Zëri i Amerikës: Gjenden parregullsi në kutitë e votave 

345
Sigal

Pas vendimit të KAS për hapjen e kutive të materialeve zgjedhore  për 24 qendra votimi në Berat u gjendën mbi 100  parregullsi, ku 19 persona votuan 53 herë. Ndërsa në Gjirokastër 14 persona votuan 74 herë. Ja dokumentat që i nxjerrin bojën masakrës zgjedhore të 25 prillit

VOA: Gjenden parregullsi në kutitë  e votave të disa qendrave të votimit në Berat

Në Shqipëri, Komisioni i Ankimimit dhe Sanksioneve, hapi sot (dje) kutitë e materialeve zgjedhore për 24 qendra votimi në Berat. Hapja e kutive u bë pas ankimit të paraqitur nga Lëvizja Socialiste për Integrim, e cila ka kërkuar shpalljen të pavlefshme të votimit në këto qendra si dhe ripërsëritjen e votimit në të gjithë Qarkun e Beratit, ku vetëm për disa dhjetra vota, ajo nuk mundi të siguronte një mandat. Nga hapja e materialeve zgjedhore, janë vënë re parregullsi të ndryshme në disa qendra votimi, si mungesa e raportit të mbylljes së pajisjes së idetifikimit elektronik, mungesa e një procesverbali për kalimin në proces votimi manual, apo diku tjetër mungesa e raportit të hapjes dhe mbylljes së pajisjes së identifikimit elektronik, si dhe një tentativë për votim të dyfishtë në një qendër votimi. Seanca përmbyllëse për ankimimin e LSI-së pritet të zhvillohet ditën e mërkurë, kohë gjatë së cilës edhe vetë Komisioni i Ankimimit dhe Sanksioneve do të vendosë se çfarë do të bëjë më tej dhe, nëse ka hapësira për të vijuar me një hetim më të thelluar, që do të mund të çonte në rinumërim të votave të 24 qendrave, për të cilat ka patur ankimim. Në mbrëmje Partia Demokratike, publikoi një dokument që vetë Komisioni i Ankimimeve mori në zotërim, sipas të cilit rezulton se në Berat, nga kryqëzimi i të dhënave të votuesve, rezulton se 19 persona, kanë votuar disa herë, pjesa më e madhe të paktën dy herë, ndërsa ka mes tyre që kanë votuar dhe më shumë. Në total bëhet fjalë për 53 vota të hedhura nga 19 persona. Më pas dhe LSI, përmes Sekretarit të Përgjithshëm Endrit Braimllari, u shpreh se “vetëm në Berat u vërtetua se të paktën 19 shtetas kanë votuar 53 herë, skemë kjo e cila është përdorur në të gjitha qarqet e vendit duke manipuluar procesin e zgjedhjeve. Nga hapja e kutive, u pa qartë se ka më shumë fletë votimi sesa vetë numri i votuesve. Pra, qartazi kutitë janë mbushur duke përdorur çdo strukturë në funksion të qeverisë”.

1.Nga hapja e materialeve zgjedhore janë vënë re parregullsi

  1. Mungesa e raportit të mbylljes së pajisjes së idetifikimit elektronik
  2. Mungesa e një procesverbali për kalimin në proces votimi manual
  3. Mungesa e raportit të hapjes dhe mbylljes së pajisjes së identifikimit elektronik
  4. Tentativë për votim të dyfishtë në një qendër votimi

 Akuza e PD-së: KAS  po pengon transparencën e zgjedhjeve

19 persona në Berat votuan 53 herë, në Gjirokastër 14 persona votuan 74 herë

Nentitulli: Ja dokumenti që fakton parregullsitë

Kryqëzimi i të dhënave të shenjave të gishtave ka faktuar votimin e parregullt në qarkun e Beratit. 19 persona kanë votuar 53 herë, mes të cilëve 2 persona kanë votuar 2 herë. Kjo e dhënë është shumë e rëndësishme, sepse verifikon që persona të ndryshëm kanë mashtruar duke votuar në emrin e personave të tjerë.  Në Qarkun e Beratit, diferenca për mandatin e pestë të PS-së dhe mandatit të LSI-së është vetëm 77 vota. Ky dokument u pranua të merret nga KAS dhe nxjerr në pah parregullsitë proceduriale të procesit të votimit. PD theksoi se nëse KAS do të kishte pranuar të kërkonte edhe prova të tjera për blerjen e votës mes legalizimeve, punësimeve, përdorimit të shtetit për përfitim elektoral, masakra zgjedhore do të ishte shfaqur e plotë para shqiptarëve. PD akuzon KAS se, po pengon transparencën e zgjedhjeve.

