Frank Shkreli: Joe Biden, Presidenti i dytë katolik në historinë e ShBA-ve

289
Sigal

Ditën e mërkurë me 20 Janar, 2021, në mesditë, Joe Biden betohet presidenti i 46-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Z. Biden do të jetë presidenti i dytë katolik në historinë e këtij vendi, që do të shërbejë si President i Amerikës. Presidenti i parë që i përkiste fesë katolike ka qenë John F Kennedy, i cili pikërisht në këtë ditë, 60-vjet më parë me dorën e tij të djathtë mbi Bibël u betua se do të zbatonte dhe do të “mbronte Kushtetutën e Shteteve të Bashkuara nga armiqët e brendshëm dhe të jashtëm”.

Megjithëse, katolikët amerikanë përbëjnë grupimin e dytë më të madh fetar në këtë vend, pas protestanëve, për një kohë të gjatë kishte një paragjykim ndaj tyre ndërsa mendohej, gabimisht, se një politikan katolik amerikan mund të ishte më besnik ndaj Papës se sa ndaj Kushtetutës së Shteteve të Bashkuara. Por ishte Presidenti John F. Kenendy ai i cili, si të thuash, e zhduku këtë paragjykim fetar nga mentataliteti historik i shumicës protestane amerikane ndaj politikanëve katolikë që synonin karrigën e Presidentit të Amerikës.

Gjatë fushatës për president 60-vjet më parë, John F. Kennedy i kishte siguruar votuesit amerikanë për qëndrimin dhe besimin e tij të palëkundur për ndarjen e kishës nga shteti. “Unë nuk jam kandidati katolik për president”, kishte deklaruar ai në atë kohë, “Por jam kandidati i Partisë Demokrate për President, që njëkohësisht, i përkas fesë katolike. Unë nuk flas në emër të Kishës për çështje publike dhe Kisha nuk flet për mua.” Historianët janë dakort se gjatë 1000-ditëve të presidencës së John F. Kennedy, feja e tij katolike nuk ka pasur asnjë ndikim në vendimet e tij politike dhe publike gjatë jetës së tij politike. Për më tepër, për gjashtë dekadat e kaluara, ç’prej inaugurimit të Presidentit John  F. Kennedy e këndej, asnjë kandidat katolik për president të Amerikës nuk është kundërshtuar nga shumica protestane, si rrjedhim i pikëpamjeve fetare ose praktikimit të besimit katolik.

John F. Kennedy, presidenti i parë katolik në Amerikë i zgjedhur në vitin 1961

Kështu ndodhi edhe me kandidatin e Partisë Demokrate, Joe Biden në zgjedhjet e nëntorit të vitit të kaluar: përkatësia e tij fetare katolike nuk u përmend asnjëherë gjatë fushatës presidenciale, as nga kundërshtarët e tij politikë as nga media, megjithëse ish-Senatori Joe Biden njihet botërisht, jo vetëm si anëtar i Kishës Katolike, por edhe si praktikues i rregullt dhe i devotshëm i këtij besimi.

Ata që e njohin mirë Z. Biden thonë se feja katolike është pikë referenca e tij thelbësore se si e shef ai botën në përgjithësi. Sipas burimeve të ndryshme, ai mban rruzaren në xhep dhe merr pjesë në meshë çdo të dielë, megjithëse mban disa pikëpamje që ndoshta nuk përputhen me doktrinën kishtare, siç është çështja e abortit, diçka që ai e kundërshton personalisht, por nuk beson se duhet të imponohet ligjërisht.

Në fjalimin me rastin e fitores së tij në detyrën më të lartë të vendit, pasi u shpall fitues i zgjedhjeve Nëntorin e kaluar në Amerikë, Presidenti i zgjedhur Joe Biden nuk hesitoi aspak t’i referohej rolit që mund të luaj besimi i tij në kryerjen e detyrës më të lartë të këtij vendi, duke thekësuar se ai do të jetë, “President që nuk kërkon të përçajë, por të bashkojë njeërzit”. Duke cituar një paragraf nga Bibla, Z. Biden u shpreh se, “Për gjithçka ka një stinë; ka një kohë për të ndërtuar, një kohë për të korrur frytet; një kohë për të mbjellur dhe një kohë për të shëruar plagët”, duke shtuar se, “Tani është koha për të shëruar plagët dhe për të pajtuar Amerikën”.

