezërit e tij.

Restorantin e tij e kanë vizituar edhe shumë kryetar e personalitete të vendeve të ndryshme të botës.

 Anthonio Athanas ishte edhe mentor i imi.

Gazeta “Dielli” dhe gazeta “Illyria”, kjo e fundit e themeluar në vitin 1991 kanë ngjashmëri, ndonëse janë themeluar në kohë, kushte dhe rrethana të ndryshme. Këtu ka një koincidencë, e para doli vetëm tri vjet para shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, ndërkaq e dyta 8 vjet para se Kosova të fitonte lirinë në luftën e fundit në Ballkan.

Siç dihet gazeta “Dielli” ushtroi influencë të madhe në afirmimin e çështjes kombëtare për liri dhe pavarësi dhe njëherësh nuk la anash imperativin e konsolidimit të të shtetit demokratik shqiptar, i cili kaloi nëpër një rrugë tejet të vështirë krizash. Në këtë mënyrë ishte edhe me gazetën “Illyria”, e cila u parapriu ngjarjeve të bujshme deri në fitimin e lirisë dhe pavarësisë së Kosovës, kundër Serbisë. Roli i të dyjave ka qenë i pa zëvendësueshëm për krijimin e opinionit tek administrata amerikane dhe populli amerikan.

Këto dy gazeta shërbyen si një urë lidhëse në mes shqiptarëve të Amerikës dhe shqiptarëve në Shqipëri, Kosovë dhe viset tjera shqiptare. Gjithashtu kontribuan edhe në forcimin e marrëdhënieve të Tiranës, Prishtinës dhe Shkupit me administratën amerikane.

 “Dielli” ka demaskuar ideologjinë komuniste dhe ka ndihmuar rrëzimin e diktaturës së Enver Hoxhës që për 50 vjet kishte groposur Shqipërinë. Ka mbështetur pa rezervë pluralizmin dhe zhvillimin e demokracisë në Shqipëri.

Vlerat e gazetës “Dielli” dhe kontributi i saj në ngritjen e çështjes kombëtare dhe të kulturës shqiptare për 110 vjet të shkuara, nuk kanë krahasim me ndonjë publikim tjetër në gjuhën shqipe, as në atdhe dhe në diasporën shqiptare, sepse kjo u mbijetoi të gjitha furtunave që, për mendimin tim, është një mrekulli e rrallë që do t’i kishin lakmi edhe komunitetet tjera të shumta në SHBA. Kjo mbijetesë e kësaj gazete është meritë e komunitetit tonë, atëherë para 100 vjetësh dhe sot pas 100 vjetësh, me “VATRËN” si organ i saj.

Gazeta “Dielli” përmjet editorëve të saj ka përcjellë idetë kombëtare të një brezi tek brezi tjetër, duke ruajtur kontinuitetin e saj deri në ditët e sotme, me editorin e tashëm, Dalip Greca, i cili me punën e tij ka vazhduar traditën e saj kombëtare, fizionominë dhe mos lënien në harresë të figurave intelektuale që vepruan në komunitetin tonë shqiptaro-amerikan për këto 110 vjet.

Kur filloi të dalë gazeta “Dielli” ishim në luftë për të krijuar Shqipërinë, e sot pas 110 vjetësh kemi dy shtete shqiptare: Shqipërinë dhe Kosovën, si dhe një konsolidim të shqiptarëve në Maqedoni, në Mal të Zi dhe Luginë të Preshevës.

Emri i Ekrem Bardhës që ka jetë të gjatë në SHBA lidhet me të gjitha Lëvizjet kombëtare që u organizuan në komunitetin tonë. z. Bardha pas meje mori në dorë botimin e gazetës “Illyria” dhe mund të them se ka qenë dhe mbetet një figurë e rëndësishme në komunitetin tonë shqiptaro-amerikan. Ai, për 60 vjet me radhë, ka dhënë një kontribut të çmueshëm për çështjen kombëtare, me veçanti për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Me z. Bardha, Anthonio Athanas dhe me një grup të shqiptarëve të Amerikës, menjëherë pas luftës vizituam Kosovën e lirë. Ky fakt flet për atdhedashurinë e madhe të tyre. Me ne ishte edhe kongresmeni amerikan, miku ynë Eliot Engel.

Do të doja dua të përshëndetja edhe botuesin e sotëm të gazetës “Illyrias”, Vehbi Bajramin që vazhdon ta mbajë këtë gazetë, e cila po bën jetë prej tri dekadash.

Shkrimin tim, me rastin e 110-vjetorit të gazetës “Dielli”, do ta përfundoja me një konstatim: “Dielli” ka një biografi shumë të pasur, me një histori të gjatë kombëtare dhe me një thirrje të përhershme që së bashku të veprojmë për interesin e përgjithshëm të atdheut, ashtu si bënë Rilindësit tanë.

*Autori është biznesmen dhe veprimtar i njohur i komunitetit shqiptaro-amerikan dhe themelues i gazetës “Illyria