Raporti i PEI-së mungoi tek materialet zgjedhore, u futën dorazi nga administrata e KQZ-së

Raporti PEI (Pajisje Elektronike të Identifikimit) i konfirmuar edhe nga numëruesit socialiste dhe nga hapja e djeshme e kutive të Beratit, që nuk ndodhet në kutitë e materialeve zgjedhore, është futur dorazi nga jashtë nga ana e administratës së KQZ-së, duke hedhur hije dyshimi mbi procesin. Sipas procesverbalit të mbajtur nga KAS thuhet se nga hapja e 4 kutive me materiale votimi nxori dokumentacionin përkatës, por mungojnë raporti hapje-mbyllje procesi PEI, tabela përmbledhëse, tabela për subjektet, tabela për kandidatët, shënimet/ procesverbalet GNV, kuponët e PEI-së. Më pas, në një shënim me dorë thuhet se, raporti i mbylljes PEI u gjend në valixhen PEI ashtu si kuponët, çka do të thotë se KQZ ka futur nga jashtë materiale që nuk janë në kutinë e materialeve zgjedhore.

PD publikon dokumentet: 3 prova që nxjerrin 100 parregullsi, faktohet votimi i shumëfishtë

Juristi i PD-së, Marash Logu, ka bërë me dije se KAS, ka pranuar vetëm 3 prova nga ato që disponojnë demokratët, të cilat nxjerrin 100 parregullsi në procesin e zgjedhjeve të 25 prillit. Komisioni i Ankimeve dhe Sanksioneve (KAS), me kërkesë të dy anëtarëve z. Braho dhe z. Cefa, pranoi të merrte vetëm tre prova. Konkretisht: Në foton e pare, kemi të dhënat e kryqëzuara të pajisjeve PEI për qarkun Gjirokastër. Aty rezulton se shenjat e gishtërinjve të 14 personave janë përdorur për identifikimin e 74 zgjedhësve. E thënë ndryshe, potencialisht 14 persona kanë votuar 74 herë ose mesatarisht 5 herë/secili. Në foton e dytë, kemi të dhënat e kryqëzuara të pajisjeve PEI për qarkun Berat, nga ku rezulton se shenjat e gishtërinjve të 21 personave janë përdorur për identifikimin e 57 zgjedhësve ose 21 persona kanë votuar 57 herë, ose rreth 3 herë/secili. Në foton e tretë, kemi vendimin e KZAZ-së  nr. 82, qarku Gjirokastër për emërimin e anëtarëve të Grupit të Numërimit Nr. 4. Numërues i parë është shtetasi Thanos Andrea Karameno (PS). Ky shtetas rezulton se është futur në Shqipëri nga Greqia, pas datës 19 prill kur u vendos karantinimi 2-javor i personave që vinin nga Greqia dhe Maqedonia. Vetëm me tre prova të thjeshta, faktohen mbi 100 shkelje flagrante të ligjit. Merreni me mend se sa shkelje të rënda do të zbardheshin, nëse KAS-i, nuk do të sillej si shërbëtor i Edi Ramës dy herë rradhazi, por do të pranonte 19 kërkesat tona për marrje provash. Sepse ata e dinë që po i morën provat, do të faktohet para të gjithë shqiptarëve dhe partnerëve ndërkombëtarë masakra zgjedhore e 25 prillit.

Zbulohen dhjetëra raste të votimeve më shumë se 1 herë në Berat dhe Gjirokastër

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë kryqëzimin e të dhënave të pajisjes PEI pas kërkesës nga Komisioni i Sanksioneve dhe Ankesave. Sipas rezultateve të dala nga kryqëzimi, KQZ njofton se janë 57 raste të dyshimta në Berat, mes të cilave 2 raste kur 2 persona janë shfaqur në 2 QV të ndryshme. Në Berat, 19 persona kanë dhënë shenjën e gishtit si nënshkrim biometrik për 53 zgjedhës. Ndërkohë, 74 janë rastet e dyshimta për në Qarkun e Gjirokastrës: 2 raste të dyshimta, ku 2 persona janë paraqitur në 2 QV të ndryshme dhe 12 persona kanë dhënë shenjën e gishtit si nënshkrim biometrik për 70 zgjedhës. Edhe sot, KAS do të vijojë me shqyrtimin e ankimeve.

