Flet ish-oficeri i lartë i Kufirit Sefer Pasha: Si e pritëm Zanën, gruan e Jusuf Gërvallës me tre fëmijët në Kakavijë, më 30 mars 1982

776
Sigal

Kalimi me pasaport fallco nga Zvicra në Athinë dhe udhëtimi drejt kufirit shqiptar nga Janina. Porosia e Ksenofon Nushit për pritjen e Gërvallës, frika nga snajperat e UDB dhe si u zbulua takimi i Kadri Hazbiut me ushtarakët grekë ndërko që prisnim edhe Xhevdet Mustafën. Pse u shkatërrua hani i Ali Pashës dhe memomoriali i Telinit

 

  • Flet ish-oficeri kufirit  Sefer Pasha: Ksenofon Nushi na tha,“kujdes nga snajperat e UDB-së, mund të vrasin familjen Gërvalla”.
  • -Ja si e pritëm Zanën, gruan e Jusuf Gërvallës me tre fëmijët në Kakavijë, më30 mars 1982.
  • -Kur u vetëvra Mehmet Shehu, Komanda e Divizionit të Janinës, doli tek porta dhe na ngushëlloi, ne nuk e dinim.
  • -Porosia e shokut Enver Hoxha: Tek porta e Kakavijës do të vijë nga Janina një “personalitet”, të pritet me masa të jashtëzakonshme sigurie.
  • -Këtë Urdhër shoku Enver nuk e kishte dhënë as kur u vetëvra Mehmet Shehu.
  • -Frika ishte se pritej Xhevdet Mustafa, fotografinë e tij e kisha në xhep.
  • – Shoqëruesi i qenit të kufirit Faik Cani, e kishte ngjitur fotografinë e Xhevdet Mustafës tek dera e kashunit të qenit.
  • – Në doganë, mbase në të vetmen në botë, paraqiteshin në sportel vetëm çakejt.
  • – Qëndrova nëntë vjet dhe nuk qarkulloi një paketë cigare.
  • – Katër vjet me rradhë nëKakavijë ishte trajnuar Çufe Mullai
  • – Enver Hoxha i kishte dhënë dorën Çufe Mullait: – “Çufe! Udhë të mbarë! Ta nderosh Fushë Bardhën që të lindi!”
  • – Porosia që i jepej çdo oficeri të ri të Sigurimit kur merte detyrën ishte:  -“Kujdes nga shalët e bardha dhe paret e verdha!”
  • – Këtë shprehje e kishte thënë fare rastësisht në një mbledhje Enver Hoxha dhe u kthye në hymn.

Gazeta Telegraf

Rrëfimet dhe memoria e  ish-oficerit të kufirit  Sefer Pasha janë gjithmonë mbresëlënëse.  Si një arkim thesaresh gjithmonë në biseda ajo nxjerr diçka të re qëpër brezin e ardhshëm shumë ngjarje duken të pabesueshme. Dhe vërtet kështu duken edhe për brezat e moshës së  dytë apo të tretë, që nuk kanë qenë lidhur shumë me situata të tilla. Ngjarjet në kufirin shqiptar, gjatë periudhës së sistemit komunist, kanë qenë të shumta dhe të pabesueshme. Vetëm ata qëkanë qenë pjesë e tyre nuk përcjellin ndonjë interes pasi iu dukej i zakonshëm çdo zhvillim në kufi. Por kufiri me Greqinë ka pasur më shumë ngjarje për vetë faktin se, në Kakavije si pika kufitare paksa më e hapur, lëviznin delegacione apo kryeheshin arratisje jo të zakonta. Ndaj dhe këto ngjarje të sotmet do të jenë po aq intereante sa të mëparshmet.

  • Dikur shkarazi keni përmendur se në Kakavijë ka ardhur dhe Donika Gërvalla. A është e vërtetë dhe si do e përcjellësh tek lexuesi këtë ngjarje?

-Do ta titulloja: Vështrim me dalldi mbi çikën e vogël të malësisë, Donika Gërvallën që e pritëm në udhën tërthore të Kakavijës së qëmotit, me klon.

