Fotografi shkodran që çeli atelienë e parë fotografike në qytetin bregdetar të Vlorës

942
Sigal

Kolë Maca i Qerim Vrionit nuk i përket vetëm Shkodrës

Nga Albert HABAZAJ

Kush na e fali Kolë Macën që nuk e kemi njohur?

Emrin e Kolë Macës nuk e kishim ndeshur deri para pak vitesh, kur na shfaqet në shkrimet e Qerim Vrionit dhe, para një viti, shpaloset me profilin e duhur në studimin monografik Pikëllim në një foto të vjetër të këtij autori. Sipas Vrionit, Kolë Maca diku haset me emrin Niccolo Maca, it., e diku tjetër edhe Kolec Maca. Ndërkohë në Shkollën Shkodrane të Fotografisë, emri i Macës paska pasur peshë specifike. Fatkeqësisht emri i tij nuk është përmendur, jo vetëm para viteve ’90, por as pas rrëzimit të diktaturës. 20 vjet heshtje. 20 vjet indiferencë. Nga frika e shkëlqimit të emrit të Macës?! Nga xhelozia e vogël?! Nga paaftësia liliputeske apo nga ligësia e veremtë? Qe pikërisht viti 2013, kur bujari i sotëm i zhvillimit të fotografisë shqiptare dhe punëtori i mirë i fjalës së shkruar shqipe, Qerim Vrioni ndriçoi qartësisht figurën e Kolë Macës dhe kolegut të tij shkodran Gjon Rrota (Shkodër, 1893-Vlorë, 1931). Është një shkrim me titull: “Dy fotografë shkodranë në Vlorë”, ku Vrioni na njeh me veprën e dy shkodranëve sidomos me kontributin e tyre në Vlorë në vitet 1915-1920 e në vijim: “Shkodra dhe Vlora janë dy qendrat historike të zhvillimit të Fotografisë Shqiptare. Në Vlorë fotografët e parë shqiptarë ishin shkodranët Kol Maca dhe Gjon Rrota”.

Kolë Maca i Qerim Vrionit

Një gjë është fort e qartë, që falë këmbënguljes studimore dhe mirësisë humane të autorit Qerim Vrioni, shqiptarët njohën Kolë Macën (1882-1945), një Kolë Macë që zë vend nderi në Historinë e Fotografisë shqiptare. Kolë Maca, prurë nga Qerim Vrioni, nuk i përket vetëm Shkodrës. Q. Vrioni është “gjerman” në disiplinën e punës së tij gjurmuese për hulumtimin gati deri në shterim të objektit tematik që ka përpara qenies së tij në laboratorin profesional e kërkimor-shkencor. Ai lexon, studion, krahason, fotografon, stampon, shkruan deri në botim me gjithë qenien: me mendje, me zemër, me sy, dorë e vesh, me logjikë dhe emocion, qytetarisht sa më saktë, mundësisht për realizim shterues të punimit që ndërmerr. Libri Pikëllim në një foto të vjetër shërben si burim referencial dhe kërkon respekt për profesionistët e fushës së dhomës së errët, që të ngelen në kujtesën pamore të ngurtësuara aq ngrohtë. Qerim Vrioni të bën ta nderosh për virtytet që mbart, për disiplinën shkencore të fotografisë që zotëron dhe të vërtetësisë profesionale që shpërndan ndër lexues e dashamirës të fushës. Në libër kemi shumë informacion e analizë, sidomos analizë të përpiktë, të krahasueshme dhe të klasifikuar. Përsiatjet e Q. Vrionit për biografinë e fotografit shkodran fokusohen mbi një foto simbol, kryefoton e Kolë Macës “Gjon Pali dhe e bija”, ku autori shpërfaq kulturën e tij njohëse dhe përshkruese, të menduarit thellë, rrahjen mirë me mend të gjërave për të gjetur shkaqet e arsyet që pse kjo foto e bëri baca Kolën pronar të një trofeu moral në “Kampionatin Shumëpërmasor të Fotografisë Shqiptare”; për të zbuluar të vërtetën, për t’i dhënë përgjigje shumë pyetjeve a mëdyshjeve, që atij i patën lindur në terren: në Shqipëri, Itali e gjetkë, si dhe laboratorin e punës së tij kërkimore-shkencore.