U ankua LSI, KAS  hap gjashtë kutitë e para të Beratit, në njërën prej tyre mungon raportimi i Pajisjes së Identifikimit Elektronik

Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve, mori dje në shqyrtim  24 kuti të votimit të Qarkut të Beratit, pas pretendimit të LSI-së, për manipulim votash në zgjedhjet e 25 prillit. Kreu i KAS, Elvis Qefa tha se, në gjashtë kutitë e para, në njërën prej tyre, nuk është gjetur raporti i Pajisjes së Identifikimit Elektronik PEI, e për këtë arsye, ai kërkoi hapjen e kutisë së votimit, për të vërtetuar atë që është shkruar në procesverbal. “Për shkak se në një nga materialet e qendrës së votimit, me nr. 3446 nuk u gjet procesverbali i PIE-së, atëherë do të na duhet për të hapur dhe kutinë e votimit, për të parë administrimin e këtij procesverbali aty”, u shpreh kreu i KAS Elvis Çefa.

“Përplasen” anëtarët e KAS  Bele dhe Braho për kutitë e votimit në Berat

Anëtari i KAS Ledio Braho, u shpreh dje: “Pretendimet kanë të bëjnë me faktin që në një qendër votimi ka më shumë fletë sesa votues, apo ka më pak fletë, sesa votues. Është ende në proces. Provat janë nxjerrë nga materialet zgjedhore, janë vënë në dispozicion anëtarëve të KAS dhe subjekteve zgjedhore.”

Por a janë këto prova të mjaftueshme për të përsëritur zgjedhjet në këtë qark, siç kërkon jo vetëm LSI, por edhe PD?  Koli Bele e përjashton mundësinë, që me këto prova, të përsëriten zgjedhjet: “Pavlefshmëria e zgjedhjeve në qark është një rrethanë e jashtëzakonshme, nuk mjafton që në një qendër votimi të ketë dy zgjedhës që kanë harruar të firmosin,” shprehet Bele. “Duhet të kemi parasysh që për pavlefshmërinë duhen katër votat nga anëtarët e KAS-it . Koli Bele dhe Ledio Braho, kanë qëndrime të kundërta sa i takon kërkesës së Partisë Demokratike, për të marrë informacion  edhe nga institucione të tjera, si policia, prokuroria apo legalizimet, për të provuar deformimin e zgjedhjeve nga PD. “KAS nuk është agjenci informacioni apo analitike që mbledh informacione nga institucionet e shtetit,” deklaron Bele. “Kërkesa e këtyre provave kërkon me shumicë votash. Nuk arritëm dot shumicën dhe ndaj nuk ka transparencë,”-  shprehet Braho. Kjo kërkesë u refuzua nga KAS. “Ato nuk i vlejnë në thelb procesit zgjedhor, mbasi në fund të  ditës ne vlerësojmë çfarë kanë ndodhur në ditën e zgjedhjeve në qendrën e votimit. Pastaj sesa legalizime, sa gjoba, apo sa patenta janë dhënë, unë nuk mendoj se ndryshon rezultatin zgjedhor,” thotë Bele.  Ndërsa Braho thotë: “Unë dhe një nga anëtarët e tjerë kemi qenë pro kryerjes së transparencës së procesit zgjedhor. Në fund, edhe nëse në Berat zgjedhjet nuk do të përsëriten, votat do të rinumërohen për të gjithë qarkun, kërkesë kjo e LSI-së, që e humbi mandatin e saj për 77 vota, vota të cilat beson që i janë numëruar gabim”.

KAS  sot do të shqyrtojë ankesat për Gjirokastrën

KAS do të mblidhet ditën e mërkurë, për administrimin e provave për qarkun e Beratit dhe sot shqyrtimin e kërkesave ankimore për Gjirokastrën.