-Si e pritët? Kush dhe si e dha urdhërin?

-Një radiogram i shifruar dramatik më tronditi. Teksti i radiogramit me pak fjalë ishte ky. Tek porta e Kakavijës do të vijë nga Janina një “personalitet”. Të pritet me masa të jashtëzakonshme sigurie. Është porosi e Komandantit të Përgjithshëm, shokut Enver Hoxha. U befasova. Çfarë po ndodh, i thashë vetes?. Një radiogram me këtë përmbajtje nuk na kishte ardhur ndonjëherë. As kur u vra Mehmet Shehu dhe Komanda e Divizionit të Janinës doli tek porta dhe na ngushëlloi, kur ne nuk e dinim që Kryeminstri i Shqipërisë kishte vrarë veten.

Në një takim në këmbë i informova kolegët për “bombën” e radiogramit. Bashkëpunëtorët e mbrojtjes së kufirit në Kakavijë më shikonin në sy.

-Ç’ishte kjo betejë që ju priste?

-Në fillim u hutova….Por në çast e mblodha veten. Në xhepin e xhaketës ushtarake kisha fotografinë e njeriut më të kërkuar në Shqipëri dhe Evropë nga organet e Sigurimit të Shtetit. Bëhej fjalë për Xhevdet Mustafën. I gjithë kufiri tokësor dhe detar ishte në gadishmëri për hyrjen e tij në Shqipëri. Fotografia qe shpërndarë që të njihej Xhevdet Mustafa. Shoqëruesi i qenit të kufirit Faik Cani, e kishte ngjitur fotografinë e Xhevdet Mustafës tek dera e kashunit të qenit. Në rast se do të binin në gjurmët e Xhevdet Mustafës qeni i kufirit, i cili qe ambjentuar me foton e terroristit, të mos i ndahej deri sa ta shqyente. Kam parë shumë stërvitje në jetë. Po si ajo e instruktorit Faik Canit me qenin e kufirit në Kakavijë, nuk më kishin parë sytë. E ngjashme si në stërvitjet me dema. Instruktori mbante në dorë një portret të madh të Xhevdet Mustafës. Foton e kishte ngjitur mbi një hu lisi të thatë. Vet instruktori me të hapur derën e kashunit të qenit ia afronte atij tek turiri. Dhe ai fluturonte për ta shqyer. Instruktori sërish manovronte. E shmangte foton dhe qeni shkonte në fund të fushës së stërvitjes dhe rikthehej më i tërbuar. Kjo lojë vazhdonte nja dy orë deri sa qenit i varej gjuha sa një peshqir dhe i lëshonte jargë të zeza.

  –Po nga Tirana, a erdhi dikush në këtë situatë?

