Frank Shkreli: E vërteta…Kujtime nga Ekrem Bardha

204
Sigal

Nga Frank Shkreli* Ish-Drejtor i VOA-s për Euro-Azinë

Në një nga aktivitetet tona të përbashkëta me Z. Ekrem Bardha, në Kongresin Amerikan, në fillim të viteve 1990-ta duke u përshëndetur me ish-Ambasadorin amerikan në Shqipëri, Z. Ëilliam Ryerson
Në një nga aktivitetet tona të përbashkëta me Z. Ekrem Bardha, në Kongresin Amerikan, në fillim të viteve 1990-ta duke u përshëndetur me ish-Ambasadorin amerikan në Shqipëri, Z. William Ryerson

Titulli i plotë i librit është: “E VËRTETA: PAVARËSIA E KOSOVËS, AMERIKA DHE DIASPORA”, e autorit Ekrem Bardha, njërit prej eksponentëve dhe aktivistëve më të njohur të diasporës shqiptare në 60-vitet e kaluara – emigracionit të vjetër dhe të ri – gjithnjë aktiv në mbrojtje të çështjes kombëtare këtu në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në botën shqiptare, por edhe atë amerikane, Ekrem Bardha njihet si biznesmen i suksesshëm, filantrop, aktivist i palodhur i komunitetit shqiptaro-amerikan. Mbi të gjitha, gjatë dekadave, ai e ka dalluar veten si promovues dhe mbështetës i palodhur i të drejtave të shqiptarëve në Shqipëri, në Kosovë dhe anë e mbanë trojeve shqiptare. Por, njihet, sidomos, dedikimi i tij ndaj “çështjes së Kosovës”, siç i referoheshim në atë kohë dramës njerëzore nëpër të cilën po kalonte Kosova, veçanërisht gjatë 1980-1990-ave, por jo vetëm Kosova.

Kopertina e librit të autorit, Z. Ekrem Bardha

Lista është e gjatë e presidentëve, senatorëve, e kongresmenëve amerikanë dhe sekretarëve Amerikanë të Shtetit, me të cilët ka bashkëpunuar Z. Bardha në mbrojtje të interesave kombëtare këtu në Amerikë: përfshirë edhe disa udhëheqës evropianë dhe personalitete të tjera amerikane dhe botërore, një listë që autori Bardha e boton në librin e tij. Ai i falënderon të gjithë në emër të diasporës shqiptare në Amerikë dhe në emër të Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan (NAAC) për ndihmën që i kanë dhënë çështjes shqiptare në përgjithësi gjatë dekadave të fundit të shekullit të kaluar dhe në fillim të shekullit XXI.

Në librin e tij më të fundit, “E Vërteta: Pavarësia e Kosovës, Amerika dhe Diaspora”, Ekrem Bardha thekson se ai e botoi këtë libër pasi: “Me keqardhje ka konstatuar se roli i diasporës për çlirimin e Kosovës, ose është lënë në hije ose është harruar”, -shkruan ai. “Prandaj, e shoh detyrim ndaj çdo përfaqësuesi të Diasporës të hedhë dritë mbi të vërtetat e këtij kontributi, sipas rolit që ka luajtur, për ta bërë të plotë, sa më të vërtetë fitoren dhe pavarësinë e Kosovës”,- nënvijon autori Ekrem Bardha.

Rolin që ka luajtuar dhe influencën që ka ushtruar komuniteti shqiptaro-amerikan në Shtetet e Bashkuara, për pothuaj një gjysëm shekulli në mbrojtje të drejtave të shqiptarëve dhe çështjes kombëtare, në përgjithësi, Zoti Bardha e krahason me periudhën e artë të Skënderbeut kur Kryetrimi i shqiptarëve Gjergj Kastrioti-Skënderbe ka bashkuar principatat shqiptare për të mundur hordhitë otomane në tokën shqiptare dhe bën një krahasim edhe me kohën e Nolit e të Konicës, në fillim të shekullit të kaluar, kur të bashkuar në Vatrën shqiptare, diaspora shqiptare në Amerikë ndihmoi në shpëtimin e Shqipërisë nga coptimi i saj.

