Flet Maltin Korkuti: “ Credins” banka më e madhe me kapital shqiptar zgjerohet në tregun rajonal të Kosovës. Ja si i ndihmuan klientët gjatë krizës së pandemisë

393
Sigal

Intervistë me Maltin Korkuti, Drejtor i Përgjithshëm i Credins Bank

“Credins” zgjerohet në Kosovë

 Credins Bank u gjend e përfshirë në një proces të menjëhershëm për të ndihmuar të gjithë klientët, duke ndërmarrë masa të menjëhershme për ristrukturim të kredive nag goditja e pandemisë

 

Maltin Korkuti, Drejtor i Përgjithshëm i Credins Bank, thotë se banka, vitin e kaluar, konsolidoi pozicionin si huadhënësi më i madh në ekonominë shqiptare, me fokus të veçantë në sektorët strategjikë. Z. Korkuti thotë se, pavarësisht krizës, Credins vijoi me projektin e zgjerimit në Kosovë, ku është e pranishme me dy degë.

Sipas tij, kriza i dha shtysë të fortë zgjerimit të shërbimeve bankare dixhitale dhe rriti dukshëm përdorimin e tyre nga klientët. Sipas tij, sfidat e vitit 2021 lidhen me rimëkëmbjen ekonomike dhe me nevojën për të mbajtur nën kontroll të kujdesshëm cilësinë e portofolit të kredisë.

 Si do ta vlerësonit ecurinë e bankës suaj në vitin 2020? Cilat do të veçonit si arritjet më domethënëse dhe sfidat kryesore në aktivitetin tuaj?

Viti 2020 ishte sfidues, në shumë drejtime, jo vetëm për vendin tonë, por për të gjithë botën. Situata e pandemisë me të cilën u përballëm dilte përtej parashikimeve dhe na u desh të ndërmerrnim nisma të vazhdueshme dhe të menjëhershme për t’i paraprirë çdo ngjarje të papritur.

Me një organizim dhe koordinim mjaft të mirë, me të gjitha strukturat dhe drejtuesit e bankës, arritëm të ruanim një balancë të kujdesshme në të gjithë rrjetin e degëve dhe drejtorinë qendrore, për të mos ndërprerë, për asnjë çast, shërbimin ndaj klientëve dhe për t’i ofruar stafit dhe klientëve siguri maksimale për vazhdim normal të punës, duke transmetuar mbështetje të vazhdueshme dhe optimizëm për kapërcimin e situatës.

Përtej vështirësive të jashtëzakonshme me të cilat u përballëm, Banka Credins arriti të ruajë një performancë të kënaqshme, duke realizuar me sukses një pjesë të objektivave strategjike dhe duke ruajtur një pozicion të shëndetshëm të likuiditetit, kredisë me probleme, rritje të ardhurash dhe konsolidim të mëtejshëm të marrëdhënieve me klientët. Masat e shpejta dhe të suksesshme të ndërmarra, reflektuan një performancë paraprake pozitive kundrejt 2019-s.

Credins Bank e mbylli 2020 duke vazhduar të ruajë vendin e parë në treg për totalin e portofolit neto të kredisë, me një rritje prej +4%. Në këtë vit specifik, kredidhënia u fokusua kryesisht në sektorë strategjikë, si shëndetësi apo dhe në mbështetje të bizneseve të vogla e të mesme, për të gjallëruar aktivitetin e tyre, për të kapërcyer vështirësitë e krijuara dhe për të rifilluar me optimizëm.

Ndihmesë e madhe ishte dhe ristrukturimi i një pjese të portofolit të kredisë për bizneset që u ndikuan nga pandemia, si dhe mbështetja që ju dhamë me anë të skemave të paketave të garancisë sovrane. Përtej sfidave të tregut ndërbankar u ruajt një përqasje e kujdesshme për administrimin e likuiditeteve, duke siguruar një performancë të mirë për sa u takon luhatjeve të tregjeve financiare në fillimet e pandemisë.

Pandemia i dha një shtysë të mirë adresimit të klientëve drejt kanaleve digjitale duke rritur ndërgjegjësimin e tyre, e cila u reflektua në rritje të përdoruesve në aplikacionin Credins Online (+62%), shoqëruar dhe me rritje të numrit dhe volumit të transaksioneve dhe duke i lehtësuar me komisione lehtësuese. Klientëve ju sigurua akses dhe mbështetje e pandërprerë për të kryer veprimet në mënyrë direkte në Credins Online, i cili u pasurua me funksionalitete të reja dhe thjeshtëzime të mëtejshme në përdorim. Në linjë me strategjinë dixhitale, hapëm të parën degë dixhitale, “Degën Smart”, ku klientët u mirëpritën për t’u informuar dhe për t’u këshilluar për të kryer vetë direkt dhe në mënyrë të pavarur aplikimet, apo shërbimet bankare.