-Ndërsa lëvizja i menduar, mbërriti nga Tirana komandanti i pikës së kontroll- kalimit, Agim Zhulegu. I kishin dhënë urdhër që ta ndërpriste lejën. Për bujë e quanin Komandant i Doganës. Në doganë, mbase në të vetmen në botë, paraqiteshin në sportel vetëm çakejt. Qëndrova nëntë vjet dhe nuk qarkulloi një paketë cigare. Agim Zhulegun e vura në djeni për radiogramin. Ai më priti me këmbët e para. Kush i ha këto dokrra tha ai. Ku ka kohë shoku Enver të merret me radiogramet. Unë nuk fola. Agimin e kisha vartës, por ai ishte rebel. Kishte pamjen e një aktori. Ishte dy metra i gjatë. I pashëm e i ditur. Kishte qenë komandant në Qafën e Prushit në Tropojë. Kadri Hazbiu e solli në Kakavijë. Nuk kishte shumë kohë që ishte fejuar me një vajzë me origjinë nga Shishtaveci që studionte në Paris. Qëlloi që ajo të ishte lidhje miqësore me Hysni Kapon. Agimi nuk pritej. S’e besoi përmbajtjen e radiogramit. Tema e preferuar e tij ishte talenti i kuadrit. Idhulli i tij ishte oficeri i Zbulimit të Jashtëm Ilia Zhulati. Ai kishte marë titullin Doktor i Shkencave. Kishte mbrojtur shkëlqyshëm anglishten. Dhe kishte botuar një fjalor anglisht – shqip. Agimi tregonte se Ilia Zhulati që të mos flerë gjumë dhe të studiojë, gjatë natës pinte çaj me dëllinjë të kuqe. Çaji i dëllinjës ja përzinte gjumin. Ai i kishte zili oficerët e zbulimit. Ata i tregonin Agimit se katër vjet me rradhë ishte trajnuar Çufe Mullai në Kakavijë. Pasi zbuluesit e kishin trajnuar, Çufe Mullain e kishin kaluar në klonin në anë të lumit të Drinos. Oficerin e zbulimit që e “dorëzoi” Çufe Mullain tek policia greke edhe unë e pata takuar. Më lidhën nja dy shërbime delikate që i bëra mirë. Zbuluesi me emër më rrëfeu skenën kur kishte marë pjesë në takimin midis Çufe Mullait dhe Enver Hoxhës. Në çastin kur Enver Hoxha i kishte dhënë dorën e “lamtumirës”Çufe Mullait, i kishte thënë këto fjalë: – “Çufe! Udhë të mbarë! Ta nderosh Fushë Bardhën që të lindi!”. Por zbuluesit dhe mjeshtrat e Sigurimit të Shtetit e ndiqnin Çufe Mullain edhe kur ai u bë një nga njerëzit besnikë të Mbretit Zog. Edhe pse e kishin bashkëpunëtorin e tyre e përndiqnin këmba – këmbës tek “foleja”. Dyshonin se mos agjentura e mbretit Zog e rekurtoi dhe ai luante rol të dyfishtë. Aq djallëzor qe Sigurimi i Shtetit sa vite më vonë, kur Çufja e mbaroi misionin dhe u kthye në Shqipëri, në Gjirokastër u propozua që atij t’i jepej titulli “Hero i Popullit”.  Por udhëheqja lart e refuzoi. Sigurimi i Shtetit nuk qe i sigurt nëse agjentura e mbretit Zog e bëri për vete Çufe Mullain? Shumica e zbuluesve ishin të rinj. Porosia që i jepej çdo oficeri të ri kur merte detyrën ishte:  -“Kujdes nga shalët e bardha dhe paret e verdha”! Thuhej se këtë shprehje e kishte thënë fare rastësisht në një mbledhje Enver Hoxha. Kjo thënie u kthye në hymn.

-Të kalojmë tek radiogrami tronditës?

            –Papritur matanë telave me gjemba, ushtari grek ngriti flamurin e bardhë. Tek porta u afrua makina e ambasadës tonë në Athinë. Ishte ambasadori Ksenofon Nushi. Ai zbriti nga makina dhe bashkë bëmë disa metra në këmbë. –“I keni marë masat,- tha ai?-Nesër në orën tetë do të vij “ylli” që nga Janina. Të keni kujdes pikat e larta që nga territori grek,-shtoi ai. UDB – ja mundet të vendosë snajperë dhe nesër të na bëjë gjëmën.” Ksenofon Nushi u nis për në Gjirokastër. Pikë e zezë thashë me vete. “Ylli” nuk mund të jetë Xhevdet Mustafa. Terroristi pritet nga deti dhe nga malet. Veçse nëse e kanë futur në valixhe si Anastas Marin, që e varën tek Rrapi i Dropullit të Sipërm. Agim Zhulegut një detyrë ja dhashë, se e kisha vartës. Të merrte masa për tualetin që ishte i kohës së Baba Qemos. Për shkak të terrenit të pjerrët kur qe ndërtuar ajo godinë sa për “dy vetë” për të shkarkuar ujërat e zeza qe hapur një tunel i thellë dhe i gjerë. 15 metra më poshtë ishte vija e kufirit ku ndanim me Greqinë. Dhe ujërat e zeza nuk duhet të delnin në pyllin e tokës greke. Ato nëpërmjet tunelit të thellë duhet të kullonin në gjirizet e tokës së shtuftë dhe të binin në degën e lumit të Drinos, që vinte nga Janina. Po të delte një pikë ujë i zi, grekërit bënin namin. Në pranverën që shkoi kishte mbirë një kungull në tokën tonë. Njëra degë e kungullit qe ngjitur mbi një lis dhe kishte kaluar në teritorin grek. Ushtarakët grekë e quajtën incident. Unë në takim u thashë se kungulli që e ka kaluar vijën e kufirit, nuk është njeri. Është bimë. Ju e keni mbjellë kungullin këmbëngulnin kolonelët grekë.

