26 % e familjeve me borxhe, Banka e Shqipërisë nuk mban asnjë përgjegjësi

665
Sigal

Banka e Shqipërisë si institucioni financiar më i rëndësishëm në vend ka si objektiv kryesor të sajin ruajtjen e stabilititetit të çmimeve por edhe mbështetjen e stabilitetit dhe zhvillimeve ekonomike të vendit. Shqipëria po kalon në një situatë të vështirë ekonomike, ku risqet financiare të bizneseve dhe situata e rënduar financiare e familjeve janë në rritje referuar shumë raporteve, edhe nga ana e Bankës së Shqipërisë. Mirëpo duket se BSH po mjaftohet thjesht me vrojtimin e raportimin e problemeve financiare të ekonomisë shqiptare, duke mos marrë asnjë masë apo plan nga ana e saj në zbatim edhe të misionit që ajo ka si mbështetëse e zhvillimit ekonomik të vendit. Së fundmi BSH ka bërë një vrojtim të radhës ku ka raportuar se 26 % e familjeve shqiptare janë me borxhe dhe se huamarrjet në të zezë kanë pësuar rritje. Siç shihet nga raporti, Banka e Shqipërisë bën thjesht konstatimin mbi gjendjen financiare të familjeve dhe të rritjes së kredieve të marra më “para në dorë”, duke mos ofruar asnjë sugjerim apo zgjidhje për përmirësimin e situatës. Banka e Shqipërisë duhet të kontribuojë dhe të mbajë përgjegjësinë e saj për ruajtjen e rritjen e ekonomisë së vendit, në veçanti edhe për  për stabilitetin e tregut monetar, ruajtjen e nivelit të çmimeve, përmirësimin e sistemit të kredive etj.

Vrojtimi i Bankës së Shqipërisë mbi huanë informale

Banka e Shqipërisë ka ushtruar një vrojtim mbi një kampion rastësor prej 1210 familjesh, ku 54% e tyre jetojnë në zona urbane dhe 46% në zona rurale të vendit për të vlerësuar gjendjen financiare. Rezultatet e vrojtimit kanë treguar se në rreth 44% të rasteve, huamarrja deklarohet në formën e ‘parasë në dorë’. Në rreth 31% të rasteve të raportuara, huamarrja e familjeve rezulton në formën e ‘kredisë nga institucione financiare, ku 27% e rasteve janë në trajtë kredie dhe 4% janë në trajtë kartash krediti dhe overdraft.  Kjo peshë ka shënuar rënie me rreth 7 pp krahasuar me 6-mujorin e kaluar dhe me 4 pp krahasuar me një vit më parë. Duke e analizuar tepricën e huamarrjes sipas burimit të saj rezulton se rreth 70% e tepricës vjen nga burime formale dhe rreth 30% nga burime joformale. Sipas vrojtimit të Bankës kjo strukturë reflekton rënien e ndjeshme të huamarrjes formale krahasuar me 6-mujorin e kaluar dhe krahasuar me një vit më parë. Duke e analizuar tepricën e huasë sipas qëllimit të përdorimit, rezulton se rreth 27% e saj është përdorur për ‘blerjen/riparimin e një prone’, 44% për ‘zhvillimin e një biznesi’ dhe vetëm 9% e tepricës është përdorur me qëllim ‘konsumi’. Qëllimet kryesore të huamarrjes mbeten: ‘për konsum’ në 37% të rasteve të huamarrjes, ‘për blerje/riparim i një prone’ në 26% të rasteve dhe për ‘zhvillim biznesi’ në 15% të rasteve.