Deklarata e Thoma Turtullit që tronditi Greqinë në Konferencën e Parisit: Jam ortodoks, por jo helen, jam shqiptar

Deklarata e Thoma Turtullit që tronditi Greqinë:në Konferencën e Paqes në Paris: “Në Korçë nuk ka asnjë grek”

Unë jam Ortodoks, por nuk jam Helen, jam Shqiptar

NOA

-Ai i dhuroi Korçës bibliotekën, kinemanë, liceun, spitalin dhe jetimoren

– Një nga filantropistët më të njohur e të mëdhenj në Ballkan e më gjerë, Thoma Turtulli sot s’ka  varr

Gazeta Telegraf

Në Konferencën e Paqes në Paris, në vitin 1919, mjeku bamirës, Thoma K. Turtulli deklaroi pa ju dridhur qerpiku:

«Unë jam prej Korçe ku kam ushtruar mjekësinë. Jam një burrë plak e i ndershëm. Unë shpall këtu në mënyrë të prerë se, nuk ka asnjë banor Grek… as në qytet, e as në rrethin e Korçës. Por Helenët quajnë Grekë ata të fesë ortodokse…! Unë jam Ortodoks pra, por nuk jam Helen, jam Shqiptar! Bullgarët e Serbët janë gjithashtu Ortodoksë, por as ata nuk janë etnikisht Helenë !” Por sistemi i kuq monstruoz, u soll egërsisht me familjen Turtulli. Kur varrezat e Korçës u zhvendosën nga kisha e Shën Mërisë, u prish në mënyrë barbare varri monumental i kësaj familje të shquar dhe eshtrat e Filantropit të Madh nuk dihet ku përfunduan. Urrejtja patologjike e Enver Hoxhës ndaj kësaj familje, bëri që një nga filantropistët më të njohur e të mëdhenj në Ballkan e më gjerë, Thoma Turtulli – të mos ketë sot as varr.

Jeta e Thoma Turtullit

Thoma Turtulli u lind në qytetin e Korçës në vitin 1865. I ati i tij, Koci i Ndrios-Gozhdaxhiu i zbritur nga Vithkuqi, kishte rënë në Korçë dhe kishte nisur tregtinë, duke u bërë nga më të dalluarit e qytetit, si biznesmen i aftë dhe njeri i drejtë. “I tërë tregu kishte besim tek ai, muhamedanë e të krishterë të qytetit e të fshatit”,- na dëshmon shtypi i kohës. I biri, Thomai, i hyri shpejt tregtisë, qysh në moshë të re dhe në gjurmët e të atit, nisi shpejt të bëhet i suksesshëm, duke e zgjeruar tregtinë edhe në Elbasan, Berat, Durrës, Vlorë, Tiranë, Shijak dhe Shkodër. Qysh në vitin 1885, firma tregtare “Vëllazëria Turtulli”, i kishte kaluar kufijtë shqiptarë dhe kishte krijuar degë në Selanik, Manastir dhe gjetkë. Erdhi një kohë që firma tregtare Turtulli, u bë magazinë e madhe universale me shumë dyqane, ku tregtoheshin veç materialeve të ndërtimit, manifakturës edhe artikuj ushqimorë, sapun, sheqer, bulmet, alkool, birrë, lëkurë, vajguri e deri stafidhe importi. Thomai nuk arriti të shkollohej me mësime të rregullta, por me inteligjencien e tij të rrallë, nxuri shumë nga jeta dhe, siç do të provonin bindshëm vitet e mëvonshme, ai ia diti shumë vlerën arsimit dhe diturisë, të përthithur në gjuhën amtare. Pastaj, që në moshë të re, spikati për karakterin e qëndrueshëm dhe mbajtjen e fjalës së dhënë. “Ay u ngjet stërgjyshërve tanë, shkruan në shtypin Korçar “Morava” (pseudonim) atyre shqiptarëve karakteristikë që e bënë “Besën” e shqiptarit proverbiale”. Nga ky karakter, doli edhe një atdhetar shqiptar i vendosur. Të gjithë në Korçë e mbanin mend se “me sa shpirt e me sa gazep Thoma Turtulli ndiqte ata që këndonin kafeneve ose rrugës këngë të huaja”. Karakteri i qëndrueshëm, përvoja në tregti, me shqiptarë, dhe me të huaj, si edhe veprimtaria e njohur atdhetare e trevës së Korçës, e kishin bërë Thoma Turtullin, jo vetëm të dalluar në tregti, por edhe një atdhetar veprimtar. Në eksodin e korçarëve më 1919, kur u hap lajmi se Korça do të invadohej nga andartët grekë, Thoma Turtulli, ndër të parët u largua familjarisht, së bashku me familje të tjera korçare, të cilat shkuan nëpër Evropë të sensibilizonin botën e jashtme për rreziqet, të cilat i vinin atdheut të tyre, posaçërisht Korçës, nga të huajt e në mënyrë të veçantë nga shovinizmi grek. Në vitin 1921 në Korçë u krijua “Grupi politik i Korçës”, qëllimi i të cilit, ishte “bashkimi i gjithmbarshëm, forcimi i shtetit dhe përparimi i popullit dhe i kombit shqiptar përbrenda kufirit të drejtësisë dhe të njësisë së vërtetë të të gjithë nënshtetasve shqiptarë”. Grupi angazhohej, posaçërisht, se do të përpiqej për zhvillimin kulturor dhe ekonomik të qarkut të Korçës. Pleqësia e grupit përbëhej nga Koço Kota kryetar, Qani Bej Dishnica n/kryetar, Sulejman Mborja arkëtar, Nuçi Kondilli sekretar dhe Thoma Turtulli e Adem Bej Vila këshilltarë. Dera e madhe qytetare Turtulli, ishte përfshirë familjarisht në lëvizjen atdhetare të qarkut të Korçës. Shoqëria patriotike e zonjave të Korçës: “Përlindja” që u themelua në vitin 1919, të shoqen e Thoma Turtullit, Erasti Grigor Turtullin e kishte zgjedhur sekretare.