Nuk më kishte qëlluar që të zija pritë tek porta me tela. “Qytetarët” e parë që filluan të lëvizin ishin çakenjtë. Një çakall qe futur në guzhinën e kufitarëve grekë. E thoshin vetë ushtarakët grekë kur bënin llogje e luanin basketboll tek fusha nga ana e lumit të Drinos. Rreth 50 metra nga vendi ku isha pozicionuar dhe dridhesha nga era e shiu, që vinte me dallgë nga Janina, ishte livadhi kur, në 27 gusht vitin 1923, shovinistët grekë vranë gjeneralin Italian Telinin. Ai qe me komisionin që ndante kufijtë midis Shqipërisë dhe Greqisë. Në kujtim të gjeneralit të vrarë shqiptarët kishin ngritur një lapidar të lartë sa një lis. Por grekërit e kishin minuar. Unë e kisha pikë të dobët gjeneralin. Po shkruaja një libër për të. Gjeneralin italian Telinin e kishin vrarë dhjetë kilometra në thellësi të territorit të Greqisë. Jo në Kakavijë ku ishte ngriturlapidari.

I gjithë ai copë vend i rrethur me tela ishte i mbushur me tregime. Aty ishin rrënojat e hanit ku pinte verë Ali Pashë Tepelena. Po aty ishte udha ku kishte kaluar Bajroni. Gjithashtu dihej ku ishte kasollja ku qe strehuar Vasiliqia e shoqëruar nga Thanas Vaja pas vrasjes së Pashait. Në ato mote të ashpëra të marrëdhënieve me grekërit në Kakavijë, kishim të miratuar nga Ministria si përkthyes minoritarin P. Konomi. Në dy – tre raste, ai më pati thënë me mburrje se kishte dëgjuar prej kolonelëve grekë se Naim Frashëri kur ishte student në gjimnazin “Zosimea” në Janinë, ai shpesh kishte kaluar nga udha e vjetër Janinë – Kakavijë. E pinte kafen tek Hani i Vjetër që ishte si të thuash një lloj dogane. Unë atëherë isha djalë i ri dhe kurrë nuk e pyeta përkthyesin për ndonjë hollësi nga pushimet që bënte Naim Frashëri në Hanin e Kakavijës. Shumë vite më vonë jam kujtuar. Por ishte vonë.                                                                                                                                                      – Ngjarje interesante, plot histori por si rrodhën ngjarjet e asaj dite?

– I kujtoja ngjarjet dhe nuk më hiqej nga mendja ajo që më tha ambasadori. Kujdes nga “snajperët” e UDB –së në taracën greke. E vrisja mendjen. Me kufitarët grekë ballë për ballë nuk kisha ndonjë shqetësim. Kishte ndodhur një “incident” i heshtur, të cilin e dija unë dhe kufitari shqiptar në vendroje. Një javë më parë një stuhi që erdhi nga Janina gati e rrafshoi luginën. Më sqaroi kufitari në vendroje, i cili në minutat e stuhisë ishte roje pranë shtyllës së flamurit. Stuhia vetëtimthi e sharroi fillin e litarit sa një gisht në shtyllën e hekurt dhe e shpuri në një nga transhetë e braktisura të shtetit grek. Kufitari shqiptar që ishte roje pranë flamurit, megjithëse ishte fare i pafajshëm, qe tronditur. Skenën me flamurin shqiptar që përfundoi në territorin grek e pa dhe kufitari grek. Ai ishte disa metra më tutje gjithashtu i strukur pas një muri betoni. Në një fraksion të minutës të dy kufitarët u ndodhën ballë për ballë. Heshtën. Atë që ndodhi, kufitari shqiptar ma shpjegoi në mënyrë të habitshme. “Paqja” midis dy kufitarëve “armiq” qe vendosur vetëvetiu. Ngjarjen me flamurin nuk e raportova. S’isha i sigurt se mund të ishte ashtu siç ma tha kufitari.