Pandemia ndikoi pozitivisht dhe në disa tregues të tjerë të bankës si: rritje e ndjeshme në përdorimin e kartave bankare (+59%), rritje e kërkesës për shërbimin e–commerce (+75%), si dhe rritje e depozitave të bankës (+8%).

Sukses i mëtejshëm, në një vit të vështirë, ishte dhe finalizimi i projektit të licencimit pranë Bankës së Shqipërisë për tre aktivitete të reja: tregtimin e derivativëve, nënshkrimin e titujve (underwriting), si dhe këshillimin për aktivitete të caktuara. Theksojmë se Credins Bank ishte gjithashtu një mbështetëse kryesore për qeverinë shqiptare në ankandin e letrave me vlerë, për të siguruar fondet për përballimin e pandemisë.

Përtej arritjeve, sfidat mbetën të hapura për vitin 2021, për të mbajtur nën kontroll portofolin e kredive, i cili duhet të monitorohet me kujdes në muajt në vijim, në linjë me zhvillimet e mëtejshme të situatës së pandemisë dhe pasojave që mund të sjellin në situatën ekonomike në vend dhe gjatë 2021.

Përtej masave të ndërmarra nga qeveria dhe banka qendrore, sfidë mbetet rimëkëmbja ekonomike, kthimi në normalitet i shumë sektorëve të ekonomisë së ndikuar negativisht nga pandemia, kthimi i besimit tek individët për të rritur konsumin dhe investimet etj. Sot jemi më të mirorganizuar në kuadër të infrastrukturës bankare për të përballuar pandeminë, por gjithsesi, normaliteti i ri mund të kërkojë masa shtesë, të cilat do të vlerësohen më tej.

Në këndvështrimin tuaj, cilat ishin ndryshimet më të rëndësishme që solli pandemia në mënyrën e të operuarit, ose në modelin e biznesit të bankave tregtare?

Pandemia i dha një shtysë mjaft të madhe mënyrës operacionale të të punuarit dhe të menduarit, dhe shumë procese të cilat në një situatë normale do të kishin kërkuar vite, tashmë u bënë realitet i menjëhershëm. Banka Credins adaptoi një politikë fleksibël të të punuarit nga shtëpia, duke u krijuar stafeve aksesin dhe infrastrukturën e nevojshme, përshtatëm politikat e brendshme duke respektuar parimet tona, adaptuam një kulturë pune bashkëpunuese dhe komunikuese nëpërmjet platformave dixhitale.

Shumë procese u automatizuan dhe u optimizuan për t’ju ardhur në ndihmë klientëve në mënyrë sa më efektive. U krijua një infrastrukturë mjaft e mirë për aplikimin online për shumë shërbime dhe produkte, duke përshtatur koordinimin e brendshëm për aprovime të shpejta.

U ndërtuan fushata dixhitale për të promovuar produktet bankare në kanalet dixhitale dhe për t’i shkuar klientit aty ku ai është, jo vetëm duke i dhënë informacionin në mënyrë të thjeshtë dhe komode, por dhe incentiva lehtësuese në komisione dhe aplikim direkt online nga zyra apo shtëpia. Ngritëm strukturat përkatëse të suportit të menjëhershëm ndaj klientit dhe gjithashtu, alokuam stafe të specializuar në degët tona për të edukuar dhe për të konsultuar klientët për përdorim të kanaleve dixhitale.

Cilët sektorë apo segmente të kredituar prej jush janë prekur më shumë nga kriza ekonomike? A prisni përkeqësim me përmasa shqetësuese të cilësisë së portofolit të kredisë dhe, nëse po, kur mund të ndodhë kjo?

Masat kufizuese, karantina e përgjithshme, pasiguria e krijuar, mbyllja e bizneseve dhe vendeve të punës, si pasojë e pandemisë, shkaktuan tkurrje të ekonomisë në masën prej 3.3% në 2020, ndërkohë, parashikimet janë për një rritje prej 5.1% në 2021.

