Flet Gaqo Veshi: Disa kujtime nga miqësia 68-vjeçare me të madhin Dritëro Agolli. Në prag të 13 tetorit ditëlindjes së shokut të gjimnazit “Asim Zeneli”

242
Sigal

Nga Hyskë Borobojka (Gaqo Veshi)

Sa here vinte 13 tetori do shkoja në banesën e mikut tim të madh Dritëro për t’i uruar ditëlindjen. E të kujtonim me humor e shaka miqësinë shumëvjeçare, që zinte fill nga gjimnazi “Asim Zeneli” në Gjirokastër e vijoi për 68 vjet deri sa miku im i madh ndërroi jetë. Sa kaloja portën e katit të parë e ngjisja shkallët për në banesën e tij , e mira Sadije kishte hapur derën e po më priste para saj sipas traditës së shkëlqyer të Shkodrës dhe do më ulte pranë mikut tim. Tani i madhi Dritëro dhe e mira Sadije kanë ndërruar jetë, kujtimet me këta miq të paharuar e të dhëmshur janë aq të shumta e mbresëlënëse, sa ata sikur kanë lindur për të plotësuar njëri tjetrin, që në “Dashurinë në moshën e Krishtit” dhe deri sa ndërruan jetë. Kutime të miqësise me këtë njeri të madh janë aq të shumta e duhen faqe të tëra të shkruhen e netë dimri të gjata për t’i treguar.Në këtë jubile të ditëlindjes së tij po sjell në morinë e kujtimeve të shumta e po tregoj tri prej tyre..

Kryetari vret viçat e fshatarëve me kobure

Kur punoja redaktor në revistën “Hosteni” kisha shkuar me shërbim në rrethin e Kolonjës dhe për të metat që kisha kostatuar aty, kisha thurur një reportazh satirik. Ndërmjet fakteve që sillja ishte edhe kjo ndodhi. Në kooperativën bujqësore të Qafëzezit, kryetari i saj provonte koburen duke vrarë viçat e fshatarëve.
– Dëgjo Hyskë (si më quante nga herë miku im)! Leri të gjithë të tjerat, ky është shkrimi? Koburja që kërkon nga Qafa e Qarrit në majë të Melesinit.
Këshilla e tij ishte shumë e drejtë, prandaj u nisa përsëri në Kolonjë e vajta në Qafëzes. Me vete, mora dhe shefin e skicografisë të revistës, “Piktorin e Merituar” Zef Bumçi. E takuam kryetarin, që kujtoi se kishim vajtur për ta lavdëruar.
– Dëgjo shoku gazetar,- më tha kryetari. Viçi kishte qëndruar atje e më përqeshi. Shtira dorën në brez dhe mora koburen, e cila sikur më tha: Gati jam, fishekun në gojë e kam.
-Dale pa ta tregoj qejfin, – i thashë.
-Ku e qëllove?- e pyti Zefi.
-Ku do ta qëllonja, o shoku gazetar. Në lule të ballit.
Shkrimin e bëra sipas mjeshtrit Dritëro. Zefi bëri skicën, duke pikuruar kokën e kryetarit si kobure, që donte të thoshte, se kryetari i Qafëzezit, koburen s’e ka në brez, por në kokë.
Shkrimi u pëlqye në redaksi. Ndërsa mua më falenderuan mjeshtrit e humorit , Mato Labi Sefqet Musaraj, Xhahi Bilbili, Spiro Çomora Qamil Buxheli e shumë te tjerë. Por suksesi këtij shkrimi i takon mjeshtrit Dritëro Agolli, që s’i kursente kurrë ndihmat për shokët.

Gjizë të bardhë, borë Korabi. Mish, kur të përdredhë bishtin cjapi.

Qëlloi që me mikun tim Dritëro u takuam në Peshkopi. Miku ynë i përbashkët Ilir Balilina që na ftoi për darkë në shtëpinë e tij, shkruante vjersha të këndshme dhe në atë kohë ishte kryetar i Degës së Brendshme të rrethit të Peshkopisë. Shkuam me shumë dëshirë. Të zotët e shtëpisë na pritën me derë të hapur siç e kanë traditë dibranët. Darka po kalonte shumë mirë, me raki e me dolli. I madhi Dritëro, si “pijetar“ që ishte filloi t’i zbrazte gotat. Dhe ashtu, “ç’ka barku i tregon bardhaku”, filloi të shante pushtetin, që po kalbej. E vdiqën fshatarin, ia morën bagëtinë e s’ka një çanak me dhallë të lagë buzën e tharë. S’ka një filxhan qumësht e një kokërr vezë , se dhe pulat ia hoqën. Punon tërë ditën e drekohet me një kavanos me ujë me një lugë sheqer. Për gjizë ka vetëm borën e Korabit dhe mish kur të përdredhe bishtin cjapi. Edhe bukën e misrit ia japin me racion (600 gram). Fshatari i gjorë edhe kur zbret në qytet duhet ta marrë copën e bukës prej misri në trastë, se nuk i jep bukë shitësja buzëkuqe, pasi “ si takon” se është fshatar.