Rreth orës tetë ndodhi e pabesueshmja. Ushtari grek tek porta me tela ngriti sërish flamurin e bardhë. Aty ndaloi një makinë e ambasadës tonë në Athinë. Tok me Agim Zhulegun e hapëm portën menjëherë. Me siguri në bagazhin e makinës është “valixhja” me trupin e Xhevdet Mustafës thashë unë. Por shtanga në vend.

 

-Pse shtange?

-Makinën e ambasadës e ngiste një nga diplomatët në Athinë, Asaf Hadëraj. Me ta kaluar portën zbritën nga makina një grua me tre fëmijë. Unë ecja praptazi. Bëja detyrën. I mbuloja fëmijët me trupin tim. Sytë nuk i ndaja nga taraca e grekut. Prej andej do të hapej zjarr nga “snajperistët” serb dha porosi ambasadori Ksenofon Nushi. Nga sekonda në sekondë prisja që plumbat të binin mbi mua, që po i mbroja fëmijët me trupin tim. Me sytë nga “snajperistët” e UDB – së fiksova një moment. Djali u shkëput nga e ëma dhe këputi dy lule marsi tek Pusi i Vezirit. Që nga shkallët e doganës nëna i tha: – Premton! Çfarë ere mbajnë lulet? Dhe djali u përgjigj: – Lulet mbajnë era atdhe! Pastaj gruaja me të tre fëmijët u fut në zyrën sa një qymez pulash. E prisnin oficerët e zbulimit dhe punonjësit e Ministrisë së Jashtëme. Çfarë emri t’i vëmë kësaj, i thashë Agim Zhulegut? Ai filloj të më ironizojë. Ju luta që të futej në zyrë dhe mbase mësonte ndonjë hollësi. Agimi më dëgjoi. U fut brenda dhe doli shpejt që andej. Nuk mësova ndonjë gjë të hajrit tha ai i nervozuar. Ajo gruaja që nxin e sterron e ka emrin Zana. Të njëjtin emër ka dhe e fejuara ime që studion në Francë. Pas pesë minutash Asaf Hadëraj u nis drejt Tiranës me gruan dhe tre fëmjët. Kur më informuan në radio se “personaliteti” e kaloi portën e klonit, mua më shkriu gjaku.

 

-Nesër do lexoni:

-Altoparlantët e postës greke përhapnin: Flamurin grek do ta ngremë, shumë shpejt në Tepelenë

– Një kufitar që ëndërronte të bëhej sculptor, kishte thurur me drurët e pyllit bustin e Ismail Qemalit

-Ushtarët grekë të irrituar e goditën me flakhedhës,  e dogjën

– Zana Gërvalla me fëmijët erdhi në Shqipëri, me tjetër emër në pasaportë

-Pas vizitës në Dropull, grekët prisnin Enverin në Kakavijë, lum njerëzish, por ai iku në Sarandë

– Gjatë një vizite në Dropull, Kadareja na nderoi me grusht, unë mburresha, shoku im më tallte

-E pabesusehmja e Delo Hodos: Kadri Hazbiu kaloi kufirin fshehurazi me dy civilë dhe takoi ushtarët grekë

-Si e përshëndesnin në kor ushtarët grekë Arqile Botin: A je mirë qirje Boti?

-Si u zhdukën në Kakavijë lapidari i gjeneralit italian Telinit dhe Pusi i Vezirit