Një nga efektet e menjëhershme që kriza shëndetësore solli në ekonominë reale ishte rritja e rrezikut të kredisë së klientëve individë dhe biznese të Bankës. Credins Bank u gjend e përfshirë në një proces të menjëhershëm për të ndihmuar të gjithë klientët, duke ndërmarrë masa të menjëhershme për ristrukturim të kredive për çdo klient të prekur negativisht nga pandemia, por dhe duke u bërë pjesë e konsiderueshme e procesit të kredive të garantuara nga Qeveria.

Sektorët që u ndikuan në mënyrë të drejtpërdrejtë nga kriza ishin sektorët e shërbimeve, turizmit dhe transportit, të cilët pësuan një tkurrje të dukshme. Pavarësisht krizës, kreditimi ka vazhduar në rritje në të gjitha segmentet, e lidhur ngushtë me menaxhimin e situatës në mënyrë proaktive nëpërmjet analizës së nevojave për çdo sektor dhe hedhjes në treg të produkteve të reja.

Banka është përfshirë në një proces ripërtëritje për t’u siguruar që kriza nuk do të ndikojë negativisht në progresin bankar. Duke bashkëpunuar në mënyrë konstante me drejtuesit kryesorë të shoqërisë, biznesit, industrisë, teknologjisë, si dhe të qeverisë, ekonomia mund të rimëkëmbet në një mënyrë që nuk mund të sjellë tjetër, veçse mundësi të reja për një ripërtëritje të të gjithë sektorëve të ekonomisë.

Cilat janë pritshmëritë dhe objektivat tuaja kryesore për ecurinë e biznesit në vitin 2021?

Strategjia afatmesme e Bankës Credins në tre vitet e ardhshme ka për qëllim të forcojë më tej pozicionin si një nga institucionet kryesore dhe të qëndrueshme financiare në vend, duke u mbështetur në disa shtylla kryesore si: shërbime inovative dhe të personalizuara drejt një rrugëtimi dixhital, në përshtatje me sjelljen e konsumatorëve, investim në burimet njerëzore, rritje e produktivitetit të 58 degëve të bankës, optimizim i proceseve nëpërmjet implementimit të sistemeve të reja, etj.

Do të vazhdojmë transformimin teknologjik me projekte interesante për të ofruar një përvojë unike dixhitale për çdo klient në shumë kanale alternative, duke kërkuar përmirësime rregullative, teknike dhe administrative për të mbështetur zhvillimet teknologjike, siç është firma dixhitale.

Banka Credins do të vazhdojë të jetë një nga institucionet kryesore bankare në vend, duke mbështetur zhvillimin e përgjithshëm ekonomik të vendit, ndikuar në uljen e informalitetit dhe reduktimin e cash-it në ekonomi, nëpërmjet produkteve dhe ofertave atraktive, si dhe do të vazhdojë të kontribuojë në investime të vazhdueshme tek stafi dhe punësimi i mëtejshëm i të rinjve, duke përkrahur zhvillimin e talenteve.

Banka Credins, pas 18 vitesh të suksesshme në tregun shqiptar, sapo ka hapur dyert e veta në Kosovë, dhe tashmë jemi të pranishëm me dy degë. Kjo vendimmarrje e rëndësishme, edhe pse në kushtet me të vështira siç është situata e pandemisë, nuk na ndal për të ecur përpara me planet tona për zgjerim të mëtejshëm gjatë 2021 dhe për të qenë të pranishëm në trojet shqiptare afër çdo klienti. Avantazhet konkurruese dhe ekspertizën që kemi krijuar në shërbimin e shkëlqyer ndaj klientëve, portofolin e produkteve, sistemet teknologjike, rekrutimin dhe promovimet e stafeve, do t’i zbatojmë dhe në Kosovë, për të ofruar më të mirën dhe në këtë treg.

Banka Credins ka qenë mjaft aktive në evidentimin e nevojave të shoqërisë shqiptare dhe hartimin e projekteve për të ndihmuar lehtësimin e tyre. Përmirësimi i infrastrukturës në arsim, shëndetësi, mjedis, inovacion etj., do të vazhdojnë të jenë në fokus të bankës sonë, si një pjesë e pandashme e strategjisë për një përgjegjësi korporative sociale, e cila së shpejti do të finalizohet dhe me një projekt mjaft interesant për një gjithëpërfshirje më të gjerë të së gjithë shoqërisë, për të kontribuar më shumë në drejtim të një shoqërie më të mirë.