Shuhet në moshën 70 vjeçare regjisori Vladimir Kasaj
Nga Rumania në sheshxhirimet e filmave shqiptare. Vladimir Kasaj shprehet:“Për të gjitha vlerat estetike që i dhashë vendit tim, përfitoj sot një pension diku tek 70 dollarë.Vertet një tragjikomedi kur e mendon. Por nuk jam penduar për gjithçka bëra pasi ndjehem me energji e me mendje të kthjellët si në ato vite, por tashmë me pjekurinë e moshës dhe me një akumulim artistik, që mund të bëjë çfardo filmi nëse…një ditë do të më jepet mundësia” Këtë rrëfim dhe këtë dëshirë Regjisori Vladimir Kasaj ma tregoi disa vite më parë kur po shkëmbeni mendime mbi kinematografinë e dikurshme dhe prodhimin filmik shqiptar të shekullit të 21. Endrra krijuesi, fuqia dhe besimi i një artisti që edhe pse i ishte larguar kameras filmike dhe sheshxhirimeve jetonte serish mes tyre…Por këto ëndrra Ladi do t’i merrte me vete në rrugën e tij pa kthim. Regjisori, kineasti, miku, dhe shoku u largua prej nesh një ditë më parë në këtë vjeshtë të dytë të 2021.U largua duke lënë pas gjurmë mbi pelikulën filmike të viteve 70-80.Vite kur Ladi zbriti në sheshxhirme I ardhur si një regjisor i ri, por i formuar me një disiplinë serioze kinematografike falë studimeve të tij në Institutin kinematografik të Bukureshtit. Me këtë dëshirë pasionante për kinemanë dhe me ëndrrat e një regjisori të ri Kasaj do të realizonte filmin e tij të parë “Streha e re” me bashkëregjisor Spartak Pecanin. Deshira per t’u futur në psikologjinë e personazheve duke i pasuruar ato edhe nga jeta e tij, skrupoloziteti i një artisti të ri, rrebel dhe me ambicie e çuan Ladin drejt një kinemaje disi ndryshe larg klisheve të mërzitshme dhe drejt një fryme disi më lindore dhe liberale të regjisë së tij. Ndoshta kjo, ndoshta rastësitë bënë që Radio Televizioni Shqiptar t’i hidhte sytë nga ky artist premtues për ta bërë atë më pas një ndër regjisorët e parë të saj në vitet 80.Të kësaj periudhe janë një seri filmash artistikë të Kasajt regisor, si “Flaka e maleve” “Ditët që sollën pranverën” “Inxhinieri i minierës” si dhe “Rikonstruksioni”. Ishte ky prodhim filmik që e nderoi regjisorin Kasaj me çmimin e madh “Aleksandër Moisiu” në festivalin e filmit të vitit 1986. Në morinë e prodhimeve të tij Vladimir Kasaj, tashmë si një regjisor i sprovuar brenda RTSH do të ishte autori i dhjetra serialkomedive si dhe i bashkëpunimeve me Teatrin Kombëtar,me teatrin “Migjeni” me teatrin “Aleksandër Moisiu “ Durrës apo me teatrot e Elbasanit, Korçës e Fierit. Firmën e Kasajt mbajnë edhe koncertet e mëdha të ndërrimit të viteve në RTSH në 1980,1982,1984,1987 që për nga përmasat e tyre ishin produksionet më të rëndësishme dhe serioze të atij institucioni.”Kam patur privilegjin të punoj me ajkën e artit kinematografik dhe skenik të kohës” më tregonte shpesh Vladimiri duke shtuar se falë tyre arriti të mësonte nga thjeshtësia dhe fuqia skenike e Kadri Roshit, Ndrek Lucës, Robert Ndrenikës, Sulejman Pitarkës, Reshat Arbanës dhe shumë të tjerëve. Falë tyre,- me thoshte shpesh,- unë bëra një shkollë të dytë, atë të mjeshtërisë së aktorit.
Edhe pse kish lindur në Tiranë,Vladimiri gjysmën e tij do ta ruante gjatë gjithe jetës në Tepelenën e prindërve.”E admiroj këtë vend, më rrëfente shpesh, pasi atje kam një pjesë të kujtimeve të mia,të jetës sime. Në ato pak vite të qëndrimit të tij atje djaloshi i njohur me nofkën „djaloshi i Cavoit“ do të zinte miqësi me njerëz të mrekullueshëm, me mësues,sportistë,punëtorë e oficerë imazhet e të cilëve do t’i përcillte më pas në shumë karaktere personazhesh me të cilat ai punoi në filmat e tij. Jo rastësisht në 2019 Këshilli bashkiak i Tepelenes i akordoi atij titullin “Qytetar Nderi” për kontribut të çmuar në fushën e artit dhe kinematografisë shqiptare.
Vladimiri u largua heshturazi nga ne, nga miqtë e shumtë, familiarët dhe nga admiruesit e filmave të tij..Iku duke marrë me vete shumë pengje e dhimbje, të tilla edhe të kineastëve të tjerë, të cilët lanë pas si edhe Ladi një ëndërr të parealizuar, një project, apo një dashuri për filmat që nuk benë. Dhe jo për faj të tyre.




