Presidenti i ardhshëm i Shteteve të Bashkuara, Z. Biden përfundoi fjalimin e tij me një thirrje për unitet duke cituar fjalët e himnit katolik “On Eagle’s Wings”, (Në krahët e Shqiponjës), me qëllim për të nënvijuar mesazhin e tij për bashkim dhe pajtim kombëtar. “Dhe tani, së bashku mbi krahët e shqiponjës, ne fillojmë detyrën që Zoti na ka thirrur të bëjmë, me kurajo, besim dhe me duar të qëndrueshme, me besim në Amerikën dhe në njëri-tjetrin, me dashuri për Atdheun dhe me punë për drejtësi dhe përgjegjësi individuale e shoqërore .Le të punojmë për një komb të bashkuar, për një komb të fortë dhe për një komb të pajtuar”, ka thënë në fjalimin e tij, Z. Biden.

Udhëheqësit e Kishës Katolike në Shtetet e Bashkuara, përfshirë Konferencën e Ipeshkvënore të Amerikës, e cila përfaqëson të gjithë ipeshkvijtë katolikë amerikanë due jurisdikcionet e tyre, e pritën mirë fitorën e Presidentit të zgjedhur Joe Biden dhe zëvendës-presidentes, Kamala Harris dhe u bënë thirrje udhëheqësve politikë, “Që të bashkohen në frymën e unitetit kombëtar dhe të angazhohen për dialog dhe kompromis, për të mirën e përbashkët”.

Në një editorial redaksional, revista e njohur katolike, “America” që botohet nga jezuitët amerikanë, komenton në numrin e muajit të kaluar, se fituesi më i madh i zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020 ishte populli amerikan dhe shton se një shumicë e qartë e votuesve amerikanë i dha Z. Biden një mandat të bindshëm. Një mandat, sipas revistës në fjalë, “Për të riparuar marrëdhëniet shoqërore të kombit, për të shëruar plagët dhe për të na bashkuar të gjithëve si pjesë e një kombi”. Por Z. Biden nuk ka, sipas redaktorëve të revistës jezuite, “America”, “një mandat për të vendosur një rrregull të ri legjislativ radikal në vend…Shumë votues madje edhe republikanë dhe të pavarur kanë votuar jo për partinë (e Z. Biden), por për vendin e tyre. Z. Biden dhe kolegët e tij demokratë duhet të qeverisin duke mos harruar këtë fakt”, porosit revista në editorialin mbi fitoren e Z. Joe Biden.

Revista e njohur katolike e jezuitëve amerikanë, “America”, i bën thirrje gjithashtu presidentit të dytë katolik në historinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës që të “shërojë plagët” dhe të punojë për drejtësi sociale. Shtetet e Bashkuara kanë nevojë për një udhëheqës, thuhet në komentin redaksional të kësaj reviste prestigjoze katolike amerikane, ndërkohë që i kërkohet presidentit të ardhëshëm amerikan që të mbajë premtimin e dhenë prej tij se do të jetë, “President i të gjithë amerikanëve” pa përjashtim dhe se do të qeverisi, sipas fjalëve të Abraham Lincolnit, “Me keqdashje ndaj askujt dhe me bamirësi e dashamirësi për të gjithë”.

Si çdo president tjetër i Amerikës para tij, edhe Presidenti Joe Biden, pa marrë parasysh përkatësinë e tij fetare, pas betimit të tij të mërkurën, ai dhe administrata e tij do të gjykohen dhe vlerësohen, jo për fjalët e bukura dhe deklarata të fushatës, por për veprat konkrete dhe për angazhimet serioze gjatë mandatit të tij, të cilat duhet të çojnë drejt një pajtimi dhe uniteti më të fortë të vendit, duke pasur në qendër të vëmendjes periudhën kritike që po përjeton, aktualisht, vendi ynë si dhe pasojat, afat gjata dhe afat shkurtëra, të ngjarjeve të fundit në Washington.

 

Frank Shkreli