I kishte ardhur radha brezit të shqiptarëve si Ekrem Bardha me shokë – burri i mirë me shokë shumë – për të bindur “Aleatin e madh të Shqipërisë dhe të shqiptarëve, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, se gjysma e Kombit shqiptar ishte në rrezik të zhdukjes – spastrimit etnik nga Serbia terroriste. Se “shqiptarët e Kosovës duhej të shpëtonin nga gjenocidi i egër serb”, një objektiv që “komuniteti ia arrijti këtij qëllimi”, me ndihmën e madhe të aleates së vjetër të shqiptarëve, Amerikës,- shkruan Bardha.

Ai vë në dukje se rreth emrave në listën e gjatë të politikanëve më të lartë amerikanë nga të dy partitë kryesore politike të Amerikës, republikanë dhe demokratë – aktivistët e komunitetit shqiptaro-amerikan ishin të bashkuar me një mendim e me një qëllim, dhe me shumicë dërmuese, pa dallim, në këtë kauzë mbarë kombëtare, me miqtë dhe mbështetësit tanë amerikanë. Kësaj kauze, thekson Bardha, iu bashkuan shqiptarë nga të gjitha trojet arbëroro-shqiptare: “Mund të ishim kolonjarë apo çamë, rugovas, shkodranë apo malësorë…Mund të kishim kundërshti për shumë gjëra, por e ndjenim veten shqiptarë-kosovarë”,- shkruan Bardha në librin e tij më të ri.

Në të vërtetë, ashtu siç jam shprehur në një intervistë, që Z. Bardha më ka nderuar duke e botuar pjesërisht librin e tij. Komuniteti shqiptaro-amerikan, sado i vogël dhe pa ndonjë influencë të madhe në jetën politike amerikane deri atëherë, ishte përballë një armiku të fortë. Ish-Jugosllavia e asaj kohe gëzonte një status të veçantë në Washington dhe ndonëse kishte një regjim komunist, konsiderohej si një “komunizëm me fytyrë njerëzore”, nga një pjesë e madhe e botës perëndimore të asaj kohe. Por këtij vlerësimi i doli boja shumë shpejt dhe ishte pikërisht komuniteti shqiptaro- amerikan ai i cili, eventualisht, bindi Washingtonin se të drejtat e njeriut, e sidomos të drejtat e shqiptarëve po shkeleshin pa asnjë ndëshkim nga regjimi jugosllav, në kundërshtim me çdo marrëveshje ndërkombëtare dhe dokumentash për të drejtat e njeriut, të nënshkruara nga ish-Jugosllavia komuniste. Ndoshta shembulli më flagrant i shkeljes së të drejtave të njeriut që u “hapi sytë” amerikanëve, të paktën fillimisht, ishte “rasti i Pjetër Ivezaj”, një malësor nga Malësia e Madhe nën Mal të Zi, i cili, gjatë një vizite në vendlindje, qe dënuar me shtatë vjetë burg nga ish-Jugosllavia komuniste, i akuzuar për pjesëmarrje në demonstrata anti-jugosllave në Detroit, por i cili u lirua pastaj me ndërhyrjen e Shteteve të Bashkuara.

“Rasti Ivezaj” u soll në vëmendjen e autoriteteve qeveritare të Washington nga Z. Ekrem Bardha nëpërmjet mikut të tij, njërit prej përfaqësuesve të shtetit Michigan në Kongresin e Shteteve të Bashkuara, Z. William Broomfield. Kongresisti Broomfield kishte organizuar me kolegët e tij sesion-dëgjimi për këtë rast në Kongresin e Shteteve të Bashkuara.