Si mbaruam darkën, Iliri na shoqëroi në hotel. Në mëngjes i thashë mikut tim:
-More Dritëro ç’na bëre mbrëmë te miku ynë ,s’le gjë pa sharë.
-Të vërtetën thashë!
-Dhe kujt ia thoshe pa? Kryetarit të Degës së Brendshme . S’kishe frikë se mund të na raportonte?!

-Aspak, miku ynë Ilir Balili shkruan vjersha të mira. Pastaj mos harro i dashur Hyskë edhe ai si ti e si unë jemi fshatarë dhe dimë fare mirë si është katandisur fshati!
Në vitin 1992 e takova mikun tonë përpara “Kafe Evropës”.
-Na kanë lënë të pa punë, se jemi “Enveristë,”- më tha ai.
`-Dëgjo, Ilr Balili! Ato që dëgjove atë natë në shtëpinë tënde dhe s’kundërshtove gjysëm fjale, ty o mik, jo të të lënë pa punë, por të të emërojnë në një post me rëndësi në qeverinë e re, i thashë.

Në rrëzë të Moravës me derë të mbyllur e me portë të hapur

Miku im Dritëro bashkë me Sevo Tarifën kishin shkuar për të pushuar në shtëpinë e pushimit në Korçë, ndërsa unë pata shkuar me shërbim nga revista “Hosteni“ në këtë qytet. Sa arrita, frymën e mbajta në shtëpinë e pushimit të takoja Dritëronë dhe Sevon.
-Sa mirë bëre që erdhe,- më tha Dritëroi. Më kanë thënë se atje rrëzë Moravës ndërmarrja tregtare e Korçës ka hapur një klub, prandaj nesër, të diel, eja në orën nëntë, bashkë me mikun tonë të vjetër, që, kur ne ishim nxënës në gjimnazin “Asim Zeneli” Sevoja ishte sekretar i parë i Komitetit të Rinisë” të rrethit të Gjirokastrës..
Në orën nëntë u nisëm të tre drejt Moravës. Kur arritëm në vend, klubi i tregtisë , një lloj barake ishte mbyllur. Nga prapa tij doli shitësi me trup atleti e me veshje sportive.
-Pse është mbyllur klubi sot të diel?- e pyeti Sevoja.

 


-S’kam furnizim. Ç’të bëj, zbres në qytet marr disa furrnizime sa mund të mbaj në kurris,-sqaroi ai.
-Pse s’ka kafshë me katër këmbë e samar ndërmarrja juaj? -e pyeti Dritëroi.
-Si s’ ka. Janë tre a katër,- tha shitësi.
Dritëroi m’u drejtua mua, duke më thënë se më doli fejtoni për në revistën “Hosteni” . Kafshët me katër këmbë e me samar mërzejnë në hauret e ndërmarrjes tregtare dhe shitësi me dy këmbë mundohet të furnizojë klubin rrëzë Moravës duke i mbajtur në kurriz si hamall.”.
Brenda pyllit dëgjohej këngë e muzikë.
-Po këta ç’janë? – pyeti Sevoja.
-Janë punonjës të Uzinës Mekanike. Çdo të diel vinë e ia shtrojnë këtu!-sqaroi shitësi i klubit barakë.

 


Në këto e sipër dolën nga pylli dy prej tyre. Kryetari, Fetiu e një më i ri,
-Ejani ta kaloni me ne këtë të diel. S’ka gjë se klubi i tregëtisë e ka mbyllur derën, ne e kemi të hapur “portën” për miq e shokë të mirë!-na ftoi Fetiu.
-Ju keni qefin tuaj dhe vazhdoni !-u thamë ne. Ai më i riu iu drejtua Dritëroit:
-Dritëro ti je i popullit, ejani me popullin.
Këtë propozim s’mund ta kundështonte as Dritëroi as Sevoja e as unë. Pranuam ftesën e tyre e hymë në “portën e madhe” të pyllit të gjelbëruar. Punonjësit e Uzinës Mekanike e kishin oganizuar piknikun në pyllin rrëzë Moravës, me raki prej manaferre, që e nxirrte Fetiu. Ata na vunë në krye të vendit, ose si i thonë në krye të “kuvendit”… Pastaj radhën e kishte kënga. Dritëroi nga Devolli ia thoshte dhe Fetiu nga Opari ia mbante, ndërsa ne të tjerët e shoqëronim me iso. Në atë piknik, në pyllin e gjelbëruar të Moravës me disa nga punonjësit e Uzinës Mekanike të Korçës, kryefjala dhe kallëzuesi ishte Miku im i madh, Dritëro Agolli՞.