Libri studimor “Pikëllim në një foto të vjetër” përshkruan dhe analizon në këndvështrime dokumentare, historike, folkloristike, etnografike dhe estetike veçmas foton “Gjon Pali dhe e bija” të realizuar në vitin 1913 në Shkodër nga fotografi Kolë Maca, ndoshta i pari mjeshtër i historisë së fotografisë shqiptare arsimuar për këtë mjeshtëri në Vjenë në fillimshekulin XX e pajisur kështu me kulturë austriake. Periudha e realizmit të fotos i takon gjashtë muajve (tetor 1912-prill 1913) të Rrethimit të Shkodrës (që atëherë ndodhej nën administrimin ushtarak turk) nga ushtria e Malit të Zi, i përket asaj lufte sfilitëse 183 ditore për mbrojtjen e qytetit nga pushtimi malazez. Autori i librit “Pikëllim në një foto të vjetër”, studiuesi Qerim Vrioni, ka hulumtuar gjatë mbi këtë foto, ai ka gjetur, ndër të tjera, emrin e të plagosurit (Gjon Pali) si dhe fshatin nga është (Shllak), por edhe paraqitjen e saj në 2-3 botime të tjera. Ai mendon se Maca është ndodhur në kohën e duhur në vendin e duhur për këtë foto ikonë si dokumentim dhe estetikë. Pra, studiuesi e analizon foton edhe nga ana estetike, duke e vendosur atë në një vend nderi në historinë e fotografisë shqiptare. Edhe pse fotografi, nga “Gjon Pali dhe e bija” përfton gjendje emocionale të fuqishme, saqë qoftë nga ajo heshtje e dhembshme e bijës për atin e plagosur, çdokush nga ne përjeton trishtim njerëzor, trazuar me ndjesinë e së bukurës, sepse është një foto që mund të mbahet gjatë para syve e të jep kënaqësi estetike. Autori Qerim Vrioni është i pari studiues që është marrë seriozisht dhe plotësisht edhe me klasifikimin e fotos. Sipas logjikës dhe argumentimit shkencor që sjell Vrioni, “Gjon Pali dhe e bija” klasifikohet, së pari, si fotografi familjare; së dyti, fotografi e luftës mendohet se historikisht është fotografia më me vlera ndër fotografitë shqiptare të luftës. Këto foto janë vetëm një shufër floriri nga thesari fotografik i mjeshtrit Kolë Maca, ndërsa “Gjon Pali dhe e bija” vërtet është kryevepra e tij, por s’i përket më as vetëm Kolë Macës, as vetëm Shkodrës, madje kalon në përmasa universale për nga realizimi simbolik gjithëpërfshirës. Mjeshtri ka shumë merita, por fjalë falënderimi meriton edhe autori Qerim Vrioni për strukturën e librit, trasenë, zhvillimin e subjektit në dinamikë, stilin, udhëtimin kronologjik deri në plotësim të synimit shkrimor që i ka vënë vetes. Fjala vjen, duke vënë re këshillimet e begata me emblemën e etnografisë shqiptare prof.dr. Afërdita Onuzi, përvojën e punës në terren dhe diturinë e së cilës e njoh mirë, guxoj të them që studiuesi Vrioni me këtë libër jep edhe një ndihmesë të vlefshme në etnologji dhe çel një dritëz etnografike, ku shquan për logjikën në njohjen e Kanunit, të drejtës zakonore të shqiptarëve, veçmas malësorëve të Shqipërisë së Veriut “… Shpjegimi kumton se shqiptari i shtrirë është goditur me armë në luftë (dhe jo në gjakmarrje do thoshim), aq më tepër kur edhe artikulli flet për fundin e një lufte dhe jo të një zakoni primitiv siç ishte vrasja për shpagim të gjakut. Kësisoj, ai mund të merret dhe trajtohet edhe si një luftëtar e dëshmor i Atdheut. Foton e Macës “Gjon Pali dhe e bija” studiuesit e huaj dhe personat publikë të angazhuar e kanë vendosur me kohë në piedestal nderi, ndërsa në Shqipëri është Qerim Vrioni, që me dëshirë, vullnet dhe vërtetësi shkencore ngriti këtë përmendore shkrimore.