Biblioteka e qytetit

Vepra mirëbërëse e familjes Turtulli, sipas të dhënave të deritanishme, nis në vitin 1921, kur Korçën e vizitoi miku i shqiptarëve francezi Justin Godart. Ai bëri edhe një vizitë në jetimoren e Korçës. Me atë rast, “zonja e Thoma Turtullit, u solli jetimëve një paqetë me kufeta të mira”.Po atë vit Thomai vetë bënte pjesë në një komision të përhershëm për të zgjidhur çështjen e rikonstruksionit të kishës së Shëngjergjit. Sipas traditës kulturore, Korça me hinterlandin e saj, ka trashëguar pasuri me libra të përqendruara në institucione fetare, arsimore dhe familje të caktuara. Pa u futur në pasurinë bibliotekare të Voskopojës, apo edhe të Vithkuqit, biblioteka të hershme ka pasur edhe në fshatra si në Boboshticë, në Dardhë, në Drenovë e gjetkë. Pastaj në qytet ka pasur disa biblioteka të vendosura në kisha e në shkolla të kohës. Sipas të dhënave të tërthorta, Korça ka pasur bibliotekë publike para vitit 1921. Në bërthamën e atij fondi, bënin pjesë edhe librat e shoqërisë “Vatra”, të ardhura nga SHBA. Më vonë fondi i bibliotekës pasurohet me librat e dhuruar prej Spiro Dines, Nikolla Lakos, Thimi Mitkos, Aladro Kastriotit, si edhe të autoriteteve të tjera kulturore patriotike të kohës. Për këtë çështje bashkia qe detyruar të marrë me qira edhe një ndërtesë të posaçme për bibliotekë, por ajo kishte qenë e pamjaftueshme. Prandaj në mesin e viteve ’20 të shek. XX, nevoja e një lokali të ndërtuar me kërkesat e kohës për bibliotekë, ishte bërë urdhëruese. Për këtë çështje në vitin 1924, Nikolla Lako kishte trokitur në derën e ministrit Stavro Vinjau, por pa përgjigje. Më në fund edhe kryeministri Fan Noli, nuk kishte mundur të paktën të premtonte, për një bibliotekë në Korçë. Ai që e dëgjoi zërin e popullit të Korçës, në radhë të parë të rinisë korçare, ishte Thoma Turtulli, i cili vuri në dispozicion të ndërtesës së bibliotekës 200 napolona.

Një jetimore…

Një vit pas përurimit të bibliotekës, familja Turtulli hodhi një hap tjetër të rëndësishëm mirëbërës, në fushë të ndihmës shoqërore për fëmijët e paprind. Në vitin 1919 në Korçë kishte bërë vizitë një komision i Kryqit të Kuq Amerikan, i kryesuar prej zonjës Marie Reynolfs Ford. Me përpjekjet e saj, më 10 dhjetor 1919, u themelua jetimorja e parë në Korçë, e vendosur në një shtëpi private me qira.

Ndërtimi i spitalit
Në vitin 1932, Thoma Turtulli bëri një hap të rëndësishëm përpara, duke e ngritur në një shkallë të lartë humanizmin e tij. Kur në gusht të vitit 1932, drejtori i përgjithshëm i shëndetësisë Dr.Osmani, bëri një vizitë inspektimi në Korçë ku mori premtimin nga Thoma Turtulli për të ngritur një spital në Korçë. Më 11 korrik 1934, në praninë e përfaqësuesve të qeverisë të ardhur nga Tirana, të autoriteteve të prefekturës së Korçës dhe të popullit të Korçës, u bë përurimi i spitalit.

Liceu i Korçës
Në vitet 1934-1935 Turtulli do ta ngrinte në një shkallë më të lartë veprën e tij mirëbërëse ndriçimtare në udhën e qëndrueshme evolucionare të zhvillimit të Korçës dhe të mbarë vendit. Ishte fjala për ndërtesën e madhe, të bukur dhe solide të Liceut Kombëtar të Korçës, të Shkollës Industriale dhe të përfundimit të katedrales së atjeshme. Më 15 prill 1937, me një ceremoni të veçantë, u vu guri i parë në themelet e Liceut, ku përveç autoriteteve lokale dhe një pjese të popullit të Korçës, mori pjesë edhe i dërguari i mbretit, Inspektori i Përgjithshëm i Oborrit Mbretëror Xhafer Ypi. Në këtë kohë revista”Java”e kryeqytetit vlerësonte me superlativat më lavdëruese figurën, tashmë më madhore të mirëbërësisë shqiptare në shekullin e XX.”Në rrafshin shoqëror Thoma Turtulli ishte përjashtim , shkruhej aty, pse ishte më gjenerozi, midis gjenerozëve, më filantropi, midis filantropëve, më altruisti midis altruistëve…

Bamirësia e Thoma Turtullit u shpërblye nga qeveritë shqiptare : “Të mos ketë sot as varr”.