Më kujtohet si të kishte ndodhur dje, pasi isha duke raportuar për Zërin e Amerikës, zhvillimet e punës së Komisionit për Punët e Jashtme të Kongresit, ku komuniteti shqiptar i Detroitit më në krye Z. Ekrem Bardha, i kishte kërkuar Kongresistit William Broomfield nga zona e tij elektorale që Kongresi amerikan të shqyrtonte rastin e arrestimit të Pjetër Ivezajt. Besoj se për herë të parë në Ëashington u pa fillimi i rolit dhe influencës së komunitetit shqiptaro-amerikan, në ekspozimin e shkeljes së të drejtave të shqiptarëve nën ish-Jugosllavi. Ishte gjatë atij sesioni-dëshmi të Kongresit që miku i Z. Bardha, kongresisti William Broomfield u ngrit nga karriga dhe vajti për t’i telefonuar “live” nga salla e Kongresit, ambasadorit amerikan në Beograd për t’i kërkuar atij shpjegime nga autoritetet jugosllave për burgosjen dhe lirimin e menjëhershëm të Pjetër Ivezajt, shqiptaro-amerikanit me shtetësi amerikane. Ashtu edhe ndodhi. Ai u lirua pothuaj menjëherë nga burgjet jugosllave dhe “rasti Ivezaj” shënoi fillimin e venitjes së statusit të Jugosllavisë si shtet i favorizuar në Washington, fal komunitetit shqiptaro-amerikan në Detroit dhe mikut të Z. Ekrem Bardha, kongresistit William Broomfield. Si asnjë herë më parë, arrestimi i Pjetër Ivezajt nga jugosllavët dhe ndërhyrja e kongresistit Broomfield për lirimin e tij, bëri që Kongresi amerikan të kthente sytë dhe të fokusohej, më seriozisht se kurrrë më parë, drejt çështjes shqiptare në ish-Jugosllavi.

Ky rast, ndoshta, do të përbënte provën më të mirë të rolit dhe fillimit të influencës që do të ushtronte, për dekada më vonë, komuniteti shqiptaro-amerikan në qarqet më të larta të politikës së Shteteve të Bashkuara në favor të çështjes kombëtare dhe të drejtave të njeriut për shqiptarët në trojet e veta shekullore.

Ashtu siç sugjeron edhe titulli i librit të Zotit Bardha, “E Vërteta: Pavarësia e Kosovës, Amerika dhe Diaspora”, një vepër prej 525 faqesh, i kushtohet kryesisht Kosovës, por edhe periudhës së rivendosjes së marrëdhënieve shqiptaro-amerikane në mars, 1991: shumë kujtimeve personale të tija me udhëheqësit më të lartë të Shteteve të Bashkuara dhe të veprimtarive të shumta që Z. Bardha ka ndërmarrë në bashkërendim dhe bashkëpunim me shumë bashkatdhetarë të tjerë këtu në Shtetet e Bashkuara, të cilët kanë kontribuar gjithashtu masivisht, duke e bërë lobimin shqiptar ndër më të fuqishmit në atë atë kohë, në Washington.

Libri i Z. Bardha është një vepër që dokumenton me burime dhe dokumenta të dorës së parë, përfshirë fotografi, rrugëtimin e vështirë drejt luftës për liri e pavarësi të Kosovës dhe të drejtave të njeriut për shqiptarët anë e mbanë trojeve shqiptare. Dokumenton të Vërtetën, siç sugjeron edhe titulli i librit, rolin personal të autorit me zyrtarë të lartë amerikanë dhe bashkëpunimin e tij për lirinë e Kosovës dhe për të drejtat e njeriut për të gjithë shqiptarët, me protagonistë të tjerë shqiptaro-amerikanë. Z. Bardha i ofron lexuesit fakte dhe raste që publiku i gjerë nuk besoj se i di, ndërsa ai paraqet dokumentacion, fotografi, komunikime, letër shkëmbime, përshkruan takime, lobime dhe qasje të guximshme sfiduese për të gjitha palët, qoftë edhe në radhët e komunitetit, po edhe me bashkëbisedues të ndryshëm, të interesuar për çështjen shqiptare në Ballkan.

Vepra e Z. Bardha është një libër i pasur me kujtime, që dëshmon rrugëtimin e vështirë drejt pavarësisë së Kosovës dhe rolin e protagonistëve kryesorë të Diasporës shqiptare në Amerikë, siç është Z. Bardha. Libri është i pasur me fakte që shumë nuk i dinë, përfshirë takime, lobime, qasje shpesh herë të guximshme dhe sfiduese, tensione të lloj-llojshme, përgjegjësi dhe emocione intensive – shpesh edhe me përfaqësues të niveleve më të larta të vendim-marrjes qevritare amerikane, qoftë nga dega legjislative, qoftë nga një pjesë e medias, qoftë nga diplomacia amerikane që besonte në stabilitetin e Ballkanit – shpesh në kurriz të të drejtave të njeriut dhe nuk dëshironte t’i turbullonte moçalet politike të Ballkanit. Një libër që teksa rrëfen lirisht, e zhvendos lexuesin emocionalisht dhe shpirtërisht në përjetimin e një prej ngjarjeve tragjike, por më thelbësore të shqiptarëve në historinë e fund shekullit të kaluar dhe në fillim të shekullit të ri, jo vetëm të historisë kombëtare të shqiptarëve, por edhe të Ballkanit Perëndimor dhe Evropës në tërësi.

Çështja e Kosovës: liria dhe pavarësia e saj si shtet, shembja e Murit të Berlinit dhe tranzicioni post-komunist në Shqipëri, ishin kauza historike kombëtare që kumbonin vazhdimisht, natë e ditë, në veshët tonë gjatë periudhës për të cilën shkruan z. Bardha në librin e tij: “E Vërteta: Pavarësia e Kosovës, Amerika dhe Diaspora”. Liria dhe demokracia e vërtetë për Shqipërinë dhe për Kosovën ishin kauza dhe ide që në rininë tonë, na entuziazmonin të gjithëve, sepse kishin të njëjtin kuptim dhe rëndësi për mbijetesën e Kombit shqiptar në pavarësi, liri e demokraci, për një shumicë dërmuese të shqiptarëve, të pakën këtu në Shtetet e Bashkuara, për rolin e të cilit shkruan autori Bardha.

Libri i Z. Bardha është një dokument që tregon se komuniteti shqiptaro-amerikan luajti rolin dhe kreu misionin, që u kishte ngarkuar historia shqiptarëve të Amerikës – për të dytën herë në historinë e këtij komuniteti në SHBA – në fillim dhe në mbarim të shekullit të kaluar. Libri, “E Vërteta: Pavarësia e Kosovës, Amerika dhe Diaspora” është një dokument i të vërtetës ashtu si mund t’a pasqyrojë një protagonist kryesor i komunitetit shqiptaro-amerikan, si Z. Ekrem Bardha, një pjesëmarrës patriot shqiptaro-amerikan me ndërgjegje të shëndoshë njerëzore dhe me dashuri të sinqertë për Kosovën dhe Shqipërinë. Por edhe me mirënjohje të thellë për ndihmën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës: këtij vendi të bekuar për të gjithë ne, për ndihmën e pakursyer të Amerikës gjatë historisë, në mbështetje të ekzistencës së racës shqiptare dhe të drejtave kombëtare të shqiptarëve. Përfshirë historinë moderne të angazhimit të përbashkët të komunitetit shqiptaro-amerikan në mbrojtje të të drejtave të shqiptarëve në Ballkanin Perëndimor, për të cilën lexojmë në kujtimet e bashkatdhetarit Ekrem Bardha, të cilin e përgëzoj për punën e vlefshme dhe për ndërmarrjen bujare për të qitur në dritë të Vërtetën, siç e ka përjetuar ai vet.

Duke marrë parasysh situatën politike aktuale në Shqipëri dhe në Kosovë, por edhe marrëdhëniet midis tyre uroj që përpjekjet, mundi dhe investimet e komunitetit shqiptaro-amerikan gjatë gjysëm shekullit të kaluar të mos kenë shkuar më kot. Të gjithë e dijmë se gjëndja është serioze, sidomos, largimi në masë i shqiptarëve të dëshpëruar sidomos nga Shqipëria, por edhe nga Kosova, drejt Evropës Perëndimore, për një jetë më të mirë, më të lirë dhe më të drejtë për të gjithë e pa dallim – kauza këto për të cilat luftoi komuniteti shqiptaro-amerikan për dekada, për t’ua siguruar bashkëvëllezërve tanë në trojet shqiptare. Le të shpresojmë se ndonëse situata aktuale politike dhe ekonomike në Shqipëri dhe në Kosovë është tepër serioze lutemi që mos jetë e pa shpresë!